e 13 mars 1965 pushoi së rrahuri zemra e Fan S. Nolit, themeltarit dhe udhëheqësit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare, babait të Vatrës dhe editorit të Diellit. Në ditëvdekjen e tij natën e Verës, festës pagane shqiptare, shqiptarët e ndjenë se nuk e kishin më mes tyre atë që bëri aq shumë për kombin dhe popullin që i përkiste. Nolin e vajtuan shqiptarët kudo që ndodheshin. Njeriu që solli frymëne re të të menduarit tek shqiptarët, njeriu që së bashku me Konicën, diplomat dhe erudit, arritën t’i bashkojnë shqiptarët e Amerikës(edhe pse vetë u grindën për rreth 9 vjet) dhe që këndej Atlantikut përcollën ide e mesazhe për mvetësinë e kombit dhe mbijetesën e tij.Në këtë përvjetor, po bëjmë një parakalim kronologjik nëpër vitet e jetës së Nolit, duke shfrytëzuar librin”Autobiografia e Fan S. Nolit”, përkthyer nga origjinali anglisht prej Abdullah Karjagdiu.
Jeta dhe veprimtaria e Fan S. Nolit ka kaluar përmes këtyre datave historike:U lind me 6 janar 1882 në fshatin shqiptar të Ibrik Tepesë (Qytezë) në Turqinë evropiane. Në vitin 1900, përfundoi gjimnazin grek të Edrenesë. Është po ky vit që do të shënojë dhe largimn e tij nga vendlindja. Shkon në Athinë, ku nuk arrinë që të përfundojë studimet universitare. Provon punë të ndryshme si: karrocier trolejbuzi, kopist, sufler teatri, aktor. Në vitin 1903 e gjejmë në Egjipt tek jep mësim në shkollën fillore greke të Shibin-el-Komit. Kjo do t’i vlejë sepse qëndrimi atje i dha mundësi lidhjeje me atdhetarët shqiptar. Së pari zi miqësi me Spiro Dinen, i cili e lidhi me atdhetarë të tjerë, që bënin pjesë në lëvizjen për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane.
Në shtator 1905 bashkëpunon me gazetën “Drita” të Shahin Kolonjës, ku boton artikuj, kundër shovinistëve grekë. Në prill të vitit 1906 Noli propozohet prej Thanas Tashkos dhe Jani Vruhos, që të shkojë në SHBA dhe të organizojë shoqëritë atdhetare në kontinentin e ri. Për këtë qëllim me 31 maj 1906 shkon në Bufalo, ku ishte qendra e Shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”. Gjithësesi edhe këtu provoi punë krahu, si punëtor sharre. Në korrik nis punën si redakator në gazetën”Kombi”të Sotir Pecit, që ishte gazeta e parë e shqiptarëve të Amerikës. Punoi aty deri në maj 1907. Shkrimet e tij përçohen nga mesazhi i bashkimit kombëtar për të përballuar rreziqet që i kanoseshin vendit. Ndërkohë , në vitin 1907 boton darmën në tri akte”Israelitë dhe filistinë.” Me 6 janar 1907 është themeltar i shoqërisë atdhetare”Besa-Besë” në Boston. Me 9 shkurt kryen aktin më të lartë kombëtar; merr përsipër që të themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare. Misionin e realizon me 22 mars 1909, kur arrinë ta themelojë Kishën Shqiptare Ortodokse në Amerikë. Tashmë shqiprtarët e Amerikës e kanë pranuar si udhëheqës shpirtëror.
Paralelisht Noli nis botimin e librave me karakter fetar si:”Shërbesat e javës së madhe”-Boston 1908; “Libra e shërbesave të shenjta”- Bruksel 1909; “Libra e të Kremteve të mëdha”-Bruksel 1911 etj.
Me 15 shkurt 1909 botoi numrin e parë të gazetës “Dielli”, e cila doli si gazetë e shoqërisë Besa-Besën dhe më vonë u bë zëdhënsja e Vatrës, pra gazeta e Federatës Panshqiptare”VATRA”, që sivjet festoi 101 vjetorin e daljes së numërit të parë.
Tashmë emri i Nolit ka marrë dhenë, është bërë i njohur në mbarë viset shqiptare dhe në emigracion; ai përbën një shpresë të madhe për bashkimin e zgjimin e shqiptarëve. Me 10 gusht 1909 ai nis vizitat nëpër Evropë, kudo ku ka koloni shqiptare; si në Odesë, në Bukuresht, në Brailë, në Sofje etj. Në këto koloni Noli mban edhe mesha në gjuhën shqipe.
Akti më i lartë atdhetar për bashkimin e shqiptarëve, është padyshim themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”, me 31 mars 1912, vepër që ka firmën dhe mendjen e Nolit.Pa Vatrën, zor se do të ishte arritur dhe ruajtur pavarësia e Shqipërisë. Edhe pse ishte i zënë e shumë i ngarkuar me veprimtaritë atdhetare dhe kishtare, Noli nuk i ndërpreu përpjekjet për ngritjen arsimore e intelektuale. Në qershor 1912 ai arrinë të përfundojë studimet universitare në Harvard, ç’ka tregon edhe një here kapacitetin e tij intelektual.
Noli ishte një nga mendjet e ndritura të Vatrës , prandaj ajo e nisi me mision në Evropë në kohën kur vazhdimi i Luftës Ballkanike po paraqeste rrezik për kombin shqiptar, veçanërisht për Shqipërinë e sapo shpallur të pavarur. Kjo i takon nëntorit të vitit 1913. Është i njohur aktiviteti politik dhe atdhetar i Fan S. Nolit gjatë kësaj kohe në Londër, ku ishte epiqendra e diplomacisë vendimmarrëse evropiane.Ai përpiqet që t’i qëndrojë besnik platformës së Vatrës për të ruajtur pavarësinë e Shqipëris në kufijtë etnikë. Noli i dërgon dy Memorandume Minsitrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë për këtë çështje djhe boton disa artikuj në shtypin londinez. Me 2 mars e gjejmë në Trieste, ku përpiqet që të shfrytëzojë tribunë ne Kongresit të atjeshëm kundër copëtimit të Shqipërisë. Në korrik 1913 Noli shkel për të parën herë në Shqipëri; korrik 1913 dhe pritet me dashuri. Një pritje të nxehtë i rezervojnë atij Vlora dhe Durrësi. Themelimi i Kishës Autoqefale në Shqipëri nuk i doli aq lehtë siç e kishte parashikuar. Hasi në kundërshtime të ashpra. Natyrisht që Autoqefalia kundërshtohej ashpër nga kisha greke, për të cilën shqiptar orthodoks ishte grek!
Pasi qëndroi dy vjet nëpër Evropë, në maj 1915, Noli kthehet në SHBA.Në korrik 1915 zgjidhet kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra. Fati i Shqipërisë e shqetëson për ditë e më shumë. Me 8 shkurt 1916, i revoltuar me nëpërkëmbjen e kombit shqiptar, ai boton në “Dielli” artikullin”Shqiptari i shkelmuar”, ku akuzon Fuqitë e Mëdha për copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës. Në korrik 1916, në emër të Kuvendit të “Vatrës”, Noli proteston pranë Fuqive të Mëdha kundër synimit për të vendosur protektoratin Italian mbi Shqipërinë.
Më 15 mars 1918 Fan Noli, në emër të Vatrës u drejton një deklaratë disa personaliteteve politike dhe shtetrore amerikane duke përfshirë dhe presidentin Wilson, kundër ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në problemin shqiptar. Përsëri me 12 korrik 1917, Noli rizgjidhet kryetar i Vatrës. Si delegat i “Vatrës” Noli mori pjesë në Kongesine Kombeve të shtypura mbajtur në Uashington. Delegatët e kongresit përcollën presidentin Uilson tek varri i babit të Amerikës, Xhorxh Uashington në Maunt Vernon, ku ai mbajti fjalimin e tij të famshëm për të katërmbëdhjetë pikat. Fjalimi i takon 4 korrikut 1918. Fan Noli, kësaj radhe shfrytëzoi rastin të takohej me presidentin Ulson në Jahtin presidencial të “Mejfllaurit” dhe ta lusë atë që t’ia kthente pavarësinë Shqipërisë, të cilën e kishin pushtuar ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti Uilson i tha Nolit:”Kam një votë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor në favor të Shqipërisë.” Ai me të vërtetë e përdori ndikimin e vet për ta ndihmuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Versaj. Madje më 1920 presidenti Uilson e denoncoi dhe e pengoi copëtimin e Shqipërisë, që ishte paraparë sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës më 1915. Ai e tha qartë se qeveria amerikane nuk merrte pjesë në atë traktat dhe kurrë s’do ta pranonte si një traktat fuqiplotë. Kjo deklaratë e bëri presidentin Uilson mbrojtësin më të popullarizuar të pavarësisë shqiptare.
