
Zija Vukaj/
Në lashtësi origjina e vlerës simbolike kushtuar trëndafilit zë fill tek miti i Adonit, të dashurit të Afroditës (Venerës) nga gjaku i të cilit çelën trëndafilat e parë të kuq. Trëndafilat u bënë kështu simboli i dashurisë që i mbijeton vdekjes, dhe i rilindjes.
Festa e trëndafilave apo Rosalia futet në kultin e të vdekurve të lashtë të Romës dhe është dëshmuar se fillon nga shekulli I pas Krishtit. Festohej sipas vendeve, mes 1 majit e 15 korrikut. Ky zakon është akoma i pranishëm në disa rajone të Italisë, ku e diela e Rrëshajave quhet “Pashka e trëndafilit”. Por edhe në kultet e Dionisit, perëndia e dehjes, ishte i njëjti kurorëzim me trëndafila, mbasi besohej se ata kishin vetinë të ulnin zjarrin e verës dhe të ndihmonin të dehurit të mos zbulonin sekretet e tyre.
Edhe për këtë motiv trëndafili u bë simbol i rezervimit dhe trëndafilat me pesë petale qenë përdorur shpesh si ornament i rrëfimeve fetare (‘sub rosa’: nën vulën e heshtjes e të maturisë).
Në simbologjinë e krishterë trëndafili i kuq ishte simboli i gjakut të derdhur nga Kryqëzimi dhe i dashurisë qiellore, që Dantja në “Komedinë hyjnore” e quan ‘trëndafili i bardhë’. Përkundrazi, poezia e trubadurëve, e shihte trëndafilin si një simbol konkret e të prekshëm të dashurisë tokësore; interpretim që akoma sot ruan vlefshmërinë e vet. Ndërsa trëndafili i bardhë në shumë tregime është simbol i vdekjes. Ikonografia kishtare e ka bërë pastaj nga trëndafili mbretëreshën e luleve, simbolin e mbretëreshës qiellore, Maria; dhe të virgjërisë. Vetëm virgjëreshat në mesjetë mund të vinin kurora trëndafilash; dhe Madona është paraqitur shpesh “në trëndafilishtë”.
Në alkimi trëndafili i bardhë dhe ai i kuq janë simbol i sistemit dualistik i kuq/ i bardhë, por edhe i dy parimeve origjinare squfur e merkur dhe një trëndafil me shtatë petale është lidhur me shtatë metalet dhe me planetët. Lidhja mes kryqit dhe trëndafilit qëndron në simbolin e Rozakroçes, një sekt ekzoterik me gjurmë kristiano- evangjelike lindur në rilindje, që vetëquhej “Kolegji i të Urtëve”. Simboli i Rozakroçes është një trëndafil me pesë petale, i vendosur mbi qendrën e një kryqi që ngrihet mbi një zemër brenda një trëndafili me pesë petale. Sistemi i Johan Valentin Andreas (1586- 1654), shkrimet e të cilit zbulojnë konceptimin shpirtëror të Rozakroçëve, ishte një kryq i shna Ndreut me katër trëndafila të vendosura nëpër cepa.
Simbologjia masonike (simbole masonike) i kushton trëndafilit një vëmendje të veçantë. Në rastin e funeralit të një “vëllai”, për shembull, hidheshin në varrin e tij tre trëndafila, të quajtur “tre trëndafilat e shën Gjonit” që tregonin “dritë, dashuri, jetë”. Në ditën e shën Gjonit (24 qershor) Lozha dekorohet me trëndafila të tri ngjyrave të ndryshme dhe disa emra të Lozhës e bëjnë të qartë referimin (për shembull, “Tre trëndafilat”, një Lozhë e Hamburgut, në të cilën ishte regjistruar edhe G.E Lesingu). Simbologjia e Rozakroçes dhe ajo e Masonëve është e pranishme qartë në poezinë “Sekretet e J.W. Goethe”, në të cilën flitet për një kryq të rrethuar me trëndafila: “Kush i mblodhi trëndafilat në kryq?/ Hapet kurora, nga e djathta në çdo anë,/ dhe shoqëron butësisht drurin e ashpër; dhe re të kaltra- argjendi çlirohen lehtas/ ngrihen me trëndafil e kryq/ dhe nga qendra buron një jetë e shenjtë/ mes rrezesh që dëpërtojnë në një pikë të vetme…” Poeti barok W.H. Fr. Von Hohberg (1675- Bibl. 23), veç të tjerash kujtonte se “nuk ka trëndafil pa gjemba”. “Ashtu si trëndafili nuk është pa gjemba,/ kështu ndodh edhe në gjërat e botës/ të përshpirtshmit janë përzier me të këqinjtë dhe, ndërsa të parët dinë të jenë popull i Zotit/ të tjerët duan të djegin”.
Në mitologjinë tradicionale të Kinës trëndafili nuk merr kurrë një rol të veçantë kuptimor; ai tregon për më shumë “rini”, por nuk është konsideruar simbol dashurie. Böckler (1688- Bibl. 10) shkruan. “Lulet tregojnë në mënyrë të fshehtë një gjendje pozitive plot gëzim e shpresë, që brezat pasardhës të ruajnë virtytet që kanë trashëguar nga baballarët dhe të jenë të drejtë. Ndër lulet, trëndafilave u qe veshur dinjiteti mbretëror, sepse tregonin përtëritje, bujari dhe maturi. Në çdo histori trëndafilat e kuq janë të lidhura me gjakun që secili duhet të derdhë për lirinë, për atdheun apo për fenë. Ngjashëm me një trëndafil të kuq, mbërrin fuqia e bekimit hyjnor që fyqizon e forcon; dhe mbartësi duhet të jetë gjithmonë gati të derdhë gjakun e vet. Trëndafili ka qenë përherë nderim i luftës deri në traditën romake, sipas së cilës Marsi ka lindur nga një trëndafil”.
Simbolika heraldike e njeh trëndafilin në formë stilizimi të lartë (si zambakun). Lulja e tij, në fakt, është parë gjithmonë nga lart, me petale të kthyera së brendshmi, dhe jo doemos me vetëm pesë petale të kuq apo, më rrallë, në argjend e ar. Emblemat më të njohura në formë trëndafili gjenden në heraldikën angleze dhe veçanërisht janë të famshëm ata të shtëpive të York (Trëndafili i bardhë) e të Lancaster (Trëndafili i kuq). Në “Trëndafili i Tudorëve” të dy trëndafilët afrohen pranë njëri- tjetrit; stema e Southampton tregon dy trëndafila të bardhë e një të kuq. Në stemat e princave gjermanë të Lippe dhe kontëve të Altenburgut kishte trëndafila dhe kështu edhe qytetet Lemgo e Lippstad morën nga një trëndafil për simbol.
Foto: wikipedia.org