Prof. Peter R. Prifti më kujton De Radën, është tretur për çështjen shqiptare. Ka punuar për Kombin pa kurrëfarë shpërblimi./
Nga Sergio (Sejdi) Bitici(Dielli –arkiv)/
Me 18 Gusht 2010, më erdhi ky e-mail në postën time elektronike:
“ I dashur Sergio,Të dashur vëllezër Bytyçi,
Një lajm i hidhur ka pushtuar familjen tonë qysh nga dita e djeshme. Vëllai Peter Prifti u nda nga jeta në një spital të San Diegos, Ca. pas një smundje të shkurtër.
E di që e keni dashur si njeri dhe si atdhetar për punët e kryera në shërbim të atdheut dhe të Kosovës, e di që e ftuat të kalonte verën në shtëpinë tuaj në Upstate, për aq kohë sa t’i pëlqente, si mik e dashamir. Unë ia transmetova dëshirën tuaj dhe ai m’u lut t’u shpreh mirënjohjen e tij, duke theksuar se prej disa muajsh nuk po ndihej mirë shëndetësisht për shkak se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pa shërueshme.”
Ky ishte njoftimi që ma tronditi shpirtin.
Brenda pak minutash i ktheva përgjigje Prof. Naum Priftit, duke i përcjellë ngushëllimet e mia dhe të familjes Bytyçi. Mbaj mend se i shkrova aty për aty fjalinë: ”Eshtë humbje e madhe për familjen tuaj për diasporën dhe për mua personalisht.”…
Kontaktova vëllezërit dhe ca të afërm të mij dhe mora në telefon shtëpinë e Funeralit në San Diego për t’i porositur lule, me rastin e përcjelljes së fundit nga unë dhe familja ime.
Ky ishte shkrimi im i fundit, që përcolla në drejtim të San Diegos, ku i kam shkruar për shqetësime të shumta Profesor Peter Priftit, natyrisht jo shqetësime familjare apo shëndetsore, por për problemet kombëtare, ku profesori na ndihmonte në vazhdimësi.
Jo shumë kohë të shkuara, para se të ndërronte jetë, Prof. Peter Prifti më pat thënë, se i ka ruajt të gjitha letrat e mia, së paku ruante në koleksion 100 letra të dorëshkruara.
Letërkëmbimi ynë ka filluar në fund të viteve 70-ta, kur e njihja Peter Priftin vetëm nga fama si një “avokat” i kualifikuar i çështjes kombëtare shqiptare. E kisha takuar një herë në restorantin tonë, kur ishte i pranishëm për një darkë me disa intelektualë shqiptarë. Profesor Rexhep Krasniqi më kishte folur për këtë intelektual me plot vlera dhe më kishte thënë se ishte punëtor i palodhur i çështjes kombëtare. Vendosa t’i shkruaj dhe ta njohtoj për aktivitetin tonë me atdhetarin Tahir Kerrnaja; ta informoja për punën tonë. Në fakt ne punonim ditë e net’ në organizatën “Rinia Shqiptare në Botën e Lirë”, në emër të së cilës u dërgonim telegrame, protesta, informime organizatave botërore; shpërndanim letra, botime, artikuj trakte, pamflete etj. Botonim buletinin tonë të rregullt, së pakut një herë në muaj dhe një herë në vit botonim Memorandumin mbi shtypjen dhe gjendjen e rëndë të Shqiptarëve në Jugosllavi, kopjen e parë të të cilit ia dorëzonim personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Korrespondenca me profesorin fitoi intensiteti dhe veprimtaria vazhdoi për më shumë se tri dekada. Buletini ynë , duke iu falenderuar kontributeve e studimeve të persosura të Profesor Priftit dhe të tjerëve intelektualë të nivelit të lartë u bë zëdhënës i çështjes së Kosovës martire. Serioziteti i shkrimeve dhe fakteve të Buletinit bëri që organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, por dhe State Department, nisën t’i referoheshin, madje ata përdorën të dhënat dhe burimet tona në deklarata zyrtare. Kur në letrat e mia i shkruaja Peterit, se Tahir Kerrnaja para Kombeve të Bashkuara shpërndante me dorë 4000 kopje për 30 vjet; afishe, buletine, trakte, pamflete etj., shprehte kënaqësinë dhe respektin për aktivitetin, që grupi ynë i vogël bënte për Kosovën.