“Vatra” në kohën e Nolit, shërbeu si qeveri në mërgim gjatë Luftë së Parë Botërore, nga viti 1914- 1920, kur në Shqipëri nuk kishte qeveri për shkak të pushtimit të huaj. Ajo mblodhi fonde nga shqiptarët e Amerikës dhe mbajti përfaqësues diplomatikë në kryeqytete të ndryshme të Evropës si dhe në SHBA, si: Mehmed Konicen në Londër, dr. Mikel Turtullin në Paris, Kostandin Cekrezin në Uashington e të tjerë.
Me iniciativën e Nolit e nën drejtimin e tij, botohet në shtator 1918, numri i parë i “Revistës Adriatiku”(The Adriatic review) në mbrojtje të interesave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Me 26 korrik 1919 organizohet ceremonia për zgjedhjen e Fan S. Nolit, peshkop.
Me 10 shtator 1919 botohet në gazetën “Dielli” intervista e Fan Nolit dhënë gazetës “Dejli Telegraf”, në të cilën denoncohej Traktati i fshehtë i Londrës për copëtimin e Shqipërisë.
Pas evakuimit italian nga Vlora, e detyruar nga forcat kryengritëse, Shqipëria duket se merr frymë lirisht. Në këtë kohë, Noli, i përcjellë nag arkimandrit Vangjel Camce nga Xhejmstauni i Nju Jorkut dhe at Vasil Marku nga Sen Luisi i Misurit, u nisën nga SHBA për t’i ofruar shërbimet e tyre qeverisë shqiptare. Shpenzimet e udhëtimit, natyrisht i hoqi “Vatra.” Arkimandrit Vangjel Camce dhe at Vasil Marku, vazhduan rrugën e tyre për në Korcë, ndërsa Fan Nolin e dërgoi qeveria në Gjenevë si kryetar i delegacionit për të kërkuar pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Me 19 dhjetor 1920 Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe merita i takon ikonës sonë kombëtare. Noli e ka cilësuar këtë akt si suksesin më të madh të arritur prej tij në karrierën diplomatike.Praimi qe unanim, njëzëri u votua për Shqipërinë. Noli diti të bëjë miq për Shqipërinë, e cila duhet t’ia dijë për nder edhe shërbimit të cmuar, që bëri Lord Robert Sesil, delegate iAfrikës së Jugut. Atë ditë Muhamed Aliu, delegate i Indisë, bëri këtë deklaratë:
” Shqipëria meriton të bëhet anëtare e Lidhjes së Kombeve, sepse është i vetmi vend në Botë, ku muslimanët, katolikët romanë dhe të krishterët ortodoksë të Lindjes, bashkëpunojnë vëllazërisht përkundër dasive të tyre fetare.”
Në vitin 1921, nën kujdesin e shoqërisë “Arsimi” botohet në Boston “Historia e Skënderbeut”Gjergj Kastrioti” mbretit të Shqipërisë, 1412-1468” prej peshkopit Theofan (Fan S Noli).
Në prill 1921 Noli zgjidhet kryetar i partisë Popullore, e para parti politike parlamentare në Shqipëri. Në gusht 1922, me përpjekjet e vazhdueshme të Nolit, themelohet të Berat, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare që mënjanonte Patriarkanën të ndërhynte në çështje kishtare.
