

SKËNDERBEU (6 MAJ 1405 – 6 MAJ 2025) – ( NË KUJTIM 620 VJETORI I LINDJES)
Pjesë nga libri i autorit: Hysen S.Dizdari : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pulla shqiptare 1913-2023”, Botim, Shqip-Anglisht, viti 2024.
Posta Shqiptare, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes Skënderbeut, emetoi një emision të posaçëm me pulla postare të titulluar : “Skënderbeu në gravurat Europiane”. Ky emision u emetua me 6 nëntor 2018 dhe përmban dy pulla postare me vlera monetare 150 lekë dhe 250 lekë. 1. Pulla me vlerë 150 lekë, e shtypur me 135 000 copë, paraqet një portret të rrallë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i realizuar bukur nga ana artistike. Autor i këtij portreti është Domenik Kusto (Dominicus Custos 1560-1612), grafisti i njohur i shekullit XVII, i cili e realizoi me 2 janar 1600, sipas vizatimeve te Xhiovani Batista Fontana, që e kishte botuar në “Atrium Heroicum”. Në vitin 1670, e njejta litografi u riprodhua nga Joanot Martorell në Valencia, me diçiturën “Scanderbeg, trionfatore contro i turchi –(SHQIP)- Skënderbeu, triumfues kundër turqeve”. Portreti i Skënderbeut realizuar me mjeshtëri, është i vendosur brenda një elipsi, ku në pjesën rrethore ka të shkruar me germa të mëdha:
“GEORGIVS CASTRIOT SCANDERBEGVS – EPIRI ET ALBANIA PRINCEPS”
“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDËRBEU – PRINCI I EPIRIT DHE I SHQIPËRISË”
2. Pulla me vlerë 250 lekë, me tirazh 105 000 copë, paraqet Gjergj Kastriotin Skënderbeun në këmbë, me shpatën në dorë dhe me perkrenaren te vendosur pranë këmbëve. Skenderbeu në këtë pullë është realizuar sipas litografisë “Le armi di Scanderbeg – Armët e Skënderbeut”, të Jiří Barthold Pontanus z Breitenberka (1550 – 1614), i cili e vendosi në veprën e tij të botuar në vitin 1609, duke theksuar: “Scanderbegus, hoc est vita et res strenue feliciterque gestae Georgii Castrioti, Epiri regis, ob magna facta Scanderbegi dicti, contra Turcarum immanitatem et perfidiam – (SHQIP) – Skënderbeut, kjo ështe jeta e shquar e lavdishme e veprave fitimtare kundër turqëve nga Gjergj Kastrioti, princi i Epirit i njohur si Skënderbeu ..” Kjo litografia është riprodhim i një vepre të koleksionit te Pauli Jovij, e botuar në “Elogiorum, Liber 3 & Bartholdo Lontano Concinnata”. Në këtë emision u emetua edhe Zarfi i ditës së parë (FDC): tirazhi: 300 copë. Zarfi i ditës parë u përdor vetëm për qëllime filatelike, prandaj janë shumë të kërkuara nga filatelistët shqiptarë dhe të huaj.
Pullat dhe FDC , janë pjesë e koleksionit të autorit të këtij shkrimi.