Kosta Nake/
Romani “Lavjerrësi i qytetit” ishte një zgjedhje rastësore por, edhe pse i botuar disa vite më parë, duke iu afruar fundit, m’u duk sikur ishte shkruar ditë pas dite në verën e nxehtë të vitit që shkoi. Duke trajtuar tematikën aktuale të ngarkuar me politikë e korrupsion, frymën e romanit duket sikur e shpreh saktësisht komediani dhe komentatori politik Jon Stewart kur shkruan: “Gjithë ideja se jemi në një betejë midis tiranisë dhe lirisë është një seri lëkundjesh të lavjerrësit.” Artistikisht ky dualizëm vjen në vepër si emërtim i një rruge me dy emra: Rruga Të Ndershmit dhe Rruga Të Pandershmit.
Zija Çela merr lapsin e llogaritarit kur e vështron Burgasin dhe karakteret e tij në organizimin e tyre ekonomik, kthehet në gazetar kur rrëfimin e kthen në vetën e parë duke u përqasur me Valer Jacën i cili punon për gazetën “Paralele dhe meridianë”, kthehet në njeriun hokatar duke u dhënë disa skenave nuanca satire dhe humori, siç është rasti i rojave që lëvizin si te vallja “Ra Faja nga fiku.” Autori mëton të zbulojë se si krimi i mbyllur brenda mureve dhe telave me gjemba, jo vetëm nuk është e mundur të pengohet për vazhdimin e aktivitetit kriminal, por ka mekanizmat e veta për ta kriminalizuar gjithë shoqërinë, pasi, siç vëzhgon ministri Dilaver Ahmarini, “Këta që janë jashtë, janë njëlloj me ata që janë brenda, prandaj janë solidarë.” Është Valeri që, kur diskutohet për ndryshimin e emrave të rrugëve, hedh idenë që të dy antagonistët të përfaqësoheshin me lavjerrësin që i ka dhënë emrin edhe krejt veprës.
Sipari i romanit hapet me turbullirat e të burgosurve që bëjnë aliteracion me emrin e qytetit Burgas, mes turmës identifikohet Emanuel Karabolli dhe Antonela Boeti, një italiane e shoqërisë civile. Familjarët ofronin para për t’i afruar të dënuarit në burgjet më pranë qendrës së banimit dhe ky akt korruptiv thërret në skenë të burgosurin Fabian Rudi Oketa dhe Todi Ristanin si drejtor të Institutit për Ekzekutimet Penale. Të burgosurit mbaheshin në gjysmën e hapësirës të parashikuar me ligj, prandaj ishte një ngacmues për protesta. Ministri i Brendshëm Dilaver Ahmarini shkon për bashkëbisedim me qytetarët e Burgasit, pasi qyteti mbahej si beniamin i Kryeministrit. Ishte krijuar një drejtori e veçantë “underground” që quhej Drejtoria e Sterilizimit që merrej me zhdukjen e provave dhe pastrimin e gjurmëve të krimit ndërkohë që ambasada amerikane kishte shprehur pakënaqësinë sepse policët kishin parcela me kanabis. Takimin duhej ta hapte kryetari i bashkisë, zoti Kosturi, por ia rrëmben prefekti Sazan Manzurani. Për të zgjeruar hapësirat e vuajtjes së dënimit, ministri u propozoi qytetarëve t’i merrnin të burgosurit në shtëpitë e tyre dhe ata pranuan. Ishte një sfidë e ideuar nga Kryeministri që përbën edhe pikën e lidhjes.
Ka një klasifikim të të burgosurve sipas krimeve të kryera: bllokim rrugësh, djegie dhe ndotje të mjedisit; ngarje makine në gjendje të dehur; armëmbajtje pa lejë; shpërndarës droge; mospagim i faturës së energjisë elektrike, dhunë në familje. Kur tërhiqen formularët e aplikimit, shfaqet Vlash Llazarani, pronari i fabrikës së bimëve mjekësore që e shfrytëzon strehimin në familje për t’i kthyer të burgosurit në krahë pune. Fillojnë manovrimet me shortin transparent që zhvlerësohet me spostimet me kryqe te listat, në vend që të vihej kryqi ndanë emrit që i korrespondonte numrit të thirrur, vihej ndanë emrave për të cilët kishte ndërhyrje. Futet në lojë kompania Diva’s Contruction e vëllezërve Karabolli e cila dyshohet se mbështet financiarisht studion ligjore “Peshorja”. Pronari i Shtëpisë së Beqarëve Blinar Disha zgjeron hapësirat e magazinimit. Shkëmbimi i të strehuarve i ngjan një tregu skllevërish. Të shkuarën mund ta blinin edhe disa nëpunës të vegjël e pedagogë që ishin burgosur për ngacmime seksuale, për doktoratura me plagjiatura, etj.
