(Një intervistë e rrallë e Poetit Lirik Kombëtar, Skënder Rusi, i sapo ndarë nga jeta. Intervista është e vitit 2011, dhënë gazetares korcare me banim në SHBA-ës, Raimonda Moisiu)
Janë djetra e dhjetra libra poetikë të botuar të lirikut Skënder Rusi, që dëshmojnë për vitalitetin e këtij poeti lirik, që është bërë aq i dashur dhe i kërkuar nga lexuesit e pasionuar të poezisë, ku secila prej tyre është një gjendje e veçantë shpirtërore, një vibrim i ri dhe një realizim me vlera të larta artistike. Poezia nuk mund të jetë tjetër përveçse dashuri, thotë poeti, dhe këtu ka parasysh jo thjesht temën e dashurisë, por ndjenjën e dashurisë, e cila përshkon nga fillimi e deri në fund poezitë e tij. Këto poezi janë të qëndisura me filigramë artisti të vërtetë, në të cilat gërshetohet kaq bukur dhe kaq hollë lirizmi me meditacionin, dashuria për jetën, me trishtimin që sjell ikja e viteve, erotizmi, impresionizmi, simbolizmi. e sidomos trishtimi rusian! Ikona e poezisë shqipe, i madhi Dritëro Agolli, do të shprehej për Skënder Rusin: “Po ta marrësh më konkretisht, në poezinë e Skënder Rusit unë shoh dy elemente, ose më mirë dy rryma: të ekzistencializmit dhe të impresionizmit. Këto janë të veçanta, që dallojnë nga njëra-tjetra, ndërsa te ky poet bashkohen të dyja në një të vetme, duke e bërë atë që jo të kërkojë sendin, por të hyjë brenda këtij sendi apo fenomeni, dhe jo që vetëm t’i ndriçojë, por t’i shikojë përplasjet nga del shkëndija e poezisë dhe mendimit. Ndaj unë e veçoj Skënder Rusin që jeton në Korçë,- thotë Dritëro Agolli, poezia e tij shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Unë do të thosha se Skënder Rusi është ndër lirikët më të mirë në komunitetin e poetëve tanë bashkëkohorë.” Ndërsa poeti Moikom Zeqo do të shprehet për poezinë e Skënder Rusit: “Poezia e tij është pasaporta e vërtetë dhe joalibike, që pasqyron natyrshëm traditën e lirikëve të shquar të poezisë shqipe në shekuj. Një sukses i merituar, , një dëshmi drithëruese, plot dritë”.
-A ka pasur diçka të pazakontë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë poet?
Po, ka pasur diçka të pazakonshme, që mua më pëlqen ta quaj të jashtëzakonshme. Dhe kjo ka qenë Vishocica, vendlindja ime, fshati më i bukur i botës, që ngrihet pranë një kodre me akacie, e cila s’është gjë tjetër veçse teprica e dashurisë së saj. E pra, është kjo dashuri, që më pëshpëriti në vesh fjalët magjike për t’u bërë poet. Dhe unë nuk ia prisha: “Dhe sado larg që unë të jem, / Ngado që ta shkoj moshën, / Unë e di mirë se do ma lesh/Një gur ta mbështes kokën! ”
-Çfarë ju ka pëlqyer të lexoni në adoleshencën tuaj?
Unë nuk kam lexuar atë që më pëlqente, por atë që gjeja, dhe kjo për mua do të thotë që nuk ia prishja kurrë librave. Më dukeshin të gjithë të bukur, më shkelnin syrin, binin në dashuri me mua. pastaj vinte ndarja. dhe ata iknin prej meje për të shkuar tek të tjera duar, tek të tjerë lexues. Megjithatë, për t’iu përgjigjur konkretisht kësaj pyetje do të veçoja nga autorët, Zhyl Vernin e madh, me romanet e tij të mrekullueshëm dhe me më të preferuarin e tyre “kapiteni 15-vjeçar”.
-Cila ka qenë poezia e parë që keni shkruar?
