Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli New York, Austrinë në betejën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.
SITUATA E COVID-19 NË AUSTRI
Situata në Austri është momentalisht stabile, lock-down i hershëm i shtetit më 15.3.2020 e shpëtoi Austrinë nga skenari i vendit fqinj Italisë. I gjithë shteti ishte i mbyllur, duke filluar hapjen graduale shkallë-shkallë. Mbyllja e fabrikave, industrisë, shkollave etj shpëtoi shumë jetë njerëzish në Austri. Shteti austriak deri më 17 maj numëronte: 16 mijë e 269 të infektuar me COVID-19, ndërsi numri i viktimave është minimal, 629 të vdekur. Në krahasim me Suedinë e cila nuk u mbyll, Austria korri megjithatë sukses të jashtëzakonshëm. Rënia ekonomike në Suedi shënohet më së paku 7,5%, ndërsa në Austri 5,5% e sa për numrin e të infektuarve dhe viktimave të mos flasim të cilat janë shumë fish me të larta në Suedi. Tanimë janë hapur bizneset, restorantet prej 15.5.2020 dhe hotelet do të hapen në fund të majit. Shkollat fillojnë më 18.5.2020 me orar të reduktuar dhe në grupe të ndara.
SHQIPTARËT NË AUSTRI
Për situatën e shqiptarëve për aq sa jam i informuar ka pasur raste por janë informata jozyrtare. Kurba e të infektuarve është momentalisht 0,5 % infeksione të reja në ditë dhe diku 0,6 % kurba e të shëruarve në ditë. Shkaqet e vdekjeve janë pneumonia bilaterale por edhe trombozat, insultet në tru si dhe infarktet miokardiale. Sfidat në përballje me pandeminë globale janë të përditshme dhe të paparashikueshme, ka pacientë që janë negativ në testin e Covid-19 ngaqë virusi veçse ka depërtuar në mushkëri duke shkaktuar pneumoni bilaterale. Vazhdimësia e Pandemisë mbetet një e panjohur për të gjithë në ngase nuk e dimë si do të jetë numri i infeksioneve të reja pas hapjes graduale të kufinjëve më 15.06.2020.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT
Mesazhi im për lexuesit e gazetës së nderuar Dielli: mbani distancë më se paku 1 metër, lani duart me sapun dhe veshni doreza në ambiente më pak të njohura psh tek mbushja e makinës me derivate, në supermarket etj dhe mos u besoni informatave që thonë se kemi një medikament apo vaksinë të zbuluar. Do na duhet kohë për ta zhdukur virusin global. Përshëndetje të përzemërta për të gjithë ju dhe diasporën në USA.
KUSH ËSHTË DR.MED.UNIV.OA LEKË ABDYLI
Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli jeton në Graz, qyteti i dytë i Austrisë për nga madhësia, qytet antik i cili të kujton shumë qytetin e lindjes së doktor Lekës Prizrenin si për nga ngjashmëria me kalanë e qytetit, me lumin përmes ashtu edhe për nga pozita gjeografike në jug të shtetit. Doktor Lekë Abdyli kreu studimet në Fakultetin e Renomuar të Mjekësisë në Graz, specializimin në Mjekësi Interne si dhe subspecializimin në Hematologji dhe Onkologji internistike i përfundoi poashtu në klinikën universitare në Graz të Austrisë. Doktor Lekë Abdyli është Oberarzt Kryemjek në departamentin e Mjekësisë Interne me Hematologji dhe Onkologji në Klinikën e Oberëart. Është përkthyes i licencuar i librit të Mjekësisë Interne nga gjuha gjermane e librit Herold Innere Medizin, literature kjo e cila shfrytëzohet në trojet shqiptare për përgatitjen e provimit të mjekësisë interne. Doktor Lekë Abdyli ka disa publikime dhe abstracte nëpër revista Internacionale në fushën e mjekësisë.