Foto Gazeta DIELLI: Agim Rexhaj, Sylë Lajqi, Bajram Dreshaj e Behlul Jashari në Pejë, 7 gusht 2016/
-Një takim në Prishtinë dhe një udhëtim në Pejë drejt Rugovës, me ftesë të zv/kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Agim Rexhaj/
-Verave rritet Peja, vijnë këtu nga bota njerëzit e saj…/
-Kujtime për Presidentin historik Rugova, thoshte: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 10 Gusht 2016 /Mëngjesi i të dielës së 7 gushtit 2016 ishte me shumë shi, lojërat tradicionale në Rugovë, për ku isha nisur i ftuar nga Agim Rexhaj, ishin shtyrë në pritje të një të diele tjetër me diell, prandaj u ndalëm në Pejë, në qytetin e tij në Kosovë, ku ka ardhur për pushimet e verës nga qyteti i Nju Jorkut –Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
AGIM REXHAJ-NDERI I KOMBIT, ME DY DEKORATA PRESIDENCIALE, TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Këtë verë e takova për herë parë, ndërsa e njihja kaherë si emër: Agim Rexhaj, pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran edhe aktualisht zv/kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe Nderi i Kombit – i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë.
“Është ajo dekorata e dytë Presidenciale, e para ishte nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, më thotë ai, derisa bisedojmë bashkë në teracën e një hoteli buzë lumit Lumëbardhi në Pejë.
“Zotit Agim Rexhaj me nderim të madh për punën që ka bërë në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ibrahim Rugova 8.11.2005 Prishtinë Kosovë”. Këtë dedikim e ka shkruar me dorën e vet Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në një komplet veprash në tetë vëllime. Ky komplet i veprave letrare të Ibrahim Rugovës, në vitin 2005, ishte botuar në Prishtinë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, ndërsa promovimi do bëhej në 4 nëntor në Tiranë, në Panairin e librit në kryeqytetin shqiptar.
“Për Z. Agim Rexhaj nga Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Prill 2004, USA”, shkruan në flakërim ari dedikimi te Vula e Presientit të Kosovës, me shqopnjën dykrenare – të Flamurit të Dardanisë, me yllingjashtëcepësh nga Flamuri i Skënderbeut.
Dekorata tjetër Presidnciale erdhi pas vitesh, edhe nga Shqipëria. Në Tiranë, në 24 nëntor 2014, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, veprimtarë të shquar të Federatës Pan-Shqiptare në Amerikë “Vatra”.
Kreu i Shtetit shqiptar nderoi veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare me Dekoratën Nderi i Kombit për Agim Rexhaj, ndërsa pas vdekjes u dekoruan vatranët dhe gazetarë të Diellit, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste: Aqif Përmeti, Bahri Omari, Kolë Tromara, Kristo Kirka, Kostaq Kota, Aqile Tasi, Kristo Floqi dhe Andon Frashëri.
Presidenti Nishani çmoi gjithashtu (pas vdekjes) veprimtarët e spikatur për lirinë dhe çështjen shqiptare si dhe në homazh të heroizmit dhe sakrificës për idealet atdhetare me Dekoratën e Artë të Shqiponjës: Faslli Frashërin, Ali Kuçin, Kolë Rrodhen dhe Halit Qytezën.
“Sot është një ditë e madhe për VATRËN”, është shprehur zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, Agim Rexhaj, në fjalën përshëndetëse e falënderuese për dekorimet nga Presidenti i Shqipërisë.
“Unë ndjehem i lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundit të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për t’ua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më pëprara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë”, ka theksuar i sapodekoruari me Nderi i Kombit, Rexhaj.
Për këto dekorime rilexoj te Gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, derisa shfletojmë edhe ekzemplarë arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, duke pirë kafenë e mëngjesit në Pejë, rrugës drejt Alpeve shqiptare, Rugovës…
PRESIDENTI RUGOVA, INTERVISTAT NË GAZETËN RILINDJA: KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA
“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull të ballinës gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President, një ditë më parë në 4 mars.
“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”, është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me pyetjen time të parë ishte edhe urimi për rizgjdhjen President i Kosovës.
Në mëngjesin me “mendime të bukura për Kosovën”, në qytetin e Pejës, shfletojmë edhe ekzemplarët e gazetës me intervistat ekskluzive për Rilindjen që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova: të fundvitit 2002 me titull “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja -12 shkurtit 2005 me titull “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin” … dhe me intervistën me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve” ekskluzive për Agejncinë shtetërore zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, që kam zhvilluar në 22 shtator 1994.
Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.
“Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës…Për Himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët (Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë)…”, më thoshte Presidenti Rugova në intervistë në fundvitin 2002.
“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në intervistën tjetër eksluzive në shkurt 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.
