….DHE NJË LUTJE PËR ATË…/
Në manifestimet tre ditore në Michigan në nderim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Vitin Mbarë Kombëtar të Tij, në Jubileun e 550 vjetorit, shkrimtari Visar Zhiti, ndërkohë dhe ministër këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Washington, vuri kurorën me lule te shtatorja e Skënderbeut në emër të Ambasadës, ku ndër të tjera tha se për Skënderbeun nuk është vetëm ky vit që shqiptarët e përkujtojnë, por të gjitha vitet, shekujt, gjithë pavdekësia e Tij.
Në darkën solemne, koncertuale, ku përshëndetën pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora, Visar Zhiti, pasi përshëndeti në emër të Ambasadores, znj. Floreta Faber, improvizoi një aspekt tjetër dhe ndryshe, atë të “Skënderbeut qytetar”, që gjatë bisedave më pas e zgjeroi emocionalisht dhe e mbylli me një lutje të bukur, që po i botojmë:
…erdhëm të dëgjojmë dhe të flasim për Skënderbeun këtu, ku po shpalosen nga vlerat siperane të Tij si udhëheqës i popullit dhe mbrojtës i Europës, ndërkaq këtu pamë nga vlerat e bijve dhe bijave të tij, të diasporës së mrekullueshme shqiptaro-amerikane në Michigan, përbashkimin e komunitetit, të të gjitha shoqatave dhe besimeve fetare, aq sa m’u duk si një tjetër kuvend Skënderbean, ku u përzien kohëra, kujtesa kolektive, bëmat historike, datat, emblemat, por dhe poezia e kënga, nën hijen e Flamujve tanë, me ngjyrat mahnitëse të kostumeve tona popullore.
Dhe më lindi befas dëshira të flas dhe për “Skënderbeun qytetar”, për virtytet e Tij, nga që këtu ka shumë të rinj, sepse Skënderbeu është dhe institucion i lirisë, i dijes dhe i paqes, jo vetem i luftës, i luftës për mbrojtjen e atdheut, sepse sic thoshte dhe Shën Gjon Pali II, Papa Vojtila, miku i madh i shqiptarëve: “Nuk na duhet një demokraci pa virtyte”.
Skenderbeu ishte dhe tejet i virtytshëm, Ai e thoshte dhe vetë: “unë nuk jam rob i fatit, por i virtytit.”. Shkëlqyer! Një Skënderbe mendimtar, elegant, me poezi të fshehtë brenda, orator i rrallë, le të kujtojmë fjalimet e tij në Krujë “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush” apo në Romë, ku foli atje me nocione si të sotmet: “Ne jemi shpata dhe mburoja e Europës” – tha në sheshin para shtëpisë së tij në “Palazzo Skanderbeg”.
Komunikues brilant, Skenderbeu ishte i drejtëpërdrejtë, le të rilexojmë nga letrat e Tij drejtuar miqve dhe aleatëve në Vatikan e Napoli, apo në Venetik a kundërshtarëve në Konstandinapojë, Sulltanit vetë. Është po Ai Skënderbe, sovran zemërgjerë, i drejtë si Solomon, i sakrificave deri në martirizim dhe ka po atë timber të shqiponjës dykrenore.
Po nxitoj të rëndis disa cilësi të Fisnikut të Madh: kryepunëtor, i zellshëm, kurajoz i mahnitshëm, trim, i besës, dinak për mirë, duhej, i zgjuar si populli, elitar, i kulturuar, fliste disa gjuhë, se sic na tha në simpozium dhe historiani P. Xhufi, që ambasadori i Milanos në Vatikan dëshmonte se “Skënderbeu e flet italishten si ne”, Ai dinte dhe latinisht, arabisht, etj.
Skënderbeu ishte i hijshëm, e donin grate, tërhoqi vëmendjen e Rembrandit a të shkollës së tij me një portret gjithë hije dhe dritë, që kërkohet nga interpoli sot, se u është grabitur pasardhësve të tij në një kështjellë të tyren në Itali.