Në nëntor 1923, në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë bëhet dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si Peshkop i Durrësit, Gorës dhe Shpatit.
Në dhjetor 1923, në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuse, Noli zgjidhet deputet i Korçës, e cila e kishte bërë edhe qytetar të saj. Opozita demokratike, që udhëhiqej nga Fan Noli, mundi të siguronte vetëm 1/3 e vendeve në Asamble. Noli qe tepër i rreptë në oratorinë e tij. Ngjarja më e vështirë që ai përballoi me gjakftohtësi ishte atentati ndaj Ahmet Zogut.Ngjarja ndodhi me 23 shkurt 1924. Ishin bërë zgjedhjet dhe Parlamenti po kryente procedurat. Në séancën e pare do të zgjidhej kryesuesi i séances. Kandidati i Partisë Konservatore, të udhëhequr nga Ahmet Zogu, ishte Eshref Frashëri, ndërsa kandidati i Partisë Liberale të udhëhequr nga Fan Noli, ishte Ibrahim Gjindi. Në orën tre pasdite, kur Petro Poga, kryesuesi i përkohshëm, po u tërhiqte vëmendjen të pranishmëve që të mbanin qetësi, papritmas u dëgjuan disa të shtëna me revole jashtë sallës. Dy plumba, kaluan para fytyrës së Fan Nolit dhe goditën bangën e kryesuesit të séances….Pas një minute, Ahmet Zogu hyri në sallë me krahun e majtë të përgjakur dhe me revolen në dorën e djathtë. E shoqëronin garda e tij personale dhe garda e Shefqet Vërlacit, me motrën e të cilit ishte fejuar Ahmet Zogu. Të gjithë mbanin në duar revole të mëdha me vështrim nga deputetët e opozitës, tek të cilët dyshonin se e kishin kurdisur këtë komplot për vrasje.Deputetët e opozitës nuk lëvizën. Edhe ata ishin të armatosur, me përjashtim të Fan Nolit. Edhe ata i kishin nxxjerrë revolet. Të dyja palët prisnin nga shefat e tyre. Ahmet Zogu u dha shenjë të vetëe që të mos shtinin.
Ai që kishte dashur të shtinte mbi Ahmet Zogun, ishte Beqir Valteri. Ai kishte zënë një pritë strategjike në krye të shkallëve, ku e kish pritur Ahmet Zogun,. Në castin që Zogu kishte mbërritë, atentatori ia kishte drejtuar revolen në qafë dhe sigurisht që do ta vriste, në vend sikur t’ia tërhiqte këmbëzën menjëherë, mirëpo sipas traditës zakonore shqiptare, ai donte të thoshte ca fjalë para se të shtinte. Donte t’i thoshte se po e vriste për t’ja marrë gjakun të ungjit. Fjalët e zakonshme që duhej t’i thoshte ishin”Falju me shëndet ungjit tim”! Mirëpo iu desh shumë kohë që t’i artikulontë ato pak fjalë sepse atij i mbahej goja, kështu që iu desh shumë kohë derisa i shqiptoi. Kjo cope kohë e shkurtër, qe e mjaftë për kryeminstrin, për të shpëtuar me plagë të lehta. Gjithësesi qëndrimi i kundvrshtarit të Nolit para Parlamentit ishte dinjitoz.
Ngjarja tjetër që acaroi situatën ishte vrasja e Avni Rustemit me atentat. Me 1 maj 1924, Noli merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, që u kthye në një manifestim të madh politik dhe mbajti një fjalim të zjarrtë përpara trupit të tij, që shërbeu si shkëndijë për të ndezuar atë që u quajt Revolucioni Demokratik i Qershorit.
Në maj 1924, në Vlorë formohet Komisioni Politik Administrativ, i kryesuar nga Fan Noli, për drejtimin e lëvizjes kryengritëse, që kishin shpërthyer forcat e Bajram Currit, të shoqërisë ”Bashkimi” e të garnizoneve ushtarake të Shkodrës, Përmetit etj.
