
Sondazhi i katërt kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze të sondazheve MRB, zbulojnë këtë prirje vote të shqiptarëve nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën.
Këto janë rezultatet e sondazhit që u bë publik sot në studion e emisionit Barometri Politik, moderuar nga gazetarja Ilva Tare në panelin e analistëve politikë.
43% – PS
35.4% – PD
5.2% – LSI
3.8% – Parti të Tjera
Nga ana tjetër, 3.6% e qytetarëve janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në votime, ndërsa numri i të pavendosurve është 8.5%, pra, shifra e dalë nga prirja e votës nuk llogarit votuesit e papërcaktuar.
Në zgjedhjet e vitit 2017, PS doli forcë e parë me 48.3% të votës së qytetarëve, PD forcë e dytë me 28.9% të mbështetjes, LSI mori 14.3% të votës popullore, ndërsa 3.7%
Përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila ka pësuar një përgjysmim të mbështetjes që nga publikimi i sondazhit të parë, PS dhe PD kanë shënuar një rritje në prirjen e votës së shqiptarëve, respektivisht me 1.2% dhe 7.2%.
3,5 milionë shqiptarë, nga të cilët 50.5 % e tyre janë votues meshkuj dhe 49.5 % e tyre janë votuese femra kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri për të votuar parlamentin e radhës.
Metodologjia
Sondazhi kombëtar mori në analizë 2500 të intervistuar në periudhën 17-31 mars 2021 në zona rurale dhe urbane në Shqipëri.
Si ka ndryshuar mbështetja për partitë në 4 sondazhet e Barometrit Politik (Grafik)

Nga sondazhi i parë kombëtar i realizuar nga MRB për Euronews Albania më 21 janar deri në sondazhin e katërt të publikuar sot më 8 prill, dy partitë e mëdha, ajo Socialiste dhe Demokratike janë rritur.
Por nga ana tjetër diferenca mes dy partive kryesore është ngushtuar ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasuar rënie të fortë. Hendeku mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nga sondazhi i parë që ishte me 13.6% është ngushtuar në 7.6%.
Kurba e mbështetjes së PS njohu një rënie të vogël në sondazhin e dytë ku nga 41.8% shkoi në 39.9% dhe më pas në sondazhin e tretë shkoi në 41.3% për të përfunduar në sondazhin e fundit në nivelin e 43%.
Nga ana tjetër, PD e nisi sondazhin e parë me një pëlqim prej 28.2% në prirjen e votës për të shkuar në 30.6% në të dytin dhe 30.8% në sondazhin e tretë dhe tashmë ka shkuar në sondazhin e katërt në 35.4%.
Për LSI, kurba e ndryshimit është në rënie ku nga 10.3% të votave që kishte në sondazhin e 21 janarit, në sondazhin e fundit ka shkuar në 5.2%, duke shënuar në total një rënie prej 50% të mbështetjes.
Ndërkohë që mbështetja për forcat e tjera ka mbetur në nivelin nën 4%, në sondazhin e fundit vihet re që përqindja e të pa përcaktuarve ka rënë duke bërë që më shumë njerëz të pozicionohen në prag të mbajtjes së zgjedhjeve. Pikërisht kjo shpjegon që rritja e PD dhe PS është më shumë përqindje se sa vetë rënia e LSI.