Gjatë muajëve shtator-tetor, studuesja kosovare Resmije Kurbogaj-Ajeti vizitoi disa herë arkivin e Vatrës për qëllime studimore në shërbim të post-doktoraturës. Ajo shoqërohej nga anëtari i këshillit të Vatrës, z. Ramiz Mujaj. Studiuesja u prit nga editori i Gazetës, Dalip Greca, i cili gjatë vizitës së parë i tregoi shkurtazi mysafires historinë e Vatrës, që prej 101 vitesh zhvillon një veprimtari të dendur kombëtare. Po ashtu studiueses iu prazantuan dokumente te Vatrës, eksponate, fotografi dhe vecanërisht ajo u ndal edhe në koleksionet e gazetës Dielli, për të lexuar kronikat e veprimatrive të Vatrës dhe të shqiptarëve të Amerikës në tërësi në mbrojtjen e cështjes së Kosovës.
Zonja Ajeti, la me shkrim në librin e mbresave këto shënime: Fillimisht falenderoj dajën tim Ramiz Mujaj për kontributin e tij 20 e ca vjecar pranë kësaj federate dhe mundësinë e dhënë së bashku me z. Dalip Greca që të vizitoj organizatën më jetëgjatë të emigracionit shqiptare, e cila për shqiptarët këtu është epiqendra e aktiviteteve shqiptare. Eshtë emocion i vecante dhe i papërshkrueshëm për aq kohë sa qëndrova në ato mjedise dhe nga ato që shfletova dhe pashë mbeta e befasuar. Ne arkiv shprehet qartë se Federata Vatra ka një histori të lavdishme shumëvjecare, më e vjetër se edhe vet shteti shqiptar. Këtu gjeta memorien kolektive shqiptare, e cila për mua paraqet një pasuri kombëtare. Duhen falenderuar të gjitha ata breza që bënë punë të palodhshme për të grumbulluar dhe ruajtur gjithë këtë thasar, që mbanë brenda vetes Vatra, duhen falenderuar për punën e tyre që bëjnë jo vetëm në aspektin politik por edhe për arsimin dhe kulturën shqiptare.
Puna dhe angazhimi i diasporës tonë në SHBA, e cila faktohet përmes këtyre materialve të ruajtur tek Federata Vatra paraqet një nga dritaret e të kuptuarit dhe të studimit tim mbi rolin e diplomacisë amerikane në raport me angazhimin e saj ndaj çështjes së Kosovës”.
KUSH ËSHTË ZONJA AJETI?
Pas mbarimit të studimeve Bachelor në Shkenca Politike pranë Universitetit të Prishtinës Znj. Resmije Kurbogaj-Ajeti vendosi që studimet për Master t’i vazhdojë jashtë vendit. Me ç’rast zgjodhi Universitetin e Vjenës në Austri, si vendin më të përshtatshëm për të thelluar studimet po në të njëjtën fushë, si dhe një mundësi e re për ta mësuar edhe gjuhën gjermane. Në vitin 2012 pranë Institutit të Shkencave Politke të Universitetit të Vjenës Znj. Kurbogaj-Ajeti u diplomua në mastër në dy specializime a) Unioni Evropian dhe Europianizimi dhe b) Veprimtaria Shtetërore Analiza Politike dhe Qeveritare. Paralelisht me studimet dhe në të njëjtën ekuvalencë me specializimet e saja, ajo ka kryer edhe studime në Vjenë, ndër të cilat edhe ka marrë diplomën si EU-Ekspertë nga CIFE (Centre International de Formation Européenne), si një nga institutet më të njohura për studime evropiane.
Znj. Kurbogaj-Ajeti momentalisht vazhdon studimet në doktoraturë, sërish pranë Universitetit të Vjenës, ku temë studimi ka zgjedhur: „Roli i Diplomacisë Amerikane në Kosovë 1989-2008“. Për të bërë një studim të mirëfillt të cfarëdo lloj fushë nevojitet një hulumtim i dokumentacionit dhe arkivave të institucioneve të ndryshme, si dhe mbledhja e materialeve të nevojshme mbi temën në fjalë. Pikërisht për këtë çështje Znj. Kurbogaj-Ajeti ka ardhur në SHBA.
