Sokol Paja/
Parlamenti i Shqipërisë cënoi rëndë kushtetutën dhe ligjshmërinë. Mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Xhaçka” shënoi një ditë e zezë për demokracinë, natë të turpshme dhe skandaloze për Parlamentin e Shqipërisë, kushtrim për shtetin e së drejtës, alarm për institucionet e pavarurua, shkërmoqje e reformës në drejtësi, neveri për katandisjen e institucioneve kushtetuese, një marrëzi, një çmenduri sesi Parlamenti në shkelje të ligjit rrëzon Gjykatën më të lartë të vendit. Një kapje flagrante e shtetit dhe institucioneve prej parlamentarëve socialistë. Mbrëmë ra shteti, ra Republika, ra kushtetushmëria, ra drejtësia. Një Parlament që sot duhej të ishte në ndjekje penale për shkelje e thyerje të rëndë të ligjit. Pushteti shtetëror cënoi rëndë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pushteti shtetëror shkatërroi rendin juridik të shtetit shqiptar. Nuk ka asnjë vend në botë ku të vihen në pikëpyetje vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Shqipërinë e marrë peng nga rilandasit neokomunistë që shkatërrojnë e vjedhin Shqipërinë prej 11 vitesh.
Kryetarja e Gjyatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka deklaruar në media kohë më parë se: “askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh Kushtetutën dhe ligjin”.
Pas këtij akti skandaloz të Parlamentit të Shqipërisë duhet të reagojnë të alarmuara Ambasadat e vendeve perëndimore të akredituara në Tiranë. Ky akt duhet të dënohet nga bota perëndimore, pasi është një hap i madh drejtë diktaturës, drejtë rrënimit përfundimtar të parimeve kushtetuese të një shteti demokratik.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vetëm për zbatim, as për negociim as për interpretim, ajo që thotë drejtësia është ligj. Pushteti shtetëror i Edi Ramës gjendet në ligjshmëri të thellë. Anarki kushtetuese. Sistemi shtetëror parlametar(qeveritar) nuk respekton dhe shkel haptas për të tretën here rendin juridik. Parlamenti i Shqipërisë nuk respekton rendin juridik por rendin politik të partisë në pushtet. Parlamenti dhe qeveria nuk pyesin për gjykata e drejtësi edhe kur bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të rëndësishme në një shtet demokratik. Gjykata kushtetuese ka si parim që të ketë rol ekuilibrues për mbrojtjen e sistemit të ndarjes dhe kontrollit të ndërsjellë të pushteteve, parime e vendime që socialistët që keqqeverisin Shqipërinë prej 11 vitesh, i shkelin, i përdhosin, i groposin. Turp dhe neveri…