Intervistë ekskluzive me Silvana Bracen/
Gjithmonë jemi mësuar ta shohim sharmante intuitive, befasuese, spikeren që rrëzoi kornizat e kohës, prezantuesja e qeshur që zbukuron ekranin, artistja shqiptare që solli erë të re prezantimi në skenën e Teatrit të Operas e Baletit, në Koncertet e dekadave të Majit, shfaqjet televizive e dhjetra e dhjetra aktivitete artistike me taban kombëtar e historik në Atdhe e Diasporë. Është një nga figurat femërore dhe intelektuale nga më të dashurat e të admiruarat në artin e kulturën shqiptare për kontributin e saj shumëdimensional në harmoni relative të plotë me lirinë e shprehjes dhe dhuntisë të talentit e profesionalizmit të saj, përfaqësimit me dinjitet të binomit “Artist & Njeri! Cdo njeri ka ëndrra dhe shpresa që reflektojnë besim të thellë e të patundur ndaj forcës individuale e të inteligjencës, për të ndryshuar jetën dhe botën. E tillë është Silva në ekran dhe në jetën e përditëshme. Eksperiencat e tyre e kanë inkurajuar dhe ripërcaktuar pasionin dhe talentin të përballet me sfidat e pengesat e tyre, dhe Silvana ka zbuluar se me vullnet, punë e dëshirë gjithcka është e mundur dhe e arritëshme. Në këtë intervistë prezantuesja e talentuar dhe mirënjohur Silvana Brace, rrëfen gjurmët e të shkuarës e së ta tashmes, jetësoren e artistiken dhe kush janë dashuritë e saj. Për më shumë ndiqni bisedën…
Bisedoi: Raimonda MOISIU
-Znj.Silvana, jeni një nga “show-girl” (moderatoret) shqiptare, më të admiruarat e të kërkuarat në shfaqjet televizive dhe në komunitet. Cilat janë kontaktet tuaja të para me botën e Shoë-t dhe medias televizive?
Më entuziazmon vlerësimi juaj. Ju faleminderit! Kontaktet e para me median vizive i përkasin fillim viteve ‘80. Ishte koha kur si adoleshente nisa të flas në mikrofonin e Radio Tiranës e shumë shpejt u gjenda edhe në studiot e Televizionit Shqiptar. Programet e Radios ku unë merrja pjesë ishin për fëmijë dhe të rinj, ndërsa ato të TV ishin për muzikën. Kalimi përmes Radios në TV edhe sot konsiderohet si mënyra më mirë për të siguruar suksesin, pasi përvoja radiofonike ka të bëjë me të folurën që është thelbi i komunikimit edhe për TV. Menjëherë u ngjita edhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë që ishte më e rendesishmja për kohen ku prezantova disa koncerte në dekadat e Majit, një aktivitet i përvitshëm dhe mjaft i ndjekur nga publiku. Pra, vite me një intensitet ngjarjesh dhe emocionesh, pikërisht në moshen më delikate kur më duhej të projektoja profesionin e së ardhmes. Tashmë, ai ishte lehtësisht i perceptueshëm.
– Fillimet e karrierës tuaj a konsideroheshin thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?
Jo, nuk ishte thyerje e tabuve perfshirja në jetën e TV, sepse vitet ’80 – ’90 nuk janë një periudhë kaq e largët. Unë jam e lindur dhe e rritur në Tiranë ku TVSH ka hyrë shumë më herët, që në vitet ‘60 dhe femrat e ekranit që unë kam gjetur aty kanë qenë modele përsosmërie, të përzgjedhurat e shoqërisë. Pra s’ka patur vend për paragjykime përsa i përket TV-së.
– A mund të na përshkruani momente nga eksperienca juaj? Si jeni ndjerë kur keni moderuar për herë të parë dhe cila shfaqje televizive është e para?