Me 10 qershor forcat kryengritëse trimufojnë dhe Noli ngarkohet të formojë Qeverinë. Me 17 qershor, kryeministri i ri shpall programin prej 20 pikash, që përbënte një shprehje të aspiratave të shtresave të gjëra të popullsisë, por që shtoi zemartën e pjesës tjetër.Ai ishte përpjekur që të ngrinte një kabinet qeveritar me ministra të aftë, sipas mendimit të tij.Qeveria përbëhej nga ; Fan Noli-kryeministër, Sulejman delvina-ministër i Punëve të Jashtme, Rexhep Shala-ministër i Punëve të Brendshme, Luigj Gurakuqi-Ministër i Financave, Kasëm Qafzezi-Ministër i Mbrojtjes, Stavri Vinjau-ministër i Drejtësisë, dhe minister i Educates, Qazim Koculi, minister i Punëve Botore.
Me 10 shtator 1924, Noli flet ne seancën e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve. Fjalimi i cilësuar nga shtypi i huaj si”bomba e peshkopit shqiptar”dhe “një nga fjalimet që bënë më shumë bujë”, por që pat pasoja në izolimin e qeverisë së tij. Noli demaskoi në mënyrën e vet veprimatrinë e Lidhjes së Kombeve, se gjoja mbronte paqen apo synonte çështjen e çarmatimit.
Dihet se Fan Noli dështoi në qeverisjen e vendit dhe reformat që premtoi mbetën në letra. Në dhjetor ai e ndjeu veten të kërcënuar dhe i bëri thirrje popullit “që të rrëmbente armët për të mbrojtur fitoret e revolucionit nga ndërhyrja e bandave të armatosura, të ndihmuara materialisht dhe me trupa vrangeliste nga qeveria jugosllave.”
Me 24 dhjetor me gjithë rezistencën spontane të ushtrisë kombëtare e të forcave vullnetare, forcat e Ahmet Zogut hynë në Tiranë. Fan Noli dhe udhëheqës të tjerë u detyruan që të largohen nga Atdheu.Vite më vonë, kur Noli do të analizonte me humor humbjen e tij”ndërkohë që ushtria e kundrshtarit po hynte në Tiranë, ai vetë po i binte flautit, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes, Qafzezi, argëtohej me kërcimet e jevgave!”
Noli nuk heq dorë nga politika. Me 25 mars 1925 forcat demokratike opozitare në emigracion themelojnë Komitetin Nacional Revlucionar (KONARE) e zgjedhin në krye Fan Nolin.
Ndërkohë për ish kryeministrin gjashtëmujorë ka filluar periudha e emigracioit nëpër Evropë. Më 1926 ai boton në Bruksel në përkthimin shqip veprat madhore të Shekspirit”Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari” dhe dramat e H. Ibsen”Armiku i Popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, të pajisura secila me një analizë kritike.
Më 28 nëntor 1925 në “Lirija kombëtare”, Noli boton tre nga poezitë politike më të njohura të tij”Hymni i Flamurit”,”Syrgjyn vdekur”(Elegji për Luigj Gurakuqin) dhe “Shpell’ e Dragobisë”(Elegji për Bajram Currin.)
Më 8 dhjetor 1925 Fan S Noli denoncon paktin italo-shqiptar, të ashtuquajturin Pakti i parë i Tiranës dhe e quan atë si preludin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste.
Më 1926 Noli boton në Vjenë versionin e parë të “Rubairave” të Omar Khajamit dhe në Bruksel (1927) versionin e plotë të pajisur me një analizë kritike dhe shënime.
Më 15 janar 1927 në gazetën e Nju Jork-ut”Herald Tribjun” Noli u bën thirrje njerëzve paqedashës të mbarë botës për të ndaluar katastrofën që i kërcënohej Shqipërisë nga intrigat e fshehta të diplomacisë angleze e italiane për të ndezur zjarrin në Evropën Juglindore.
Në prill 1927 Noli zgjidhet kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional. Është ndër të parët që propagandon idenë për ta lidhur luftën e popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit dhe të Evropës.
Me 24 prill 1927 Noli merr pjesë në hartimin e deklaratës së përbashkët të Komitetit të Çlirimit Nacional e Komitetit të Çlirimit të Kosovës.
