Shqiptarët e Kosovës ardhjen e Tadiqit në Shkodër e përjetuan thikë pas shpine: e shikoni ata s’bëjnë pa shki? Sërish kërkojnë ndihmën e Beogradit që ta godasin pjesën tjetër të kombit, sidomos Kosovën e Luginën e Preshevës./
Nga Gani MEHMETAJ/
Fushata zgjedhore në Shqipëri domosdo manifestohet në Kosovë e në territoret etnike. Mediet elektronike të Tiranës ndiqen njëjtë në Kosovë. Ka përpjekje të ngulmëta nga disa qarqe mediatike që zgjedhjeve të 23 qershorit t’u qasen si çështje të një shteti tjetër. Por qëndrimi i çoroditur i medieve, nuk ia arriti qëllimit. Nuk ka pengesa e zhurmime si dikur: teknologjinë e botën kibernetike s’e pengon dot. Është interesante se pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk votojnë, ose nuk kanë të drejtë vote me 23 qershor, por sytë i kanë në televizionet shqiptare, duartrokasin ose fishkëllejnë si në fushë futbolli, si të qenë zgjedhjet e tyre.
Në të gjitha fushatat e deritashme socialistët nuk e patën simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, nuk e kanë as tash. Po të pyeteshin “kosovarët” socialistët s’do të fitonin kurrë. Arsyet janë të shumtat. E para, Partinë Socialiste të Tiranës e konsiderojnë trashëgimtare të komunistëve më të egër në Evropë, ndërsa shqiptarët e kontinentit mbajnë në mend më gjatë se sa bashkëkombësit e tyre mesdhetar. E dyta, emërtimi socialistë u zgjon asociacione në Partinë Socialiste të kriminelit Milosheviq, që u shkaktoi aq shumë fatkeqësi në Kosovë. E treta, socialistët e Tiranës në emër të internacionalizmit socialist (proletar) u treguan shpërfillës ndaj çështjes kombëtare, që të mos helmonin marrëdhëniet me serbët e grekët.
Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni e në Luginën e Preshevës nuk e kanë asnjë parti me emërtime socialiste. Madje rrëqethën kur e dëgjojnë këtë emërtim. Socialistëve shqiptar nuk u bënë përshtypje ky paragjykim apo kjo urrejtje e bashkëkombësve përtej alpeve. Nuk u bëri përshtypje asnjëherë. Prandaj s’kanë si ta marrin simpatinë e Prishtinës, Preshevës apo të Shkupit.
Me shpërfilljen e emocioneve të gjysmës së kombit, socialistët u treguan cinik edhe me ftesën që i bënë Tadiqit, njërit ndër eskponentët më të egër të shovinizmit serb. Tadiqi ishte trashëgimtar i kriminelit serb që vdiq në Hagë. Tadiqi nuk e hoqi asnjëherë nga goja sloganin e urrejtshëm: Kosova është Serbi. Kur mori dhënë lajmi për ardhjen e tij në Shkodër si kumbar i kurorëzimit të dy krahëve socialistë shqiptar, shumë bashkëkombës të mi me pyetën: “athua ua përplasi Ramës e Metës në surrat: Kosova është Serbi?” “Edhe po t’ua ketë thënë, vëllezërve të vet ua thotë”, tallej tjetri.
Socialistët do ta ftonin edhe Milosheviqin po të qe gjallë. Është ish kryetari i socialistëve shqiptar ai që e takoi në Kretë, në kohën kur krimineli nga Beogradi bënte kërdinë në Kosovë. Kështu frymon kjo kastë politikanësh shqiptar, as që u bënë përshtypje çka ndjejnë në Kosovë, ndërsa vijnë si lypsarë të kërkojnë mbështetjen e tyre nëpër promovime e fushata. Madje vajtojnë pse shumica absolute kanë simpati për Sali Berishën.
Praninë e Tadiqit në Shkodër, ditën e kurorëzimit të qiftit Rama-Meta, në Prishtinë e përjetuan si veprim i paparë, akt mjeran, thikë pas shpine. Disa filluan t’i përgjithësojnë gjërat nga mllefi i çastit: “e sheh ata nuk bëjnë pa shki dhe pa ndihmën e Beogradit?” Prania e Tadiqit në Shkodër qe provokim edhe për ndjenjat e shkodranëve të cilët pësuan më së shumti nga serbët e Tadiqit gjatë Luftës së Dytë e më vonë, kur i vrisnin xhelatët komunist më urdhër të Beogradit. Vizita fatkeqe në Shkodër qe një goditje e shurdhër pas koke për shqiptarët e Kosovës, që një zhgënjim dëshpërues, sepse nuk mund ta besonin se një parti shqiptare, pavarësisht të kaluarës kriminale, do të ftonte ish-presidentin e shtetit më armiqësor të shqiptarëve në qytetin, i cili kurrë nuk e mori vetën nga vrasjet e elitës intelektuale e priftërore të Shkodrës. Kurorëzimi i dy partive socialiste nga shkjau i Beogradit më simbolikën e kumbarës, ishte diçka që nuk e prisnin as nga Edi Rama. Si do të arsyetohet Rama me këtë kumbari para simpatizuesve të vet në Prishtinë, nëse i mbeti ndonjë syresh?
Një kategori e opinionit të ne, filluan të kthejnë kujtesën e aleancave më antikombëtare që u bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kurriz të Kosovës. Cili është kumti ogurzi i aleancës më të re? Shqipëria atë botë nuk qe me aleatë kundër nazizmit, por kishte aleancë me Jugosllavinë e Rusinë, kundër qytetërimit perëndimor. Le të çirren sa të duan historianët e tipit Milo e Xhufi se ishin aleatë më anglo- amerikanë. Tadiqi në Shkodër sikur nxiti ca paragjykime më të hershme me prirje të ndasive të frikshme krahinore, kur toskët i identifikonin me komunistë serb e malazezë, fal Enver Hoxhës, ndërsa gegët me kombëtarët shqiptar. “E sheh? Ata prapë u bënë me Serbinë, na e dhanë edhe një thikë pas shpine si në kohën e Enver Hoxhës”, qarkullojnë dyshime të vjetra. “Nipërit e Enverit vuajnë nga sëmundja patologjike e inferioritetit ndaj shkjaut”, vazhdojnë komentet nëpër kafenetë e kryeqytetit ët Kosovës.
Tadiqi në Shkodër i skandalizoi dhe i bëri shqiptarët e Kosovës t’u mbetej hatri edhe ndaj qytetit të tyre më të dashur: si është e mundur që Shkodër locja, të mos reagoj, të mos e dëbojë me gurë e me shkopinj shkjaun? Kur morën vesh për ardhjen e Tadiqit në Shkodër, njëra ndër pyetjet e para ishte: ku mbeten shkodranët e moçëm, prijësit e nacionalizmit dhe shtylla e kombit? Ku janë ata shkodranë të cilët dikur dërguan oficerë elitar për të mbrojtur territoret etnike nga sulmet e shkjaut në Rozhaje e Berane e në tërë Mbasbjeshkën.
Tadiqi në Shkodër i mobilizoi edhe më shumë shqiptarët e Kosovës t’i forcojnë paragjykimet e urrejtjen ndaj nipave të Enverit. “Si do tu dukej çamëve sikur në Kosovë të vinin nipat e gjeneralëve grekë që masakruan popullatën e Çamërisë?” Shtrohej njëra nga pyetjet, më përgjigjen e atypëratyshme: “S’do të guxonte asnjë parti “kosovare” të bënte një hap të këtillë”. Ndërkaq, socialistët nga Tirana morën bekimin e krye socialistit nga Athina! Për “kosovarë” e për “çamë” s’u bëhet vonë.
Maskenballi i Shkodrës me shkjaun Tadiq, kumbar i kurorëzimit të socialistëve shqiptarë, e forcoi edhe më shumë simpatinë tradicionale për të djathtën shqiptare. Maskenballi i Shkodrës e forcoi lidhshmërinë emocionale për Sali Bersihën, jo pse është i veriut, sepse janë shqiptarët e Kosovës, ata të cilët më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë e luftojnë ndarjen toskë-gegë, e cila përvijohet tek-tuk në Shqipëri. E djathta shqiptare gëzon popullaritetin më të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në territoret etnike. Ndërkaq, Sali Berisha gëzon simpatinë e shqiptarëve përtej alpeve jo vetëm pse është deklaruar më shumë se të gjithë politikanët e tjerë për shtrirjen historike e gjeografike të kufijve shqiptar, duke rrezikuar t’u nënshtrohet kritikave të rrepta të analistëve pro grek të cilët u brengosen pse Berisha kërkon Janinën a Prevezën, ndërsa nuk e thanë asnjë fjalë brenge, kur nipi i Milosheviqit ia behu në Shkodër. Lideri i së djathtës e ka mbështetjen e përtej alpeve, jo vetëm pse e bëri rrugën e kombit, me të cilën e ngjalli bregdetin shqiptar, sepse nga Velipoja në Ksamil turizmi qe buzë falimentimit, po të mos vinin “kosovarët”. Për rrugën e kombit, Berishën duhet ta votojnë shqiptarët nga Velipoja deri në Butrint, sepse atyre ua hapi dyert e turizmit.
Kundërshtari i Berishës , Rama sa herë erdhi në Prishtinë, u prit ftohtë nga kryeqytetasit, ndërsa elita intelektuale nuk e përfilli fare. Vizitat e Ramës në Prishtinë me numrin e atyre që i erdhën në promovime librash ishte më e pakët se në promovimet e librave a të filmave të gazetarëve të TV Klanit a Televizionit shqiptar.
Po erdhi Berisha në Prishtinë, çfarë do të bëhej? Do të mbusheshin rrugët e sheshet. Kjo u dëshmua sa herë erdhi në ndonjë çelje rruge a ngjarje tjetër: pati simpatizues më shumë se sa politikanët e Kosovës.
Prandaj është mirë t’ua bëjë qejfin simpatizuesve të vet.(falenderojme autorin qe e dergoi komentin per Diellin)