
Kosta Nake/
Sipas parathënies së Prof. Rexhep Qoses për Veprën e Naimit, botuar në vitin 1978 në Prishtinë në katër vëllime, “Historia e Skënderbeut” shënon kulmin e përpjekjeve të vetëdijës patriotike të Naimit, ajo të mahnit nga patriotizmi dhe trimëria e burrave shqiptarë, nga qëndresa e një populli të vogël para një armiku të madh, është apoteozë e trimërisë, e nderit, e burrnisë, e krenarisë, apoteozë e lirisë dhe pavarësisë.
Sipas parathënies së Prof. Dhimitër Shuteriqit për Veprën e Naimit në dy vëllime, botuar në Tiranë në vitin 1980, “Historia e Skënderbeut” kishte si qëllim të ritregonte historinë e heroit kombëtar siç njihej nga Barleti, por në gjuhën shqipe. Ajo është poemë kushtruese, thesar i shqipes së shkruar, libri i shenjtë i shqiptarëve.
Portretizimi i Skënderbeut
Në këtë poemë epiko-lirike të përmasave të mëdha, portretizimi i heroit kombëtar është një ndërmarrje që fillon nga vargjet e para dhe vazhdon gjatë gjithë veprës duke kapur të dyja përmasat e figurës së tij: paraqitja fizike dhe vlerat njerëzore që e ngritën në piedestalin e heroit tonë kombëtar, ndërtuar sipas idealit të vet romantik dhe idealeve të humanizmit europian.
Fizikisht Skënderbeu ishte i gjallë, i gjatë, shpatullgjerë, i bardhë e faqezjarrtë, i lehtë e shtatmirë, jetëgjatë, kishte hijen e Perëndisë, fytyrën e kish të mirë, zërin të ëmbël si mjaltë, i hijshëm dhe i bukur, vetëtinte si dielli, posi yll i qeshur, i bukur si fajkua dhe si pallua, ndrinte posi hëna e plotë.
Përmasat e vlerave kapin një rrafsh më të gjerë njerëzor dhe fisnik: kordhëtar i vërtetë, engjëll i uruar i qiellit, trim si dragua, trim me fletë, shpirt i ndritshëm, e kishte zemrën plot mëshirë, vetëdijën të naltë, kishte mënt shumë e urtësi, në zemër kishte mirësitë, ndër mendje diturinë, në shpirt të madh e dritë, ishte së gjithash i zoti, dinte mirë të luftonte, kishte fuqi shumë, në çdo punë e çquan mirë mirësinë e ligësinë.
Karakterizimet nganjëherë i mbulojnë të dyja kuptimet njëherësh: i math, zot i naltë. Kur bën krahasimin mes vëllezërve, poeti nënvizon: “vij nga gjithë m’i çquar,/pej fytyre e pej mënyre” dhe rritet: “Kish shpirt e zemër e ndjenjë,/edhe mënt e njoh, e hije,/shtat edhe sjell’ e rrëfenjë,/dhe fuqi pej Perëndie” (f. 36) dhe kulmon: “s’kish shok mbi faqe të dheut.” (f. 44) Ka dhe aureolën e praruar fetare: “Hije e Perëndisë, dritë e Zotit, fill i arit.” (f. 297) Skënderbeu çmohej prej sulltanit që kur ishte ende në oborrin e tij, ndërsa sulltan Mehmeti, kur i ofron miqësi, e quan “mbret i mir’ e pa të metë,/trim i urt’ e i lëvduar” (f. 250); papa, pas ndihmës që i dha Ferdinanit, e quajti “mbret i gjithë njerëzisë.” (f. 232)
Më se një herë Naimi flet për ndarjen e armëve dhe plaçkën e luftës që i kapeshin armikut, pa mbajtur asgjë për vete. Më se një herë poeti tregon shpirtmadhësinë e Skënderbeut që jo vetëm u fal jetën tradhëtarëve si Andreu dhe Boklathani brenda radhëve, Moisiut dhe Hamzait që i fali dhe i riktheu në pozitat komanduese, ngushëllimin e Perllatit pas rënies së Sfetigradit, por edhe tregon respekt në trajtimin e robërve që nga komandantët ushtarakë të Turqisë deri te luftëtari i thjeshtë.