Më 1927- 1928 boton poezitë “Marshi i Barabajt” dhe “Këngë e Monarkisë”. Në vitin 1929 e gjejmë pjesmarrës në Kongresin Ndërkombëtar Antifashist që zhvillohej në Berlin.
Në janar- shkurt 1930 boton poezitë “Moisiu në Mal”, dhe “Shën Pjetri në Mangall”. Të kësaj kohe mendohet se janë dhe poezitë “Marshi i Krishtit”, “Krishti me Kamxhikun”,”Marshi kryqësimit”, “Kirenari”, dhe “Kryqësimi”. Ndërsa dy poezitë e fuqishme”Rent, or Marthonomak” dhe “Anës së Lumenjëve” i shkroi në prill-maj 1930.
Në maj 1930, Noli kthehet sërish në Amerikë. Miku i tij i hershëm, bashkëluftëtari i dikurshëm që shërbente si Minsitër i Mbretit në Washington, Faik Konica, përpiqet ta bindë Nolin që të heqë dorë nga rruga revolucionare.
Me 1 nëntor 1930 filloi të botojë në Boston gazetën”Republika”, ku shpalsoi prograin që i përmbahej në vija të përgjithshme KNC:Republikë, demokraci, pavarësi dhe kufi etnikë. Gazeta vazhdoi të botohej deri në vitin 1933. “Republika” zemëroi më shumë kundërshatrët e tij në Vatër dhe Dielli nuk ia la mangët, gati në çdo numër e “masakroi”, krijuesin e vet, editorin e parë.
Në mars-shtator 1932 Noli qëndroi në Gjermani në pritje të vizës për t’u kthyer përgjithëmonë në SHBA. Në tetor arrin të kthehet, por “keqtrajtohet” nga emigracioni, që e mbanë tre ditë të bllokuar. Vetëm pas garancive që dhanë miqtë e tij amerikanë, mundo të kalonte doganën. Sëmuret rëndë nga pneumonia, detyrohet të shtrohet në spital për t’u mjekuar, me ndihmat që i dërgoi Mbreti Zog. Të hollat që ia dërgoi Mbreti Zog, i shëruan plagët e trupit, por jo ato të shpirtit. Përkrahsit e tij e kritikuan për mungesë karakteri. Por Noli ua ktheu përgjigjen se këto para nuk ia mori Mbretit George të Greqisë, as atij të Serbisë, por mbretit shqiptar, në një kohë që jeta e tij ishte vënë në pikëpyetje. Në vëitet 1932-33 përkthen pjesën e parë të romanit të Servantesit”Don Kishoti i Mançës”, të shoqëruar me një analizë kritike.
Në vitin 1934, Imzot Noli ndjehej i dobësuar nga sëmundja e rëndë; vetmia, braktisja e disa miqëve e shokëve si dhe perspektiva e paqartë dhe e zymtë e çuan në dëshpërim të thellë. Në ato çaste ai shkroi”S’kam më as nge’; as qejf, as takat, për politikën…këlliçi im politik është varur në muze dhe nuk del s’andejmi kurrë.”
Edhe në vitin 1935, Noli kalon një jetë të vetmuar. Merret me studime nga më të ndryshmet dhe fillon mësimet në moshën 53 vjeçare në Konservatorin e muzikës të Nju –Inglendit në Boston.
Më 1936 boton pjesë muzikore liturgjike në titullin “Hymnore”. Më 1937 mbaroi Konservatorin e Muzikës. Me 28 qershor 1937, ai i jep një intervistë gazetës “Boston Post”, ku ndërmjet të tjerash theksonte faktin se ai nuk do të kthehej kurrë më në Shqipëri, përderisa do të ishte në fuqi Zogu.
Me 14 korrik 1937 gazeta”Dielli” boton një artikull që e kritikon ashpër këtë intervistë të Nolit.
Ne, theksonte gazeta, kishim mendimin se ai “kishte hequr dorë nga ngatërresat politike” dhe se kishte kuptuar më në fund”rëndësinë e tij si predikonjës i fjalës së perëndisë dhe, paskëtaj, nuk do të merrte pjesë kundër Mbretit as me fjalët tërthori, as me goditje drejtëpërdrejt, as me rromuze në shtyp të huaj.”
