
Nga MAURIZIO CAPRARA/
Për të zgjeruar ndikimet përkatëse në Ballkanin Perëndimor, Rusia, Kina dhe Turqia harxhojnë para dhe energji. Emmanuel Macron, që ka dëshirë të duket një strateg largpamës, bën që Bashkimi Evropian të hedhë një hap mbrapa në ndihmesën për t’a bërë më të sigurtë atë pjesë të botës, të prirur për shkarje dhe për ne shumë të afërt. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Evropian, presidenti francez ka penguar caktimin e një date për hapjen e bisedimeve mbi hyrjen në BE të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut. Është mbështetur nga Danimarka dhe Hollanda. Për qeverinë italiane, Giuseppe Conte i është kundervënë shtyrjes.
Disa mund të mendojnë: ç’nevojë ka t’i shtohen vagonë të tjerë, ndërsa treni i bashkësisë çalon e mund të humbasë atë të Mbretërisë së Bashkuar? Nevoja është. Bisedimet për hyrjen zgjasin me vite. Të fillohen nuk do të thotë të futen tani dy Shtetet ballkanike në BE. Do të thotë të nxiten të dy për të reformuar më tej sistemet politikë, gjyqësorë e ekonomikë në drejtim të ndryshëm nga e shkuara, të mbrojnë konkurrencën e të kufizojnë oligarkitë dhe monopolet. Në shkëmbim do t’u jepte shqiptarëve e maqedonasve të Veriut – të qeverisur në shekullin e shkuar nga diktaturat – perspektiva inkurajuese e të qëndrueshme integrimi në tregun kryesor të pashembulltë në botë dhe në institucionet e tij politike.
Kjo është çështja: mospranimi i hapjes së bisedimeve është një peshë mbi shpatullat e atyre që, nga brënda, shtyjnë Vendet drejt BE. Është një ndihmë atyre që provojnë t’i tërheqin në orbitat e Rusisë, të Kinës e të Turqisë. Nismëtarët e shtyrjes do të duhej të përsiasnin. Ndërmjet të luhaturit Donald Trump, furacakut Vladimir Putin dhe imperializmit ekonomik kinez, botës i nevojitet një Evropë që të jetë në pararojë, jo urë kalimi qeveritarësh të prirur të vendosin gjthshka në funksion të miratimit vetiak në sondazhin e ardhshëm.
“Corriere della Sera”, 20 tetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika