
NGA EUGJEN MERLIKA-

11 shtatori 2001 do të mbetet gjatë në kujtesën e miliarda njerëzve të cilët, falë televizionit, mundën të shohin skena të gjalla të Apokalipsit në qendrën më të rëndësishme ekonomike të botës Perëndimore, në Nju Jork e në kryeqytetin politik të Fuqisë më të madhe botërore, në Uashington. Ajo do të mbetet dhe në analet historike për përmasat e mëdha të dëmeve njerëzore e ekonomike e njëkohësisht për pasojat e saj në rrjedhën e ngjarjeve politike botërore.
Sulmi terrorist, i projektuar dhe i zbatuar me një saktësi matematike mbi kullat binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit në Nju Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington, i ngjante më shumë një mirazhi fantashkencor sesa një ngjarjeje të vërtetë. As fantazia më e ndezur nuk mund të parashikonte një dhunim kaqë brutal e kaqë të pamëshirshëm të objekteve ekonomike e shtetërore të SH.B.A.. Ishte hera e parë në historinë e tij që Vendi sulmohej në zemrën e tij dhe ai që mësynte ishte i panjohur, nuk kishte një fytyrë, një ushtri, një emblemë, një flamur. Ata që mësynë ishin avionët Boing të kompanive ajrore amerikane. Dukej se kishin humbur koordinatat, se drejtoheshin nga qënie jashtokësore, armike të betuara të qytetërimit të planetit. Sulmi i tyre mbi kullat binjake ishte sfida më e egër që ata, të panjohurit i bënin simboleve të zhvillimit. Ata vinin nga larg, nga thellësitë e shekujve e kishin përqëndruar në vetvete gjithë energjitë e zgjuarsinë djallëzore të gjithë atyre që kudo e kurdoherë kishin penguar përparimin njerëzor. Në vetmohimin e tyre kishte vetëm një motiv, urrejtja për Shtetin simbol të demokracisë, forcës e mirëqënies, thyerja e mitit të paprekshmërisë të këtij shteti dhe istitucioneve të tij.
Amerika në sulm- ishte titulli i kronikës televizive të SNN me pamjet rrënqethëse të tymit, të flakës e të shembjes së “piramidave” të kohëve moderne.
Amerika e fuqishme, fituese e dy luftrave botërore, fituese së bashku me aleatët e një lufte të ftohtë e të një gare paqësore, pothuajse shekullore me komunizmin, e ndjeu thellë goditjen në “margaritarët“ e qytetit të saj. Ato gërmadha gjigande në zemrën e Nju Jorkut mbulojnë mijra jetë njerëzore që një logjikë absurde e kriminale i ndërpreu në një ditë të kthjelltë shtatori. Ky qe tributi i tmerrshëm që qytetërimi i pagoi barbarisë në epokën e globalizimit elektronik. Ky tribut bëhet akoma më tragjik kur, në pika të tjera të globit, turma njerëzish të të gjitha moshave festojnë „fitoren” duke brohoritur nëpër rrugë me dy gishtat përpjetë në formë V.
Amerika është në zi e së bashku me të gjithë bota e qytetëruar. Ajo vajton ato mijra djem e vajza që përbënin krenarinë e saj në fushën ekonomike e financiare. Ajo i ngjan një luani të plagosur që tani lëpin plagët e llogarit dëmet, por është e ndërgjegjëshme se mbas kësaj lufte të pashpallur shumë gjëra do të ndryshojnë. Viktimat kërkojnë drejtësi dhe Amerika mund e duhet t’ua japë atë duke ndëshkuar rreptësisht ata që projektuan, ndihmuan e morën pjesë në zbatimin e këtij sulmi makabër ndaj popullit që prin sot karvanin e qytetërimit e ndaj istitucioneve të tij, duke mbjellë vdekjen në qiellin e tyre. “Eshtë një akt lufte, do t’i ndëshkojmë” u shpreh me një fytyrë të ngrysur presidenti Bush, i pari që një forcë madhore e detyroi të qeverisë Vendin e tij për orë të tëra nga ajri.
Vendi simbol i demokracisë e ka për detyrë të mbrojë e t’u japë drejtësi qytetarëve të saj,por parimet morale e politike mbi të cilat është ngritur godina amerikane e detyrojnë më parë të zbulojë e të identifikojë forcat e errëta të krimit, që e kanë mësyer e që kërcënojnë qetësinë e botës.
Bota duhet të jetë e ndërgjegjëshme se, me dështimin e ideologjive dhe rrëzimin e skemave të ekuilibrit të terrorit, që karakterizuan gjysmën e dytë të shekullit që shkoi, si pasojë edhe e mjaft konflikteve të pazgjidhura në zona të ndryshme të globit, terrorizmi i praktikuar nga individë, grupe apo bashkësi, që gëzojnë përkrahje drejt për së drejti apo tërthorazi edhe nga ndonjë shtet, përbën sot rrezikun kryesor për fatet e saj.Spiralet e dhunës që mund të shkaktojë ky fenomen mund të kenë pasoja të pallogaritëshme, para të cilave ndoshta krizat e Berlinit dhe të Kubës do të zbeheshin. Lufta kundër terrorizmit, që me 11 shtatorin 2001 ne qiellin e Amerikës bëri një hap gjigand cilësor, bëhet imperativi i kohës për Bashkësinë Ndërkombëtare. Kjo luftë duhet të ketë dy vështrime që plotësojnë njëri tjetrin: tolerancë zero ndaj çdo veprimi terrorist kudo që të çfaqet e përpjekje të përbashkëta, në shkallën më të lartë, për të shmangur arsyet që nxisin lindjen e përhapjen e tij.
Do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë, që do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithëve, të shteteve të medha e të vogla, të vendeve të zhvilluara e të atyre në zhvillim.Me sa duket, kjo do të jetë një nga sfidat kryesore të demokracive e të mbarë njerëzimit të fillimit të mijëvjeçarit të tretë. Fitorja e saj do të vërtetojë edhe një herë dobinë e globalizimit si parim.
Kullat binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit dhe ëndrrat njerëzore të vrara nën gërmadhat e tyre na ftojnë jo vetëm të ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të pafajshme, por dhe të mendohemi, të vendosim e të veprojmë, secili në vendin e tij, por të gjithë me një qëllim: të ndërtojmë një botë më të mirë, në të cilën dhuna dhe terrorizmi i çfarëdo ngjyre, si shfaqjet më të shëmtuara të poshtërsisë njerëzore, të mos kenë të drejtë qytetarie.
Shtator 2001