Nga LEK GOJCAJ*/
Në Foto:Lekë Gojcaj duke zbuluar projektin e shtatores se Nënë Terezës ne EastWood Manor para komunitetit shqiptar/
Kisha mendura prej kohësh se një shtatore e Nënë Terezës në itrovicën e trazuar do të shërbente për uljen e tensioneve mes qytetarëve, që janë të etnive të ndryshme. Edhe vëlla Pashku ishte në një mendje me mua. Erdhi dita që kjo shtatore të bëhej pjesë e qytetit, që ka provuar mbi vete shumë ngjarje tragjike. Që nga 4 shtatori i vitit 2004, Nënë Tereza është atje, falë një projekti të diasporës shqiptare të Amerikës. Ky projekt kishte nisur paralelisht me shtatoren e Strugës dhe të Klinës. Kjo e fundit, pra e Klinës, iu dha biznesmenit shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova, Elmi Berisha, të cilit iu njoh e drejta e kopjes. Shpenzimet i ka bërë vetë ai. Ka qenë ditë e shënuar edhe vendosja e shtatores në Klinë, ku kanë marrë pjesë shumë personalitete politike e shtetërore, madje edhe presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.
Shtatorja e Mitrovicës pati të njëjtin komision, që realizoi shtatoren e Strugës. Ditën që u vendos shtatorja në Mitrovicë ishte vërtetë një ditë feste, edhe pse do të doja që të ishte më shumë një ditë bashkimi. Kush më mirë se sa Nënë Tereza do ta bashkonte Mitrovicën? Por duket se pushteti vendor nuk mundi që ta realizonte atë llojë bashkimi, qoftë edhe simbolik. Gjithësesi mendoj se ishte kujdesur Beogradi që Mitrovica të mos bashkohej dhe tensionet të mbeteshin gjithmonë të ngritura.
Gjithsesi, pjesëmarrja e autoriteteve tregonte vlerësim për vendosjen e simbolit të paqes dhe humanizmit në Mitrovicën shqiptare. Kishte ardhur në përurim Ministri i Kulturës, Sportit e Rinisë, i asaj kohe, Behxhet Brajshori, Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, këshilltari i presidentit Rugova, Sali Cacaj, deputeti Tom Hajdari, poeti Visar Zhiti, nga Shqipëria, Jashar Pollozhani, nga Struga, zv/ Kryetari i komunës së Mitrovicës, Mursel Ibrahimi (kryetari i ndjerë, Faruk Spahiu, sapo ishte ndarë nga jeta, për shkak të një sëmundjeje të rëndë) etj..Unë kisha shkuar bashkë me Pashkun në Mitrovicë, si dhe me Marjan Cubin, Simon Simonlacajn dhe zonjën e tij, si dhe kishte ardhe me ne edhe kushëriri im, Doda.Gjithëçka shkoi mirë në Mitrovicë, me përjashtim të pjesëmarrjes, që nuk ishte ajo që prisnim. Mendoj se mungesa e informimit dhe gjendja e tensionuar mes komunitetit serb dhe atij shqiptar, do të kenë qenë një nga shkaqet e pjesëmarrjes jo aq të mjaftueshme. Dr. Rugova na kishte paralajmëruar që njerëzit ende nuk ishin të çliruar nga një lloj frike.
Si shkoi Nënë Tereza në Mitrovicë?
Shtatorja e Mitrovicës erdhi si kërkesë e drejtorit të Radios në Mitrovicë, profesorit dhe publicistit Nexhmedin Spahiu, i cili, gjatë një telefonate, më shfaqi dëshirën që shtatorja duhej të ishte në Mitrovicë. Sipas drejtorit të radios, prania e shtatores së Nënë Terezës, do t’i bënte mirë Mitrovicës me tensione ndëretnike. Prania e Nënë Terezës do t’i zbuste shpirtrat e trazuar. Kërkesa për atë shtatore kishte ardhur paralelisht me kërkesën e Jashar Pollozhanit për Strugën. Nuk refuzuam as njërën e as tjetrën dhe i pranuam të dyja.
Kurorëzimi i projektit të Mitrovicës më dha një qetësi shpirëtrore. Edhe sot gjykoj se Mitrovicës i duhej Nënë Tereza më shumë se kujtdo tjetër.
Në përurimin e Mitrovicës, Gjovalin Lumaj kishte shkruar një poezi, të cilën e solli atë ditë Marjan Cubi. Po i sjell këtu vargjet e kësaj poezie:
Në Mitrovicë erdhi shtatorja
Nga Gjovalin Lumaj
Historia sa të jetë jeta,
I shënon ngjarjet e veta.
Në kalendar kjo ditë e artë,
Do të shpërndajë dritën e kjartë.