Në hyrje të librit për Kosovën, dedikuar Rinisë Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, që do të dalë në dritë së shpejti me parathënie të Peter Priftit, nënshkruar në Dhjetor 2009, kam shkruar… “ 4000 trakte cdo muaj për 30 vjet të The Albanian Kosovar Youth in the Free World, të shpërndara nga Tahir Kërrnaja, para Kryesisë së Kombeve të Bashkuara në New York, është shembull i vetëm, që nuk e ka bërë kush në histori as që do ta bëjë në të ardhmen.”
Peter Priftin e kam njohur e respektuar si person modest, i rezervuar, gojë ëmbël dhe me sjellje fisnike, ndërsa veprat dhe shkrimet e tij të shumtë dëshmojnë një patriot të kulluar Shqiptar. Peter Prifti ka qenë një ushtar i armatës së Kombit që i ka dalë zot çështjes shiptare. Sa herë që dikush është përpjekur që të nëpërkëmbë çështjen shqiptare publikisht, profesori ka kryer mbrojtjen pa marrë urdhër nga askush. Psh në një artkull në “San Diego Union” me 9 dhjetor 1988, ai i shkruan editorit me shënimin e tij”Recorded History” , ku kundërshton pretendimet e artikullit të botuar në atë gazetë se kosovarët gjoja kanë ardhur si ozurpatorë të territoreve serbe në Kosovë. Prof. Prifti me argumente historike, në fakte të pa kontestueshme, shkruan “se prezenca e shqiptarëve në Kosovë është aq e vjetër sa është historia e shkruar. Ata janë pasardhës të Ilirëve, kanë qenë aty me shekuj para serbëve, të cilët erdhën në Ballkan në Shekullin e VII.”
Në gazetën “Los Angelos Times “ më 17 nëntor 1988, në përgjigje të një artikulli”Yogoslavia”, ai shkruan” Millosheviçi është korrekt kur thotë ka terror në Kosovë, por janë shqiptarët dhe jo serbët, ata të cilët jetojnë nën terror.”
Ka shumë shkrime të botuara në shtypin amerikan, ku Prof. Prifti, ka bërë rolin e avokatit Kombëtar për çështjen kombëtare. Letërkëmbimi me Prof. Priftin ka qenë i vazhdueshëm, që kur e njoha për të parën herë.
Me 12 tetor 1983, kur isha në pozicionin e zv/kryearit të Vatrës, me kryetar Harry Stoia, i pata dërguar një letër, ku i lutesha që ta pranonte pozitën e editorit, por ai i shërbeu Diellit edhe pa qenë editor i tij. E ruaj atë letër, ku shkruaja se ” Në datën 6 nëntor do të shkoj në Boston në darkën që shtrohet për nder të Xhevat Kalljaxhiut. Unë jam i mendimit që nuk ka person më të përshtatshëm si editor i Diellit se sa juve, ndaj ju lutem, që ta konsideroni seriozisht këtë mendim.”
Prof. Prifti bashkëpunoi rregullisht me Rininë Kosovare Shqiptare në Botën e Lirë, e cila u bë zëdhënëse e çështjes së situatës në Kosovë dhe publikoi të dhëna, deklaratat, dokumete, faktet, që janë përcjellë dhe janë përdorur nga State Departmant dhe qeveritë e shteteve perëndimore. Ruaj shumë letra që kam këmbyer me të ndjerin profesor në periudha të ndryshme. Në një nga ato, që mban datën 27 janar 1984, i shkruaja:” I dashur prof. Prifti,
Po ju bashkëngjis artikullin e posadalur nga shtypi “A Chilling Document of Torture of Albanians in Yugoslav Prisons”, të cilin patët mirësinë që ta përktheni ju. Parathënia që i bëtë është një kryevepër. Unë personalisht dhe Rinia, jemi miërnjohës për bashkëpunimin kombëtar që na ofroni.”…
Peter Prifti, siç shkruante në numrin e fundit të gazetës “Dielli” editori Greca, ishte dishepulli i fundit i Nolit. Jam i një mëndje me këtë vlerësim. Unë jam dëshmitar i pasionit dhe dashurisë që kishte Prof. Peter Prifti për Vatrën dhe Diellin, për themelusit e saj, për Nolin dhe Konicën. Ai brengosej për inakivitetin e Vatrës apo për vonesat e zgjatura në botimin e Diellit. Entuziazmohej kur vlerësoheshin figurat historike të Vatrës. Ruaj një letër të datës 2 gusht 2008, kur ai më shkruan tekstualisht”: I lumtë Bankës së Shqipërisë për nderimin që i bëri Nolit! Po Vatra si e nderoi? Si e përkujtoi 100-vjetorin e dorëzimit të Nolit prif? Se mua nuk më ka rënë në sy gjëkafshë. “
Peter Prifti të kujton De Radën, është tretur për çështjen shqiptar. Ka punuar për Kombin pa kurrëfarë shpërblimi.
