Vëzhgim/
Para disa ditësh Avokati i Popullit Shqiptar rrugëtoi nga Tirana në Durrës për të dalë në dritaren e emisioninit të Bashkim Hoxhës të News-24.Siç tha, kishte shfrytëzuar rastin e takimet me “popullin” e Durrësit dhe me këtë rast, një “rrugë e dy punë”, siç thuhet, doli në rrugë satelitore dhe foli edhe për ne, mërgimtarët që po humbim gjuhën shqipe dhe po mbetemi të burgosur në pikat e kalimit kufitar për shkak të toponimeve, pse, siç theksoi, nuk shkruhet Thesaloniki por Selanik (!?)
Përmendi se edhe një “koleg juaji” (a thua se “kolegu” nuk kishte as emër e mbiemër dhe as adresë elektronike) e ka ngritur këtë problem.
I rashë numrit të celularit në cepin e djathtë, sipër, të ekranit që t’i prezantohem drejpërdrejt, por zilja binte e kush nuk e ngrinte.
Për lexuesin e këtyre radhëve sqaroj se Avokatit të Popullit Shqiptar i kam bërë dy letra të hapura që ia kam dërguar në adresën e tij elektronike dhe (për horizont njohjeje) i kam dërguar edhe dy librat e mija, librat “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” në të cilat paraqitet puna e jashtzakonëshme e mësuesve vullnetarë shqiptarë në Greqi që nga veriu në jug dhe nga stereja në ishuj, të cilët me përkushtim atdhetar kanë hapur kurse për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. I kërkova që me autoritetin që i jep posti të ndërhyjë që me ligj të vlerësohet jo moralisht por materialisht puna që këta mësues tash 13 vjet zhvillojnë mësim në prushin djegës të mjedisit helen, pa asnjëlloj marrëveshje shtetrore për këtë e pa asnjë mbrojtje ligjore.
Të njejtën gjë bëra edhe për problemin e pasaportave, jo vetëm të fëmijëve por të mbarë shqiptarëve, plotësuar në mënyrën më analfabete të mundëshme nga njerëz që nuk njohin jo vetëm ligjet ndërkombëtare por edhe gjuhën shqipe.
Desha ta pyes në atë dalje publike Avokatin e Popullit Shqiptar, avokat edhe për një të tretën e shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani, në të pesë kontinentet e globit, pse nuk më është përgjigjur për dy letrat e mija në adresë drejtpërdrejt atij? Unë, për probleme të mijat dhe të komunitetit shqiptar në Greqi i jam drejtuar disa herë Avokatit të Popullit Grek dhe gjithnjë, në kohën më të shkurtër të mundëshme, kam marrë përgjigje me shkrim. Avokati i Popullit tim nuk më përgjigjet mua si gazetar, detyrim ky ligjor, çka përbën problem për statusin e tij. Dhe kur nuk i përgjigjet një gazetari për një problem të madh që lidhet me mërgatën shqiptare në Greqi, lëre pastaj se sa mund t’u përgjigjet njerëzëve të thjeshtë në hallet e tyre.
Dy letrat e mia në adresë të z. Totozani do t’i gjeni në internet ndaj nuk do zgjatem për hollësitë që i kam përcjellur.
Desha në atë emision ta pyes Avokatin e popullit tim dhe bashkë me të edhe drejtuesin e emisionit në se e kanë me vete pasaportën zyrtare shqiptare dhe në mungesë të saj në se e mbanin mend se si është shkruar vendlindja e tyre Tirane apo Tiranë, Durres apo Durrës, i sigurt që është shkruar si edhe pasaporta ime ku është shkruar Diber në vend të Dibër, ashtu siç është shkruar Korce në vend të Korçë, Kucove në vend të Kuçovë etj., etj. Desha ta pyes se pse Avokati me autoritetin që i jep ligji, nuk ia ka kthyer mbrapsht Ministrisë së Mbrendëshme pasaportën e tij shkruar me gabime të pafalshme dhe pse nuk e ka detyruar që ta përsërisë me shpenzimet e fajtorit.
U bë më se dy vjet që fëmijët shqiptarë bllokohen në kufi për faj të shtetit shqiptar. U bë dy vjet që në ditë festash e pushimesh shqiptarët pyesin me ankth: “A lejohet kalimi i fëmijëve me probleme në të shkruarit e toponimeve”.