Bashkëshort gjithë dasghuri dhe baba i urtë, testamental. E përsëris, e donte paqen, lufta e tij prandaj bëhej në fund të fundit, ja, na e tregon “ulliri”, Ai e cmonte pemën ilirike të ullirit, jo vetëm si vlerë ekonomike, por dhe si një si symbol i paqes, se të rinjve që martoheshin u kërkonte të mbillnin rrënjë ulliri. Pajë për të gjithë .“Lufton luftën dhe fiton” – fillon poema e poetit të madh amerikan Longfellow, në shqipërimin e Kryevatranit, imzot Noli.
Vallet dhe këngët sonte më kujtojnë një fakt të bukur sa më s’ka, Skënderbeu ka ftuar në Lezhë muzikantë, na e ka zbuluar studiuesi arbëresh M. Mandala. Sipas tij, e thotë muzikologu Italian Cavallini, po përmend emra, që ta besoni, “që trombetisti venecian, i quajtur Xorxi, u ftua nga Skënderbeu në oborrin e tij mbretëror për të luajtur muzikë flamengoje”, që atëhere ishte muzikë avanguardiste në Europë dhe që ai kishte marrë nga “Princi shqiptar një shumë të madhe parash si kurrë më pare”.
Skënderbeu mecenat arti – shkruan një studiuese.
Sa bukur! Kur Shqipëria e vogël luftonte me një perandori, nga më të fortat dhe Arka e Shtetit nuk ishte dhe aq plot. Skënderbeu vizionar, Skënderbeu i së ardhmes, se do të vinin kohëra kur vriteshin poetë e burgoseshin.
Jo rastësisht po ridel këto ditë dhe një portret i hershëm, vizatuar nga të huajt, “Skënderbeu me libër në dorë”. A nuk kishte Ai mik dhe me shkrimtarin Marin Barleti? Patjetër që Ai e dinte thënien e Muhamedit, që boja me të cilën shkruajnë fëmijët, është më e shtrenjtë se gjaku i dëshmorëve”. Po që është dhe një libër i rëndësishëm konstitucional për Shqipërinë “Kanuni i Skënderbeut”? Pra Ai udhëzonte se si të administrohej dhe paqja.
Dhe u bë “Yll i Karvanit” për popullin e tij në shekuj. Dhe jo vetëm kaq. Mbrojtës i qytetërimit Perëndimor. Si tha një kongresmen amerikan, që pa Skënderbeun dhe Amerika mbase do të kishte ndryshe.
Prej virtyteve vijnë të gjithsa këto…
Dhe meqënëse sot morëm pjesë në një meshë, më vjen të lutem tani para jush.
GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL
Gjergji ynë, që je në Qiell,
Atë i Kombit tënd dhe Bir i popullit tënd,
u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullnesa jote
nga Qielli në tokën, kudo ku ka shqiptarë,
të bashkuar të jemi, se kështu bëhemi më të fortë,
që të fitojë e mira.
Porositë e tua si bukën e përditëshme na i jep sot,
Të duam AtDheun dhe njëri-tjetrin dhe punën
dhe virtytet t’i bëjmë tonat. Na i fal fajet tona
dhe mos lejo faje të të tjerëve mbi ne.
Me shpatën tënde të godasim urrejtjen,
me mburojën tënde të mbrojmë dashurinë,
kali yt të bëhet Pegasi i muzave
dhe mos na lërë të biem në tundimet
e egoizmit dhe korrupsionit dhe na liro nga i keqi
brenda vetes e përreth nesh,
me ndihmën e Zotit, o Zot!
Kurora paqeje me lule shpirti të vëmë mbi veprat e njeriut
ja ashtu si sot në statujën tënde në Michigan,
dhe bekime bashkatdhetarëve të tu kudo e përgjithmonë!
Amen!