-Delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, në Ipeshkvinë e Kosovës, në 16 gusht 2016, u prit me shumë nderim e respekt nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili e shoqëroi gjithnjë edhe gjatë vizitës në Katedralen “Nënë Tereza”…/
-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë u vu në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu/
-E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan/
-Kosova përgatit koncertin “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të të Lumturës Nënë Tereza/
-Në Katedralen “Nëna Tereza” janë ngritur flamujt e festës – titulli i reportazhit që kam shkruar në 1 Korrik të vitit 2010 – në 100 vjetorin e Nënë Terezës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 20 Gusht 2016/ Lajmin e Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë se shqiptarët në Nju Jork – SHBA kanë kontribuar me afër 2 milionë dollarë për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës, të datës 18 gusht 2016, e morën dhe e botuan atë ditë, po edhe ditëve në vijim të javës e muajit, edhe shumë media kudo në trojt etnike e në botën shqiptare. Lajmi u transmetua shqip, edhe anglisht…
Si korrespondent nga Kosova prej çerek shekulli i Agjencisë Telegrafike Shqiptare -Agjencisë së lajmeve të shtetit shqiptar, e raportova atë lajm nga vizita e delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, në Ipeshkvinë e Kosovës, ku u pritëm me shumë nderim e respekt nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili na shoqëroi gjithnjë edhe gjatë vizitës në Katedralen “Nënë Tereza”… Dhe, më tej Ipeshkvi Gjergji bashkë me delegacionin e Vatrës, që e ftoi, eci më këmbë nëpër rrugët e sheshet e Prishtinës për të marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të emisionit të jashtëzakonshëm të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, që u bë në ambientet e hotelit më të madh të kryeqytetit të Kosovës.
Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ku ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, i cili romanin e tij “Hyji në skëterrë” ia dhuroi Ipeshkvit Gjergji, gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.
Delegacionin e Vatrës, gjatë pjesëmarrijes në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, e takoi dhe përshëndeti me shprehje respekti dhe vlerësimi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.
Delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra gjatë qëndrimit në Prishtinë vizitoi nga mesdita edhe Shtëpinë e Pavërësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa kishte edhe shumë takime e biseda gjatë gjithë ditës edhe gjatë kalimit nëpër rrugë e sheshe të kryeqytetit kosovar. Takime, biseda dhe përshëndetje me plot respekt.
Ishte dita e 16 gusht 2016, të cilën pjesëtarët e delegacionit të Vatrës si dhe unë e nisëm me udhëtim drejt selisë së Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë, për takimin në orën 09:00 me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, pritja e të cilit ishte plot përzemërsi.
Në Ipeshkvinë e Kosovës në mëngjes mbërrita herët që atje të pres ardhjen e delegacionit të Vatrës, vatranëve që vinin nga vise të ndryshme të tokave shqiptare. Para Ipeshkvisë kisha mbërritur në të njëjtën orë me Don Lush Gjergjin, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, i cili hapi dyertë dhe hymë brenda…Ndërsa, pas pak vjen të më takojë edhe zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi, dhe së bashku presim delegacionin e Vatrës. Nga dritarja shohim se para Katedrales së pari mbërrin Fran Marku…Dyert e Ipeshkvisë hapen, vijnë edhe të tjerët…Së bashku mirëpritemi nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, ndërsa kryesuesi i delegacionit, zv/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, falënderon dhe nisë një bisedë të gjatë ku flasin të gjithë, për punë, angazhime, aktivitete…
Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerëson lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, me kryetarin Dr. Gjon Buçaj e gjithë vatranët.
“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, shprehet ai.
Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit theksohet se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
“Mendojmë të vazhdojmë që deri vitin e ardhëshëm shifra të arrijë në 2 milionë dollarë”, shprehet Marjan Cubi, kryetar i Komisionit që vepron në Nju Jork për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në kryeqytetin e Kosovës.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen “Nënë Tereza”, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtojmë gjatë bisedës.
Para 11 viteve, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, në 26 gusht 2005, Presidenti Rugova theksonte: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vu për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e Gjimnazit “Xhevdet Doda”. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Ndërsa, para 20 viteve, 17 gusht 1996, Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i dërgoi një urim Imzot Mark Sopit, Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës në atë kohë, me rastin e Ditës së shenjtë të kremtimit të 18 gushtit, duke shprehur besimin se së shpejti do kremtohet në Kosovën e lirë e të pavarur.