“Vallë ëngjëllë të jetë
me këtë zëmrë të mirë,
apo Zoti i vërtetë
i fali kaqe mëshirë?” (f.110)
Shumë domethënëse është fjala e Skënderbeut drejtuar Muzakës për fatin e komandantit turk, Myhtarit, të kapur rob:
“Merr kuaj,/ armë, florinj, sa të duash…/ edhe të tjera ç’të duash,/ po këtë ma lerë mua/ se dua t”i fal lirinë,/ka lënë mëmëz e grua,/më vjen keq t’i mbyll shtëpinë.” (f. 199)
Ky shpirt humanist i heroit shpaloset edhe në këshillat që u jep ushtarëve që kishte në varësi: “… të mos bëhi egërsirë,…gra e foshnjat t’i mburoni/ dhe pleqet t’u bëni nderë,/të falurit t’i lëshoni…” (f.45) Kjo sjellje ka shpërblesën e vet reciproke “ushtëtarët shum’ e duan.”
Në hapësirën kohore të ndërprerjes së luftës, Skënderbeu shfaqet si shtetar që udhëtonte në pjesë të ndryshme të mbretërisë “dha mësime urtësije… edhe gjyqet i pa vetë, s’la punë të papëlqyer a mëri gjëkund të mbahej,” (f.174) kujdesej edhe për punimet mbrojtëse në fortesat e dëmtuara. Organizimi i dasmës e shpërfaq Skënderbeut si prijës popullor:
“… e donin shumë mbrenë
vegjëlija dhe të parët
Mbreti bashkë me ta rrinte,
dhe vetë me ta kërcente.” (f.177)
Naimi nuk ishte historian, ai ishte poet, prandaj në poemë qëllimisht ka futur elementë të shumtë mitikë e legjendarë në portretizimin e Skënderbeut për t’u thënë bashkëkohësve se historia e lavdishme e së kaluarës mund të përsëritet, ata janë të bekuar nga Perëndia dhe kanë një mision të çmuar historik në Europë:
“Engjëll! xbrit e lëvdo mbrenë,
q’i dha aq nder Shqipërisë
trimin e madh të Perëndisë.” (f. 213)
Kur lindi Skënderbeu, në krahun e djathtë kishte një shenjë si shpatë. Pas një fitoreje mbi turqit dhe faljen e robërve, Skënderbeut iu shfaq e Bukura e Dheut, e uroi dhe mori pyllin. Pas dasmës, Skënderbeut i shfaqet engjëlli i urtësisë dhe zhvillohet një bisedë mes tyre, madje engjëlli e mori mbretin për dore dhe ky është çasti i përshtatshëm për të ritheksuar se njeriu duhet të lërë pas vetes një emër të mirë, të nderuar. Njëqind burra ta zinin nuk e vinin dot poshtë. E mposhti në duel tatarin nga Azija që ishte i madh sa dy buaj dhe kishte fuqi sa katër kuaj. Mposhti njëkohësisht dy vëllezërit persë, Jahja dhe Mustafai. Në një ditë preu tre a katër mijë armiq. Armët e tij nuk i ngrinin dot katër a pesë burra të fortë, ishte rrufe ajo, s’ishte shpatë. Kur i hipi kalit u trëndit dheu, kur shkrefëtiti kali u tund fusha e mali. Kali ishte i madh, i harbuar dhe i lartë si mali. E ndau me shpatë në dy copa gjer e gjatë Jakup pashën.
“Kalënë dhe luftëtarë,
siç ishin veshur në hekur,
si pjeprin duke çarë,
të dy i shtinte të vdekur!” (f. 291)
Po elementët legjendarë shpesh i afrohen reales si te rasti i arapit i cili i kërkoi sullanit t’i sillnin shpatën e Skënderbeut dhe ai do ta mposhtte duke i bërë magji, po heroi ua dha të dërguarve dhe u tha: “… nuk është shpata që bën luftën, është dora dhe zemra.” (f. 290) Përmasat legjendare të heroit i përforcon edhe armiku: “…nuk e zë as plump as shpatë,/as thik’ as usht’ as shigjetë.” (f. 244)
Edhe natyra bëhet pjesëmarrëse e skenave legjendare:
Karaxha plaku shpëtoi nga disfata se “… erdh’ e u ndihu reja… tri dit e tri net po binte, shi i shumë e i paprerë.”