“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, dhe “njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova në intervistë për Rilindjen.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, e vlerësonte Referendumin e 26 deri 30 shtatorit1991 “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…
Bisedojmë gjatë me Agimin, kemi kohë gjithë ditën që e kishim planifikuar të jemi në lojërat tradicionale në Rugovë, krahinën e njohur edhe për prejardhjen e familjes së Presidentit histotik Rugova, ku në fsharin Malaj ngrihet një Kompleks memorial.
Në vitin 1944, në 2 dhjetor u lind Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.
Në fshatin e lindjes së Presidentit historik Rugova, në Cerrcë të Istogut, është i lindur edhe Agimi dhe edhe për këtë flasim dhe e kujtojmë…
Në shtypin shqiptar kam lexuar se Rexhaj pas demontratave të vitit 1981, i përndjekur, u detyrua të largohet nga Kosova dhe nga Austria shkoi në SHBA. Shtypi thekson se, “Zoti Rexhaj ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova në vazhdimësi, apo thënë më drejtë një mik personal i Presidentit, dhe mikëpritës i tij në SHBA gjatë gjitha vizitave”.
VIZITAT E PRESIDENTIT RUGOVA NË SHBA. PRESIDENTI CLINTON: MË THA SE DUHET TË NA NDIHMOSH
Një prej atyre vizitave në SHBA, për të cilat edhe kam raportuar si korrespondent nga Kosova, ishte ajo kur në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 nëntor 2009, në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.
Derisa dëgjoja nga vetë Presidenti i SHBA Clinton për ndihmën që i kishte kërkuar Presidenti i Kosovës Rugova dhe raportoja për këtë kujtoja edhe raportimet e mëhershme nëpër vite si korrespondent nga Kosova i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH, pjesë e të cilave ishin edhe ato nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999, nga ora 05 e 17 minuta, e më parë për fillimin e bombardimeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forave serbe në mbrëmjen e 24 marsit 1999, derisa goditjet e para në Prishtinë u ndien rreth orës 20:00. “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Derisa me Agimin flasim edhe për vizitat e Presidentit Rugova në SHBA, një vatran tjetër – shqiptar në Amerikë, veprimtar i hershëm e nënkryetar i LDK-së atje, Sylë Lajqi, që ka ardhë për pushime në vendlindje, në Pejë na bashkohet në teracën e hotelit. Ai na tregon edhe një barcoletë shqiptare nga ato që shpërthejnë të qeshur e që në një nga vizitat në SHBA, gjatë një ndeje, ia kishte treguar Presidentit Rugova…
SHQETËSIME PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT KOSOVË-MALI I ZI
Shiu i të dielës në Pejë bie pa ndalë dhe njerëzit mbushin teracën buzë lumit të fryrë, shumë prej tyre janë bashkëatdhetarë që kanë ardhë për pushime e për t’u çmallur në vendlindje. “Verave rritet Peja, vijnë këtu nga bota njerëzit e saj”, dëgjohet një nga bisedat në tavolinat e shumta në teracën e madhe të hotelit. Pejanët flasin edhe për shqetësimet e tyre dhe tavolinat në teracë shpesh “shndërrohen” edhe në tryeza debati për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ku kufizohet edhe komuna e Pejës.
Një vatran tjetër, shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pronar atje i TVALB, Bajram Dreshaj, duke shprehur shqetësimin për variantin e demarkacionit të kufirit thotë se ndanë jo vetëm pjesë të Kosovës po edhe vallaun nga vëllau. “Në fshatin Haxhaj, me shtëpitë e tyre, një vëlla mbetet në këtë anë në Kosovë e një në anën tjetër në Mal të Zi”, tha Dreshaj, vatrani i tretë që erdhi në tavolinën ku ishim buzë Lumëbardhit të Pejës.
“Banorët e fshatit Haxhaj të Rugovës ndihen të pasigurt”, ka raportuar media kosovare këtë verë, duke shtuar se, “të shtënat janë dëgjuar, por nuk dihet se kush ka shtënë” dhe se, “banorët e këtij fshati thonë se ata janë dëmtuar më së shumti nga demarkacioni me shtetin malazez”.
Shqetësime për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi ka edhe Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, thotë zv/kryetari i saj, Agim Rexhaj, dhe mesazhi është të gjithë të mendojnë mirë, që deputetët e Kosovës mos të ratifikojnë asnjë marrëveshje që dëmton trojet kombëtare shqiptare.
Me kohë, edhe në deklaratën e 12 korrikut 2016, theksohej se, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, ashtu si shumë organizata e fondacione Shqiptaro Amerikane në SHBA, me shqetësim të madh ka përcjellë situatën e fundit të krijuar në Kosovë lidhur me kufirin Kosovë-Mali i Zi, pikërisht rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar.
“Federata ‘Vatra’ për më shumë se 100 vjet ka qenë dhe mbetet edhe për këtë shekull avokatja e mbrojtjes së trojeve etnike. Askush nuk ka të drejtë që të ‘dhurojë’ atë çka brezat paraardhës e mbrojtën edhe me jetë. Nuk është vendi dhe koha të shesim patriotizëm, por me gjakftohtësi të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes kombëtare, para se të merret një vendim, që nesër nuk mund të korrigjohet”, theksohet në deklaratë.