Po nis nga fundi i pyetjes tuaj. I pari ka qenë programi ”Nga kënga në këngë”. Unë solla aty rubrikën me intervista të teleshikuesve për dëshirat e tyre muzikore, një formë e re kjo që përkoi me nisjen e udhës time në TV. Fillimi ishte më i thjeshtë për shkak të moshës, ose, se nuk isha e ndërgjegjshme për dimensionin e profesionit që po fitoja, kështu që nuk kisha emocione apo frikëra. Kujtoj reagimin në mjediset e TV pas transmetimit të këtij programi. Thoshin, se isha e lirshme, interesante dhe veçonin buzëqeshjen, jo si ndonjë vlerë, por thjesht ju bënte përshtypje, ngaqë, ndoshta, nuk ishin të mësuar me këtë lloj komunikimi. Deri atëherë prezencat televizive ishin shumë serioze. Nisën kështu komentet e para e si dashur, pa dashur dhe lëvdatat, ndërsa dalje pas dalje mua po më pëlqente gjithmonë e më shumë TV. Tani po vinin frikërat… Më duhej ta mbaja patjetër trofeun e fituar pa mund e sforco, por që donte sakrifica dhe dedikim të jashtëzakonshëm për ta ruajtur.
4-Si ju lindi mendimi se ka ardhur koha për të qenë moderatore në një shfaqje? Si morën udhë projektet tuaja në këtë drejtim?
Në fakt s’më ka lindur mua idea për të moderuar, por autorëve të programeve TV si Ylli Pepo, Vera Grabocka, Osman Mula, Albert Minga, Leonard Gjata, Ilir Bega, etj. Pra moderimi i spektakleve nuk ka qenë një kërkesë imja, por më është ofruar kaq lehtesisht dhe natyrshëm. Ky ështe gjithmonë fillimi, se më pas kam ndenjur edhe pa gjumë për të arritur diku. Por ka mbetur deri këtu, gjithmonë duke pritur çastin fatlum, jo duke bërë luftra, përjashtuar ose zëvendësuar për të arritur aty. Dhe më ka mbetur kjo edukatë edhe në ditët e sotme ku morali është tjetër në botën e egër të shoëbizit. Pas një eksperience dhjetë vjeçare unë u bëra dhe autore e programeve të mia në TVSH, ku rendis qindra emisione në studio dhe disa dokumentarë e portrete artistësh.
-A ka ndonjë dallim mes moderimit të një shfaqje në skenë dhe asaj televizive? Janë këto të lidhura me njëra – tjetrën? Çfarë lloj trainimi keni pasur?
Po, mendoj, se ka dallim moderimi në skenë me atë në TV. Komunikimi me kamerat e ftohta televizive, ose me publikun gjithë jetë në sallë janë dy situata të ndryshme që patjetër do influencojnë në gjendjen emocionale, kështu që të përshtatesh duhet fantazi dhe forcë shpirtërore edhe përvojë, padyshim të cilat vendosin drejtpeshimin e dëshiruar. Për të komentuar rreth moderimit në një shoë do t’ju ftoja të meditoni. E keni degjuar sa shpesh thuhet që… skena është e shenjtë? Mundohuni ta zbërtheni mesazhin. Për mua do të thotë që skena është për artistët, dmth në rastin e moderimit mund ta marrë përsipër këtë rol dhe gazetari edhe një miss, por duhet që patjetër të veshë petkun e artistit. Nqs ky nuk i rri, suksesi nuk do jetë i sigurt, apo për shumë kohë. Moderatori në një spektakël, si ndërmjetës i publikut me protagonistët duhet të jetë në harmoni me atmosferën në përgjithësi, me pritshmërinë artistike ndaj ai duhet të zotërojë dhe të përcjellë emocion, ti japë fjalës peshën dhe bukurinë e artit edhe prezencës së tij, po ashtu, hijeshinë e artistit që me gjithë hyrje-daljet e shpeshta në skenë, moderatori të jetë i mezi pritur dhe kënaqësia e pandalur në çdo rast. Sa për trainimet, s’kam patur ndonjëherë, përveçse eksperiencën në TV. Kam mësuar nga gabimet e mia, dmth duke punuar, duke nxënë këshillat e profesionistëve dhe duke vrojtuar me shumë kujdes veten e të tjerët si në televizionet tona dhe ato të huaja. Kam qenë dhe jam kritikja më e rrezikshme ndaj vetes, kështu që vazhdimësinë ja dedikoj publikut dhe artistëve të TV që më kanë pranuar dhe inkurajuar që në ato fillime.
-Sa i vështirë është realizimi i standarteve? Ku jeni të fokusuar më së shumti me ato?
