
Mrs. Valent Qafleshi/
Libri për Trashëgiminë kulturore të Sharrit, është një nisëm e mirë e Komunës së Dragashit që synon të orientojë turizmin drejt traditës, folklorit, ushqimeve dhe natyrës, është faktuar tashmë si një sukses, ku vizitorët në këtë libër do të mësojnë për historinë, gjeografinë, etnografinë, doket dhe zakonet e kësaj ane etj.
Natyra me bukuri të rralla dhe folklori i dy krahinave etnografike të Opojës dhe Gorës shton ngjyrat ofertës turistike të këtij rajoni, edhe pse duhet bërë më shumë që përmes organizimeve të aktiviteteve dedikuar turizmit cilësor dhe produkteve natyrale rural, që sjellin njëkohësisht ruajtjen dhe kultivimin e traditës e vlerave të trashëgimisë kulturore.
Krahina e Opojës dhe Gorës trashëgon një thesar të pasur folklorik ku pasqyrohet vitaliteti, kultura materiale dhe shpirtërore. Është e vërtetë që kostumet popullore dhe orenditë e traditës janë zhdukur tashmë nga përdorimi i përditshëm, por ato mund të shihen dhe gjenden me tërë bukurinë dhe finesën e tyre artistike në manifestimet folkloristike e në muzetë etnografike.
Këngët dhe vallet
Opoja shquhet si një krahinë e valleve karakteristike dhe tradicionale të njohura në opinion si “Kollqoja” të cilat kërkojnë zhdërvjelltësi në lëvizje të valltarëve dhe për ritmet e larmishme.
Po ashtu SHKA “Bresana” nga Bresana ka sjell nëpër shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare në mënyrë origjinale vallet dhe këngët nga ritet e përditshmërisë sonë si dasma opojane, punët në bujqësi e blegtori me të cilat valle e këngë shpërfaqin karakteri etno-folklorik të kësaj zone. Rituali i dasmës opojane vjen po ashtu si një vlerë e çmuar e kulturës dhe traditës së kësaj treve.
Nga instrumentet popullore përmendim dajrja (defi), lodra (tupani) cyrlja (zurla), çiftelia, sharkia, fyelli, kavalli etj. Kënga e kurbetit dhe dashurisë është mbizotëruese në këto dy krahina. Zakonisht kënga këndohet nga një person por edhe nga dy e më shumë!
Traditat dhe zakonet
Treva e Opojës dhe Gorës është e pasur me trashëgimi kulturore materiale, shpirtërore dhe natyrore, të cilat në libër janë paraqitur në hollësi, si dhe veprimtaritë ekonomike të kësaj anë.
Mikpritja në zonën e Opojës dhe Gorës është e kultivuar përgjatë shumë shekujve. Respekti për mikun, të huajin është diçka e veçantë.
Gatimet
Në mjaft vende me traditë të zhvilluar gastronomia përbën pothuajse një lloj turizmi. Edhe rajoni i Opojës dhe Gorës ka veçoritë e saja të gatimit. Llojet e piteve si: kulare,me kuletë, me gjizë, me prasa, me një petë, fli, karalla, petulla, nërpetë, si edhe gjella si pasul, jani, gullash etj. Në rajon dhe më gjerë është i njohur djathi Sharrit i bardhë e i butë dhe i fortë. Tipike janë edhe ëmbëlsirat të bëra nga mjeshtrit opojan e goranë si tatli të kollomojtë, tatli qorre, ravoni, qeshkek, zerde, sytliash, urmashica, sheqer pare etj.
Veshjet tradicionale Karakteristike është veshja e femrës dhe mashkullit opojan e goranë.
Tip veshjeve të burrave përbëhet nga këto pjesë: tirqit, xhamadani, këmishë, shoka (brezi), çorapet, opingat. Blegëtorët përdorin edhe Ferxhenë, koporoninë dhe gëzofin. Opingat përgatiteshin nga lëkura e regjur e lopës ose e buallit. Veshjet tradicionale ose kombëtare, që mbahej nga burrat opojan e goranë në ditë dasme, të festat e motmotit dhe atyre fetare etj. Ndërsa karakteristike e veshjeve të grave është veshja me këmishë me zyrefë, jelek, çitjane, bohçe (përparësja), shami, çorape, sandale ose opinga dhe stolitë të ndryshme.