• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQËS

March 24, 2021 by dgreca

(Me rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)/

   Nga Frank Shkreli/

24 Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve — miqtë perëndimorë me në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb. 

Shumë burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali amerikan Wesley Clark.  Gjenerali Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Kosovë. 

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje të tillë. 

Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika — konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal ushtarak dhe paqësor — në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018, Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja, përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur, duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e përbashkët.  Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një intervistë të vitit 2018.  

     Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.

Gjenerali amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Si i tillë, sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike –përfshir mesazhin e tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.Kjo datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22 vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës — shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë — por edhe të atyre bijëve dhe bijave të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë – në Shqipëri dhe në Kosovë — të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon. 

                 Autori me Gjeneralin Wesley Clark në një prej takimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjetori, Frank Shklreli, NATO-Kosove, Wesley Clark

Epopeja e UÇK, Heroizmi në Prekaz para 22 viteve

March 5, 2020 by dgreca

-FSK-ja shënoi 22 –vjetorin e „Epopesë së UÇK-së“/

Kryeparlamentarja Osmani: Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja që edhe ata të jenë të gatshëm për ta ofruar çdo lloj sakrifice për ta jetësuar idealin e brezave për të jetuar të lirë. Sot, prandaj, ne u falemi atyre; sot ne jemi këtu jo vetëm për t’i kujtuar emrat e viktimave të kësaj masakre, por për ta nderuar kujtimin e secilit veç e veç; për ta kujtuar komandant Adem Jasharin e bashkë me të edhe Adilen, Afeten,  Afijen, Ajvazin,  Aliun, Avdullahun , Bahtijen, Beqirin, Besimin, Blerimin, Blerinën, Bujarin, Elfijen, Elhemen, Faikun, Fatimen, Feriden, Fitimin, Fatimen, Hajrijen, Blerimin, Hajzerin, Halilin, Halitin, Hamdiun, Hamzën, Hamiden, Hamitin Hanifen, Hidajeten, Igballin, Igballen, Kajtazin, Kushtrimin, Lirien, Mihrijen, Murtezin, Nazmiun, Qazimin, Qerimin, Ramizin, Sabrijen, Sadikun, Salën, Selveten, bacë Shabanin, Shahinin, Sherifin, Sinanin, Smajlin, Ukshinin, Valdeten, loken Zahide dhe Zarifen, si dhe Osman Gecin, Isak Halilin, Fatime Bazajn e Smajl Bazajn….

Epopeja e UÇK, Heroizmi në Prekaz para 22 viteve/

-Veprimtari përkujtimore treditore në 22 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/

-Para 22 viteve, në 5, 6 e 7 Mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe/

-Derisa vijonte sulmi i forcave serbe në Prekaz,  Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në 6 Mars 1998, kërkonte që Kosova të merrej urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake/

-Raportime që kam bërë nga Kosova në Shqipëri për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve para 22 viteve në ditët e Marsit 1998/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Në Kosovë me veprimtari përkujtimore treditore, që nisin sot, shënohet 22 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresës heroike e flijimit legjendar për liri e pavarësi të Familjes Jashari në Prekaz.

Në manifestime marrin pjesë drejtues institucionalë e politikë të Kosovës shtet prej 12 vitesh nga 17 Shkurti historik 2008 dhe 21 vjet e lirë nga Qershori 1999, i hyrjes së forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 5, 6 e 7 Mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Para 22 vitesh, në 5 Mars 1998, raportoja nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë se forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.

Forcat serbe kishin zënë pozicione fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare.

Prekazi po qëllohej edhe me topa të rëndë, dëshmonin burime të raportimeve që bëja nga vendi i ngjarjeve, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.

Derisa vijonte sulmi i egër i forcave serbe në Prekaz, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në 6 Mars 1998, në një konfrencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas,  përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes.

Presidenti Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohej urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merrej, poashtu, urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.

   ***

Në Kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës, dhe nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, sot u mbajt manifestimi qendror në shënimin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në nderim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit të rënë për liri.

Në këtë ceremoni trupat e Ushtrisë së Kosovës ( FSK ) ishin të rreshtuara në kuadrate sipas njësive, në pistën e kazermës „Adem Jashari“ në Prishtinë.

