
Ndriçim Kulla/
Edhe përsa i përket pasurisë së përbashkët brenda familjes, gruaja kishte një status të favorizuar, përderisa brenda familjes gruaja dhe burri kishin të njëjtat të drejta mbi pasurinë e përbashkët. Nëse një burrë e një grua pasi martoheshin dëshironin të jetonin veçmas nga familjet e tyre atërore, gjithçka që fitonin duhet të konsiderohej si e barabartë: gjysma i përkiste bashkëshortit dhe gjysma bashkëshortes. Kjo vlente edhe për dëmet (“Statutet e Skodrës”, kap. 166).
Kur ishte fjala për të punuar jashtë shtëpisë, gratë ishin më pak të favorizuara sesa burrat. Ashtu si kudo në Evropën mesjetare, puna e burrave konsiderohej si më me vlerë sesa puna e grave. Po kështu, gruaja konsiderohej si inferiore në proceset gjyqësore. Ajo nuk lejohej të ofronte ndonjë garanci, dhe në këtë drejtim nuk dallonte nga shërbëtorët, të varfërit, kriminelët apo grupe të tjera që për ndonjë arsye apo një tjetër ishin të margjinuar. Edhe përsa i përket përgjegjësisë për fëmijët, babai kishte shumë më tepër autoritet sesa nëna, duke qenë se ai mund të dëshmonte për çdo fëmijë, vajzë apo djalë, kurse nëna vetëm për djemtë, por jo për vajzat (“Statutet e Shkodrës”, kap. 135).
Përsa i përket moshës së marrjes së përgjegjësisë sociale, sistemi funksiononte si kudo në Evropë. Përsa i përket aftësive për të shkruar, vajzat mund të dëshmonin me shkrim më herët se djemtë. Ndërsa djemtë nuk lejoheshin të shkruanin testament para moshës 14 vjeçare, vajzat mund të shkruanin një të tillë që në moshën 12-vjeçare, (“Statutet e Skodrës”, kap. 160) moshë kjo që korrespondon me atë të martesës sipas të drejtës kanonike. Përgjegjësitë e gruas fillonin gjithashtu herët në jetën e saj, dhe standarde të dyfishta përdoreshin për të matur përgjegjësitë e saj përkundrejt përgjegjësive të burrit, sidomos përsa i përket seksualitetit. Ishte përgjegjësi e gruas të ishte e kujdesshme dhe të ruhej nga rreziqet jashtë shtëpisë. Në raste dhunimi, i vetmi rast kur gruaja besohej plotësisht dhe mbrohej nga ligji ishte kur dhunimi bëhej nga një klerik. Nëse një grua e martuar ankohej që ishte dhunuar nga një klerik, ajo besohej edhe pa pasur dëshmitarë, dhe kleriku duhet të paguante një taksë (“Statutet e Skodrës”, kap. 200).
Koncepti i turpit dhe nderit nuk dalin direkt në pah në statute, por nëse llogarisim Kodin e Lekë Dukagjinit, seksualiteti i gruas sigurisht që ishte nën kontrollin e krerëve të familjes, ndërkohë që seksualiteti i burrit nuk kontrollohej nga askush. Kodi i Stefan Dushanit ishte shumë më i rreptë përsa i përket dhunimit të gruas: “Nëse një fisnik merr me forcë një grua fisnike, le t’i priten të dyja duart dhe hunda. Por nëse një njëri i thjeshtë merr me forcë një grua fisnike, le të varet; nëse ai merr me forcë një grua të sojit të tij, le t’i priten duart dhe hunda”(157). (“Kodiku i Dushanit”, kap. 51). I njëjti nivel brutaliteti aplikohej edhe për gratë: “Nëse një grua fisnike kryen marrëdhënie seksuale me një burrë të një statusi më të ulët, le t’i priten duart dhe hunda” (po aty). (“Kodiku i Dushanit”, kap. 52). Seksualiteti i gruas fisnike ishte pra simbol i nderit dhe i turpit në elitën sociale.