Çfarëdolloj standartesh të jenë përcaktuar ose mësuar ato kanë të bëjnë me dukjen, me formën, ndërsa esenca në një marrëdhënie artistike është vetëm ndjenja, dmth e vërteta që ngjall besim dhe adhurim më pas. Ky është talenti që të përfshin në lojën e bukur të ndjenjave dhe krijon atë lidhje fantastike e të pandashme të publikut me artistin e vet. Vetëm me një sensibilitet të dallueshëm artistik dhe bukuri shpirtërore mundet që të tërheqësh një masë aq të madhe njerëzish, siç është publiku i TV-së. Patjetër, kjo dhuratë nga lindja duhet ushqyer e rritur edhe me dije të tjera për të qenë e pakontestueshme, e përjetëshme, dmth pa kohë dhe modë.
-Falë kujt ka ardhur ngritja cilësore e niveli professional i juaji, cilës fushë profesionale ju i përkisni dhe a kishit eksperiencë më parë në median elektronike?
Rritja cilësore dhe profesionale, besoj të ketë ardhur sajë punës së përditëshme, e bërë kjo me përkushtim dhe me shumë sinqeritet, një punë e pastër si për vete, që ka merituar të ndahet me miliona teleshikues. Pra, TV ka qenë shkolla dhe praktika ime. Studimet e larta i kam kryer në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë në Universitetin e Tiranës, por me TV kisha nisur që në shkollën e mesme dhe me artin isha takuar që në moshën 7 vjeçare kur ushtrohesha si balerinë. Pra kam ecur në dy rrugë njëkohësisht. Zemra tek arti, mendimi tek shkenca dhe rezultati është ky produkt që shikoni. Shpresoj të mos kem gabuar.
-Cili është keqkuptimi më i zakonshëm në lidhje me profesionin tuaj? Çfarë “mëkati” i njihni vetes?
Nganjëherë, ose për dikë duken të pa-arritshëm njerëzit e TV, por nuk është gjithmonë kështu. Ka ndodhur dhe me mua që më kanë paragjykuar, por me kënaqësi tregoj se unë bëj pjesë tek më miqësorët, falë natyrës time tepër të dashur. Më pëlqen shumë komunikimi me njerëzit, shkëmbimi i ideve dhe përvojave. Dëgjoj me vëmendje dhe flas me pasion. Nuk mund të jetoj pa këtë relacion. Qoftë edhe një buzeqeshje, a përshëndetje është çast i jetuar bukur për mua. Në këto mijëra njohje e bashkëveprime të përditëshme më zbavit dhe inspiron zbulimi i karaktereve interesantë dhe i mençurisë popullore, të cilat nuk mund ti gjesh nëpër skena e podiume, por të virgjëra ato i gjen vetëm pranë tokës. Miqësitë e mia janë pikërisht këto, të zbukuruara jo nga luksi e salltaneti, por nga sinqeriteti dhe respekti. Artistët që ngrenë mure, ose hyjnë në kafaz nuk e di se ku e gjejnë frymëzimin, larg nga thjeshtësia që në të vërtetë përmbledh gjithë filozofinë e të jetuarit dhe të krijimtarisë, po ashtu. Mëkat! Ende s’di të kem ndonjë të tillë në jetën time profesionale, ndërsa në jetën private, ndoshta, po. Kam bërë mëkat me veten, e kam gjykuar rëndë dhe e kam privuar nga shumë kënaqësi të kësaj jete. Natyrës time me autokontroll të theksuar iu shtuan dhe prangat e famës, kështu që në njëfarë mënyre jetën ua fala të tjerëve, opinionit dhe publikut. Kur bëj analizën e viteve më rezulton se s’ka qenë kjo, më e mira mënyrë për të jetuar, por …..kur kujtoj sodisfaksionet e panumurta që më kanë falur familja, profesioni dhe miqtë, në këtë përpjekje të gjatë për tu bërë njeri dhe artiste, nuk do preferoja një tjetër jetë.
-Mendoni se gjatë këtyre viteve të aktivitetit tuaj moderues nën drejtimin tuaj keni jusifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin që dëshironi të transmetoni nga ekrani në familjet e bashkëkombasve tuaj.
Patjetër e kam arritur këtë. Gjithë prezenca ime në ekran është një mesazh. Fjala, sjellja, paraqitja, bashkëbisedimi, përjellin, besoj, paqe, shumë dashamirësi dhe atdhedashuri njëkohësisht. Shpesh më kërkojnë intervista, të flas në ekran për veten, fenomene ose probleme të ndryshme, por e kam të vështirë të shprehem në mënyrë tjetër me teleshikuesit, përveçse me atë që di dhe jam mësuar, me gjuhën e prezantueses ku përmes mjeteve dhe elementeve ndihmëse të artit unë tregoj në ekran pikërisht modelin që vetë e pëlqej dhe e përfaqësoj. Pra më ka mjaftuar hapësira televizive që unë kam patur për të realizuar dhe atë ndjesi të natyrshme njerëzore që është komunikimi dhe përcjellja e mesazhit, e ideve dhe mendimeve të tua tek të tjerët, ose tek pasardhësit.