Të pranishëm në manifestim ishin presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ish-presidentja Jahjaga, ish kryeministri Haradinaj, ministra, deputet, kryetar komunash, veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.

Pas revistës së kuadrateve të FSK-së, nga presidenti Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, manifestimi filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.

Pastaj, presidenti Thaçi, kryeministri Kurti, kryetarja e Kuvendit Osmani, vendosen kurora lulesh pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.

Para të pranishmeve, në manifestimin e njëzetë e dy vjetorit të Epopesë së UÇK-së, presidenti Hashim Thaçi, në fjalën e tij, pos tjerash tha: „Të dashur ushtarë të ushtrisë të Republikës së Kosovës, ju jeni trashëgimtarë të projektit më të suksesshëm politik dhe ushtarak të Kombit shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të këtij projekti të shenjtë. Me luftën heroike të UÇK-së, të popullit të Kosovës dhe ndihmën e botës demokratike u çlirua edhe u bë shtet i pavarur dhe demokratik.

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë; qytetaret dhe shteti ynë krenohet me ju, dhe me rezultatet e juaja kudo që shërbeni në çdo cep të Republikës së Kosovës. Ju jeni krenaria jonë, ju jeni ushtria moderne, bashkëkohore, jeni ushtri multietnike, ju do të pajiseni me pajisje me moderne të një ushtrie bashkëkohore, ky edhe ishte mesazhi gjatë diskutimit tim në Pentagon“.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj, adresuar të pranishmeve tha se sakrifica e familjes Jashari tregoi se sa e rëndësishme është liria, dhe se tani me dhembje e krenari kujtohet komandantin Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari e të gjithë ata ushtarë që lanë jetën dhe gjymtyrët e tyre për lirinë që sot e gëzojmë.

Kryetarja Osmani, më tej shtoi se; Kosova asnjëherë nuk ka pasur synime ndaj të tjerëve, por se „qëllimi ynë ka qenë vetëm mbrojtja e atdheut tonë. Sot secili kadetë, ushtarë e oficer duhet ta ketë parasysh sovranitetin e vendit, njësoj sikurse komandanti Adem Jashari. Ai dha shembullin se si mbrohet atdheu e duke u shndërruar në simbol të rezistencës“.

Kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalën e tij, pos tjerash tha: „Është çdoherë kënaqësi të jesh në prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi sakrifikuar shumë që të kemi të drejtat dhe liritë tona, të kemi shtetin tonë, por sidomos të kemi ushtrinë tonë, të fortë e madhështore, jo sepse ne kemi ambicie për të pushtuar, por për shkak se kemi të kaluar të hidhur. Ne duam një ushtri të fortë, profesionale e cila mbron tërësinë tonë territoriale dhe garanton sigurinë tonë kombëtare; duam anëtarësim në NATO, prandaj edhe do të rrisim investimet të cilat janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë. Aleanca jonë me NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi ynë edhe në NATO edhe në BE duhet përshpejtuar në mënyrë që edhe të forcojmë paqen në rajon, por edhe të parandalojmë ndikimin e fuqive të huaja“..

Në emër të familjes Jashai, foli vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, Rifat Jashari, i cili nga Kazerma „Adem Jashari“, falënderoi të pranishmit dhe tha se vetë prezenca juaj, në këtë manifestim nderon dhe përkujton veprën e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përmbyll me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, para qytetarëve të pranishëm në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë. 

***

KUVEND- Fjala e kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, në seancën për Epopenë e UÇK-së

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendit tonë,
Të nderuar komandantë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve!

Shumë e nderuara familje Jashari!

Të nderuar pjesëmarrës!

Sot po e përkujtojmë veprën heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, sakrificën sublime të familjes Jashari për liri, si dhe ndikimin që kjo sakrificë e pati në përpjekjen tonë për liri.