Në Mitrovicë erdhi shtatore,
Nanë Tereza, nanë botnore¼
Mirë se vjen Nanë e Lumnueme,
Mirë se vjen dritë e pashueme.
Mitrovica sot të pret,
Don me të pasë në zemër të vet.
Me ta ruejt emrin në breza,
Mirë se erdhe Nanë Tereza!
Drita jote do vegojë,
Për kët’ dritë kemi nevojë.
Ti në zemra mbjell dashninë,
Thërret paqen e qetësinë.
Ti thërret vlerat njerëzore,
Nanë Tereza, bijë arbnore¼
Bota e madhe gjatë e gjanë,
Të nderon e të thërret nanë,
Prej në troje të Shqipërisë,
Në Kalkutën e Indisë.
Dritë shpirtnore, mesazh shprese
Bije shqiptare, Nanë Tereza¼
Vjet për vjet shtatoret rriten,
Në troje të shqipes hapin dritën.
Kjo vepër ka bekim prej Zotit,
Për vëllezërit Gojçaj prej Hotit.
Djersën e derdhun në mërgim,
E dhurojnë me përkushtim.
Vepra e sotme na nderon,
Jep mesazh e na bashkon,
Kosovarë e gjithë shqiptarë,
Kjo është nder për nismëtar.
Dy figura që njeh Kosova,
President Ibrahim Rugova,
Dom Lush Gjergji që s’u kursye,
Vepra e Nanës me shkëlqye¼
Nismëtarët bashkuan vullnetin,
Se e duan prosperitetin,
Duan bashkimin përmbi ndarje,
Duan Kosovën pa përçarje.
Janë përkrah nanës botnore,
Misionarë vlerash njerëzore¼
Nana e madhe jep bekimin,
Për mëshirën për durimin,
Për marrëveshjen për pajtimin,
Për urtësinë e gjakftohtësinë,
Humanizmin e Bamirësinë¼
Vepra e Nanës plot fryëmzim,
N’ Mitrovicë thërret bashkim.
Drita e saj po kthjellon motin,
Bashkon njerëz, me shpresë në Zotin.
Bekon Kombin Nanë Tereza.
Paqe, qetësi pa pas ngatërresa.
Vitet shkojnë, kohnat do rrjedhin,
Vepra shenjtë do shndrisë qiellin,
Bashkë me yjet, Hanën e Diellin,
Brezat kangën do përcjellin.
Trojet tona të Ilirisë,
Nderojnë veprën e pavdekësisë
Ka qenë e mrekullueshme paraqitja artistike e krijimtarisë që i përkushtohej Nënë Terezës në tubimin e Mitrovicës. Visar Zhiti, një poet disident, që komunizmi nuk arriti ta thyente as në qelitë e torturave dhe as në ferrin e burgjeve, përcolli atë ditë poezitë e shpirtit për Nënën Terezë. Është duartrokitur gjatë poeti i talentuar. Edhe aktori i shumënjohur i Kosovës, Çun Lajçi, na ka emocionuar me vargjet kushtuar Nënës së madhe.
Pas atij përurimi kemi shëtitur edhe nëpër pjesë të tjera të Kosovës, duke qenë pjesëmarrës në disa nga veprimtaritë përkujtimore, kushtuar Nënë Terezës. Me shumë emocione i përkujtuam edhe veprimtaritë e organizuara në Gjakovë. Të dielën, me 5 shtator 2004, isha në Letnicë, tek Kisha “Zonja Cernegore”, ku Nënë Tereza kishte marrë mëshirën e parë, kur ishte vajzë e re. Na ka shoqëruar biografi i saj, dom Lush Gjergji. Të gjitha veprimtaritë na kanë pëlqyer dhe na kanë mbushur me emocione.
*Marre nga libri”Shtatoret e perjetesise” I autorit Lek Gojcaj me redaktor Dalip Greca
Marjan Cubi says
Me te vertet jame shume I befasuar per rreximin e Shtatores se Nene Tereza sepse pikerishte aty eshte me e nevojeshme qe te gjendet nje Shtatore e tlle, aty ku duhet gjendet Paqa, qetesija, marreveshja dhe Bekimi. Nuke e mendoj se eshte gjete nje dore e zeze, e pa shpirte dhe qe e ndihmone ate palen kundershtare te paqes mirekuptimit dhe lirise se plote te Kosoves.
Mark K. Shkreli says
E kuptohet se ky shkrim eshte botuar me rastin e ngjarjes ne Mitrovice, e qe disa po perpiqen ta paraqesin si ceshtje e fetare. Une mendoj se eshte teper heret te vihet deri ne perfundim, andaj, do te ishte mire qe te permbahemi nga denimet e parakohshme. Deri tani, mendoj se fajieshte tek montuesi dhe se nuk ka te bej me urrejtje.