-Cilat janë raportet me stafin e SHOW TVdhe funksionit që ju keni në këtë program?
Si pjesë e një stafi ShoëTV, patjetër që falë përvojës, kam një vend të respektuar. Përgjithësisht, artistët me të cilët kam punuar kanë patur një besim absolut tek aftësitë dhe serioziteti im në punë. Ndonjëherë dhe më kanë rënduar duke mi lënë të gjitha në dorë me idenë që ia dal. Nuk do ankohesha kurrë për këtë, pasi e konsideroj vlerësim të kolegëve, të cilët gjej rast ti falenderoj përsëri, ndërkohë që unë kam përfituar, të realizoj çfarë më së shumti më ka pëlqyer, zotërimin deri në detaje të veprës ku vetë jam pjesë.
-Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në lidhje me TV? Cili është reagimi dhe mbështetja e komunitetit për shfaqjet të moderuara nga ju?
Në lidhje me TV si mjet komunikimi më pëlqen gjithçka. Sa për shfaqjet ku unë kam moderuar mbështetja ka qenë maksimale, se kanë qenë shfaqje të bukura dhe me vlera. Edhe për pjesën time si prezantuese më kanë përshëndetur qoftë në programet e studios së TV edhe në shoë-t e mëdha nëpër pallate koncertesh e stadiume. Edhe në diasporë kam qindra koncerte ku mikpritja e publikut është një kujtim i pashlyer në ndërgjegjen time. E kam kuptuar se në ato skena kanë duartrokitur jo thjesht për mua, por për Shqipërinë tonë dhe më kanë përfshirë në detin e thellë të emocioneve ku malli për vendlindjen është zhurma e përherëshme e valëve të tij. Përvoja dhe dashuria pakufi për shqiptarët dhe Shqipërinë më kanë ndihmuar të dal në breg dhe të kryej me sukses misionin në këto raste.
-Na përshkruaj një Shoë TV. Çfarë bëni ju për të tërhequr audiencën e teleshikuesve?
Oh, koha e përgatitjes për një shoë TV është më e vështira për mua. E përjetoj disa herë të tërë shfaqjen, nga kreu në fund dhe e kap veten duke mërmëritur tekstin ose trupin duke mu dridhur nga emocionet sikur jam në skenë. Është një punë që e bëj me gjithë shpirt dhe me shumë përgjegjësi dhe këtë jo vetëm në emër të audiencës, por se kështu unë realizoj veten. Jam një kërkuese e palodhur e s’ndalem deri tek e përsosura. Perfeksioni është sëmundja që më stërmundon dhe s’më lë një çast të qetë. Gjithë jeta ime është një vibracion i pandërprerë përjetimesh artistike. Kur më shihni në skene dijeni… jam e lumtur.
– A e shihni rolin tuaj efikas jo vetëm në anën komerciale të tij por edhe atë të integrimit të kulturës shqiptare në Shqipëri e jashtë saj?
Patjetër që është efikas edhe në anën komerciale ky profesion. Jam vlerësuar herë pak e herë shumë, por në fund rezultati është i kënaqshëm. Ndërsa, përsa i përket kulturës shqiptare jashtë, roli im në këtë pikë është modest. Megjithatë, ai pak publik i huaj që ka ardhur në koncertet tona nuk është kursyer të shprehet me simpati dhe kompliment. Vlerësimi më i madh ka qenë për gjuhën. Ju është dukur shqipja shumë e bukur dhe e kanë kuptuar atë, dmth e kanë ndjerë përmes melodicitetit, intonacionit, mimikës, etj. dhe këtë e kam marrë si një kompliment edhe për veten.
– Përveçse si një Show-girl, çfarë talenti tjetër keni shpalosur?
Asnjë tjetër. Thonë që vallëzoj bukur….edhe që shkruaj bukur…
– Një moment i vështirë i juaji gjatë moderimit?
