FAKTI: Efektiviteti i hidroksilklorinës në trajtimin e pacientëve me COVID-19 nuk dha rezultatin e pritur në New York-/
- TABLOJA 24 ORËSHE E LUFTËS KUNDËR KORONAVIRUSIT/
- NGA DALIP GRECA/ Bota duket se i ka dhënë liri koronavirusit, në përpjekje të dështuara deri tani për ta frenuar. Tabloja e shifrave vazhdon e thellohet. Edhe për të Premte realiteti ishte i zymtë: u raportuan 105 mijë e 616 të infektuar të rinj, nga 78 mijë e 304 që ishin shifrat e së Enjtes, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2 milion e 828 mijë e 617,ndërsa numri i të vdekurve ka kapë shifrën 197 mijë 09.
Tabloja e betejës me Koronavirusin gjatë ditës së Premte në SHBA dha këto shifra: Numri i përgjithshëm i të infektuarëve shkoi në 925 mijë e 38, me rreth 37 mijë e 960 të infektuar të rinj, të përfituar nga rritja e numrit të testimeve.Deri në mbrëmjen e vonë të së Premtes u raportua se në SHBA ishin kryer 5 milion, 20 mijë e 850, testime, ku numri më i madh i takon qendrës së epidemisë, shtetit të New Yorkut me 730 mijë e 656 të testuar. Numri i viktimave në 24 orët e fundit ishte 1 mijë e 951 duke e çuar numrin e përgjithshëm në 52 mijë e 185 të vdekur.
New Yorku vazhdon t’i ulë parametrat e këqinj, duke raportuar gjatë së premtes 422 të vdekur(nga 507 të Enjten), me numër të përgjithshëm të jetëve të humbura 21 mijë e 283, duke iu afruar në total shteteve të Europës që kanë pësuar më shumë viktima: Italisë që ka 25 mijë e 969, Spanjës me 22 mijë e 524, Francës me 22 mijë e 245, dhe duke lënë pas Britaninë e Madhe me 19 mijë 505.
Shteti i New Jersy-t edhe gjatë së Premtes vazhdoi që të qëndrojë nën shifrat e javës së shkuar; u raportuan 189 të vdekur, në total 5 mijë e 617, një shifër e përafërt me Gjermaninë, e cila është shteti europian që e ka menaxhuar mjaft mirë betejën kundër koronavirusit dhe ka deri tani vetëm 5 mijë e 653 të vdekur, ndërkohë që të premten Gjermania kishte vetëm 78 viktima.
Massachustes e kaloi shifrën e 50 mijë të infektuarëve, me një shtesë prej 4 mijë e 946 të infektuarësh të rinj, që u raportuan të premten, ndërsa viktimat ditore kapën shifrën e 196 jetëve të humbura(në total 2 mijë e 556).
Michigani sërish u ngjit tek numrat treshifror për viktimat, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 3 mijë e 85, ndërsa numri i të infektuarëve 36 mijë e 641. Ndër shtetet e tjerë që raportuan viktima gjatë ditës së premte ishin: Connecticut me 125 të vdekur, Florida 59, Louisiana me 61, Meriland 50, Ohio 34, Indiana 35, Virginia 38, Missouri 24, Minnesota 21, Texas 25 etj. Mesatarja e dy javëve të fundit e jetëve të humbura në SHBA ka qenë rreth 2 mijë.
COVID-19 është i pranishëm në të 50 shtetet e SHBA-së, ku një pjesë i kanë dhënë fund izolimit, ndërsa të tjerët po planifikojnë hapje graduale në ditët që vijnë.
***
Shuhen shpresat mbi efektivitetin e hidroksilklorinës
Një studim i Departamentit të Shëndetit të Shtetit të Nju Jorkut mbi efektivitetin e hidroksilklorinës në trajtimin e pacientëve me COVID-19 tregoi se ilaçi kundër malaries dha pak efekte në luftimin e sëmundjes.
“Ne nuk shohim ndonjë ndryshim statistikisht domethënës midis pacientëve që morën ilaçin dhe atyre që nuk e morën,” tha David Holtgrave, Dekan i Universitetit të Shëndetit Publik në Albany. Në një studim të udhëhequr nga Holtgrave, 600 pacientë në zonën e New York City u monitoruan. Disa e morën ilaçin së bashku me antibiotikun azitromicinë, dhe disa pa të. Të enjten në CNN, Guvernatori Andrew Cuomo tha, ” hidroksilklorina nuk dha efekt pozitiv, por nuk pat as pasoja negative… në të vërtetë nuk pati një efekt të dukshëm në shkallën e rikuperimit.”
***
Të paktën 150 mjekë italianë kanë vdekur nga koronavirusi
Në Itali, të paktën 150 mjekë kanë vdekur pas infektimit nga koronavirusi, deklaroi të Premten e 24 prillit Shoqata Italiane e Mjekëve.
Profesionistët e kujdesit shëndetësor përbëjnë rreth 10% të të gjithë të infektuarëve, u theksua në deklaratë.
Një grup i veçantë italian i kujdesit shëndetësor, ANAAO, kritikoi dekretin e qeverisë, që synonte forcimin e sistemit shëndetësor, që siç thanë ata nuk është ai që duhet dhe se ishin te zhgenjyer.
ANAAO i quajti masat e përcaktuara në dekret, te pamjaftushme, po ashtu edhe shuma prej 25 miliardë euro (27 miliardë dollarë), plotësisht zhgënjyse. Dekreti u miratua nga qeveria të Premten, 24 prill 2020.
“Financimi shtesë i ofruar nuk është i mjaftueshëm për të garantuar shpërblimin e të gjitha orëve të tepërta të punës midis shkurtit dhe marsit, dhe nuk i përligj frymën e sakrificës, humanizmin, përkushtimin e mjekëve dhe personelit të gjërë mjeksor, thoshte deklarata.
Pandemia goditi ashpër sistemin e kujdesit shëndetsor në Itali, i cili nuk ishte në gjendje të përballonte stuhinë e shtrimeve massive të pcientëve të infektuar. Financimet në sistemin e shëndetsisë kanë qenë farë të pamjaftushme në Itali.
“PROMOVIMI” I PRESIDENTIT TRUMP
Presidenti Donald Trump i habiti të gjithë tek promovoi të enjten me 23 prill, idetë e tij për trajtimin e koronavirusit me anë të injektimit në trup të lëndëve të rrezikshme dezinfektuse. Në daljet e përditshme para gazetarëve ai u sugjeroi shkenctarëve të fokusohen në efektet e bombardimit të trupit të pacientëve me rreze ultravioletë, duke shtuar, të shihet mundësia e injektimit të lëndëve helmuese si dezifektantët apo alkooli në gjakun e tyre.-“Kam parë se si dezinfektantët e shkatërrojnë virusin brenda një minute, dhe nuk e di a ka ndonjë mënyrë që kjo të realizohet me injektim të brendshëm, si një lloj pastrimi, pasi virusi futet në mushkëri dhe shumohet, tha Presidenti.
Koordinatorja e taskforcës për Covid-19, Debora Bërks, natyrisht nuk e duartrokiti këtë promovim idesh të presidentit.