Emanuelin tentojnë ta vrasin, por plagoset lehtë. E quajtën si shkrepje e pavullnetshme të një polici dhe Todi Ristani u përpoq t’i bëjë vëllama. Pas pak kohësh polici u zhduk dhe u gjet vetëm makina. Ishte përgjigjja e parë e krimit. Familja Karabolli nuk tërhiqet: “Është koha që nga eksportues, të bëhemi edhe importues. Përderisa merremi me bimë mjekësore, përse të mos merremi edhe me frutat e shëndetshme ekzotike?”
Prokurori Nevil Zusi u bën presion disa tipave për t’i kthyer në spiunë brenda të burgosurve, shërbim që Fadil Selimi e përcakton kështu: “Në atë kohë punoja si kalë, haja si qen, vrapoja si lepur, fshihesha si mi.”
Projekti i strehimit familjar sjell zhvillim ekonomik të Burgasit dhe atje përurohet hoteli me pesë yje “Konaku” ndërtuar nga Diva’s Construction e vëllezërve Karabolli. Suksesi ndahet me pjesëmarrjen e disa ministrave dhe vetë Kryeministrit. Kompania fiton tenderin e privatizimit dhe të ndërtimit të korpusit të burgut, As-in e burgjeve ekzistues. Pushteti ekonomik zgjerohet kur kompania merr përsipër të paguajë pjesën e tirazhit ditor të gazetës që kthehet nga tregu, kurse Valerit i vendosin te Shtëpia e Beqarëve një Audi në vend të Opelit, kurse një zarf e njoftonte se Opelin do t’ia kthenin kur të bëhej edhe një herë i ri. Befas shtëpitë e strehuesve filluan të ktheheshin në bordello siç ishte rasti i Shtëpisë me Flamur.
Edhe fabrika e përpunimit të bimëve mjekësore dhe aromatike kishte fituar terren, kishte ardhur çasti që nga eksportuese e bimëve të kthehej në importuese të prodhimeve ekzotike prandaj porositet kontenieri me banane.
Në Burgas shfaqet gjyqtari Robert Spiro, Robespieri i drejtërisë që thoshte: “Nuk ka kënetë që të ketë aq baltë sa ajo e administratës shtetërore.” Por sapo filloi t’i vinte rrotull një ministri, e larguan nga Tirana.
Ngjarja merr impuls kur te dera e prefektit lihet një shportë me vezë me fund të dyfishtë ku e shoqja gjeti dy destina me rreth lastiku në të cilat kishte 100 kartmonedha me prerje 500 euro.
Krijohet Fakulteti i Lirisë për ta blerë të shkuarën dhe të ardhmen dhe për ta fituar lirinë automatikisht. Duheshin 43 pikë për t’u kualifikuar, prandaj filluan të mendonin “për lyerjen e rrotës”, pastaj kishte edhe “ingranazhe të tjera që duheshin vajosur.” Futet në lojë Mitrushi, nipi i prefektit. Fabiani, shok burgu i Emanuelit kishte thënë: “Ndiq rrugën e parasë, se ajo të shpie te vatra e krimit.”
Gjykatësi Robert Spiro autorizon prokurorin për kontroll të befasishëm në Shtëpinë me Flamur ku u gjet edhe kryetari i bashkisë, por u tha se kishte vajtur për të kapur me presh në dorë inspektorin e tatimeve. Kishte edhe katër prostituta vendase gjë që tregon për ekspansionin e krimit me mishin e bardhë. Tabori që humbi bordellon u përpoq të kalonte në parlament një ligj për legalizimin e shtëpive publike.
