New York 28 Korrik 2022 – Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizoi Simpozium Shkencor kushtuar kësaj date historike e ngjarjeje të jashtëzakonshme për kombin shqiptar, partneritetin, miqësinë e bashkëpunimin mes dy vendeve aleate. Me pjesëmarrjen e drejtuesve të shoqatave shqiptare kryesore në New York, veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në Amerikë, vatranëve të shumtë, patriotëve, Simpoziumi Shkencor arriti një pritshmëri spektakolare përsa i përket temave të trajtuara, risive, seriozitetit e pjesëmarrjes masive duke shkaktuar shumë interes te të gjithë të pranishmit në sallë. Përveç patrioteve te spikatur në New York e më gjërë, Simpoziumin e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Konsulli i Kosovës në New York, z. Fatmir Rrahmanaj. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, fjalën përshëndetëse e mori kryetari i Vatrës Elmi Berisha i cili u ndal te roli jetik i mbështetjes së kombit shqiptar prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndihma e pakursyer shekullore në proceset historike ku ka ecur e ngecur kombi shqiptar. Z.Berisha u ndal te Kosova në marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën në 1 shekull miqësi e marrëdhënie diplomatike duke u fokusuar kryesisht te ngjarjet e pas viteve 90-të e deri në Pavarësinë e Kosovës. Z.Berisha u ndal edhe te roli i shqiptaro-amerikanëve dhe ndihma e tyre e pakursyer në dobi të çështjes kombëtare siç ishte rasti i Jim Xhema i cili në çdo kohë ka kontribuar për çështjen kombëtare e komunitetin shqiptar në Amerikë. Të gjitha kumtesat sollën risi shkencore, kohëzgjatje historike, trajtesa shumë interesnate dhe për studiuesit e tjerë në vazhdim dhe perspektiva të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të ardhmen. Komisioni i Organizimit të 100 vjetorit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane: Elmi Berisha – Kryetar, Agim Rexhaj, Alfons Grishaj, Frank Shkreli dhe Ervin Dine anëtarë, falenderojnë të gjithë kërkuesit shkencorë, hulumtuesit e gazetarët për interesin e treguar me kumtesat e tyre me 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. KUMTUESIT E SIMPOZIUMIT u paraqitën me këto kontribute shkencore: Elmi Berisha: “100 VJETORI I MARRËDHENIEVE DIPLOMATIKE SHQIPTARO-AMERIKANE, ROLI I MËRGATËS SHQIPTARO-AMERIKANE NË VITET 1990-2008”. Akademik Vasil S. Tole: “BANDA KOMBËTARE “VATRA”, DHE ROLI I SAJ NË MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE”. Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit): “TAKIMI NOLI – WILSON NJË EPISOD I VEÇANTË NË MARRËDHËNIET SHQIPTARO – AMERIKANE”. Frank Shkreli: “KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-SHBA DHE VLERAT E PËRBASHKËTA”. Idriz Lamaj: “ZERI I AMERIKES NË SHERBIM TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO – AMERIKANE”. Dr. Adelina Nexhipi, Dr. Ardiana Miçi: “KONTRIBUTI I FEDERATËS “VATRA” NË MJEDISIN POLITIK DHE KULTUROR TË VITEVE 20’ NË SHQIPËRI”. Dr. Atdhe Hetemi: “KOSOVA NË MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE, SFIDA DHE PERSPEKTIVA”. Akri Çipa: “SHQIPËRI-SHBA: PARTNERITET QË SENDËRTON NJË PROTAGONIZËM TË RI SHQIPTAR”. Rafaela Prifti: “AN ANTHROPOLOGICAL EXPEDITION THROUGH THE LENS OF ALBANIAN AMERICAN RELATIONS”. Melsen Kafilaj: “100 VJETORI; SHQIPËRIA: ATY KUR LETËRSIA I NDËRTONTE URAT E MIQËSISË PËRPARA DIPLOMACISË”. Sokol Paja: “ANTI-AMERIKANIZMI NË PROPAGANDËN ATEISTE, NË SHTYPIN KOMUNIST SHQIPTAR NË VITET 60-70-TË”. Simpoziumi Shkencor u mbyll me një koktejl të përgatitur enkas për këtë rast nga vatrani Toni Musaj i cili në çdo moment e ka mbështetur Vatrën në të gjitha organizimet komunitare e patriotike. Me këtë aktivitet dhe me aktivitete të tjera kombëtare, Vatra tregoi seriozitet, lidership dhe sukseses të jashtëzakonshëm duke u kthyer në bashkimin patriotik më të rëndësishëm e më serioz në të gjitha diasporat shqiptare në botë.