Nuk kujtoj ndonjë tepër të vështirë, ndërsa çaste të vogla ka gjithmonë, harron ndonjë emër, të këputet sandalja, pengohesh nëpër shkallë, nuk e ke skenarin gati, nuk funksionon fonia e të tjera. Por, duke patur besimin në vete dhe në atë që bën, arsyetimin dhe përgatitjen e duhur, marrëdhënien e afërt me publikun, atëherë ti zotëron atë ekuilibër që tejkalon çdo të papritur. Në fund të fundit gabimi është njerëzor e shpesh përmes lojës artisti e kthen në favorin e vet. Dikur ka qenë problem gabimi në skenë, se përjashtoheshe, por unë përgatitesha shumë përmendësh, madje ende ma kujtojnë memorjen si një cilësi të veçantë. Kështu kam dalë nga situatat e vështira në jetë duke u përshtatur dhe duke i zgjidhur ato në mënyrën më të mirë të mundëshme.
-Një moment mbresëlënës? Kë dëshironi të falenderoni për realizimin e ëndrrës tuaj si Show-girl?
Mbresat janë të panumërta në këtë udhëtim fantastik në universin e artit. Mund të bëhet një libër i madh me to, por unë asnjëherë s’pata kohën e mjaftueshme ta shkruaj atë. Tani që ju më pyesni nuk e kam të lehtë, por po nis me impresionet më të freskëta që më krijoi prezantimi në Tiranë i Ansamblit Mirdita. Pasuria e traditës, këngët, kostumet, instrumentat muzikor, vitaliteti dhe autenticiteti i mirditorëve më mahnitën. Gjithçka tregonte për shqiptarë të vjetër sa toka, një popull i stërlashtë që trashëgon mençuri dhe krenari. Kjo e fundit më pushtoi dhe mua. Ndërsa Vitin e Ri 2014 e prita në Londër mes bashkëatdhetarëve tanë. Ishte një mbrëmje madhështore, organizuar nga një djalë pukjan, Agron Xhauri, i cili lokalin e tij atje e kishte quajtur Tirana dhe e lexonte kushdo emrin e kryeqytetit tonë në mes të Londrës. Imagjinoni ndjesinë që provon në këto raste dhe mirënjohjen që ke për këta shqiptarë të shkëlqyer që mëmëdheun e marrin me vete. Unë shkova të çoja një copëz Shqipëri, por Shqipërinë e gjeta atje në këngët e vallet, në mikpritjen karakteristike, në gjuhën tonë të bukur që e flisnin të gjithë edhe fëmijët. Po kthehem në kohë tek Festivalet e këngës në RTV. Për mua që gjithë jetën jam marrë me muzikën në TV prezantimi aty ka qenë pika më e lartë e karrierës dhe mendoj, ka qenë kostumi më i bukur që më është veshur ndonjëherë. Për ditë të tëra kam jetuar si në një sferë magjike, mbështjellë me fije arti, mes tingujve, dritave, poezive dhe zërave hyjnore, mes më të shquarve të këngës shqiptare. Ata këngëtare, kompozitore, poete, instrumentistë, dirigjente kanë thurur kurorën të cilën un kam patur fatin ta mbaj në duart e mia për mëse tri herë në historinë e 52 festivaleve.Të tjera mbresa… Miss Albania është një spektakël ku gjithashtu kam qenë pjesë e moderimit ose jurisë për më se tri herë. I paharruar është për mua dhe sezoni TV “Koha në pentagramin tim” ku veçoj si çaste fatlume takimet me emrat e shndritshëm të artit tonë muzikor si Çesk Zadeja, Tish Daia, Pjetër Gaci, Kujtim Laro…Vazhdimësia e gjatë në skenë dhe TV ka bërë të jem pranë e të prezantoj edhe Vaçe Zela, Gaqo Çako, Limoz Dizdari, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Anita Take, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi… emra që përbëjnë fondamentin e artit tonë muzikor. Por talenti i popullit tonë është i pashtershëm dhe në këtë udhëtim me muzikën unë kam intervistuar e bashkëpunuar thuajse me gjithë eminencën tone artistike