Në fillim të viteve ’90 Adem Jashari, si e gjithë Kosova, u përball me një regjim të egër. Ai e dinte se makineria serbe e synonte shfarosjen, jo vetëm të tij, por edhe të popullit shqiptar të Kosovës, prandaj e filloi rezistencën qysh në fillim të vitit 1991, kur u bë pjesë e organizimit të asaj kohe dhe shkoi në Shqipëri, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte mësuar tashmë të jetonte nën kërcënimin e vazhdueshëm. Ishte mësuar të rrethohej, sikur i ngjau më 30 dhjetor 1991 e më 22 janar 1998. Kjo e ishte motivuar edhe më shumë për rezitencë, prandaj nuk i shkonte mendja kurrë të dorëzohej. Madje, as në betejën vendimtare të 5 marsit 1998, kur forcat e shumta paramilitare e ushtarake e rrethuan lagjen e Jasharajve, në Prekaz. Familja rezistoi për më shumë se 36 orë, megjithëse shumë nga anëtarët e saj ranë nga predhat që e shembën çatinë e shtëpisë dhe muret e kullës. Në mesin e tyre edhe dhjetë fëmijë të moshës nën 16-vjecare dhe vetë Adem Jashari, për t’u shndërruar në simbol të sakrificës njerëzore e në simbol të qëndresës.

Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familjeje ia shpalosi botës demokratike pamjet e errëta të regjimit totalitar serb dhe lirinë e synuar nga ne, në anën tjetër. Pamjet e fëmijëve, të grave e të pleqve, të rënë në pragun e shtëpisë së tyre, u shndërruan shpejt në thirrje për mbrojtjen e vlerave humane. Por, më shumë se kaq, ato e prekën në ndërgjegjen e botës së qytetëruar, e cila duhej ta mbronte një popull të shtypur dhe, duke e mbrojtur atë, t’i mbronte vlerat e qytetërimit të vet.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit 1998 në Prekaz i dhanë vulë solidaritetit ndërmjet njerëzve, i cili qe krijuar qysh në fillim të viteve ’90 me lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe, sidomos, me lëvizjen e popullit të Kosovës për pavarësi. Prandaj, ne sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por edhe për ta ripërtërirë kujtesën tonë.

Nuk është e rastësishme, prandaj, që në atë fillimmars secili shqiptar ishte Ademi, i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për lirinë e vendit të tij, secili qe bacë Shabani, nënë Zahidja, Hamza, Zarifja, Hidajetja…, por mbi të gjitha secili qe lulja e këputur ende pa çelur mirë, qe Blerina e vogël me ëndrrën e fjetur mbi ballë, secili qe zëri kumbues i 18 grave që ranë në altarin e lirisë mbi fëmijët e tyre; ishte zëri i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre ende pa nisur mirë, por ëndrra e të cilëve u përhap gjithandej, hyri në shpirtrat e secilit shqiptar, secilit qytetar liridashës të botës dhe i dha udhë ëndrrës së madhe: lirisë së vendit.

Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja që edhe ata të jenë të gatshëm për ta ofruar çdo lloj sakrifice për ta jetësuar idealin e brezave për të jetuar të lirë. Sot, prandaj, ne u falemi atyre; sot ne jemi këtu jo vetëm për t’i kujtuar emrat e viktimave të kësaj masakre, por për ta nderuar kujtimin e secilit veç e veç; për ta kujtuar komandant Adem Jasharin e bashkë me të edhe Adilen, Afeten,  Afijen, Ajvazin,  Aliun, Avdullahun , Bahtijen, Beqirin, Besimin, Blerimin, Blerinën, Bujarin, Elfijen, Elhemen, Faikun, Fatimen, Feriden, Fitimin, Fatimen, Hajrijen, Blerimin, Hajzerin, Halilin, Halitin, Hamdiun, Hamzën, Hamiden, Hamitin Hanifen, Hidajeten, Igballin, Igballen, Kajtazin, Kushtrimin, Lirien, Mihrijen, Murtezin, Nazmiun, Qazimin, Qerimin, Ramizin, Sabrijen, Sadikun, Salën, Selveten, bacë Shabanin, Shahinin, Sherifin, Sinanin, Smajlin, Ukshinin, Valdeten, loken Zahide dhe Zarifen, si dhe Osman Gecin, Isak Halilin, Fatime Bazajn e Smajl Bazajn.

