Rijetë Simitçiu–Turhanoğlu/
Sami Frashëri, njihet si ideolog i lëvizjes Kombëtare të Rilindjes Shqiptare, si mendimtar, encikolopedist, publicist e gjuhëtar. Falë punës që ka bërë ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e studiuesëve shqiptarë dhe turq por edhe të studiuesëve të huaj, kjo tregon se ai është një dijetar i madh, një dijetar i kalibrit ndërkombëtar. Gati në të gjitha studimet e botuara gjer më tani mbi veprimtarinë dhe veprën e Sami Frashërit janë vënë meritat e tij të mëdha në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe të gjuhës turke. Nuk është rastësi thotë Demiraj që Samiu qysh në shkrimin e tij të parë në gjuhën amtare me titullin “Gjuha shqip”, botuar në “Alfabetare e gluhësë shqip” të Stambollit më 1879, shpreh qartë e drejt mendimin e tij mbi gjuhën si një dalluese e një kombi, ku shkruan:
“Kombetë mbahenë me gjuhëtë; një komb që humbet gjuhën’ e vet, ësht’ i humbur’ e i haruarë; që me të humburit të gjuhësë ti ësht’i humburë edhe ay vetë. Njeriu nuku humbetë, po me të ndërruarë gjuhënë ndërron edhe kombin’e bënet’ i kombi tjatërë”.
Në këtë punim do të jepet një pasqyrë e shkurtër e studiuesëve shqiptarë për kontributin e të madhit Sami Frashër për gjuhën shqipe.
Jeta
Sami Frashëri, lindi në Frashër të Përmetit në Shqipëri më 1850. Mësimet e para i mori në vendlindje. Kishte pesë vëllezër: Abdylin, Sherifin, Naimin, Tahsinin e Mehmetin dhe dy motra: Nefisen dhe Shahinisen. Që në moshën fëmijërore i vdiqën prindërit. Vëllai më i madh Abdyli nuk shihte ndonjë të ardhme në Frashër prandaj vendosi ta shpërngulte familjen në Janinë. Në Janinë, Samiu bashkë me të vëllanë Naimin, u regjistruan në gjimnazin e njohur Zosimea.
Samiu këtu kishte marrë njohuri për greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, frëngjishten, italishten si dhe për historinë, historinë e natyrës, gjeografinë, matematikën, filozofinë etj. Samiu edhe këtu, ashtu si në Frashër, do të vazhdojë të mësojë në mënyrë sistematike nga myderrisët më në zë, edhe turqishten, arabishten dhe persishten. Samiu, pas mbarimit të gjimnazit, më 1871, në moshën 21 vjeçare, u shpërngul edhe nga Janina për t’u vendosur përgjitmonë në Stamboll, atëherë kryeqendër e Perandorisë Osmane. Njohja e thellë e gjithë atyre gjuhëve, të Lindjes e të Perëndimit, mësimi sistematik i fushave të ndryshme të dijes, guximi shkencor e intelektual, i ndihmuan Sami Frashërit, këtij gjeniu, të shtrihet e të shkelë në shumë disiplina kulturore e shkencore.
Veprat dhe veprimtaria
Sami Frashëri si albanolog, orientalist, turkolog, leksikograf, gjuhëtar, filolog, gramaticient, letrar, historian, gjeograf etj. Mund të themi me ndërgjegje profesionale e shkencore se, gati se nuk ka fushë të dijes ku emri i Sami Frashërit nuk është pikë reference. Me këtë rast do të përpiqemi të trajtojmë disa mendime e pikëpamje të Samiut nga fusha e gjuhësisë, fushë kjo në të cilën ai dha kontributin e tij më të çmuar shkencor.
Sami Frashëri ka qenë pionier në shumë fusha, ku me të drejtë Draçini e quan pionier të studimeve shqipe në fushën e Psikolinguistikës. Kjo shkencë e re jo vetëm për shqipen, është krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XX-te, ajo trajton e argumenton çështje që lidhen me prodhimin gjuhësor, përfitimin e gjuhës, ndryshimin që ekziston mes komunikimit të kafshëve dhe njerëzve, të folurin si diçka specifike vetëm për njeriun etj. Këndvështrimi i Sami Frashërit për Psikolinguistikën që shikohej për kohën si “pyetje pa përgjigje” për vetë komplikimin e tyre ka të njëjtën vijë logjike me mendimet e sotme të shkencës së gjuhësisë, edhe pse vepra e Sami Frashërit u botua 130 vite më parë. Në veprën e tij “Gjuha”, që në fillim Sami Frashëri pohon se “Ai që me të vërtetë flet, është vetëm njeri, dhe se gjuha është veçori vetëm e racës njerëzore. As nuk mund të gjendet farë e racës njerëzore që nuk ka aftësi të flasë, e as lloj kafshësh që përdor një gjuhë, e cila me të drejtë do të quhej gjuhë”.