Sukesi i radhës është përfundimi i 6-katëshit spiral për VIP-at. Një ditë para Kurban Bajramit, Diva’s Contruction bën bamirësi, Emanuelit i akordohet Letra e Mirëkuptimit dhe e Shpërblimit. Mjedisi korruptiv krijon edhe tregun e sekserëve të kontrolluar nga Bec Selita ku ishin fiksuar çmimet për marrjen e një certifikate pronësie, për rikthim në detyrë, për kirurgjitë në spitalin publik, për mbylljen e dosjes në polici apo pushimin e çështjes në gjykatë. Formulat e komunikimit të sekserëve me viktimat: “Mos mendo se unë çoç fitoj. Pjesa e luanit i takon tjetërkujt, për mua një thërrime tepron.” “Veçse mos pandeh, zotrote, se unë fitoj plaçkë të madhe, një kafe tepron për mua.”
Në Burgas bëhet përurimi i institutit të ri penitenciar, por këtë herë dërgata nga kryeqyteti u përkiste profileve të mesme. Përshëndetja ishte: “Mirë se vini në Burg-As!” Që mund të lexohej: mirë se vini në asin e burgjeve. Në krye të kopesë, si dashi me këmborë, ishte Emanuel Karabolli. Kompania Diva’s Contruction e kishte blerë gazetën dhe po punonte për një kompani mediatike me kanalin e vet televiziv.
Në të katër anët e qytetit fillojnë zjarret e protestuesve të ndryshëm që i bashkon zemërimi. Boshtet e pankartave dhe shtizat e flamujve kthehen në armë sulmi. Në radhët e demonstruesve futen agjentë të infiltruar. Një pjesë e plaçkitësve u ndaluan. Në mbrëmje analistët nëpër studio. Të nesërmen gazetat me fjalët kyçe: revoltë, përgjakje, plaçkitje, zjarrvënie. Burgu po konkurronte me famën e qytetit.
Protesta shtypet dhe ministri i Brendshëm shkon në Burgas. “Maskarenj, hak e keni, vuajeni tani pasojën e liberalizmit tuaj! E ku dini ju ç’është toleranca, ç’janë liria, demokraia dhe mikpritja. A deshët më shumë të drejta për njerëzit e krimit? Ja si përfundoi, e këmbyet strehën tuaj me qelinë e burgut…” Një pasazh që tregon se si qeveria i shfrytëzon protestat për të instaluar një shtet autarkik.
Afron ora finale. Prefekti është në gjendje ankthi, priten arestime të zyrtarëve të lartë. Ia vënë prangat me akuzën: korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyre. Po afron koha e zgjedhjeve dhe duket se kompania Diva’s Contruction mban anën e qeverisë, gazeta po ashtu. Nevoja për të fituar zgjedhjet justifikon edhe aleanca të tilla. Siç thotë Artur Shopenhauer “Opinioni është si një lavjerrës dhe i bindet të njëjtit ligj. Ai shkon nga qendra e gravitetit te njëra anë dhe duhet të bëjë të njëjtin hap në anën tjetër. Duhet një kohë e caktuar që të gjendet pika e vërtetë te e cila duhet të ndalojë për të pushuar.”
Linja e dytë e romanit lidhet me fatin e gazetarit, përfaqësuar nga Valer Jaca, të cilit i duhet të ndodhet në qendër të ciklonit. Është njeriu i zakonshëm me të mirat dhe dobësitë e veta, ai ka flirtet e veta me motrat Evelina dhe Floreta Sako, joshet ose sulmohet nga krimi dhe pushtetarët dhe vjen një moment që mund të hidhet në rrugë, pasi shefat ia kanë regjistruar të gjitha: Fillimisht drejtori është i pakënaqur se Valeri po çon më pak shkrime dhe e ka humbur nuhatjen e gazetarit, aq më tepër kur e lë t’i kalojë pasqyrimi i suksesit të kompanisë Diva’s Construction. Pastaj është lidhja me italianen që i përkiste dikujt tjetër, marrëdhënia e njëkohshme me dy motra, shpërdorimi financiar prej jetës hedoniste. Valeri e ndien se nuk është me askënd, prandaj i vjen një mendim i çuditshëm, t’ia mbathte vrapit nëpër pistat e qiellit. Që këtu zgjohet tërheqja për t’u bërë shkrimtar. A nis autorësia dhe krijimtaria aty ku fillon sovraniteti? Kjo pyetje e ka përgjigjen te kjo vepër që mbëshetet në tri shtylla, tri dorëshkrime mbi tryezë: dorëshkrimin e Todi Ristanit, dorëshkrimin studimor të Floretës dhe ditarin e Fabianit.