Unë nuk mund t’i përmbledh sot në numër viktimat e atij tmerri, sado që numri i atyre që u flijuan qe tepër i madh. Sepse ata nuk janë thjesht një numër. Secili është histori më vete dhe secila histori e tyre prek rrëfimin tonë për betejën, për luftën, për ëndrrën e për realitetin e atëhershëm e të sotëm; historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës, një copë pamje në pamjen e dhimbshme, por edhe krenare të lindjes së shtetit të Kosovës, por mbi të gjitha është dëshmi se sa e kushtueshme është jeta dhe sa i shtrenjtë është çmimi i lirisë.

Të dashur qytetarë!

Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë e mbrojtën, sikur thoshte presidenti Rugova, pragun e shtëpisë së tyre e të shtëpisë së përbashkët, Kosovës, kur kjo shtëpi jona po tentohej të rrënohej së jashtmi, por po rregullohej fort e po forcohej së brendshmi, kur prishja e çatisë nuk nënkuptonte rënie të saj, sepse ledhet e saj, themelet e saj, i kishte të forta, ngase i kishte të ngritura mbi besimin në vlerat e lirisë e në solidaritetin e madh mes njerëzve. Ata e mbrojtën dinjitetin qytetar dhe nuk pranuan të nënshtroheshin për asnjë çmim.

Shtëpia e Jasharajve që mbrohej ato ditë ishte pragu përtej të cilit ne nuk shkonim: mes rënies përfundimtare e sakrificës përfundimtare si komb e kemi zgjedhur përherë këtë të dytën. Këtë e zgjodhi edhe familja Jashari dhe miqtë që iu gjendën pranë. Ata e zgjodhën këtë sakrificë, sepse kështu dëshmonin atë që dihej prej kohësh në kulturën e në traditën tonë: se mbrojtja e tokës, e shtëpisë dhe e vendit, përveçse detyrë e shenjtë, është edhe themel i traditës e vlerë qytetëruese, të cilat ne ia kemi dëshmuar botës historikisht. Ato mbesin sot e kësaj dite vlerat tona.

Prandaj, sakrifica sublime e familjes Jashari dhe e gjithë burrave e grave të këtij vendi që u rreshtuan përkrah rezistencës, dëshmon se ata u vunë përkrah botës demokratike, në mbrojtje të vlerave të lirisë e të qytetërimit perëndimor. Ne e njohim këtë model historikisht dhe ia kemi bartur botës edhe shekuj më parë, kur Gjergj Kastrioti e mbronte pragun e shtëpisë së përbashkët, Evropës dhe gjithë qytetërimit perëndimor, në portën më të ndjeshme të saj, në buzëbregun e Adriatikut. 

Ne kemi ngulmuar në lirinë për vete e për tjetrin, ngase e kemi ditur se duke i mbrojtur këto vlera, ne i kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale.

Rezistenca e familjes Jashari, prandaj, është edhe rrjedhojë e një tradite të hershme rezistencës, por edhe e një vetëdijeje se çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari. Duke qenë që herët pjesë e organizimit të rezistencës, Adem Jashari i ka bashkërenduar përpjekjet për lirinë në të gjitha format e rezistencës, duke e bashkëdyzuar veprimin institucional dhe gatishmërinë për sakrificë sublime.

Të dashur deputetë!

Të nderuar qytetarë të Republikës!

Historia e vjetër dhe e re e Kosovës është zhvilluar mbi ndjenjën e fuqishme të lirisë, e cila, fatkeqësisht  na është cenuar shpesh. Kësisoj, ne e kemi zhvilluar shpirtin e rezistencës, e cila ka ardhur duke u rritur si rrjedhojë e shtypjes dhe represionit gjithnjë e më të madh të regjimit të atëhershëm. Por, në secilin rast e në secilën periudhë, ne kemi dëshmuar për këto dy tipare të shpirtit tonë: kryengritës dhe liridashës.  Kryengritjet kanë qenë jo vetëm mjet i rezistencës, por edhe i formimi t të ndjenjës së madhe të solidaritetit e të lidhjes rreth disa vlerave të përbashkëta. Pra, ato e kanë formësuar shpirtin tonë, ndjenjën tonë për ta ruajtur çfarë është e jona e për të mos e synuar të huajën. 