Kërkesat e rilindësve ishin krijimi i alfabetit, çelja e shkollave shqipe, përhapja, ruajtja, pastrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe. S. Frashëri, K. Kristoforidhi, P. Vasa, H. Tahsini, J. Vetro, I. Qemali dhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, siç do të dëshmonte asokohe J. Vetro, më 1879-n u mblodhën në Stamboll për të dhënë mendime lidhur me “nevojën e përdorimit të një alfabeti të vetëm të përbashkët që të kish aq shkronja të thjeshta njëformëshe sa ka gjuha shqipe zanore dhe bashkëtingëllore”. Komiteti i Stambollit zgjodhi një komision prej 25 anëtarësh, në krye me S. Frashërin, i cili do të kishte për detyrë hartimin e alfabetit të njësuar për shkrimin e shqipes.
Jubani dhe Kore (2016), për dijetarin Frashëri mësimi i gjuhës ishte një mision i pandashëm nga ai i shërbimit ndaj atdheut. Krijimtaria e S. Frashërit iu përkushtua jo vetëm përpjekjeve për alfabetin, hapjes së shkollave shqipe, por edhe plotësimit të nevojave të shkollës e të kulturës kombëtare me botime tekstesh shkollore, për këtë qëllim hartoi: “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” (1887) dhe “Dheshkronja” (gjeografia, 1888). Sipas studiuesve, Samiu hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, por ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij (J. Bulo, “Fjalori i gjuhës shqipe i Sami Frashërit – një projekt apo një realitet”). Sipas tij: “Një gjuhë që nuk ka fjalor dhe rregulla gramatikore kurrë nuk mund të numërohet si gjuhë letrare”. Ndonëse është autor i teksteve shkollore të disa fushave, kreun e vendit të veprimtarisë botuese të S. Frashërit e zë, pa dyshim, gramatika e tij për gjuhën shqipe, e titulluar prej tij “Shkronjëtore e gjuhës shqip”. Kjo gramatikë e vyer për kohën do t’i shërbente idesë së tij: Njeriu nuku humbetë, po me të ndërruar gjuhënë, ndërron edhe kombin e bënte i një kombi tjatërë.
Edhe përpara kësaj vepre ishin hartuar gramatika për gjuhën shqipe, disa prej të cilave ishin të njohura, si ato me autorë: Francesko Maria da Leçen, De Radën, Dh. Kamaradën, A. Dozonin, K. Kristoforidhin, kurse disa të tjera mbetën dorëshkrime të pabotuara, si të tilla të panjohura. Ndryshe nga këto gramatika, “Shkronjëtorja…” e Samiut do të mbetet në historinë e gramatologjisë shqipe, si e para gramatikë e shkruar në gjuhën shqipe. Kjo vepër konsiderohet si gramatika më me vlerë e kësaj periudhe, e cila pati një ndikim të madh edhe tek hartuesit e gramatikave të mëpastajshme. Mund të themi se mbetet mjaft i saktë vlerësimi i prof. Selman Rizës se K. Kristoforidhi dhe S. Frashëri si gramatikanë të gjuhës shqipe janë komplementarë të njëri-tjetrit: Konstandin Kristoforidhi, themelues i albanistikës vendase është vetëm në drejtimin e saj filologjik tradicional, kurse në drejtimin e saj të kundërt d.m.th. linguist modern, themelues i albanistikës vendase, është Sami Frashëri. Si përfundim, Gramatika e Sami Frashërit përbën bazamentin e qëndrueshëm ku u mbështet gramatologjia shqiptare. Ajo do të vlerësohet gjithmonë jo vetëm për përkufizimet e sakta, kriteret shkencore, por edhe si një tekst shkollor i cili me gjuhën e thjeshtë, fjalitë e shkurta, shembujt ilustrues është dhe sot një model që koha nuk e ka rrëzuar.