Nuk ka qenë poezi, por poemë. Diçka për veten time (kam qenë 12 vjeç atëherë). Po ju them vetëm një strofë prej saj dhe nuk dua të ma gjykoni, sepse nuk mund të gjykohen fëmijët: “Si top bore, një këngë të pabindur / E mora dhe qëllova mbi një zemër! / Lamtumirë o fshat ku ka lindur / Një poet që ende s’ka emër!”
-Cili ka qenë libri juaj i parë me poezi?A mund të na thuash diçka për atë libër? Cili ka qenë titulli i tij dhe çfarë do të thotë ai titull?
Libri i parë është si e puthura e parë, që nuk harrohet. në krijimtarinë time ai ka një emër që nuk e gëzoi dot, duke mos më gëzuar dot as mua. Titulli i tij ishte “Etje”! Ishte një etje për ta jetuar jetën në të gjitha dimensionet e saj, për të pirë ajër dhe liri, për t’i sfiduar muzgjet dhe hijet e netëve të rënda që jetonim ne shqiptarët. Dhe të gjitha këto, të mbështjella me mjegullën e trishtimit, bënë që ky libër të kishte 9 vjet vajtje-ardhje nga unë, te shtëpia botuese “Naim Frashëri” e pastaj nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” tek unë. E kështu, ai libër u bë si një gur sizifi, që më duhej ta mbaja në shpinë për 9 vjet me radhë.
-Çfarë është për ju muza?A është ajo një aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Mos e keni fjalën për talentin? Për të do të thosha se është gjenetik, i lindur, që është pjesë e poetit dhe që shpërthen në momente të veçanta, në gjendje muze, e cila është hyjnore se vjen nga lart. Poeti është thjesht dora që shkruan!
-Ju shkruani poezi, lirika dashurie, “të pastra e të drejtpërdrejta në të shprehur”, dhe jeni një nga poetët e rrallë që shpërtheni në vargje dashurie. Ju kanë quajtur “poeti i dashurisë”, ”Lasgushi i dytë”. Përse një gjë e tillë?
Unë jam poeti i dhimbjes së bukur (ky është përcaktimi im për dashurinë dhe në këtë sens bashkohem me mendimin e Markezit që thoshte: “Dashuria është ideologjia ime! ” Për sa i përket përcaktorëve që më vënë të tjerët, do të thosha se ajo është puna e tyre, por unë jam unë në poezitë e mia dhe çdo krahasim me poetë të tjerë çalon.
-Shumë poezi dashurie… Çfarë ju ka shtyrë të shkruani poezi të tilla? Ç’është dashuria për ju? Kur një burrë e ndien se është i dashuruar? Si ia keni arritur ju ta reflektoni në poezitë tuaja?
Disa pyetje njëherazi që kërkojnë disa përgjigje, por unë do të thosha se në një kopsht, siç është ky i poezisë, unë kam aromën time, e cila shpresoj dhe besoj se është e veçantë dhe nuk mund ta ngatërrosh me të tjerat. Kjo është aroma e dashurisë, dhe kush e ndien atë, ka ndier jetën, do të thotë ndonjë që unë qenkam i tmerrshëm për të dashuruar, kjo nuk është e vërtetë, se duhet t’ju them që unë i bëj të miat edhe dashuritë e të tjerëve, të miqve dhe shokëve të mi, të cilët janë shumë dhe më japin mua mundësinë për t’u bërë interesant. Shpërblimi më i mirë për ta është kur në poezitë e mia gjejnë veten, ashtu siç janë. Për ta vazhduar më tej mendimin, do të thosha se dashuria për mua është gjithnjë lunatike, të krijon imazhin e një hëne të ngrënë, para së cilës gjithsecili nga ne është një i verbër që sheh, një shurdh që dëgjon, një i etur që thith ajër të kaltër. Por unë dua të them se nuk ka rëndësi të dashurosh, rëndësi ka të jesh i dashuruar! Në qoftë se kjo të ndodh në jetë, me siguri ka për të ndodhur edhe në krijimtarinë tënde.
-Cilat janë disa nga idetë apo temat që ju shtjelloni në poezitë tuaja? A janë ato autobiografike?
Mua nuk më mundon asnjëherë ideja për të zgjedhur idenë apo temën për të cilën do të shkruaj. Perëndoi ajo kohë kur kërkoheshin temat e mëdha apo idetë e mëdha, që i kishte aq me qejf nëna parti! Poetët nuk janë për të bërë revolucione, evolucione, po.
