Sokol Paja/
Simon Qafa, aktivist i shquar i çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës, vatran e atdhetar i spikatur, në një rrëfim emocional për gazetën “Dielli” të Vatrës në New York, rrëfen kujtimet dhe mbresat e pa shlyeshme në memorien e tij me Profesor Ernest Koliqin, Papa Palin VI e takimin me Nënë Terezën në Vatikan. Rrëfimet personale dhe eksperiencat e jashtëzakonshme me personalitete të veçanta kombëtare e botërore janë kontribut për shoqërinë, historinë dhe brezat pasardhës. “Kam qenë seminarist i ri në Romë kur Dom Prek Ndrevashaj me prezantoi me Profesor Ernest Koliqin. Atë e kisha parë në vitin 1968 kur refugjatët nga San Biaggio dhe Atina, ishin tuj prit me emigrue në Amerikë, ishin te ftuar me marrë pjesë në Vatikan dhe tek Shtatorja e Gjergj Kastriotit në Piazza Albania” kujton Simon Qafa. Kur unë u regjistrova në Seminar me ra mu tokue me Profesorin dhe me ndejt me të disa herë pasi në atë kohë në Romë ishin Profesor Koliqi, Kapidani Mirditës Nue Gjomarkaj, Ismaili Verlaci, Don Prenk Ndrevashaj, Pater Daniel Gjeçaj, Dom Gjeto Radi, dhe disa herë kishim kënaqësi kur na vizitonte Dom Zef Oroshi nga New Yorku dhe Profesor Martin Camaj nga Gjermania” rrëfen z.Qafa për Diellin e Vatrës. Ishte një kohë e vështirë për Shqipërinë e shqiptarët nën terrorin komunist, e elita intelektuale ishte arratisur jashtë vendit. Simoni vazhdon rrëfimin e tij në detaje “si një seminarist i ri ishte kënaqësi me ndejt në nji tavolinë me këta gjiganta, veç me i ndigjue bisedat e tyre jo zyrtare por në mes shoqnisë që kishin njëri për tjetrin. Ah sa mëkat që nuk kishim celular në atë kohë me regjistrue këto takime. Sa pasuri e madhe do ishte” shprehet z.Qafa. Profesor Koliqi ishte një njeri ma i thjeshti dhe i pervujtëri që unë kam njoftë ne jetën time, kujton Simon Qafa teksa shton se Profesor Koliqi nuk kishte mëndje të madhe por ishte shumë i thjeshtë, sikurse mos me dit njeriu se kush ishte Koliqi i vërtetë, do kishte mendue se ky është nji katunar” arsyeton z.Qafa. Profesor Koliqi kishte një miqësi të madhe me Papa Palin e VI, sepse kanë qenë miq të ngushtë nga koha kur Papa Pali VI ishte Kardinal në Romë, rrëfet Simoni. Më tej ai kujton: “Për Papen edhe unë fitova një respekt të veçantë dhe të madh për të sepse ai kishte një dhimbje të madhe në zemër për shqyptarët dhe vuajtjet e tyre ndër komunizëm, për persekutimin e klerikëve dhe për kishën e persekutueme shqyptare, shprehet z.Qafa për Diellin e Vatrës. Ai tregon të veçantat e thjeshtësinë e Atit të Shenjtë. Papa Pali kishte një zakon të veçantë, ai shpesh shkonte me hangër darkë me seminarista nëpër seminare të ndryshme. Seminari im, kujton Simon Qafa, ka qenë mbrenda Vatikanit dhe nje ditë kur u ulëm na seminaristat me ngranë, befas futet mbrenda edhe Papa Pali VI. Ati shpirtëror i imi një prift i ri Don Angelo Comastri, mandej që u ba Kardinal dhe ma vonë Vikari Vatikanit e miku i ngushtë i Nënës Terezë me prezentoi me Papën. Mu dridhen gjujtë kur ja putha unazën, shprehet i emocionuar Simoni. Atë Comastri i tha: “Ati Shenjtë, ky është nji seminarist shqyptar nga Shqypnia e persekutueme. Më bekoi Papa dhe më tha “me trego pak historinë tande si erdhe në Romë dhe me trego pak se çpo ndodhë në at tokë shënjtë” pak o shumë atë çfarë i tregova unë kishte ndigjue edhe nga Profesor Koliqi, kujton me nostalgji bisedën me Atin e Shenjtë. Z.Qafa vazhdon rrëfimin e tij: “Miku im Atë Comastri në disa vizita të miat në Romë një ditë më tha “Simon kur me tregojshe se çpo hjek Shqypnia nga komunizmi, mendojsha se po tregon fantazina por mbas përmbysjes së komunizmit e kuptova që vuajtjet paskan qenë 1,000 herë ma të tmerrshme, dëshmon z.Qafa. Atë Comastri më ka prezentue për të parën herë, ditë që njofta Nanën Tereze më 6 Janar 1971 në sheshin e Shen Pjetrit kur Nana Terezë ishte e ftueme nga Papa Pali VI për një dekoratë. Me humor Simon Qafa tregon dhe momente gazmore mes miqve të tij: “Nji të shtunde shkova tek banesa e Dom Prek Ndrevashës dhe mas sa minutash krisi telefoni. “Alo” a “Profesor si je” “nuk muj me ardhe sonte për darkë se më ka ardhë një cub Mirdite dhe dua ta çoj jashtë për darkë në Trattoria Frascati” “a po vjen?” Mandej një e qeshme e madhe nga Don Preka. “Ani pra se po vijmë ” E pyeta Dom Preken, tregon Simoni se “Çka të tha profesori që qeshe aq fort? Don Preka më tregoi: “Më tha se kishte përgaditë do pilaf me vokabular dhe më ftoj në darkë, por kur i tregova që kishe ardhe ti, me tha “merre cubin me vedi, por më nep nja gjysë orë afat sa ti mshefi lugët e pirujtë se mi vjedh cubi Mirditës” rrëfen me humor Simon Qafa. Kisha nji respekt të madh për Profesor Koliqin. Në Janar të vitit 1975, shkuam në vorrimin e profesorit në Romë nga Detroiti, unë dhe Don Prek Ndrevashaj kurse nga New Yorku Gjon Gjinaj. Aty më priti Gjek Gjelaj që atë kohë ishte me rezidencë në Romë mbas largimit nga Propaganda Fide, kujton Simn Qafa. Dëshira ime? Kisha me dëshirue që çdo shqyptar i ri ose i vjetër ta kishte njoftë Profesor Koliqin personalisht, mbyll rrëfimin e tij emocional e shumë intim Simon Qafa mbi kujtimet e jetës së tij si seminarist në Romë, në bashkëveprim me personalitetet më të shquara shqiptare të shekullit të kaluar.