Kosovarët edhe pse e quanin birin e Kosovës e kanë harruar kontributin e tij, nuk ka asnjë titull nderi, asnjë medalje apo mirënjohje, ndërsa shteti shqiptar e ka nderuar me Urdhërin Naim Frashëri i Klasit të Parë në vitin 1996, kohë kur president ishte Dr. Sali Berisha. Unë mendoj se Prof. Prifti meritonte më shumë, ndërkohë që në Shqipëri janë shpallë shumë Mjeshtra të Mëdhenj e shumë personalitete janë shpallur ‘Nder i Kombit”, pa qenë të tillë. Nuk ndjehem mirë kur mendoj se edhe bashkëpunëtori i Prof. Priftit dhe imi, Tahir Kërrnaja u varros me madhështi nga autoritetet e Kosovës, përfshi dhe të ndjerin President Rugova, por mjerisht sot edhe varri nuk i gjendet atdhetarit që vdiq me emrin e Kosovës më gojë. Unë pohoj me trishtim se do të duhen analiza e AND që të gjendet se ku kanë përfunduar kockat e të ndjerit Tahir Kerrnaja! Një komb që nxjerr jashtë kujtese heronjët e vet do ta ketë të vështirë të shkruaj realisht historinë kombëtare…
Tash që nuk jeton më Peter R. Prifti, mendoj se duhet t’i kthejmë sytë nga personalitetet ndërkombëtare si Noel Malcolm, Robert Ellsi , Bernard Fisher, Anna di Lellio, e miqë të tjerë të çështjes sonë kombëtare, që të kryejnë rolin e profesorit të ndjerë, që na mbronte para shpifjeve të armiqëve të Kombit. Sa për studuesit tanë, nuk di ç’të them.
Duke i mbyllur këto radhë për të ndjerin Peter Prifti, do të sillja këtu vlerësimet e studuses Eleni Karamitri, e cila shkruar një monografi të shkëlqyer për të. Sic janë shprehur studiusit monografia është mjaft e pasur me të dhëna të hollësishme për jetën dhe veprën e Peter Prifitit .
Autorja shënon fjalët e Peter Priftit:”Filozofia më pasuroi mendjen dhe shpirtin, por xhepin jo se nk e përdora për të fituar bukën e gojës.Është kjo një nga ironitë e jetës sime.” Më pas Karamitri përmend vendet ku ai punoi së pari si bashkeditor tek Dielli, sekretar i Federatës Panshqiptare”Vatra”. Përbën vlerësim fakti që Peter R Priftin e ftuan që të punonte në një institucion të rëndësishëm sikurse ishte MIT si konsulent për Shqipërinë; ku punoi për një periudhë 15 vjecare. Kr u hap katedra shqipe në San Diego, CA, Peter Priftin e ftuan që të jepte mësim atje dhe njëkohësisht u aktvizua me botimine librave për gjuhën shqipe nën udhëheqjen e alabanologut Prof. Leonard Newmark.
I rëndësishëm mbetet pohimi i tij: “Unë jetoj tashmë mëse gjysëm shekullin në Amerikë. Megjithatë nuk e ndjej veten kryesisht si vendësit. Në jetën e jashtme ngjaj mjaft me vendasit, por në zemër e në shpirt kam ruajtur farën shqiptare, pasi jam brumosur në tokën dhe ajrin e vendlindjes sime”.
Ne Foto: nga e djathta, Peter R Prifti, Sergio Bitici dhe Julika Prifti