-Çfarë është idealja përreth poetëve, në mënyrë që të dalin poezi të arrira?
Të shkruhet poezia atëherë kur ajo lëviz brenda teje si foshnja brenda barkut të nënës, që kërkon të dalë duke goditur me shkelma, si për t’i thënë botës lajmin e madh të ekzistencës, jo atëherë kur mund të kesh kohë të lirë dhe i thua vetes hajde të bëjmë ndonjë vjershë se kemi kohë. Ky do të ishte një dështim e asgjë tjetër.
-Më jepni një poezi tuajën më të preferuar!
“Tepër vonë”
Ti ke një moshë me time bijë,/ Me babin tënd unë moshatar!/ Kush të dha urdhër të më duash,/ Me hirin tim të ndezësh zjarr!?/Ata thëngjij që ishin shuar,/�Ti, si guxon, me dorë i prek!?/ Kush të dha urdhër të më ndezësh,/ Pa pasur frikë se unë të djeg!?/ Ke ardhur vonë./ Tepër vonë. Kur dimri krejt më ka pushtuar,/ Kur vdekja firmën më kërkon,/ Ndoshta në ferr për të më çuar!/ Ti, gjysma hënë je kur zhvishesh/ Dhe gjysma tjetër – Perëndi!/ Me çdo të puthur m’i ul vitet,/ Më kthen në moshën që ke ti!/ Me këto gjysma unë, poeti,/�Mund të ndërtoj tjetër planet!/�Në djall pastaj të shkojnë vitet,/ Dhe moshat le të shkojnë në dreq!/Po prapëseprapë një frikë ndiej,/�Po mora zjarr, si mund ta fik!?/ Prandaj dhe po vonoj të zgjohem, Them ndoshta ik…/ Them ndoshta ik!
-Cila është gjëja më e vështirë për të shkruar poezi!?
Të mos kesh asgjë në kokë (përveç kohës së lirë) dhe të kërkosh të shkruash. “Poeti ka një zemër në kokë”, thoshte Samuel Beketi, e kur kjo të mungon, e ke të vështirë për të bërë vjersha e për t’u bërë poet!
-Cilin konsideroni sukses në “botën e poezisë”?
Kur poezitë e tua mësohen përmendësh prej të tjerëve dhe kur arrin t’i bësh fansa edhe kundërshtarët e tu.
-Poezia është një art introspektiv (analizë e vetvetes).
A besoni se përhapja e poezive të shkruara në internet, revista e gjetkë, kontribuon pozitivisht apo negativisht në gjendjen e poezisë sot?
Interneti është një arritje e jashtëzakonshme e njeriut dhe poezia duhet ta ndiejë veten komode brenda magjisë së tij. Ai është një superfuqi që vepron si askush tjetër në njohjen dhe propagandimin e vlerave letrare e artistike të saj. Fuqia e tij është universale. parë në këtë sens, mund të them se interneti është një kontribuues pozitiv i vlerave poetike më të mira. Por interneti nuk ka “redaktor”, e në këtë mënyrë, bashkë me poezitë e mira, hyjnë dhe bëhen shqetësuese edhe mediokritetet letrare dhe gjithë skadencat e tjera, që ia zbehin vlerat poezisë duke e larguar lexuesin nga poezia.
-Në poezinë tuaj ka dashuri, por ka edhe poezi serioze. Si mundeni që t’i trajtoni këto ide?
Pavarësisht se juve më quani poet të dashurisë, unë do të thosha se idetë më të rëndësishme tek poezia ime janë ato që kanë të bëjnë me raportet midis jetës dhe vdekjes, raporte ekzistenciale këto që rezonojnë në të gjithë botën. Në këtë mënyrë edhe poezia merr një frymëmarrje më të gjerë, bëhet më ajrore, më e vërtetë. Siç duket, këto poezi ju i quani serioze, por unë do të thosha se edhe poezitë e dashurisë janë të tilla, na futin në mendime, na xhelozojnë.
-A keni shkruar tekste këngësh? Para se të shkruani një lirikë dashurie, tekst për këngë, si e konceptoni poezinë tuaj? Na tregoni një tekst kënge.