Prandaj, ne do të flasim këtu e, nga këtu, nëpër familjet tona, do t’ua rrëfejmë fëmijëve tanë historinë e Jasharajve e të gjithë Kosovës në ato vite tmerri për të, por nuk do t’i nxisim të kërkojnë hakmarrje. Ne do t’u  kërkojmë atyre që të jenë qytetarë të mirë, që ta ruajnë traditën e mirë të kujdesit për tjetrin, por duke kërkuar e siguruar drejtësi.

Në historinë tonë, ne kemi rënë e jemi ngritur; kemi mësuar nga rëniet dhe e kemi kultivuar ndjenjën e lirisë më thellë e më mirë. Kur jemi përballur me dhunën, e kemi refuzuar atë, por nuk jemi hakmarrë. Trashëgimtarët e familjes Jashari, të cilët janë këtu sot me ne, së bashku me bacë Rifatin, Shaban Jashari, Ademi Jashari,  Zahide Jashari, Igballe Jashari, Adile Jashari, Bardh Jashari, Zarife Jashari, Adea Jashari, Fitim Jashari dhe i fundit, Ylli, Yll Jashari, janë këtu për të dëshmuar se e mira, megjithatë, mbisundon të keqen, se ripërtëritja është e mundur, se fija e shpresës nuk këputet asnjëherë. Ju falënderoj që sot na nderuat me praninë tuaj, duke dëshmuar se si trashëgimtarë, po kujdeseni që t’i jepni kuptim jetës suaj në republikën tonë të re.

Të dashur deputetë!

Të nderuar qytetarë të vendit!

Sot fëmijët e familjes Jashari janë këtu për të na e mbajtur të gjallë kujtimin e dhembjen, për të na e kujtuar fatin e familjes së tyre e të gjithë Kosovës së atyre viteve; për të na e përcjellë edhe një porosi bashkë me praninë e tyre: që dhimbjen e familjes Jashari e dhimbjen tonë për këtë familje dhe gjitha familjet e tjera, të cilat i dhanë më të dashurit e tyre për lirinë e vendit ta shndërrojmë në frymëzim për jetën.

Prandaj, lejomëni, ju lutem, që  bashkë me ta sot t’i ftojmë qytetarët e vendit tonë që, sikur në vitet ’90, të mbështetmi fort në forcën tonë, që kujtesën për heronjtë tanë ta shndërrojmë në shtysë për jetësim të idealeve të tyre dhe që, duke u solidarizuar më njëri-tjetrin, të dëshmojmë se mund të veprojmë bashkë për jetësimin e lirisë. Sot, respektimi dhe garantimi i lirive të qytetarëve tanë është jetik, prandaj na duhet përkushtim e dije, vullnet e atdhedashuri.

Duke i gdhendur në kujtesën tonë kolektive emrat e heronjve, të dëshmorëve, martirëve, njerëzve që derdhën dijen e gjakun për këtë tokë, ne mund të bëhemi shoqëri e cila jo vetëm frymon lirshëm, por lirshëm e krijon ëndrrën e vet.

Më lejoni që, duke e përmbyllur, ta sjell në vëmendjen tuaj një thënie të ish-kryeadministratorit të parë të Kosovës, dr. Bernard Kushner, i cili gjatë vizitës së tij të parë në familjen Jashari, më 1999  deklaroi: “Nëse do të ekzistonte një çmim “Nobel” për sakrificë, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari”.  

I bekuar qoftë kujtimi për familjen Jashari dhe të gjithë heronjtë dhe të rënët për liri!

***

Behlul Jashari: REPORTAZH NGA PREKAZI I PARA 10 VITEVE

Gazeta DIELLI riboton sot (5 Mars 2020) reportazhin nga Prekazi të korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari shkruar para 10 viteve në mbrëmjen e 31 janarit 2010, botuar të nesërmen në 1 shkurt në Tiranë te Agjencia Telegrafike Shqiptare – agjencia shtetërore-zyrtare e lajmeve e Shqipërisë:

REPORTAZH

KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë e makinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.

Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.

Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.

“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.

“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.

Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.

“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.

Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.

“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.

Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.

“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”

Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.

“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.

Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.

Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.

“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.

Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.

Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura.

Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.

Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.

“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.

“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.

Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.

Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjetori, Behlul Jashari, FSK

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT