



Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit/
Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.
Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.
Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida. Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.
Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.
Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.
Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul. Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë.
Kosova përkujton sulmet e 11 shtatorit në SHBA
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato kanë pasur ndikim në gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe se amerikanët nuk kanë qenë viktimat e vetme të tyre.
“Njerëz nga 77 shtete kanë vdekur në sulme. Ky ka qenë sulm mbi civilizimin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se amerikanët do të kujtojnë gjithmonë mbështetjen që ka pranuar SHBA-ja nga gjithë bota, duke përmendur edhe Kosovën.
“Pas sulmit, në gjithë Kosoën njerëzit janë mbledhur në përkrahje të SHBA-së, kanë ndezur qirinj dhe kanë dhuruar gjak. Disa qytetarë të Kosovës edhe kanë qenë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë amerikane në Luftën Globale kundër Terrorizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.
Përveç tjerash, ai ka shtuar se kjo mbështetje ka qenë konfirmim i lidhjes së fortë të njerëzve të Amerikës dhe popullit të Kosovës.
Gjatë ditës në Prishtinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës është inauguruar memoriali “Kosova kujton”.
Në ceremoni, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.
Si pasojë e sulmit terrorist të 11 shtatorit në Kullat Binjake në Nju Jork kanë vdekur rreth 3,000 persona.
Ky sulm është kryer nga një grup prej 19 islamistëve radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Militantët e Al-Kaidës kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.(kortezi-Zeri i Amerikes-Evropa e Lire)