
Me dhimbje të madhe dhe trishtim të thellë mësuam lajmin për largimin përgjithmonëprej nesh të gjeniut të kombit Ismail Kadare. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, të gazetës “Dielli” e mbarë shqiptaro-amerikanëve shpreh ngushëllimet më të dhimbshme për largimin në përjetësi të gjeniut të letrave shqipe, kolosit të letërsisë shqiptare, ambasadorit më të njohur e më të shquar të kulturës së kombit tonë Ismail Kadare. Një ditë zie dhe humbje e madhe për të gjithë kombin tonë. Ismail Kadare ishte frymëzim dhe referencë e qytetërimit perëndimor për mbarë shqiptarët.
I papërsëritshëm dhe i paarritshëm, Ismail Kadare la pas një trashëgimi të jashtëzakonshëm për letërsinë, albanologjinë dhe kulturën kombëtare.
Një krijues i përmasave botërore, Kadare rrezatoi dritë në një kohë terri e ferri për të gjithë shqiptarët.
Ngushëllimet më të dhimbshme familjes Kadare, komunitetit të shkrimtarëve, publicistëve e artistëve dhe mbarë kombit tonë për humbjen e shqiptarit të jashtëzakonshëm Ismail Kadare.
I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij.
Me dhimbje të thellë dhe mirënjohje përjetë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha