


Nga Suzana Varvarica Kuka/*
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë vend të madh e mikpritës për shqiptarët, në qytetin Connecticut ndodhet një studio skulpture, në të cilën flitet shqip. Artisti i saj është shqiptar dhe gjuhën e bukur të mëmëdheut e ka të shenjtë. Personaliteti i tij artistik është formuar në Shqipëri dhe shumë subjekte të skulpturave lidhen me heronjtë kombëtarë, ku spikasin Nana Terezë dhe Skënderbeu, të cilët në ditët tona i përkasin botës mbarë.

Skulptori shqiptar Vasil Rakaj jeton me familjen e tij në Connecticut dhe në rrugët e tij ecën çdo ditë. Njëra prej tyre e çon në studion e vet, në hapësirën e së cilës qëndrojnë vepra të përfunduara, punime në proces, vizatime dhe skicëide për veprat e ardhshme, fotografi dhe objekte të ndryshme, të cilët sëbashku krijojnë atmosferën intime të një artisti.

Vasil Rakaj është shtetas amerikan, u lind në vitin 1954 dhe me origjinë është nga Boga, një vend i pastër, plot ajër e dritë i Alpeve shqiptare. Në rininë e tij, dëshirën për artin e realizoi me studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, ku u cilësua nxënës i talentuar. Në vitin 1977,fale rezultateve te larta u pranua pa konkurs të studiojë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë dhe u diplomua me rezultate të larta, në degën e skulpturës dhe të qeramikës dhe në ateljenë e Skulptorit të mirënjohur Thoma Thomai Dhamo. Në ditët e sotme, në këtë kohë emigrimesh dhe lëvizjes themeltare të lëvizjes së familjes nga një vend i vogël në një vend të madh nuk është e thjeshtë. Dhe nuk është një fjalë gojë, e më së shumti të bësh artistin është një fat i madh, një ëndër e plotësuar. Vasil Rakaj ka një krijimtari të pasur dhe kjo e bënë të jetë një nga skulptorët e talentuar bashkëkohës shqiptar, që emigroi në SHBA.

Në Connecticut, skulptori Vasil Rakaj punon në studio me një interes për artin që u rrit edhe më shumë, madje interesi për skulpturën u bë shumë më i ndjeshëm si nga vet artisti ashtu dhe nga të huajt. Ai erdhi në Amerikë si një skulptor realist i formuar mjaft mirë në një akademi të rreptë dhe me rregulla të forta figurative. Vasil Rakaj, me qetësinë e brendëshme, vlerësoi më parë profesionin dhe talentin e vet se çdo gjë tjetër që i ofroi Amerika. Kjo bëri që të mos e braktisë skulpturën, profesonin e tij artistik.

Në studio, Vasil Rakaj modelon argjilën e bronzin, gdhend drurin e gurin. Jeta e tij artistike nuk ndahet nga jeta e tij sociale dhe të dyja bashkë zenë vend në dy periudha të rëndësishme. Periudha e parë i përket jetës së tij në Shqipëri, gjatë kohës komuniste dhe krijimtarisë së tij nën diktatin e qeverisjes së sistemit monopartiak. Në këtë periudhë deri në 1990, Vasil Rakaj u edukua me nocionin: “Se atdheu është familja” dhe kjo moto e bëri një individ të ndërgjegjshëm në jetën e tij artistike. Ai u rrit si skulptor realist, punoi si mësues dhe metodist i edukimit figurativ; jetoi në Kurbin dhe krijoi punime arti, të cilat lidhen me temat, subjektet dhe personazhet që sugjeronte arti dhe propaganda e asaj kohe në Shqipëri. Pas rënies së komunizmit, Vasil Rakaj bashkë me familjen e tij, u largua drejt ShBA dhe nisi një jetë të ndryshme nga ajo e atdheut, por duke mos e humbur mallin për të. Në ShBA, në Conneticut fillon periudha e dytë të jetës, ku zhvillon krijimtarinë duke mos e harruar shprehjen e Volterit: “O njeri! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”.

Nga vitet 90-të e në ditët e sotme Vasil Rakaj punon dhe krijon skulpturë në liri dhe me frymëmarrje të pastër emocionale, duke i`u qasur temave që lidhen me kombin shqiptar. Ai zgjodhi me frymëzim figurën e Nënë Terezës, të Skënderbeut, të heronjve malësorë. Në ShBA ai vlerësoi personalitetitin e Martin Luther King-ut dhe e modeloi potretin e tij në stil realist. Më pas modeloi një bazament me formë shumë të veçantë dhe portreti – kokë mbi bazamentin e harkuar qëndrojnë në harmoni të plotë. Kjo vepër ruan vlera estetike dhe cilësi të lartë të ekzekutimit artistik. Këto dy cilësi i kanë dhuruar nderim skulptorit ndër personalitetet e vendit ku jeton dhe në komunitetin e përbashkët, që respekton figurën e shquar të Martin Luther King-ut, si lider në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Në këtë periudhë skulptori ka vlerësuar ndjesi dhe përjetime të fenomeneve njerëzore në përshtatje me jetën dhe filozofinë jetësore. Ai krijoi dhe krijon portrete, figura femërore alegorike dhe portrete të njerëzve nga jeta e përditshme. Gjatë procesit krijues skulptori Rakaj nuk e anashkalon subjektin figurativ të një vepre, madje e pasuron me një mendim të vetin.
Në mënyrë ekskluzive, në të gjithë krijimtarinë e Vasil Rakaj dallon arti i tij për të pasqyruar në disa forma figurën madhore të Nënë Terezës. Ajo duket se zë një vend kryesor. Ai e adhuron figurën dhe personalitetin e Nënë Terezës. Ai e respekton dhe është krenar për ekzistencën e saj. Kjo ka ssjelle një krijimtari të shumtë rreth personalitetit të saj. Në studion e tij në ShBA, në ekspozita dhe në evente përkujtimore që lidhen me atdheun, figura e saj në skulpturën e tij zë një vend të rëndësishëm. Ai e ka gdhendur figurën e saj si shtatore, si bust, si reliev dhe si portret, por edhe si kompozim të skulpturës urbane dhe monumentale. I ka dhënë ngjashmëri në pamjen e jashtme, butësinë psikologjike, karakterin fetar përmes pasqyrimit të ndjesisë së shërbesës dhe të përulësisë. Ai e punoi figurën e saj në Shqipëri dhe ShBA dhe e ka ekspozuar skulpturat e titulluara “Nënë Tereza”, në dhjetra ekspozita e me sukses në Shqipëri e ShBA. Në Kosovë, skulptura e tij statuja “Nëna Terezë”, e cila është një figurë që shpreh personalitetin e shënjtores, e cila mban me ngrohtësi dhe ngjeshur në trupin e saj një djalë-fëmi, është vendosur në rrugën – pedonale dhe shumë pak metra më në jug se sheshi ku gjendet ekuestri “Skënderbeu mbi kalë” i skulptorit Janaq Paço. Skulptori e ka punuar figurën e saj edhe në formën e objektit të llojit dhuratë dhe, si të tillë i është dhuruar disa fondacioneve, disa personaliteteve të njohur, të huaj dhe shqiptarë.
Vasil Rakaj është skulptor i formuar mirë dhe kërkesa e tij për tu shprehur me forma dhe volume, ndjesi dhe emocione bëhet e ditur edhe në skulpturën e poetike. Ky mendim imi bëhet i pranishëm në portretin e quajtur “Piskama”, që është një vepër arti befasuese, ku druri është kthyer në emocion dhe volumet minimaliste të tij shkaktojnë tërheqje ndaj publikut, pasi shohim një gjetje artistike, një kokë ekspresive dhe plot ankth.
Skulptori Vasil Rakaj e quan mision fisnik vizitat e herë pas hershme në atdheun e tij, sidomos në qytetin e Krujës, i cili është mjedisi i parë që e mbushi me motive krijimi, të cilat i gjeti në dëshmitë historike, në pasurinë e pafund të dekoreve në kulturën popullore të kostumeve, të gdhendjeve, të ndërtimeve dhe të pozicionit të saj gjeografik e malor. Kruja, qyteti i Kështjellës dhe i Skënderbeut, i dha mundësitë e para të krijimit të figurave që lidhen me patriotizmin, me atdheun, ku kryeson heroi ynë kombëtar. Në krijimtarinë e tij shfaqet figura e lahutës, portreti i Skënderbeut, rievokimi si një gjetje kompozicionale dhe shenjë e trashëgimisë së bashkëjetesës së heroikes me këngët e legjendave, e simbolit të fortë e të lashtë me gjendjen e brendshme emocionale të skulptorit Vasil Rakaj. Krenaria dhe respekti që ka artisti për figurën e Skënderbeut është një gjurmë artistike e Vasil Rakajt, që e përmbyll me idenë e tij se: “Skënderbeu është simbol kombëtar që lidhet me qytetin e Krujës dhe me të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë. E kjo do të thotë se ai është simboli im dhe i atdheut ku kam lindur”. Me këtë mendim dhe ndjesi kombëtare Vasil Rakaj krijon dhe modelon figurën ekuestër të Skënderbeut mbi kalë si një prijës ushtarak e luftëtar. Ai modelon figurën e tij në formën e statujës në këmbë dhe portretin e heroit. Impenjimi artistik i skulptorit ndaj kësaj figure madhore shqiptare, që luftoi në Mesjetë kundra zgjerimit pushtues të osmanëve në Europë, është shumë i madh dhe shkon deri aty sa të realizoj monumentin e tij ekuestër, me përmasa të mëdha.
Në ShBA, në shtëpinë e tij Vasil Rakaj ndau një dhomë, të cilën e ktheu në një muze historik. Në këtë dhomë është krijuar linja historike e zhvillimit ndër shekuj e ndër vite e kombësisë shqiptare përmes dokumentacione të shkruara, fotogafive dhe ilustrimeve. Impenjimi historik dhe artistik kanë krijuar atmosferën muzeore, në të cilën pasqyrohen të gjitha periudhat historike të vendit, ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët. Në shek. XXI, të ngresh një muze të vendlindjes në një nga dhomat e shtëpisë është një gjë e rrallë, por kur kjo ndodh në një vend tjetër është një cilësi e patriotizmit që vetëm Vasil Rakaj ka ditur ta materializojë në Connecticut. Në bashkëpunim me historinë dhe si një historian i vertet ka ndërtuar atmosferën e dëshmive dhe imazheve që ilustrojnë kohën e pellazgëve, periudhën e ilirëve, përpjekjet e arbërve, dëshmitë heroike të Skënderbeut, veprat madhore të Rilindasve shqiptar, që luftuan për Pavarësinë Kombëtare, Luftën e Dytë Botërore dhe shqiptarët që morën pjesë në Luftën nacionalclirimtare, periudhën e gjatë të terrorit komunist dhe fillimet e domokracisë së re shqiptare të vitit 1991. Ky muze është një perlë e rëndësisë së tij. Së pari për artistin, sepse ka ndërtuar të gjithë Shqipërinë tonë të vogël në një dhomë të shtëpisë së tij, së dyti trashëgimtarët e tij do të rriten me dije dhe dashuri për atdheun dhe së fundmi Vasil Rakaj nuk është thjeshtë një artist kariere por një patriot i ri dhe i vërtet i vendlindjes tonë, Shqipërisë.
*Dergoi per Diellin-Tome Thercaj