
Nga Merlin Tushe/
Times Square Arts pati kënaqësinë të prezantojë projektin “Grounded in the Stars”, “Me këmbë në yje”. Një skulpturë figurative 12 metra e lartë, që paraqitet si meditim introspektiv mbi njerëzimin. “Statuja e një Gruaje të Re” punuar në bronx nga artisti i arteve figurative Thomas J. Price, u instalua në një nga sheshet kryesore të Times Square, ku përveç qytetarëve amerikanë edhe turistët kanë rast të shikojnë nga afër këtë vepër arti, që simbolizon vajzat dhe gratë e guximshme, inteligjente dhe kurajoze të të gjithë kohërave.
Kjo vepër arti derdhur në bronx është pjesë e një serie të quajtur “Grounded in the Stars” e cila përballet me nocione të paracaktuara të identitetit dhe përfaqësimit me dinjitet të gruas amerikane dhe në respekt të grave dhe vajzave në të gjithë rruzullin tokësor. Nëse kemi pasur ndonjëherë arsye për të ecur në Times Square, tani është edhe kjo.
Skulptura masive me tiparet dhe karakteristikat e një gruaje është vendosur në zonën veriore të Sheshit “Duffy” në Broadway midis rrugëve 46 dhe 47 në Manhattan dhe do të shfaqet aty deri më datë 17 qershor 2025. Vetë Times Square qëndron si një simbol ikonë dhe vend konvergjence duke bashkuar njerëz nga të gjitha sferat e jetës, histori individuale dhe përvoja që ndërthurren në një platformë globale.
Edhe në Washington, D.C., ndodhet Statuja e Gruas Qëndrestare, të guximshme dhe antikomuniste, që përballoi torturat më të tmerrshme në jetë nga diktatorët e vendeve përkatëse, e cila është përuar nga Fondacioni Amerikan “Kundër Krimeve të Komunizmit në Botë”. Shpesh edhe ne shqiptarët e vizitojmë dhe në raste përkujtimesh vendosim kurora me lule të freskëta.
Vazhdimisht e vite më parë edhe në Shqipëri kemi kërkuar nga Shoqata e “Grave ish të Persekutuara Politike” drejtuar nga ish e burgosura politike Marie Dvorani, por edhe me vajza e gra që jetojnë në SHBA, që në Kryeqytetin e Shqipërisë të vendoset “Statuja e Gruas së Guximshme”. Monument ky i munguar për nder të vajzave dhe grave të guximshme, inteligjente dhe me kurajo që sfiduan diktaturën më të egër në Evropë. Përpjekjet e zërat tona deri më sot kanë shkuar në “vesh të shurdhër”.
Kërkesat i janë paraqitur respektivisht qeverive të ndryshme, pasi i takon shtetit shqiptar që të vendosë një Instalacion të tillë në qendër të Tiranës. Sigurisht diktatura ra, por të tjera qeveri janë ngritur e me shpërfillje kanë anashkaluar kërkesat tona.
Arsyeja që kërkesat i’a kemi drejtuar qeverive shqiptare ishte pasi, ishte qeveria shqiptare komuniste ajo, që në periudhën më të errët të saj persekutoi e përndoqi padrejtësisht një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare, vajzat e gratë, nënat e motrat e pafajshme duke u mohuar çdo të drejtë lirie, vote e studimi në vend dhe jashtë tij. Pra ishte si një krim shtetëror, dhe si i tillë mendojmë se duhet kompensuar nga shteti.