-Peter R. Prifti: VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR KETO FJALE…?/
Ne Foto: Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani duke i dorezuar Editorit te Diellit, dekoraten”Nderi i kombit” per Gazeten e kohes se Rilindjes”DIELLI” i Vatres./
NGA DALIP GRECA*/
Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 109 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. Presidenti i Shqiperise, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani, i akordoi Diellit dekoraten e larte”Nderi i Kombit”.
***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditëlindjen, të Enjten, me 15 shkurt mbushi plot 109 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë. Dihet se emri i Vatrës ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922)
Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit prej Shoqërisë Besa-Besë u emërua Faik Konica, por e vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit.Më 22 të tetorit Konica mori drejtimin e Diellit.”
DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR
“Dielli ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën , por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis.
NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN
Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit,Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”babai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.
Sipas nje studimi te realizuar nga Editori i Diellit ne vitet 1994-2009, poeti dhe studiusi Anton Cefa, 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra. Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 9 vitesh Dielli drejtohet nga Kryeredaktori Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print të përmuajshem dhe të përditshëm Online, ndërkohë dhe që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.
Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!
*Editor i DIELLIT, Prej gusht 2009
***
VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?
Shkroi: PETER R. PRIFTI*/
“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!
“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)