• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA URON QYTETARËT E KOSOVËS PËR 13 VJETORIN E PAVARËSISË

February 16, 2021 by dgreca

Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, në emër të Kryesisë, degëve dhe të gjithë vatranëve, uroj ushtrusen e detyrës së presidentes DR. Vjosa Osmani, qytetarët e Kosovës në vendlindje dhe në mërgim, liderët politik, dhe të gjithë shqiptarët: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! 

      Pavarësia e Kosovës e shpallur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të saj me 17 Shkurt 2008, përfaqëson një ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar. 

         Në themelet e Pavarësisë është gjaku heronjëve dhe i dëshmorëve të lirisë, është sakrifica sublime e Adem Jasharit me familjen e martirizuar, është mendja dhe largapamësia e arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës presidenti historik dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e tij, është rezistenca e mbarë popullit martir të Kosovës, është kontributi i mërgatës në Europë dhe në SHBA, është kontributi i luftëtarëve të batalionit “Atlantiku” dhe gjaku i vëllezërit Bytyçi, që mbetën dëshmorë të lirisë, janë të pagjeturit e luftës. Le t’i kujtojmë me nderim e respekt të gjithë ata që dhuruan jetën për idealet e lirisë dhe sollën Pavarësinë.

     Për asnjë moment Kosova nuk duhet të harrojë miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa të cilën do të ishte e pamundur pavarësia dhe liria që gëzon sot Kosova. Të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aletatët e tyre europianë, ishin mbështetës dhe udhëheqës të luftës, siç ishin dhe mbështetës të pavarësisë, e njohur deri më sot nga 117 shtete.
     Përshëndetja e Presidentit Joseph Biden me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është një tregues tjetër i miqësisë dhe angzhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbetur partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës. Brenda rreshtave të letrës të presidentit, liderët e Kosovës dhe ekipi i ri qeveritar, duhet të gjejnë detyrat e shtëpisë për të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës, për forcimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit, uljen e varfërisë, rritjen e ekonomisë, thellimin e reformave, integrimin europian, bisedimet e vështira me Serbinë etj.

       Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” gjenë rast që të përcjellë me këtë rast përgëzimet më të mira për qytetarët e Kosovës, shtetin dhe klasën politike,Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për modelin demokratik që dhanë me 14 Shkurt, ditën e Zgjedhjeve, duke realizuar zgjedhje të qeta, të sakta, të pranushme nga të gjithë faktorët, një model për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Vatra dëshiron që të ruhen këto standarte demokratike, bashkëpunimi e mirëkuptimi edhe në krijimin dhe funksionimin e Kuvendit të ri, në krijimin e Qeverisë funksionale mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve. Kosova nuk ka kohë për të humbur.

  Federata Panshqiptare e Amerikës” Vatra” uron z. Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 Shkurtit dhe shpreson që ai të ndërtojë një qeveri bashkëpunuese, funksionale në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës.

        Vatra, ashtu siç bashkëpunoi me të gjitha qeveritë paraardhëse, si dhe me qeverinë e z. Avdullah Hoti, ku edhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, shpreh gatishëmrinë e saj për bashkëpunim edhe me Qeverinë e tij.

Gëzuar Pavarësia e Kosovës!

ELMI BERISHA

KRYETAR I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”

New York, 17 Shkurt, 2021  

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Elmi Berisha, Urim

KOSOVA FESTON DITËN E PAVARËSISË – 17 SHKURTIN E SHPALLJES SHTET PARA 13 VITEVE

February 16, 2021 by dgreca

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Kosovën shtet në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, kur e njohu edhe Shqipëria…/

 -Ngjarjet e sukseset më të rëndësishme nëpër vitet e Kosovës së Pavarur/

-Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO -forca më e madhe planetare, prirë nga Amerika/

Speciale- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Kosova në 17 Shkurt 2021 feston  Ditën e Pavarësisë së shpallur para 13 vitesh në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas Axhendës Shtetërore, Festa në 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nisë me ngritjen e Flamurit të Republikës së Kosovës nga Garda Ceremoniale e FSK-së, te selia kryesore e Qeverisë afër  shesheve me emrat e shtatoret e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti  Skënderbeu dhe Presidentit Historik të Kosovës Ibrahim Rugova…

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit të para 13 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm të Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova ditëfestën e 13 vjetorit të Pavarësisë e pret edhe me njohjen më të re nga Izraeli…

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 13 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 13 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe tetë palë zgjedhje të lira e demokratike, pesë parlamentare dhe tre lokale. Zgjedhjet parlamentare, të tetat në Liri e të pestat në Pavarësi u mbatën në prag të ditëfestës së 13 vjetorit të Kosovës Shtet – në 14 Shkurt 2021.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 13 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018. 

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Politike Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Behlul Jashari, kosova

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT