SOT ATJON ZHITI DO TË ISHTE 20 VJEÇ,POETË NGA BOTA PËRSHËNDESIN LIBRIN E TIJ
QË PËRUROHET SOT SI NJË AKT PËRBASHKUES BREZASH…/
Libri i ri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)” sapo ka dalë në qarkullim dhe po kërkohet së pari nga të rinjtë, se aty gjejnë nga vetvetja dhe ëndrra.
Botuesi UETPRESS e përuron librin në Universitetin Europian të Tiranës, në Aula Magna, në tempullin studentor, sot, në ditën e lindjes së Atjoni, më 30 gusht kur ai do të mbushte 20 vjeç.
Në librin “Për atë që dua(m)”, në kapitullin e fundit gjenden faqe të tërë me thënie për Atjonin nga shoqet dhe shokët e tij, nga ata që e kanë njohur e nga ata që e kanë lexuar, nga emra të shquar shkrimtarësh deri dhe nga Helena e Ismail Kadare, po dhe nga shkrimtarë të vendeve të tjera.
Revista e njohur e PEN Clubit Italian, ku Atjon Zhiti ishte antari më i ri i kësaj organizate botërore, teksa studionte për filozofi në Milano, në numrin e saj të fundit në faqen e librave të rinj, ka njoftuar dhe botimin shqiptar “Për atë që dua(m)”.
Presidenti i PEN-it italian, poeti Sebastiano Grasso, përshëndet promovimin e librit dhe rrëfehet se e çmonte shumë Atjonin dhe jo vetëm ai, djaloshin nga Shqipëria, aq shumë inteligjent dhe tejet i çiltër, me interesa të shumta, gjithë kërshëri, nga ajo që të çon përpara dhe me guxim qytetare për të vepruar. Sebastiano Grasso ka thënë se “Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin”.
Po kështu një nga poetët më të mëdhenj në botë sot, Adonis, kandidat i hershëm për çmimin “Nobel” dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze nëpër botë, këto ditë dhe i çmimit gjerman “Erih Maria Remark”, që jeton qysh prej 30 vjetësh në Paris, i mërguar nga Siria, të cilin Atjoni e ka takuar në Milano, për promovimin e librit të tij në Tiranë shkruan me dorë një mesazh në gjuhën e tij amtare dhe e firmos në përkthimin italisht:
“E kam njohur Atjonin në shtëpinë e mikut poet Sebastiano Grasso dhe Atjoni kishte aftësinë ta iluminonte poezinë, nga që ai vetë është një poemë, pothuajse magjike.”
Po kështu nga Shkupi shkruan dhe shkrimtari Kim Mehmeti, “jam aty, – thotë ai, – në Librin e Dhembjes, personazh…”
Dhe të tjerë vazhdojnë të shkruajnë… Kjo frymë përbashkuese që krijoi Atjoni rreth vetes midis brezash e vendesh, me kredon e tij për ta ndryshuar botën nëpërmjet buzëqeshjes, është shndërruar në një program të bukur për të rinjtë që i donte dhe e duan ende më shumë…
Rededaktori.