“Me rastin e Ditës së Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare, Florit e Laurit të viteve 117-138 pas Krishtit, pranoni urimet e mia të përzemërta.
Besojmë se së shpejti këtë ditë të shenjtorëve tanë ta kremtojmë në Ulpianë të Prishtinës në liri e pavarësi të Kosovës, si kremte popullore”, thuhej në urimin e Dr. Rugovës.
Edhe për Ditën e Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare, si urohej e kremtohej para 20 viteve…Edhe për gurthemelin e Katedralës “Nënë Tereza” para 11 viteve kam raportuar nga Kosova si edhe për shumë ngjarje të tjera të lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, dhe në këtë ditë të lume me Vatrën shqiptare nga SHBA në Kosovën e lirë e të pavarur vizitojmë Ipeshkvinë dhe Katedralen e ndërtuar në Prishtinë…
Ipeshkvi Gjergji duke iu përgjigjur interesimeve të delegacionit të Vatrës, foli edhe për ftesën e mundësinë e një vizite të Papa Françeskut në Kosovë.
Imzot Gjergji njoftoi edhe për përgatitjet e Kosovës të koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të të Lumturës Nënë Tereza.
E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.
Ndërkohë, për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjen për shenjtërimin e Nënë Terezës, InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës organizojnë ekspozitë me portretet e Nënë Terezës, punime të artistëve të rinj të Kosovës.
Ekspozita do të hapet në 26 gusht në ora 10:00 e do të jetë e hapur deri në 28 gusht, prej orës 10:00 deri në 16:00, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
KONCERTI PËR NËNË TEREZËN NË VATIKAN
Në 2 gusht 2016, Ipeshkvia e Kosovës, në bashkëpunim me F.A. “Nënë Tereza” dhe Filharmoninë e Kosovës, ka mbajtur Konferencë për media për të paraqitur zyrtarisht programin e Koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, më 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Don Fatmir Koliqi, zëdhënës Ipeshkvisë së Kosovës, tha se, “viti 2016 do të shënohet në Historinë e Kishës Katolike ndër Shqiptarë dhe të Popullit Shqiptar, sepse bija e kësaj Kishe dhe këtij Populli, e Lumja Nënë Tereza do të shpallet e shenjtë nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, në 4 shtator 2016 në Vatikan. Kurse për Kishën Universale ka rëndësinë të madhe, sepse Papa ka zgjedhur pikërisht Vitin e shenjtë – Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, për të treguar Nënë Terezën, shenjtëreshë të mëshirës dhe dashurisë së krishterë”.
Në vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës, edhe ne, populli i saj, vijoi Koliqi, me nderim dhe falënderim Zotit për këtë dhuratë të madhe, jemi munduar të përgatitemi për t’u paraqitur në Vatikan me dinjitet.
“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, tha ai.
Duke folur për atë se, prej nga ka ardhur ideja për të mbajtur Koncert në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, Don Koliqi tha:
Në vitin 2015, më 5 shtator, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.
Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.
Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar ftesën dhe është bërë nikoqire e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike.
Këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.
Këtë ide dhe këtë nismë kulturore dhe artistike e ka përkrah dhe e ka mbështetur financiarisht Qeveria e Kosovës.
Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit.
Prandaj, vazhdoi zëdhënësi i Ipeshkvisë, dua të shpreh falënderimet Selisë së Shenjtë për mikpritjen, Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin për angazhimin e tij personal që ka bërë që ky koncert të realizohet në Vatikan, Qeverinë e Kosovës për mbështetjen dhe financimin, Diana Toskën, producenten e koncertit dhe punën e saj të vazhdueshme e të palodhshme, Filharmonin e Kosovës, artistët që kanë pranuar të bashkëpunojnë për të realizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në mënyrë vullnetare, gjegjësisht pa honorare…
Në vazhdim, Diana Toska, producente e Koncertit, foli për pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur, që do të marrin pjesë në Koncert: Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, të cilët do të këndojnë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore për ta nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Diana i tregoi edhe recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës: Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi, të cilët ishin të pranishëm në konferencë.
Drejtor i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se Filarmonia e Kosovës është e nderuar që është pjesë e kësaj ngjarje artistike. Që nga fillimi kemi bashkëpunuar me të gjithë artistët dhe organizatorët dhe besoj se do të jetë një koncert që do të paraqes denjësisht popullin tonë. Do të tregojmë se Nënë Tereza ka bijë dhe bija të kulturës dhe artit, që dinë ta nderojnë veprën e saj të madhe. I pyetur se në çfarë gjuhe do të këndohet, ai tha se programi është në disa gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht.