PAK FJALË PËR LIBRIN, KU ZONJA AJETI ËSHTË BASHKËAUTORE
Roli i Politikës së Jashtme të Unionit Evropian në Kosovë (1989-2010)
Roli i Unionit Evropian (UE) në Kosovë është një nga temat më pak të hulumtuara deri më tani në aspektin shkencor. Është vështirë të gjesh ndonjë punim shkencor, i cili merret me këtë tematikë, qoftë në gjuhën shqipe apo angleze.
Libri “Roli i Politikës së Jashtme të Unionit Evropian në Kosovë (1989-2010)” i dy politologëve nga Kosova, Faruk Ajeti dhe Resmije Kurbogaj-Ajeti, është një studim voluminoz mbi angazhimin e UE-së në Kosovë. Libri në fjalë është një hulumtim intensiv 18 mujor në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës. Ky libër analizon në mënyrë mjaft kompetente fushën në fjalë, bazuar në hulumtimin e literaturës dhe dokumenteve të UE-së mbi Kosovën. Përpos literaturës kompetente, autorët kanë zhvilluar edhe dhjetë intervista me personalitete të ndryshme, të cilët janë marrë me angazhimin e UE-së në Kosovë ose me çështjen e Kosovës apo të cilët, që nga viti 1989 deri në 2010 kanë qenë bartës të disa proceseve dhe funksioneve me rëndësi si Ambasadori i Austrisë në Serbi dhe ish i dërguari i UE-së për çështjen e Kosovës, Ëolfgang Petritsch, zëvendësi i presidentit Ahtisaarit në bisedimet e Vjenës, diplomati austriak Albert Rohan dhe diplomati tjetër austriak Stefan Lehne. Ndërsa, nga pala kosovarë janë intervistuar po ashtu personalitete të veçanta, të cilët kanë qenë bartës të zhvillimeve të ndryshme në Kosovë, si: Azem Vllasi, Kaqusha Jashari, akademik Rexhep Qosja, ish kryeministrat dr. Bujar Bukoshi dhe dr. Bajram Kosumi, prof. dr. Enver Hasani dhe Ambasadori i Kosovës në Austri dr. Sabri Kiqmari.
Dy autorët e shikojnë me të drejtë politikën e UE-së në Kosovë si një nga me të rëndësishmet apo vendimtaret. Me miratimin e Traktatit të Maastricht-it të vitit 1993 u institucionalizua për herë të parë fusha e politikës së jashtme të UE-së, e quajtur si shtylla e dytë e UE-së. Dihet botërisht që kjo fushë akoma nuk është kompetencë e Brukselit dhe për këtë vendosin shtetet anëtare. Andaj, në relacion me këtë, pra duke e krahasuar evoluimin e politikës së jashtme të UE-së në njërën anë dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë në anën tjetër, dy politologët analizojnë në mënyrë komparative këto procese, duke i përballur njëra me tjetrën.
Fokusi i analizës studimore të librit fillon me heqjen e autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, konkretisht më miratimin e rezolutës së parë të Parlamentit Evropian mbi çështjen e Kosovës së datës 13 prill 1989, fazë e cila në arenën ndërkombëtare qe sfidë e veçantë, ku fokusi i bashkësisë ndërkombëtare nuk ishte në zhvillimet në Jugosllavi, por në rënien e Murit të Berlinit dhe shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Megjithëkëtë, dy autorët kanë hulumtuar edhe dokumentet e para të miratuara nga Parlamenti Evropian, ku me anë të rezolutave kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e rendë në Kosovë dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Në bazë të dokumenteve të gjetura faktohet qartë angazhimi i vazhdueshëm i UE-së në raport me gjendjen në Kosovë.
