• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTOHET 10 VJETORI I KOSOVËS SHTET

February 17, 2018 by dgreca

1 Newborn ok-Në jubilen e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, sot është një ditë e madhe feste e shqiptarëve kundo në trojet etnike dhe në gjithë botën/

1 ok Feste-Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë…/

1 Ibrahim Rugova-Presidenti i SHBA, Donald Trump: Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj/

1 feste Kosove

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Rilindja

PRISHTINË, 17 Shkurt 2018/ Një ditë e madhe feste është sot në Kosovë dhe për shqiptarët kudo në trojet etnike dhe në gjithë botën. Kosova 10 vjet shtet, sot feston jubileun e parë të pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2018, pas arritjes së lirisë në 12 Qershor 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s e të vendoset  Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara, pas luftës me mëse 12  mijë të vrarë, 6 mijë të zhdukur e afër një milionë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe në fushatën e egër të spastrimit etnik, gjatë së cilës ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive.

Simboli i Pavarësisë së Kosovës, Newborn, në Sheshin Medlin Olbrajt në kryeqytet, Prishtinë, i vendosur para 10 viteve, e i zhvendosur para festës së 10 vjetorit, është rikthyer në vendin e vet me pamje të re të festimeve të ditës së madhe të 17 Shkurtit e përgjithmonë.“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga  atëherë kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para dhjetë viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.
Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.
17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqiprisë, e vlerësuar kështu në ballinën e botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe  që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 10 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 10 vite të pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe gjashtë palë zgjedhje të lira e demokratike, tre parlamentare dhe tre lokale.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ishin 2010-ta,  2012-ta dhe  së bashku 2015-ta e 2016-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë  së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosoves  në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht  një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare  dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutën e që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, të propozuara nga qeveria.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtar për përmbyllje të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 Mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016, ndërsa  së fundi takimin e katërt e zhvilloi në Strasburg në 17-18 Janar 2018.

Arritjet historike të Kosovës shtet janë vlerësuar edhe në urimet e shumta nga gjithë bota për 10 vjetorin.

“Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj”, ka shkruar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në letrën e urimit dërguar presidentit Thaçi

“Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve.

Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës”, theksohet në letrën e presidentit të SHBA-ve.

Edhe në urimet e personaliteteve tjera nga bota vijnë fuqishëm vlerësimet dhe mbështetjet për Kosovën në 10 vjetorin e pavarësisë, i cili do festohet edhe me Seancën solemne të Kuvendit, që do mbahet të dielën, me pesëmarrje edhe të personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare. Pjesë e festimeve 10 ditëshe do jetë edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës sheshet “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.Në mbrëmjen e djeshme u njoftua se Presidenti i Republikës, Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë të gjithë deputetët që më 17 shkurt 2008 votuan dhe nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, si dhe personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, mes të cilëve kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pjesëmarrës në festime.

Në 10 vjetor të Republikës u bëhen nderimet më të larta të gjithë kombit heronjëve e dëshmorëve të lirisë dhe pavarësisë, si dhe presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili që para më shumë se dy dekadave hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet, duke theksuar se zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Rugova edhe në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Në këtë ditë  jubileut  të 10 vjetorit të Pavarësisë, Kosova është e mbushur me plot flamuj dhe mes valimit të tyre njerzit në festën e madhe mbushin me defilime rrugët e sheshet. Një nga veprimtaritë në sheshet e kryeqytetit, Prishtinës, është edhe ekspozita “Rrënjët e Shtetit”, e cila  paraqet 50 vjet të rrugëtimit të Kosovës, nga demonstratat e vitit 1968 me kërkesën “Kosova Republikë”  deri në shpalljen e pavarësisë në 2008, përmes ballinave e faqeve të gazetave botërore që raportonin për zhvillimet në Kosovë.

Festimet për e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë mbahen nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për jubileun e parë të shtetit iu adresua qeverisë, ku bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.Në axhendën e festimeve sot është edhe mbledhja solemne e qeverisë së Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, janë edhe aktiviteti sportiv i fëmijëve, koncerti i Rita Orës  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në mbrëmje e gjatë ditës nëpër sheshe defilimi e koncerti i Ansamblit “Shota”, festivali me rreth 500 fëmijë dhe 105 animatorë dhe Koncerti i Xixëllonjave, si ekspozita “Kosova – nga historia në shtetësi” në Biblotekën Kombëtare të Kosovës.Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në Bruksel zhvillohet procesi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve,  kryesuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kjo njohje do të ndodhë…

Filed Under: Featured Tagged With: 10 vjetorin e Pavaresise, Behlul Jashari, Kosova feston

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT