Nga Klajdi Musabelliu/- Sot dhe nesër një nga shqiptarët virtuozë të Europës e më gjerë, violinisti Tedi Papavrami, do të luajë për herë të parë në Shqipëri ciklin e plotë të sonatave dhe partitave të Johan Sebastian Bach. Edhe pse cikli i plotë i sonatave dhe partitave të Bahut për violinë, kudo në botë, luhet rrallë në koncert. Në Shqipëri ende nuk është luajtur kurrë i tëri.
Por koncertet e Bahut në 43-vjetorin e tij janë vetëm një nga surprizat . Në këtë rikthim Tedi vjen për herë të parë si shkrimtar. Ai zgjodhi ti dhurojë publikut librin autobiografik “Fugë për violinë”, i cili rrëfen detaje të jetës së tij këtu e andej, në kohërat e vështira dhe në kohërat e famës së merituar, një udhërrëfyes për cilindo që kërkon të gjejë rrugën e suksesit.
“Është emocionuese për mua që libri të botohet në shqip. Është i vetmi vend në botë ku ai do të pritet ndryshe nga vendet e tjera. Sigurisht që jam në pritje dhe kurioz për përshtypjen që do t’u lërë shqiptarëve. Ishte pak e çuditshme për mua që përderisa libri në pjesën më të madhe zhvillohet në Shqipëri, domethënë në gjuhën shqipe, por ndërkohë unë e kisha shkruar frëngjisht. Dhe tani është një rikthim në gjuhën shqipe. Kjo bën një jehonë të çuditshme te mua, po aq sa edhe ardhja ime këtu, si dhe programi i koncerteve që kam parashikuar, i cili nuk është i rastit, pasi i kushtohet kompozitorit Bah, ai që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime dhe që është shumë prezent në këtë libër. Shpresoj që ky libër do t’u sjellë shqiptarëve diçka nga ajo që unë jam munduar ta shpreh me sinqeritet”,- tha Papavrami.
Sa i përket koncerteve, ai thotë se “nuk është i njëjti koncert që përsëritet dy herë, por dy koncerte të ndryshëm që përmbledhin një cikël të plotë veprash. Është si një koncert i gjatë i cili zhvillohet në dy mbrëmje…”.
Tedi Papavrami lindi në Tiranë më 13 maj1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katër vjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetë vjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga Qeveria Franceze, ai vazhdon studimet në Paris në “Conservatoire National Superieur de Musique”, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Pas kësaj date, zhvillimi i tij muzikor vazhdon në mënyrë të pavarur, nën këshillat e muzikantëve të ndryshëm që ka pasur rastin të takojë gjatë jetës. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.
Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer frengjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ndërkohë, ai ka luajtur në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, me orkestra të ndryshme ose në recital. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogëood, A. Pappano, M.Honeck, F.X. Roth, etj. Tedi është ndër të paktët violinistë që interpreton në koncert integrale të 24 kapriçiove të Paganinit dhe të 6 sonatave dhe partitave të Bahut. Në muajin e ardhshëm ai do të vlerësohet në Francë nga revistat muzikore Diapason dhe Classica Répertoire me dallimet Diapazon i artë dheChoc për botimin e tij të ri diskografik me 6 sonatat për violinë solo të Wzhen Izaisë.
Dy fjalë për Johan Sebastian Bach
U karakterizua si “poeti i tingujve, gjigandi i papërkulur dhe misterioz”. Shumë studiues kanë mbështetur idenë se nevojitet një përqëndrim i madh shpirtëror për të ndjekur veprat e Bachut, ashtu siç atij i është nevojitur për t’i kompozuar. Johan Sebastian Bach është njeriu që ka lënë shenjat e tij të thella në kohën dhe vendin, jo vetëm të muzikës apo të artit, por të vetë Historisë së Njerëzimit.
Ndërkohë program muzikor i dy mbrëmjeve do të vijojë si më poshtë:
13 Maj 2014, ora 19.00 në TKOB
SONATA I NE SOL MINOR BWV 1001:
Adagio
Fuga (allegro)
Siciliano
Presto
PARTITA I NË SI MINOR BWV 1002:
Allemanda
Double
Corrente
Double
Sarabanda
Double
Tempo di Bourrée
Double
Pauzë
SONATA II NË LA MINOR BWV 1003:
Grave
Fuga
Andante
Allegro
14 maj 2014, Ora 19.00 në TKOB
SONATA III NË DO MAZHOR BWV 1005:
Adagio
Fuga
Largo
Allegro assai
PARTITA III NË MI MAZHOR BWV 1006:
Preludio
Loure
Gavotte en Rondeau
Menuet I
Menuet II
Bourrée
Giga
Pauzë
PARTITA II NË RE MINOR BWV 1004:
Allemanda
Corrente
Sarabanda
Giga
Ciaccona /
****
Tedi Papavrami lindi në Tiranë, më 13 maj 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike.
Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga qeveria franceze, ai vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal.
Në vitin 1985, fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në vitin 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.
Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer në frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ndërkohë, ai ka luajtur në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, me orkestra të ndryshme ose në recitale./a.gegvataj