Në përgjigje të kësaj kritike, me 15 korrik, Noli u mjaftua me një deklaratë të thatë dhe evazive se “intervista e tij nuk ndiqte qëllime politike”.
Prilli 1939 e gjenë të dëshpëruar për atë ç’ka i ndodhi Shqipërisë nga fashistët italianë.Me fillimin e Lufëts së Dytë Botërore, humbi lidhjet me Atdheun. Në maj 1943, Noli pranoi propozimin e Mbretit shqiptar në Mërgim, që të ishte këshilltar i një qeverie në mërgim, por kundërshtoi kryesimin e saj.
Në dhjetor 1944, me anë të një telegrami, që i drejton kryeministrit të Britanisë së Madhe, Unston Çërçill, Noli kërkon njohjen e qeverisë demokratike provizore shqiptare.
Në vitin 1945, në moshën 63 vjeçare, Noli merr titullin, doktor në filozofi nga Universiteti i Bostonit për desertacionin”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg) , që u botua më 1947.
Qeveria e Tiranës përpiqet ta joshë Nolin duke e zgjedhur në tetor si kryetar nderi të Konferencës së Lidhjes së Shkrimatrëve të Shqipërisë, me motivacionin”për kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe letrave shqipe”), ndërkohë ai vazhdoi t’i shërbente Shqipërisë në mënyrë e tij.
Në janar 1947 shqiptaro-amerikanët festuan 40-vjetorin e ardhjes së Nolit në SHBA. Kjo ngjarje koincidon me vënien në qarkullim të veprës së tij”Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French Revolution”).Me rastin e 40 vjetorit, Vatra i dha Nolit si dhuratë 5500 dollarë dhe ai i përdori për të botuar veprën e mësipërme si dhe ribotoi Albumin. Në fakt pjesa më e madhe e veprave të Nolit e panë dritën e botimit në saj të bujarisë së Vatrës.Një dhuratë tjetër, që i bëri “Vatra” Nolit, ishte shtëpia që bleu me dollarët që u mblodhën në fushatën e organizuar në vitin 1953. Noli bleu shtëpinë në Fort Landerdejl të Floridës. Qe një shtëpi e bukur, por që nuk është më, shqiptarët nuk arritën ta ruanin e ta kishin si shtëpi muze në kujtim të ikonës kombëtare.Shtëpia ishte e rrethuar me një livadh të bukur me plot pemë të llojllojshme me portakallë, limonë, qitro, palma, biber brazilianë dhe pemë ekzotike. Tërë kopështi ishte i rrethuar me gardhiqe shumë ngjyrëshe të hibiskusit. Fan Noli pat blerë edhe dy parcela të vogla në anën e djathtë dhe mendonte të blente akoma në anën e majtë.
Por le të ndjekim kronikën: Më 1950 Noli boton veprën”Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1404-1468”, variant i ri i botimit të mëparshëm.
Në shkurt 1959, ai shkroi “Dhjatën” apo Testamentin. Një nga kërkesat e tij themelore ishte që të varrosej thjesht e pa shpenzime.
Më 1960 u botua “Pesëdhjetëvjetori i Kishës ortodokse Shqiptare”(1908- 1958) nga Metropoliti Fan S. Noli.
Tetor-nëntor 1964, Noli shtrohet në një spital të Bostonit dhe më 2 nëntor operohet pa asnjë shpresë shpëtimi.
Me 13 mars 1965, pas një sëmundje të rëndë , pushoi së rrahuri në Florida, në moshën 83-vjeçare, zemra e Nolit, që mbetet ikona e shqiptarëve të Amerikës. 45 vite më pas shqiptarët krenohen me themeluesin e Kishës Ortodokse Shqiptare, editorin e parë të Diellit, themeluesin e Federatës”Vatra”, krenohen me shkrimtarin, poetin, muzikologun, studiuesin, përkthyesin brilant, polemistin, oratorin, ish kryeminsitrin e Shqipërisë për 6 muaj.(Dielli- Arkiv-DG)