Askush nuk përgjigjet, askush nuk e ve ujin në zjarr për ta vluar mirë problemin. Ministrat që vijnë e shkojnë luten para grekëve pushtetarë si të jenë para altarit kishtar, luten përthyeshëm në kurriz…
Avokati i Popullit Shqiptar z. Totozani pse bën shurdhomemecin? Deri kur ai do të dalë ekraneve për të thënë…”asgjë nga fronti i toponimeve”? Kur do ta hapë plotësisht gojën Avokati i Popullit për të kërkuar gjënë më të thjeshtë të mudëshme: TËRHEQJEN E TË GJITHA PASAPORTAVE TË FËMIJËVE QË KANË LINDUR DHE PO HUMBASIN GJUHËN E IDENTITETIN NË GREQI DHE PLOTËSIMIN E TYRE ME SHPENZIMET E FAJTORËVE?
Është e vetmja alternativë dhe ndjesë që duhet t’u kërkohet fëmijëve shqiptarë në Greqi, ndjesë që para të gjithëve i takon ta kërkojë Avokati i Popullit, detyra e të cilit është mbrojtja e njerëzve në hall. Dhe fëmijët shqiptarë së bashku me prindrit e tyre janë në hall të madh, hall që i ka rrënjët në vendin që ata e duan më shumë se çdo vend tjetër, në Atdheun e tyre që i ka harruar.
Abdurahim Ashiku
Interesant, kam pare shume kritika per punen e tij, merret me shume me probleme qe nuk kane peshe dhe populli eshte ma shume indiferent! Ka detyre kushtetuese dhe larmia e fushave per te ndihmuar dhe keshilluar me popullin(eshte keshilltare civil), jane pa mbarim! Une nuk i them qe te mos merret me pederet, rromet e tj., ai duhet te ngreje probleme para qeverise shoqerise civile se cilat jane rreziqet qe e kanosin popullin, si duhet parandaluar dhe mbrojtur prej tyre. Ai duhet te shpjere ne parlament ligje e vendime qeverie qe biene ne kundershtim me praktiken e jetes dhe populli, revoltohet, sorollatet dhe e paguan shtrejt gjate levizjeve te tij ne boten e lire. Kam vene re se u kushton me shume kohe problemeve qe vine nga Bashkimi Europian dhe ato te qytetarve shqiptare i lene mbas dore! Po ky institucion i popullit nuk e gjeti nje kohe t’i kthente pergjigje per te dy heret drejtuar dhe pak a shume ta ndihmonte me mendimin e tij?
Faleminderit Mark Gjoni. Për kulturë njohjeje po ju përcjell letrën dërguar Avokatit të Popullit për toponimet.
MBRONI FËMIJËT E MËRGIMTARËVE SHQIPTARË NË GREQI
Letër e hapur në adresë të Avokatit të Popullit Shqiptar Igli Totozani
I nderuar z. Totozani !
Ju shkruan një gazetar emigrant, Abdurahim Ashiku, në vëmendjen publicistike të të cilit tash e më shumë se një vit, pasaportat shqiptare, të shkruarit gabim të të cilave, të toponimeve por edhe të drejtshkrimit, përbëjnë jo thjesht një problem tonin por edhe të drejtësisë shqiptare në mbrojtje të së cilës jeni edhe Ju.
Më 30 prill 2013, para Ambasadës tonë në Athinë, me nismë të gazetës “Plus Gazeta Athina” u tubuan fëmijë e prindër të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi në një protestë qytetare për shkrimin gabim të toponimeve në pasaportat biometrike prodhuar nëpërmjet ambasadës dhe pikave të aplikimit në Shqipëri, gabime që u kanë kushtuar dhe u kushtojnë mërgimtarëve në Greqi qëndrime të gjata në pikat e kalimit kufitar, qëndrime në erë, akull, shi e dëborë, kthimit të tyre në Shqipëri, dhunë fizike dhe psikologjike.
Bllokimi i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Greqi është një rast unikal që po ndodh sot në botë, rast që me siguri duhet të ketë ardhur nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv edhe në vëmendjen tuaj. Krimi për të cilin dënohen pa gjyq fëmijët është të shkruarit e toponimeve në pasaportat e tyre nga një administratë aplikimi analfabete, e paaftë gjuhësisht dhe në njohje të ligjeve ndërkombëtare.