Unë kam shkruar jo pak tekste këngësh (mbi 200), dhe shumica e tyre kanë qenë thjesht poezi që janë marrë nga kompozitorët dhe me ndonjë ndryshim të vogël janë bërë këngë. Kam shkruar edhe së prapthi, duke ecur nëpër notat e kompozitorit, se edhe kështu mund të arrihet suksesi i këngës, por është më vështirë për poetin. e meqenëse donit një tekst kënge, po jua them:
As që më duhet kjo e puthur,/�Që ti ma jep se të vjen keq!/�Në ç’pjesë të zemrës më je futur,/ Që sa ta shoh, menjëherë ta heq! As që më duhet kjo pikë loti,/�Që ti më thua se për mua rrjedh!/�Unë jam një lumë që s’e ndrroj shtratin,/ Që gjithë ç’kam në det e derdh!/ As që më duhet kjo drithërima jote,/ Që ti e bën të më torturosh!/�Dy sytë e mi janë dy ishuj të blertë,/ E as njëherë dy zero bosh! etj.
-Sapo keni nxjerrë librin e ri me lirika që mban titullin “Ndodh ndonjëherë”. Çfarë mund të ta thoni për këtë?
Ndodh ndonjëherë që libri të shitet i gjithi dhe poeti është i detyruar të bëjë ribotimin e tij. Dhe kjo nuk është pak. Ky libër shkoi dorazi në shumë shtete të Europës e deri në SHBA e Kanada, e deri në Australi e Argjentinë, dhe kjo të lumturon, apo jo!? Dhe është më tepër se një çmim që japin ata komisionerët e Tiranës!
-Jeni krenar për krijimtarinë tuaj?
Po, paçka se si gjithnjë i pakënaqur me veten.
-Çfarë roli kanë njerëzit e letrave në shoqërinë shqiptare?
Ata janë iluministë. “Gjithnjë është më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”, thoshte dikur Konfuci.
-Ç’këshilla do të preferonit të ndanit me ata që aspirojnë të bëhen poetë?
Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të jap këshilla, unë jam letrar, jo këshilltar! Megjithatë, meqenëse ju po e kërkoni këtë me kaq këmbëngulje, unë po ju them kandidatëve për poetë: shkruani shpirtin tuaj dhe mos u futni kurrë nëpër oborret e të tjerëve!
-Jetoni në Korçë. Prej 14 vjetësh jeni drejtuesi i festivalit Ballkanik të Poezisë, që mban siglën “Netët korçare të poezisë”. Çfarë ndikimi ka ky festival tek poetët?
Ky festival poetik, që është në moshën 14-vjeçare, është një tregues që dëshmon se Korça e do artin, e do poezinë, i do poetët. Dhe kjo nuk është ndonjë çudi, ashtu si nuk është çudi t’ju them që gurin e parë në themelet e këtij qyteti e ka vënë një poet. Po kështu, ka qenë poet ai që thuri kalldrëmin e parë, ka qenë poet ai që mbolli blirin e parë, jargavanin e parë, ka qenë poet ai që çeli shkollën e parë, që këndoi serenatën e parë, ai që solli kitarën e parë, që dha puthjen e parë. E meqenëse jemi tek puthja, ngazëllehesh teksa i sheh poetët që përqafohen e puthen me njeri-tjetrin, që shkëmbejnë libra dhe japin autografe, që shkruajnë vjersha për Korçën.
-E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë!
Po, atëherë kur të kem vdekur!
-Është shkruar shumë për ju, si ndihet Skënder Rusi?
Asnjëherë narcist!
Çfarë doni të shtoni?
-Një përqafim për të gjithë poetët dhe, natyrisht, një poezi për ta.
Poeti
Përroi e ka zili lumin,�Se vdes prej tij sapo e prek!
Lumi e ka zili detin,�Se sheh në të vdekjen e vet!
Deti e ka zili poetin,�Se hyn në të edhe humbet!
Intervistoi: Raimonda Moisiu
Author/Freelancer
Korçë, shkurt 2011
*Intervista është shkëputur nga libri me 61-ë intervista “Letrat shqip këtej dhe përtej Atlantikut”, i autores shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu-Sade.