Stilistikisht përmasat legjendare jepen përmes përdorimit të hiperbolave, veçanërisht në fushat e përgjakura të betejave:
“…ishte derdhur gjak i shumë,/ sa ishte bërë si lumë”, “u bënë stavë të vrarët/gjaku rrithte si rrëketë”, “gjaku më gjut kish arritur”, “gjaknë e bënte kënetë”, “…u bë gjaku si deti,/ me mijëra ishin vrarë.”
Vdekja e Skënderbeut merr nota elegjiake:
“Ti je një si Perëndija,/ më s’vjen si ti tjatrë burrë” (f. 298)
“Qajo, moj Shqipëri, qaje,/ atë njerin’ e vërtetë!” (f. 310)
Kurse mbyllja e poemës është jo vetëm shpresëdhënëse, por edhe largpamëse: “Skënderbeu ësht’ i gjallë,/rron e mbretëron për jetë.” (f. 323)
Historia e Skënderbeut është një histori e lavdishme betejash të pabarabarta për të mbrojtur lirinë dhe identitetin, duke shtyrë vazhdimit dimrin e pushtimit e robërisë. Po brenda atyre viteve sakrificash të panumurta, kishte edhe ditë plot dritë e gëzim, siç ishte dasma e Skënderbeut. Thuhet se nusja e tij ishte bija e Aranitit, nuk i përmendet asnjëherë emri, por jepet portreti i saj:
“… pa ish e bukur shumë,
mos s’kish fytyrën dhe shtanë,
a punën e bukurinë,
a mendjen e urtësinë… (176)
“…vetëtinte posi hëna,
kish leshra pej floriri,
trupin pej argjendi,
vetullatë hark i kishte,
qepallat shigjetë,
ish bardhush e symëshqerrë,
faq’ e gush’ e llër’ e dorë
dhe tërë shtatn’ të artë
e kraharor e kish dëborë,
vështrimin të zjarrtë.” (f. 178)
Me rastin e Donika Kastriotit është çasti të thuhet se nuk përmendet asnjëherë emri Gjergj Kastrioti, as i nënës së tij, as i vëllezërve, as i djalit të tij. Kurse një nga motrat që ne e njohim si Zoica, Naimi e quan Manushe. (f. 203)
Në antitezë me heroin tonë qëndron figura e sulltanit. Fillimisht portretizimin e sulltan Muratit e bën mbretëresha Kastrioti: “… dashuri s’ka për fëmijë…/ është prishës e shkretonjës,/është kafsh’ e egërsirë,/është vrasës e mundonjës,/shpirterrët e zemrëkëllirë.” (f. 26) Plotësimin e bën poeti: “Vraje! Vare!/ këto dy fjalë dij mbreti”. Pastaj portretizimi i sulltan Mehmetit kalon nëpër gojën e shtrigave: “Lufta, gjaku, vrasj’ e shkretë,/ gjëma, vdekja, ligësija,/ edhe tërë dhelpërija,/s’të bënë punë në jetë./ S’të ndihu ligësija,/e të gjitha shtrigëritë/ dhe djalli e djallëzia,/tani të prumë magjitë!” (f. 289)
Kurse e vërteta e godet pa mëshirë: “O errësirë!/ të ligat s’i mbarove?/ lakmimit mblidhja frenë,/ se teproj ligësia.” (f. 293)
Trimat e Shqipërisë dhe betejat e tyre:
Roli i Skënderbeut në qëndresën ndaj pushtuesve turq ishte vendimtar, pjekuria e tij në krijimin e aleancave ushtarake ishte prej mjeshtri të madh, taktikat e mbrojtjes dhe të sulmit ishin të një strategu të pashoq, por lufta e Skënderbeut dhe betejat e shumta të tij kërkonin edhe bashkëluftëtarë dhe bashkëpunëtorë të shumtë dhe të përhershëm, prandaj poema është edhe një pasqyrë e princëve dhe trimave shqiptarë që iu bashkuan Skënderbeut dhe e paguan lirinë edhe me çmimin e gjakut të tyre. Është një galeri e pasur kapedanësh historikë dhe të trilluar që fillon me paqen e Gjon Kastriotit me çmimin e rëndë të dhënies peng të djemve, për të vazhduar me Skënderbeun dhe pasuar edhe pas vdekjen së heroit. Përmenden dyzet emra luftëtarësh dhe për disa prej tyresh ka dhe penelata të shpejta portretizimesh:
Shumë i njohur është portreti i Kamanit, bashkëluftëtarit imagjinar të Gjon Kastriotit: “… i holl’ ish e pak i gjatë,/nuk kish shumë mustaqe,/ vij i zeshk e i thatë,/e s’kish fare mish mbi faqe;/ kishte gjithë urtësinë,/ me një zë të ëmblë fliste,/fjal’ e tij e bind njerinë,/dhe gjuha hekur i priste.” (f.15)
Araniti nga Vlora: fjalëmbël, zëbukur, mëndjegjerë, i hijshëm, i bukur, mëndjeshumti; Maneshi shpatullgjerë nga Berati, Moisi Dibrani, mjekërzi, trim me pallë, trim i vërtetë përmbi gjithë luftëtarët; Perllati nga Mati, kraharorgjeri, leshragjati, burrë i math, i trashë, i gjatë, burri trim; Muzaka, trim i vërtetë, që ra i vdekur me dyzet e tetë plagë, Tanush Topia syzi e këmishëzi, trim i lëvduar, kordhëlarë; Urani, kont i Matit, bukurosh, lule e trimërisë, s’i trembej kurrë syri.