Mësojmë se Organizata e Kombeve të Bashkuara pesëmbëdhjetë vjet të shkruara ka nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për të gjitha vendet e globit që toponimet në dokumentet zyrtare të shkruhen me germa latine dhe në përshtatje me të shkruarit e tyre në secilin vend. Ju duhet ta keni këtë dokument në arkivin e Avokatit të Popullit dhe do të dëshiroja që ti referoheshit atij për të përcaktuar ligjërisht fajtorin e vërtetë të maskaradës që po luhet me fëmijët e mërgimtarëve në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.
Si gazetar, në një sërë shkrimesh në “Plus Gazeta Athina” dhe në gazetat në internet e kam ngritur shpesh herë këtë problem me fakte konkrete, me lot familjarësh në bisedat me ta për dhunën e ushtruar në kufi.
Në një intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi pyetjes time për problemin e bllokimit në kufi të fëmijëve shqiptarë për shkak të shkrimit gabim të toponimeve mbi pasaportat e tyre ndër të tjera kam marrë edhe këtë deklarim:
“Nisur nga respekti për një rezolutë të OKB, (megjithëse këshilluese), nga vullneti i mirë për t’iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të vendit fqinj dhe në mënyrë te veçantë për pasojat që kjo do të jepte në masat shtrënguese ndaj emigranteve tanë në Greqi, Qeveria shqiptare vendosi që të hedhë në regjistrin kombëtar edhe toponimet greke, krahas atyre shqiptare (sipas eksperiencës që ekziston për raste të tilla me vendet e tjera.)
Në këtë kuadër, erdhi në Athinë në muajin Nëntor të vitit të shkuar, një delegacion i zgjeruar i MPJ dhe Ministrisë së Brendshme për të diskutuar modalitetet përkatëse. Janë bërë të gjitha propozimet nga pala jonë (verbalisht dhe me shkrim) duke i u përgjigjur pozitivisht kërkesës së palës greke. Në këto modalitete janë lënë të hapura, për diskutime të mëtejshme, edhe se çfarë do bëhet me ato dokumente të lëshuara deri tani, koha e zbatimit të tyre, etj.
Siç e dini edhe juve, ndërkohë që ky është një proces në vijim, pala greke ul dhe ngre trarin në kufi për fëmijët që janë të pajisur me këto pasaporta, ndërkohë që nxjerrin herë pas here probleme edhe me regjistrimet në shkolla.
Në takimet e vazhdueshme që ne vazhdojmë të bëjmë, lidhur me këtë problem, si në Tiranë edhe këtu në Athinë, na thuhet se problemin e kemi në shqyrtim dhe se së shpejti do marrim një përgjigje.”
Ky prononcim, botuar në “Plus Gazeta Athina” më 22 shkurt 2013 dhe problemi i fëmijëve të lindur në Greqi nuk ka marrë përgjigje, ndonëse “delegacioni i zgjeruar i MPJ dhe Ministrisë së Brendshme për të diskutuar modalitetet përkatëse” ka ardhur “në Athinë në muajin nëntor të vitit të shkuar”, tash gjashtë muaj më parë.
Si gazetar, në vëzhgimet e mia mbi pasaportat e fëmijëve të lindur në Greqi, por më gjerë edhe në pasaportat e të gjithë shqiptarëve, vërej katër probleme që lidhen me fajin e administratës së vendit tim, faj që duhet të gjykohet e dënohet nga një gjykatë shqiptare ku në mbrojtje të jeni ju si Avokat i Popullit.
Problemi i parë ka të bëjë me të shkruarit gabim, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të vendlindjes së fëmijëve, toponimeve përkatëse greke.
Problemi i dytë lidhet me mosplotësimin në dy gjuhë të kërkesës së pasaportës tip shqiptare, në shqip dhe në anglisht. Nga të dhjetë pikat e pasaportës vetëm në njërën shkruhet në dy gjuhë, në pikën 3 (shtetësia/nacionality) ku shkruhet Shqiptare/ Albanian. Në qoftë se në pikën 6 vendlindja/place of birth do të ishte shkruar për fëmijën (po ju përcjell një fotokopje pasaporte) Athinë –Athens (në dy gjuhë siç e kërkon pika) atëherë për Rean e vogël nuk do të kishte asnjë problem të qarkullonte në rrugëkalimet për në Greqi dhe në të gjithë botën.
