Admirali i Marinës së SHBA-ve, Mark E. Ferguson III, Komandanti i Forcës së Përbashkët “Komanda Napoli”, u takua të mërkurën me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta, në kampin “Film City”, Shtabin e KFOR-it të NATO-s. Kjo ishte vizita e parë e admiralit Ferguson në selinë e KFOR-it që nga emërimi i gjeneralit Miglietta si Komandant i KFOR-it, më 7 gusht. Admirali Ferguson është njoftuar në mënyrë të hollësishme nga Komandanti i KFOR-it dhe stafi i shtabit të përgjithshëm mbi zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale të sigurisë e asaj politike në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.
“Komandanti i Forcës së Përbashkët në Napoli shprehu vlerësimin e tij në angazhimin e trupave të KFOR-it për stabilitetin e së ardhmes të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së saj në zhvillimin e institucioneve të sigurisë, të cilat janë në gjendje të funksionojnë pa ndihmën e NATO-s”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga KFOR.