
Nga Julika Prifti/
Sot, më 24 nëntor 2019, mbushen 95 vjet nga lindja e Peter R. Priftit.
Ai do të jetonte në Shqipëri vetëm 14 vjet. Më shumë se shtatë dekada do t’i kalonte në Sh.B.A. Për 50 vjet familja e Rafael Priftit jetoi e ndare, babai me dy djemtë e mëdhenj në Filadelfi ndërsa e shoqja dhe nëna e fëmijve me dy më të vegjëlit në Shqipëri.
Piteri la prapa shtëpinë dykatëshe me oborr në tri anë dhe me kopshtin prapa shtëpisë, me plevicën përgjatë gjithë gjatësisë së oborrit dhe kopshtit, mbrapa tyre shtrihej lëndina me bar. Kaçka ose arra e madhe në hyrje në të majtë të portës të oborrit, druri i vishnjes poshtë dritares në anën e djathtë të ballkonit, vishnja tjetër prapa shtëpisë, kumbullën pranë fundit të plevicës, e shumë drurë molle në mes të oborrit.
Piteri nuk do të vraponte me qenin, nuk do te ndiqte pulat që hynin pa leje në kopsht, nuk do të priste ardhjen e lopës nga kullota, e të deleve për t’i futur në plevicë, nuk do të kulloste gomarin, nuk do të shkonte për të prerë dru në pyjet e Gramozit. Nuk do të kishte më vajtje në mulli ku uji rreth rrotës së madhe i rrezatuar nga dielli lëshonte stërkala shumëngjyrëshe. Nuk do të kishte më vajtje në kishën e Shën Pjetrit me moshatarët e tij. Dielli nuk do ta përshëndeste sapo dilte nga maja e malit të Gramozit e gurgullima e vijës së ujit, disa hapa larg shtëpisë nuk do ta nanuriste natën e nuk do ta përmendte nga gjumi herët në mëngjes në ditët e qeta të verës. Për më tepër nëna nuk do ta ledhatonte më e nuk do ti afronte për të ngrënë kulaçet e furrës e lakrorë të pjekur në saç, apo mish të pjekur në hell. Gjyshja nuk do t’i afronte më arrat e ruajtura në sëndykun e saj. Shoket nuk do të vinin ta thërrisnin për tu dëfryer.
Jeta e tij do të ndryshonte plotësisht e përgjithmonë. Shumë dukuri të pranishme të jetës së tij do t’i mungonin me largimin nga Shqipëria por do fitonte plot të tjera, të panjohura deri në atë kohë për të në Amerikë.
Shpejt Amerika u bë atdheu i tij ku jetonte i ati me vëllanë e madh, ndërsa Shqipëria do të mbetej mëmëdheu i dashur, ku ishin mamaja, gjyshja, vëllai e motra.
Piterit i pëlqeu shkolla e kultura e re me të cilën po ambientohej nga dita në ditë. Gjuhët, historia e filozofia u bënë të dashura e mbetën të tilla gjatë gjithë jetës së tij. Artikujt e librat e shumtë të botuar në Amerikë e në Shqipëri janë dëshmitarë të pasionit e të punës së tij të madhe akademike në një lëmi të gjerë të shkencave shoqërore.
Peter Prifti ishte nga të paktët fëmijë emigrantësh që nuk ndoqi traditën e formuar. Atij nuk i pëlqeu as të punonte në restorant dhe as ta trashëgonte atë nga ana e të atit. Interesat e tij nuk ishin për përfitim monetar por për përfitim akademik e shkencor. Fati i mirë e ndoqi në këtë drejtim sepse i ati nuk e pengoi e për më tepër pagoi për shkollimin e tij. Kështu që sot puna e tij nderohet, çmohet, e studiohet nga shumë studiues amerikanë apo shqiptarë sepse për një kohë të gjatë, ai ishte nga të paktët shqiptarë të shkolluar e te përgatitur për mbrojtën e të vërtetës së popullit të tij, të mëmëdheut e të figurave të shquara. Ai mbrojti pa frikë mendimin e tij për zhvillimin e gjuhës shqipe, për të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, për çështje të kufirit shqiptar apo të pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale në Amerikë.
Një pjesë e madhe e veprës e tij i kushtohet përkthimit të veprave të dashura të shqiptareve dhe në një përvjetor madje shkroi edhe një skenar për Skënderbeun me kërkesën e Donika Bardhës.
Peter Prifti ia kushtoi gjithë jetën e tij kulturës e artit shqiptar. Ai nuk u pasurua monetarisht nga vepra e tij e madhe, puna e ndërgjegjshme dhe akademike por pasuria që ju la bashkëatdhëtarëve është një thesar i vërtetë. Asgjë më tepër nuk do donte vetë Peter Prifti.