“Shpresojmë dhe besojmë që do mbaheni mend ndër gjenerata si legjislativ i cili nuk ratifikon çfarëdo marrëveshje që dëmton trojet shqiptare”, është, mes tjerash, mesazhi i Federatës Pan-Sipitare të Amerikës “Vatra” për Kuvendin e Kosovës.
SHQIPTARËT NË SHBA EDHE PËR NDËRTIMIN E KATEDRALËS “NËNË TEREZA” NË PRISHTINË
Nga “Vatra” e shqiptarëve në SHBA këtë verë do vijnë edhe vatranë të tjerë në Kosovë. Do vijë edhe Marjan Cubi – arkëtari i “Vatrës”, kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. “Shqiptarët në Nju Jork mblodhën edhe $ 270 mijë për Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë”, ishte një nga njoftimet në fillimin e pranverës 2016.
“Marjan Cubi: Shqiptarët e Nju Jorkut kanë ndërtuar murin më të madh të Katedrales “Nene Tereza” ne Prishtine”, ishte titulli i intervistës që ka zhvilluar editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca, me të cilin kam komunikim e bashkëpunim të përditshëm, të shkëlqyer, ka më shumë se një vit.
Ndërsa, Agim Rexhajn e njoha nga afër, e takova për herë të parë në Prishtinë në këtë verë në teracën e një prej hoteleve në qendër, ku më dhuroi ekzemplarë të më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën, të themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica e që në 15 shkurtin 2016 festoi 107 vjetorin – Gazetës Dielli, organ i “Vatrës”, për të cilën kam mësuar nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar e për të cilën jam korrespondent nga Kosova ka më shumë se një vit, nga Dita e Lirisë – 12 qershori 2015, që festohet tradiconalisht nga 12 qershori 1999 kur NATO-forca më madhe planetare hyri në Kosovë, pas ndërhyrjes shpëtimtare me aviacion kundër caqeve të forcave serbe që bënin masakra, spastrim etnik e gjenocid kundër shqiptarëve që donin lirinë e pavarësinë e luftonin për këtë.
ÇMIMI PËR KONTRIBUT TË VEÇANTË NË PROMOVIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE, DEDIKIM VATRËS DHE DIELLIT
Ishte 2 gushti i kësaj vere, kur në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Diasporës, në kuadër të manifestimit tradicional Dita e Diasporës, në një ceremoni, ku mori pjesë dhe u përshëndet veçantë Agim Rexhaj, zv/kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, organ i së cilës është Gazeta Dielli, si korrespondent i saj në Kosovë mu dha Çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare. Duke u falënderuar në ceremoni për vlerësimin theksova se çmimin ia dedikoj VATRËS dhe gazetës organ i saj Gazetës DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta Dielli edhe shumë vite më parë merrte e botonte shkrimet e mia – raportimet si korrespondent nga Kosova i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, që nga 24 maji 1992, i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare, të mbajtura në rrethana okupimi e shtetrrethimi ushtarako-policor, që pasonin Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e fundshtatorit 1991 për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik…
Në Pejë dita me shumë shi e të dielës së 7 gushtit 2016 po sillte edhe me shumë gëzim, festohej: Kosova shtet i pavarur që nga 17 Shkurti historik 2008, i njohur deri tash nga 112 shtete anëtare të OKB-së, me xhudisten pejane Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë olimpike, në Rio 2016 në Brazil – të artë. Festë dhe gëzim për të gjithë shqiptarët në botë…
E Peja edhe një të diel tjetër, të ardhëshmen, do pres shqiptarët drejt Rugovës…
Lojërat tradicionale “Rugova 2016” në fshatin rugovas Kuçishtë, rrethina e Pejës, të paralajmëruara për 7 gusht e që nuk u mbajtën atë ditë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, do mbahen të dielen e 14 gushtit.
“Lojërat tradicionale ‘Rugova 2016’ janë lojëra popullore, karakteristikë etnokulturore e trevës së Rugovës dhe prezantojnë shumëllojshmërinë e traditës, zakoneve dhe dokeve të kësaj treve malore e që në përmbajtje të tyre hyjnë sikurse lojërat e shkathtësive fizike e lojërat luftarake të burrave, ashtu edhe lojërat humoristike, lojërat dëfryese, këngët tradicionale, vallet popullore dhe ritet e ndryshme etnokulturore të kësaj treve të njohur shqiptare”, thanë organizatorët.
Lojërat tradicionale “Rugova 2016”, që ruajnë traditën kombëtare kanë për qëllim edhe forcimin e identitetit te diaspora shqiptare, pjesëtarë të së cilës në këtë kohë pushimesh të verës vijnë edhe nga Amerika, vende të Evropës e të tjera të botës në Kosovë e trojet tjera etnike dhe janë pjesëmarrës.