si Inva Mula, Ardit Gjebrea, Irma Libohova, Manjola Nallbani,Elsa Lila, Aurela Gaçe,Gjergj Leka, Sabri Fejzullahu, Kastriot Tusha, Gili, Mihrie Braha, Aida dhe Armend Rexhepagic, Adelina Ismaili, Parashqevi Simaku, Gëzim Nika, Eli Fara, Shkurte Fejza, Shyhrete Beluli, Ilir Shaqiri, Merita Halili, Bujar Qamili, Artola Toska, Poni… e është i pafund vargu i artistëve me të cilët kam ndërtuar filmin e jetës time në skenë dhe ekran. Besoj e kuptuat që një falenderim e mirënjohje të madhe e kam pikërisht për këta yje që kanë ndriçuar edhe për mua.Edhe dy raste të veçanta desha të rendis: Ana Oxa dhe Xhim Belushi. Anën e adhuroj si artisten më të shkëlqyer të skenës italiane dhe kam patur fatin ta prezantoj në Zyrih ku u vlerësua, si një nga shqiptarët që ka bërë famë në botë, me çmimin Skënderbeu në spektaklin e realizuar në vitin ’97. Ndërsa Xhim e kam takuar dhe intervistuar në Tiranë në ardhjen e tij të parë në vendin e origjinës në ‘95 ku pas admirimit që kisha për të si aktori më i mirë amerikan, për mua, u shtua dhe vlerësimi për personalitetin e spikatur. Ai ishte një djalë tipik shqiptar që me sportivitetin, modestinë dhe thjeshtësinë e komunikimit më la një gjurmë të pashlyer, sikur e kisha njohur një jetë.Janë të shumta kujtimet, por s’mund të lë pa cekur edhe një kuptimplotë, prezantimin në Kosovë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në turneun e vitit ‘96 që tashmë e konsideroj si një medalion të artë në karrierën time. Publiku ishte i zjarrtë, i mbërthyer nga emocionet e mallit të madh për vëllezërit e ndarë padrejtësisht në dy anët e kufirit dhe ishin pikërisht këta artistë emblematikë të AKVP nga ato, të pakta pika takimi që kishin mbajtur ndezur flakët e shpresës, që kishin ruajtur te zgjuar ëndrrën, se një ditë do të ishim përsëri bashkë. Aty bëja pjesë dhe unë sepse përmes valëve të TVSH kisha arritur të hyja në familjet e Kosovës dhe përfaqësoja për ta një pjesë shumë të rëndësishme të Shqipërisë, buzëqeshjen, rininë dhe besimin se duhemi.E pra, një jetë e kaluar përmes kaq shumë emocioneve, kontakteve, kujtimeve, kënaqësive duke prekur vetëm maja, një jetë që të fisnikëron, pasuron dhe përsos.
– Në opinionin tuaj si artiste me prirje të forta qytetarie, intelektuale e talenti, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera ballkanike e europiane, përsa i përket muzikës?
Jo, s’ka asnjë konfuzion. Kultura jonë ka një fizionomi tepër të qartë, origjinale, të papërsëritshme dhe të pangatërrueshme me asnjë tjetër. Ndërhyrjet fragmentare ose të përkohëshme të kulturave fqinje, unë nuk i keqkuptoj dhe as e ekzagjeroj rrezikun e tyre. Ato janë të natyrshme sikurse gjithë marrëdhëniet e tjera njerëzore, ne japim e marrim me njëri tjetrin. Unë besoj fort tek vlerat tona dhe krenaria s’më lejon të paragjykoj traditat dhe kulturat e popujve të tjerë, përkundrazi unë pëlqej dhe përshëndes gjithçka të bukur që shoh përreth, por duke e dashur me gjithë zemër gjuhën dhe trashëgiminë tonë do të doja që në vend të fjalëve të vazhdonim pasurimin e kësaj kulture, të këtij thesari që bujarisht na e kanë dhuruar gjysh, stërgjyshët tanë mijëvjeçarë. Dhe po ndodh në fakt, megjithë pretendimet dhe pakënaqësitë tona arti shqiptar po njeh rritje dhe suksese, madje edhe ndërkombëtare sajë talentit dhe energjisë së jashtëzakonshme edhe të brezit më të ri.