Tetë prej këtyre trimave ranë në pritë nga ushtria e Ballabanit: Engjëll Muzaka, Blladini, Perllati, Maneshi, Nikë Breshi, Hukoja, Muzhakë Tini, tre të fundit u zunë të gjallë dhe u ekzekutuan barbarisht me urdhër të sulltanit.
Me siguri, i ndikuar nga libri i Marin Barletit, që në poemë përfaqësohet nga Bardhuli, edhe pse nuk përmend asnjë vit, Naimi numëron të gjitha fushatat luftarake të Turqisë për nënshtrimin e Shqipërisë, jep numrin e forcave të agresorëve dhe mbrojtësve, fushat e betejave në Dibër, Sfetigrad, Mat, Krujë, Durrës, Tiranë, Ysqyp, Belgrad, jep pasqyrë të skenave të luftës dhe humbjet nga të dy palët, madje edhe numrin e të plagosurve. Tablove të përgjithshme të betejave u shtohen detaje me duele ose bisedime, si dueli i turkut trim Karakush me Maneshin shqiptar, Sfetigardi dhe mbrojtja e tij, hedhja e qenit në pus që shkaktoi hyrjen pa luftë në kështjellë. Si refren, poeti do t’u ngulë në mendje të gjithëve:
“Shqipëtarë trim e burrë,
në xgjedhë nuk e ka vënë
njeri, dhe s’e vë dot kurrë…” (f. 98)
“Po të jemi të bashkuar,
kurrë s’pëson Shqipërija.” (f.100)
Interesant është qëndrimi tolerant i poetit ndaj Ballaban pashës, për shkak të origjinës së tij shqiptare, edhe pse u vu në shërbim të Turqisë dhe ndërmori pesë fushata ushtarake për ta nënshtruar Shqipërinë.
“Ballaban pasha ish burrë,
nuk kishte fis barbari…
…kish mall për mëmëdhenë,
…e donte dhe Skënderbenë,
miqësi duke rrëfyer
pshehtazi sulltan Mehmetit.” (f. 256 -57)
Vështrimi i herëpashershëm i gjendjes së Europës, i lëkundjeve të qëndrimeve dhe aleancave dhe diplomacia e Skënderbeut në raportet me të, tregon se poeti ka patur informacion të mjaftueshëm për të bërë analiza dhe për të nxjerrë përfundime.
“Evrop’ e shkret’ atëherë
ishte për djall e për lumë,
pritte Ruson’ e Volterë,
ta xgjuanin ng’ajy gjumë.” (f. 50)
“…e kish mbytur e padija,
ish ndarë në mijë copë.” (f. 252)
Aleanca europiane përballë rrezikut të pushtimit turk arriti të bëjë bashkë Papa Pio II, papë Evjenua, Hynjadhi, Filipi i Burgondisë, Vlladislla, kardinal Flloransa. Aleat i përhershëm, mik për kokë dhe vëllamë, mbeti Alfonsi, aleate e paqëndrueshme ishte Venetia. Skënderbeu u prish me Turqinë e Sërbinë, nuk kishte marrëdhënie miqësore me Luinin XI të Francës dhe Frederikun III të Gjermanisë, po nuk donte të prishej me Venetinë. Duke ruajtur miqësinë me Ferdinanë italian, iu shmang kurtheve të Pikininos francez. Vlladislla dhe Hynjadhi i bënë vizitë Skënderbeut që u kthye fitimtar në Krujë dhe qëndruan tetë ditë si mysafirë. Skënderbeu qëndroi në Itali dhjetë muaj e tri ditë në mbështetje të mbretit të ri Ferdinan.
