
Rafaela Prifti/
Sonte në Operën Metropolitan të Nju Jorkut, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho interpreton rolin e një prej heroinave operistike më të njohura, atë të Violetës tek Traviata e Verdit. Kjo është nata e pestë dhe e fundit e shfaqjeve të janarit në Nju Jork për sezonin muzikor 2022-2023.
Ermonela Jaho, e njohur si “ylli shqiptar në skenën botërore të operes” u shpall javën e kaluar “Artistja e Vitit 2023″ nga juria e çmimeve ndërkombëtare të muzikës klasike. Kryetari i jurisë Remy Franck deklaroi se fituesit në kategoritë përkatëse, të përzgjedhur nga shumë kandidatë, janë simbole të përsosmërisë për muzikën klasike.” Sopranoja shqiptare e pranoi çminin dhe falenderoi jurinë nëpërmjet një mesazhi të regjistruar me video nga Barcelona.
“Vlerësimi i jurisë flet për punën dhe profesionalizmin e sopranos Ermonela Jaho. Çdo çmim për artistët tanë është ogur shumë i mirë për Shqipërinë,” thotë baritoni i njohur Kreshnik Zhabjaku. Këtë javë ai është në mesin e provave për rolin e Nikollaqit në Karnavalet e Korçës, një prej perlave të repertorit të muzikës shqiptare, e cila do rivihet në skenën e Operës dhe Baletit të Tiranës në muajin shkurt.
Çdo njohje dhe triumf i artistëve shqiptarë në botë të gëzon, por ajo që peshon më shumë nga të gjitha është kombësia, sepse “kur e hap programin, ngjitur me emrin e artistit, shkruhet “Albania” dhe kjo është krenaria më e madhe për ne,” shprehet Kreshnik Zhabjaku, solist me role titullare mbresëlënëse https://www.kreshnikzhabjaku.org/repertoire
Për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho, skena e operës Metropolitan në Nju Jork është një nga shtëpitë e saj në botë, siç i quan ajo sallat e teatrove ku jep shfaqje gjatë sezoneve vjetore. Dhe vërtet publiku botëror e mirëpret me ngrohtësi dhe e duartroket në skenat më prestigjioze të muzikës klasike, si Royal Opera House, Covent Garden, Opera National de Paris, Metropolitan Opera, Wienner Staatsoper, Bayerische Staatsoper, Berliner Staatsoper, Teatro Real në Madrid, Grand Teatre del Liceu në Barcelona, Teatro alla Scala në Milan, nga Evropa në Shtetet e Bashkuara, nga Azia në Australi. Trupi i saj i imët arrin të depërtojë në të gjithë sallën në sajë të zotërimit mjeshtëror të dhuntive të saj. Ajo mbush çdo kënd të skenës me praninë magnetizuese të saj dhe përjetimit të roleve të njohura nëpërmjet një filtri tepër fin të botës së saj të brendshme.
Stili i saj i interpretimit dallohet për tone autentike emocionale, ku jetësohet vizioni unik i sopranos shqiptare për heroinat klasike, të cilat janë intepretuar nga ikona të muzikës operestike. Instrumenti i saj më i fuqishëm nuk është domosdoshmërisht “zëri i bukur” apo “teknika e të kënduarit” thotë Ermonela, por emocioni njerëzor, që është gjuha universale për të gjitha audiencat në çdo kohë dhe në çdo vend.
Në mars të vitit 2018 interpretimi i Cio-Cio-San tek Madama Butterfly i kompozitorit Giacomo Puccini nga Ermonela Jaho mahniti publikun dhe kritikët e muzikës në Nju Jork. Dielli arriti të merrte një intervistë ekskluzive me artisten shqiptare në dhomën e saj të veshjes në Metropolitan Opera në Nju Jork. (gazeta Dielli, mars 2018) Gjatë bisedës ajo rrëfeu se veçantia e saj buron nga qenia e saj si grua shqiptare tek e cila është ‘depozituar’ gjithë historia e femrës shqiptare dhe paraardhëseve të saj, një thesar i patjetërsueshëm dhe i pakopjueshëm i unit të saj artistik.
Sonte Ermonela Jaho interpreton për publikun njujorkez rolin e Violetës, me anë të së cilës sopranoja shqiptare përcjell një botë të brendshme me nuanca origjinale të një dhembjeje aq të personalizuar saqë dallohet nga të gjitha Violetat e tjera përpara saj. Sensitiviteti është shprehje e vizionit të saj unik për klasiken, thuhet në gazetën Nju Jork Tajms për të.
Për fituesit e çmimeve ndërkombëtare të Muzikës Klasike për vitin 2023, ICMA ka njoftuar se do të ketë një ceremoni të posaçme në Forumin Kombëtar të Muzikës në Poloni në 21 prill.
Foto nga Julika Prifti
Ermonela Jaho, 27 tetor 2019, Richard Tucker Gala Carnegie Hall, organizuar nga Richard Tucker Music Foundation