-Si nënë, bashkëshorte, intelektuale dhe artiste, si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunë ndaj gruas? Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Jam tepër e ndjeshme ndaj këtyre problemeve dhe aspak e përjashtuar nga këto rreziqe, pasi jam pjesë e kësaj shoqërie. Do theksoja se këto s’janë vetëm problemet tona, por të botës mbarë. Unë do dëshiroja të zhdukja nga rrënjët sidomos dhunën, se më duket fare e papranueshne për kohët moderne, por edhe se mendoj që njerëz të dhunuar fizikisht apo psikologjikisht bëhen pre e drogës, e vrasjeve dhe vetvrasjeve. Nëse i hyjmë analizës, burimi do të jetë edhe më tutje, tek varfëria e papunësia, por jo në pak raste dhe tek genet e shtrembëra dhe injoranca në kuptimin e mungesës së shkollës dhe edukatës familjare. Sa mund të ndihmoj unë për këtë? Përveçse duke dhënë modelin tim të tolerancës, respektit, paqes dhe dashurisë në familjen time dhe tek miqtë e dashamirët që më rrethojnë, deri tani nuk kam patur asnjë iniciativë publike. Edhe për këtë çështje, siç më parë thashë, nuk do të preferoja fjalët apo mëshirën, por strategji dhe veprime konkrete. Roli im është si një pikë uji në oqean, po guxoj të citoj Nënë Terezën dhe unë nuk kursehem për këtë, ndërkohë jam e gatshme që sa herë shoqëria të më kërkojë, të jap më tepër nga vetja.
– Kush është Silvana Braçe? Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Së pari jam nënë. Im bir, Fatjoni është kryefjala e jetës time. Përkujdesjet dhe dashuria për të kanë zaptuar pjesën më vitale timen. Jam bashkëshorte dhe më duhet të investoj e sakrifikoj për të ruajtur familjen dhe jam bijë me vëmendjen dhe preokupimin e natyrshëm për prindërit. Por jam dhe mike e shumë njerëzve që i dua me zemër, jam edhe prezantuese programesh televizive…Çfarë është dashuria…? Unë jetoj për dashurinë. Ajo bën dallimin me gjithçka tjetër që ekziston në këtë botë, është thelbi i egzistencës tonë si njerëz. Të tjerat vijnë më pas. Dashuria është himni, është kënga e jetës në këtë planet që s’do të ndalet derisa të jemi ne. Poezi për dashurinë!!! Jo nuk kam shkruar, se nuk kam prirje për poezi, por e kam jetuar dashurinë si një poezi.
-A i keni mbledhur “Shfaqjet” që ju keni moderuar në DVD?
Jo, nuk i kam mbledhur programet e mia, se në ritmin e vrullshëm s’kam gjetur kohë të merrem me veten, pra me krijimin e një arkivi personal. Kam mijëra foto dhe regjistrime të TV që dhe po të dua, nuk i sistemoj dot më, se është një punë voluminoze, thuajse e përditëshme në 30 vite Ndoshta arsye e kësaj neglizhence ka qenë dhe mungesa e vetvlerësimit, ose edhe pse kam menduar shkurt, që do mbetem e njejtë, e pandryshuar, prezantuesja përgjithmonë. Kësaj i thonë të mos kuptosh që vitet kalojnë, por të jetosh me aspirata e shpresa përherë të pashuara.
-Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
Projekte kam, të ofruara dhe të miat, të cilat shpresoj të marrin jetë së shpejti. Peng kam një rol, sado të vogël në një film. Është një dëshirë naive, e di, por ja që ai fëmija brenda shpirtit nuk u rritka asnjëherë e kështu unë luaj shumë edhe me veten. Pra jam një ëndërrimtare e pandreqshme që nga fëmijëria, gjë që më jep mundësi të shkëputem herë pas here nga realiteti dhe me lodrat e mia të jetoj bukur për disa çaste.
– Mesazhi juaj për inteligjencën e shoqërisë shqiptare sot….
Besoj që inteligjenca në shoqërinë tonë po e kryen me sukses misionin e saj, si një paraprijëse në gjithë zhvillimet. Ajo është aktive dhe prezente në gjithë pikat kulmore ku kërkohen lider të mendjes dhe gjykimit. S’po flas për ekselencën shkencore, artistike dhe të biznesit shqiptar që po shkëlqen nëper botë. Pra, s’ka vend për mesazhe nga unë, por vetëm për admirim dhe mirënjohje per inteligjencën tonë, për kontributin e vyer që ajo po jep në emancipimin, përparimin dhe lartësimin e nivelit të shoqërisë dhe kombit tonë.
Ju Faleminderit!
Ishte kënaqësi Raimonda të bashkëbisedoja me ju, një zonjë e paepur, që dhe pse larg mëmëdheut, nuk e humbët lidhjet.
Bisedoi:Raimonda MOISIU