Duke kaluar përtej epokës së Skënderbeut, Naimi ka theksuar edhe ndihmesën që kanë dhënë shqiptarët për të tjerët duke filluar me Turqinë e Greqinë dhe më tej me Italinë dhe Egjiptin.
“Të mos ishte Shqipërija,
gjith’ Evropën e verbuar
e kishte marrë Tyrqija.” (f. 213)
Kënga XII (f.180)
Ashtu si gjatë dollive në dasma e gëzime bëhet një ndalesë për t’i pasuruar urimet me këngë, edhe në këtë poemë Naimi befas ndryshon këndin e vështrimit të ngjarjeve dhe figurave historike duke e ngarkuar me kategori estetike dhe filozofike. Fillimisht ndalet te çifti i porsamartuar dhe kjo është pikënisja për të shtjelluar kategorinë estetike të së bukurës duke e parë atë si burim të mirësisë. Pastaj kalon në rrafshin filozofik kur engjëlli i urtësisë e merr Skënderbeun për dore dhe i tregon lumenjtë e marrëzisë dhe ligësisë, një shembëlltyrë tokësore e Virgjilit dhe Dantes në Purgator, e varkëtarit Karont dhe lumenjve të Hadit.
Parajsa është Shqipëria e idealizuar, shtrati i kategorive estetike pozitive: bukuria, e vërteta, mirësia, dashuria, urtësia, miqësia, shpëtimi, vëllazëria, gëzimi, dituria. Shqipëria është mishërim i kategorive filozofike, si: trimëria, sedra, nderi, turpi, fati, gazi, prehja, mbarësia, durimi, paqja, lirija, vetëdija, mëshira, dhembja, dhënia, ndjesa, besa, dëshira, shpresa, njohja, hiri, kuptimi, shpirtmadhësia, butësia, qetësia, dëgjimi.
Skëterra është Turqia pushtuese dhe vasalët e saj, antiteza e parajsës dhe bartëse e kategorive estetike negative: ligësia, djallëzia, makutëria, lakmia, babëzia, dëmi, vjedhja, kallëzimi, zënia, sharja, vrasja, prerja, ngrënia, rrahja, zemërimi, gënjeshtra, prishja, ndezja, brenga, nëma, mallkimi, thashethemet, mynxyra, shtrigëria, mëria, pabesia, paudhësia, nakari.
Me këtë këngë Naimi tregon vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e vet në pikëpamjet për botën dhe shoqërinë njerëzore. Poema, edhe pse e përmasave të mëdha, lexohet shpejt dhe me ëndje sepse ka një gjuhë të bukur, një rrëfim të rrjedhshëm, plot skena të gjalla të natyrës e cila duket sikur ndryshon paralelisht me rrjedhën e ngjarjeve, po dhe skena të betejave që kanë diçka nga fryma homerike si te qëndresa para ushtrisë së prirë nga vetë sulltan Murati (f.147-152). Ja dhe një detaj për moshën e Skënderbeut dhëndër:
“Nga lindja e Skënderbeut
gjer ditën që u martua,
rreth djellit lëmsh’ i dheut
dyzet her’ u rrotullua.” (f.179)
Në mbyllje do të sjell sërish vlerësimet e Prof. Rexhep Qoses: Skënderbeu është mishërim i të gjitha virtyteve që mund të sintetizojë një prijës dhe burrë shteti. Naimi e ngriti Skënderbeun në nivelin e simbolit kombëtar të luftës për liri e pavarësi, mit kolektiv i popullit shqiptar. Askush në letërsinë shqipe nuk pati shkruar një himn të tillë trimërisë, madhështisë historike të popullit të vet në një periudhë tragjike, askush para tij nuk e kishte ngritur aq lart Skënderbeun, jo si hero vetmitar kalorsiak por si prijës popullor.