Kosova është vendi i fundit që u bë e pavarur pas shembjes së Jugosllavisë. Krahasuar me republikat e tjera jugosllave, procesi i pavarësisë së Kosovës zgjati më gjatë. Shkatërrimi i Jugosllavisë mbaron aty ku u nisë: në Kosovë. Që nga viti 1990, UE-ja ka qenë politikisht dhe ekonomikisht gjithnjë e më e pranishme në rajonin e Ballkanit. Në fillim, në periudhën e ashtuquajtur të pasivitetit 1989-1995 dhe në dy vitet e para pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, UE-së i mungonte dinamizmi dhe vullneti për t’u marrë me çështjen e Kosovës. Faza e tretë 1998-1999 u karakterizua nga një përfshirje gjithnjë e më aktiv të UE-së në bashkëpunim me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Faza e katërt 1999-2010 u shënua me marrjen e përgjegjësive për procesin e zhvillimit ekonomik dhe procesin integrues të Kosovës si dhe me përgjegjësinë politike gjithnjë në rritje të UE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Resmije Kurbogaj-Ajeti së bashku me bashkëshortin e sajë bëjnë një elaborim argumentativ edhe mbi pesë vendet e UE-së të cilat akoma hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duke paraqitur argumentet e “mos njohjes” së pavarësisë së Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, autorët hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e këtyre argumenteve, sidomos pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 vërtetoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Përpos, kësaj këto shtete me qëndrime të tyre arrijnë të pengojnë unitetin e UE-së, gjë që rezulton në uljen e prestigjit të saj në botë. UE-ja deri më tani është kritikuar me të drejtë për mos efikasitetin dhe pa aftësinë e saj në fushën e politikës së jashtme, e cila deri më tani nuk qe në gjendje që të paktën problemet në “oborrin e vet” (si në Bosnje apo Kosovë) ti zgjedh pa ndihmën dhe ndërhyrjen amerikane. Dhe për të qenë e gatshme të zgjidh çështje të tilla komplekse, UE-ja fillimisht duhet të zhvilloj edhe mekanizmat ushtarak, si komponent me rëndësi i efikasitetit në politikë të jashtme, por edhe shtetet anëtare të UE-së duhet të shmangin interesat e tyre vetanake dhe të koncentrohen në interesin e përbashkët evropian, e cila jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në bartjen e sovranitetit të tyre drejt Brukselit.
Ky libër është një udhërrëfyes i mirë i kontakteve të para të udhëheqësisë së Kosovës me UE-në që nga viti 1989 deri më 2010, e sidomos atyre pas 10 qershorit të vitit 1999, fazë e cila karakterizohet me rritjen e rolit të UE-së në Kosovë. Të gjitha proceset e rëndësishme politike dhe ekonomike në mes të Kosovës dhe UE-së lexuesi mund t’i gjejë në këtë libër. Edhe pse libri për momentin është vetëm në gjuhen gjermane pritet që gjatë fillim vitit tjetër të jetë i gatshëm edhe për lexuesit shqiptarë.
E veçanta e këtij libri për studiuesit mund të paraqesin edhe intervistat me ish të dërguarin e UE-së për Kosovën, Ambasadorin Wolfgang Petrisch (e cila është botuar si shtojcë e librit), i cili si person i angazhuar direkt në kontaktet e para me UÇK-në dhe në bisedimet e Rambujes dhe Parisit ofron informacionet nga dora e parë dhe dëshmitë e pathëna deri më tani për çështjen e Kosovës. Edhe intervista me juristin e njohur nga Kosova, tani kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani mund të gjendet si shtojcë e librit.
Faruk Ajeti dhe Resmije Kurbogaj-Ajeti janë deri më tani studentët e vetëm shqiptarë në Universitetin e Vjenës, tema e masterit të të cilëve është botuar libër nga Instituti i Shkencave Politik të Universitetit të Vjenës. Ky botim i Institutit udhëhiqet nga dy profesorët dhe politologët e njohur austriakë Helmut Kramer dhe Eva Kreisky. Dy parathëniet e librit janë shkruar nga mentori i dy politologëve Prof. Dr. Helmut Kramer dhe Ambasadori Wolfgang Petritsch.(DIELLI)