Nga Dalip Greca/
Të dielën në mbrëmje, me 3 Maj 2014, në një nga pjesët me peisazh romantik të Manhattanit në Nju Jork,u organizua mbrëmja Gala “Histori suksesi shqiptaro-amerikan”,i iniciuar dhe realizuar nga Grupi Shqiptar i Medias, Studioja Fadil Berisha dhe Fondi amerikan i Arsimit për Kosovën. Organizatorët ishin përpjekur që të evidentonin shqiptaro-amerikanët më të spikatur, të cilët kanë shënuar në Amerikë suksese në fusha të ndryshme si art, shkencë, politikë, biznes,arsim etj.
Zgjedhja e restorantit Battery Gardens, buzë ujit, përballë Statujës së Lirisë, ia shtoi emocionet këtij spektakli të suksesshëm, që kishte mbledhur qindra vetë. Madhështia e kësaj feste në historinë e Komunitetit Shqiptar në Amerikë, mund të krahasohet vetëm me festën dyditore të 100 vejetorit të Vatrës me 28 dhe 29 prill 2012 dhe 60 vjetorin e Gazetës Dielli me 28 dhe 29 Nëntor 1969,kur Vatra bashkoi shqiptarët e Amerikës dhe arbëreshët e Italisë si dhe nacionalistët shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore, që jetonin në Itali dhe organizoi një spektakël madhështor që u shtri në dy qytete; në Boston dhe në Nju Jork, dhe pati plus edhe një paradë madhështore shqiptaro-amerikane e arbëreshe nga Rokfeler Center tek katedralja Sate Patrick..
Vera Mjeku, që është edhe drejtore ekzekutive e projektit gjatë të gjithë mbrëmjes dukej e emocionuar, por tepër e kënaqëur që më në fund ia kishte arritë që të realizonte së toku me bashkëpunëtorët një spektakël të suksesshëm.
Sfilata në Tapetin e Kuq dhe intervistat e medias shqiptare dhe amerikane ishin gjëra të vecanta të aplikuara për të parën herë në veprimtaritë e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan.
Zonja Vera Mjeku që ishte aq e kërkuar nga gazetarët mbrëmjen e së Dielës përpiqet që të përcjellë me modesti atë c’ka ka arritë, por ajo premton se kjo Gala nuk do të jetë e fundit, përkundrazi,sapo ka filluar. Shqiptarë të sukesshëm ka shumë, dhe kjo nismë mund të kalojë edhe në Shqipëri e Kosovë. Natyrisht se një spektakël i tillë kërkon mund për ta realizuar.
Një ambasador fuqiplotë i Kombit Shqiptar në fushën e artit dhe Kulturës është Fotografi i njohur Fadil Berisha. Studioja e tij është bërë e famshme për botën e spektaklit, përfshi dhe aktorë të Hollivudit, apo spektaklet e bukurisë, jo vetëm në Nju Jork. Këmbëngulja e tij për të përfshirë bukurinë e trevave shqiptare në pasarelat e Botës,është një shërbim i vyer që i bëhet Kombit. Natyrisht edhe ai ka pjesën kryesore të suksesit në këtë spektakël.
Vetë spektakli i historive shqiptaro-amerikane të suksesit, ishte një shërbim me vlerë në ekranet e televizioneve Njujorkeze që ishin të pranishëm. Përzgjedhja për drejtues të spektaklit të dy yjeve shqiptaro-amerikanë, aktores Hollivudiane Eliza Dushku dhe Tony Dovolani, ishte një simbolikë e gjetur për të përcjellë suksesin përmes të suksesshmëve.
Ky spektakël pati edhe mbështetjen e Fondacionit Amerikan të Arsimit për Kosovën. Drejtori I Këshillit Drejtues I Fondacionit z. Dan Davidson, shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e këtij projekti kaq madhështor.
Eliza Dushku dhe Tony Dovolani duke folur për Shqiptarët dhe Kombin tonë, për më të sukesshmit në Amerikë, na e rritën krenarinë e të qenit shqiptarë. Ata nuk harruan të përmendin dhe të tjerë të famshëm në Amerikë që pohojnë se kanë gjak shqiptar.Vetë Eliza Dushku, edhe këtë herë nuk harroi të tregonte para publikut Tatuazhin e Shqiponjës së Flamurit tonë Kombëtar.
Një nga të suksesshmit e kësaj Gale Giorgio Kalaj, ishte folësi kryesor dhe në nisje të fjalës së tij tha se ishte një gjë e mirë që shqiptarët kanë kaq shumë histori suksesi në Amerikë. Ai i falenderoi të gjithë pjesmarrësit që kishin ardhur në këtë mbrëmje dhe po ndanin bashkë me më të suksesshmit historitë e përbashkëta shqiptaro-amerikane.Ai tha se ne shqiptarët, si shumë të tjerë kemi ardhë këtu në tokën e ëndrrave për të realizuar ëndrrat tona. Vetë ky spektakël flet shumë për realizimin e ëndrrave. Më pas ai e emocionoi sallën tek tregoi historinë e dhimbshme të familjes së tij që në momente shumë të vështira pësoi një tragjedi në Itali, humbi jetën babai, dhe nëna, në moshë shumë të re, mori përsipër barrën e rëndë për të cuar në vend amanetin e babait, i solli fëmijët e vegjël jetimë në Amerikë dhe këtu ata realizuan Ëndrën Amerikane. Kush nuk ka dëgjuar për të famshmen “Famiglia PIZZA”, pronë e familjes Kolaj?
Prezantimi i të sukseshmëve shkurtazi përmes vidiove, ishte një tjetër realizim që ia vlente dhe që theu monotoninë.
Në këtë spektakël organizatorët ksihin ftuar edhe deputetin dhe Liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Kryebashkiakun e Prishtinës Shpend Ahmeti.
Duhet pranuar fakti se është e para herë që komuniteti shqiptar evidenton më të sukseshmit e racës shqiptare në Amerikë, pavarësisht zgjedhjeve,që mund të jenë subjektive, ndoshta mund të ishte bërë më shumë kujdes që, si e para herë, të përzgjidheshin më të mirët e të mirëve, jo të futeshin edhe njerëz të zakonshëm, emrat e të cilëve përgojeheshin gjatë mbrëmjes.Nuk kishte pse që në këtë herë të parë të kishte dhe përzgjedhje nepotiste,si babë e bij, dy vëllezër,motër e vëlla etj. Natyrisht një komision përzgjedhës nuk mund të arrijë përsosmërinë,dhe sado mirë që ta bënte përzgjedhjen, nuk do t’i shpëtonte thashethemimit, por disa defekte në përzgjedhje ishin të shmangshme.(Një shkrim më të zgjeruar rreth spektaklit do të lexoni në Diellin e printuar)