Don David Xhuxha, drejtor i programit të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, i caktuar nga Ipeshkvia e Kosovës koordinator i koncertit për Romë, foli për Bazilikën e Shën Palit, ku do të mbahet koncerti, si një vend me simbolikë të veçantë, pasi Shën Pali është ungjillëzuesi i shqiptarëve. Shën Pali ka mbjell farën e krishterimit ndër shqiptarë dhe Nënë Tereza është figura më brilante e këtij krishterimi. Koncerti i Nënë Terezës, tha Don Davidi, ka hy në axhendën e aktiviteteve të Vatikanit për shenjtërim e Nënë Terezës dhe si i tillë ka një interesim të madh nga mediat ndërkombëtarë që do ta transmetojnë bashkë me mediat shqiptare.
Nënë Tereza në rend të parë është bijë e këtij populli, e këtyre traditave, theksoi Don Davidi, ajo këtu është frymëzuar nga vatra e saj familjare… “Nënë Tereza është ikona të cilën Papa Francesku e ka dashur pikërisht në fazën përfundimtare të këtij viti jubilar për arsye shpirtërore, por edhe të jetë emblemë e atij qytetërimi të ri botëror, për çka Papa Francesku nënvizon se ka nevojë për figura për shembuj për stilin e një jete, siç ishte Nënë Tereza, dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë”, tha Gjugja.
Për të paraqitur Koncertin për mediat ndërkombëtare do të mbahet një konferencë për media në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në 1 shtator 2016.
Koncerti do të mbahet më 3 shtator, në ora 19:30, në Bazilikën e Shën Palit. Hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat, të cilat e kanë rolin e rezervimit të vendeve. Kurse gjithë ata që do të marrin pjesë në koncert, duhet të jenë te Bazilika në ora 18:00, për shkaqe protokolli.
Të nesërmen, me 4 shtator 2016-që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvijë dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhet të rezervohen biletat (falas) për të rezervuar vendet. Biletat mund të sigurohen te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.
KOSOVA PËRGATITET TË SHTEGTOJË NË VATIKAN PËR SHENJËTËRIMIN E NËNË TEREZËS
Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator të këtij viti, është një ngjarje e papërsëritur dhe me rëndësi të madhe për popullin tonë, u tha në takimin mes Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit dhe Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, në 24 qershor 2016 në Prishtinë.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Sekretari – Zëdhënësi Don Fatmir Koliqi, u bisedua për përgatitjet që po bëhen për Shtegtimin në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Lumes Nënë Tereza.
Imzot Dodë Gjergji e informoi Kryeministrin Mustafa për përgatitjet e Ipeshkvisë së Kosovës që ka ndërmarrë për këtë ngjaje të papërsëritshme për të gjithë shqiptarët. Përveç shtegtimit 3 ditor në Vatikan, që do jetë i organizuar nga Ipeshkvia, në kuadër të kësaj do të jetë edhe koncerti i Himinit të Nënë Terezës, i cili do të mbahet me 3 shtator, në vigjilje të shenjtërimit.
“Populli i gëzohet kësaj ngjarje të madhe. Është një vit që Zoti e ka mbush me dhurata të mëdha popullin tonë dhe këtë rast duhet ta shfrytëzojmë për qenë të pranishëm në mënyrën më të dinjitetshme”, tha Imzot Dodë Gjergji.
Kryeministri Mustafa tha se “Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenarë në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”.
Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin, i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje për Qeverinë për punën e saj në këtë drejtim dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.
NË KOSOVË, VITI 2016 ËSHTË VITI I NËNË TEREZËS
Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.
Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
***
“Në Katedralen ‘Nëna Tereza’ janë ngritur flamujt e festës”, është titulli i reportazhit që kam shkruar në 1 Korrik të vitit 2010 – në 100 vjetorin e Nënë Terezës, botuar atë ditë në Agjencinë zyrtare-shtetërore të lajmeve të Shqipërisë – ATSH:
***
REPORTAZH I VITIT 2010 – NË 100 VJETORIN E NËNËS TEREZË:
Kosovë-Në Katedralen “Nëna Tereza” janë ngritur Flamujt e Festës
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit. Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.