Problemi i tretë është i lidhur me drejtshkrimin në gjuhën shqipe të emrave dhe të toponimeve shqiptare. Në pasaportat biometrike shqiptare, ndonëse në modelin e saj është shkruar “REPUBLIKA E SHQIPËRISË” me germa të vogla e të mëdha, në shkrimin e toponimeve dhe të emrave të mbajtësve të pasaportave mungojnë dy germa të alfabetit të gjuhës shqipe, germa Ë dhe germa Ç një problem që në vite u ka nxjerrë probleme mërgimtarëve shqiptarë kur kanë plotësuar dokumentet e legalizimeve, ka bërë që ata të detyrohen të ndërrojnë germat e emrit në kërkesa zyrtare në gjendjet civile të vendbanimeve të tyre në Shqipëri, në ndërrimin e pasaportave, në një maratonë të lodhshme.
Unë po ju dërgoj të fotokopjuar pasaportën e një mërgimtari nga Kuçova ku vendlindja është shkruar KUCOVE në vend që të shkruhej KUÇOVË. Ju këtë gjë mund ta gjeni në të gjitha toponimet shqiptare ku të pranishme janë germat Ë dhe Ç. Këto dy germa të alfabetit të Gjuhës Shqipe të miratuar më se njëqind vjet më parë nga Kongresi i Manastirit nuk ka të drejtë askush ti heqë nga dokumentet zyrtare. Heqja për mendimin tim përbën precedent ligjor të dënueshëm.
Problemi i katërt lidhet me certifikatat shqiptare, me vulën mbi ta, mosnjohja ndërkombëtare e së cilës na ka shkaktuar dhe na shkakton shqetësime të pallogaritshme. Më parë vula mbi certifikatat legalizohej nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi, legalizim i cili duke u shndërruar në një korrupsion të madh (i njohur ky nëpërmjet medies investigative) u transferua nga Greqia në Shqipëri, nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi në përfaqësitë diplomatike greke në Shqipëri.
Duhet të pohoj se certifikatat shqiptare tashti janë të sofistikuara në një shkallë sigurie të lartë, janë të pa tjetërsueshme. Të papranueshme nga administrata greke janë vetëm e vetëm pse ata kanë mbi faqe një vulë që nuk njihet ndërkombëtarisht. Sipas atyre që shkruhen në media Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka firmosur dokumentet për njohjen e vulave zyrtare. Mendoj se një gjë e tillë duhet të jetë në vëmendjen Tuaj si Avokat i Popullit dhe në nismën tuaj për aderimin e Shqipërisë në njohjen e vulave.
Në demonstrimin para Ambasadës Shqiptare në Athinë, si qytetar, si gazetar, u kërkova prindërve të fëmijëve që zgjidhjen e problemeve të toponimeve mos ta kërkojnë në bisedat mes titullarëve të të dy vendeve, mos tu gëzohen lëmoshave të shtetit grek për “Leje kalimi të fëmijëve për festën e Pashkëve, Krishtlindjeve etj.”, por ta kërkojnë nëpërmjet një aktpadie ndaj Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, përfaqësive diplomatike dhe firmës së aplikimit të pasaportave, në një gjyq publik ku të kërkohet ribërja e pasaportave të fëmijëve me shpenzimet e shtetit dhe dëmshpërblim për të gjitha rastet e kthimeve në kufi, ndjesë publike për dhunën psikologjike të përjetuar.
Shpresoj që ju, në cilësinë e Avokatit të Popullit të inicioni një gjykim publik të këtyre përmasave duke qenë vetë në mbrojtje të drejtpërdrejtë. Si gazetar kam qenë i pranishëm tetë orë në këmbë në “Gjyqin ndaj gjuhës shqipe në Athinë” siç e kam titulluar në reportazhin tim, gjyq në të cilin, në mbrojtje të drejtoreshës së shkollës së Gravës znj. Protonotarjo që kishte hapur një klasë që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të mësonin gjuhën e nënës dhe mësueses shqiptare znj. Karkallo, në mbrojtje të dy grave ishte vetë Avokati i Popullit grek, mbrojtje e cila bëri që ato të shpallen të pafajshme. Shpresoj që Ju të viheni në mbrojtje të fëmijëve shqiptarë në Greqi. Ata nuk e meritojnë stresin dhe dhunën në pikëkalimet kufitare për një shkak që për mua është banal, i pakuptueshëm.
Me respekt Abdurahim Ashiku, gazetar.
Athinë, 1 maj 2013.