Deri në atë periudhë gramatikat për gjuhën shqipe janë hartuar në dialektin Geg apo në dialektin Tosk. Sami Frashëri gramatikën e tij e shkroi shqip dhe në dialektin toskë, por siç vëren me të drejtë F. Agani, gramatika e Sami Frashërit është shkruar mbi bazën e dialektit jugor, por duke u pasuruar mbi veçoritë dialektore të dialektit verior. Nga ana tjetër, Samiu ashtu si rilindësit e tjerë, u përpoq që edhe me këtë gramatikë të thjeshtë, por të rëndësishme për kohën, të zbatojë disa norma gjuhësore që pasqyronin tipare afrimi të dy dialekteve në atë periudhë, ç’ka i hapi udhë edhe në këtë çështje përpjekjeve të mëvonshme për njësimin e gjuhës sonë letrare.
Përfundim
Sami Frashëri mban qëndrim të drejtë shkencor përvendosjen e gjuhës shqipe në familjen e gjuhëve të quajtura sipas tij gjuhë ariane (=indoevropiane). Njohuritë e thella teorike gjuhësore Samiu i zbaton edhe në praktikë. Po ashtu, edhe në sintezën teorike-praktike Samiu është shumë i sukseshëm, sidomos në leksikologji, në përpilimin e fjalorëve të ndryshëm njëgjuhësh e dygjuhësh, si dhe në përgatitjen e teksteve shkollore nga fusha e gjuhësisë.
Samiu ka shkruar mbi 65 vepra, disa me më shumë vëllime, ose shprehur ndryshe, mbi 20 mijë faqe, pa llogaritur veprat e tij në dorëshkrim dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta e revista të kohës, me tema shkencore nga më të ndryshmet dhe në shumë gjuhë: shqip, turqisht, arabisht, frëngjisht, greqisht, persisht etj. për një periudhë 32-33vjeçare. Është kjo, pa diskutim, punë e madhe, punë që kërkon energji, punë që vetëm mendja e ndritur e S. Frashërit ka mund ta bëjë.
Veprat e botuara në gjuhën shqipe, të rëndësishme në fushën e gjuhësisë janë “Alfabetare e gluhësë shqip”, “Dheshkronjë”, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” etj. Në veprën “Alfabetare e gluhësë shqip”, e vogël për nga vëllimi, por me peshë të rëndë kulturore e shoqërore u shfaqën edhe një herë dhuntitë e jashtëzakonshme të Samiut si pedagog, si psikolog, si gjuhëtar dhe si shkrimtar. Tekstet e përfshira në të, Samiu i kishte zgjedhur në mënyrë që së bashku me mësimin e gjuhës amtare t’u ngjallë fëmijëve ndjenja fisnike si dashurinë për punë e dituri, respektin për njerëzit dhe mbi të gjitha dashurinë për gjuhën shqipe. Sa për vlerën e veprës “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, që njihet si Gramatika e gjuhës shqipe e Sami Frashërit, fjalën e vet e kanë thënë specialistët e kësaj fushe: prof. Idriz Ajeti, prof. Rexhep Ismajli, prof. Anastas Dodi etj.
Bibliografi
DEMIRAJ, Shaban, Ndihmesa e Sami Frashërit në lëvrimin e gjuhës shqipe, Studime filologjike, nr. 3, (Përmbledhje frëngjisht), Tiranë, 1979.
DRAÇINI Rrezearta, Sami Frashëri pionier i studimeve shqipe në fushën e Psikolonguistikës, İki Toplumun Aydını: Şemsettin Sami Uluslararası Sempozyumu, Tiranë, 19-20 Maj, 2016.
FRASHËRI Sami, Gjuha shqip, në: Alfabetare, Konstandinopojë, 1879.
FRASHËRI, Sami, Shkronjëtore e gjuhësë shqip, SHP, Vepra 5, Rilindja, Prishtinë, 1979.
JUBANI Aljula & Mimioza Kore, Shkronjëtore e gjuhës shqipe e Sami Frashërit dhe fillesat e gramatologjisë shqipe, Ululsalarası İki Toplumun Aydını Şemsettin Sami, Tiranë, 19-20 Maj, 2016.
LEVEND Agâh Sırri, Şemsettin Sami, Türk Dil Kurumu, Ankara, 1969.
POLISI, Mehdi, Ataturk Kultur Merkezi Baskanligi & Universiteti i Prishtinës, Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar: “ 110 vjetori i vdekjes së Sami Frashërit”, Prishtinë, 23-24 tetor 2014.
RROKAJ, Shezai & Mimoza Gjokutaj, Roli i Sami Frashërit për alfabetin e gjuhës shqipe, Ululsalarası İki Toplumun Aydını Şemsettin Sami, 19-20 Maj, 2016, Tiranë.