• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FUNERALI I PAFUNDEM- Kori që shndërrohet në kortezh

May 10, 2021 by dgreca

Funerali i pafundëm është një libër tronditës për një Shqipëri të brendshme, të supozuar nga Zhiti, që mban gjallë dhimbjen e tragjedisë antike greke. Në fakt është areali i improvizuar që kori i personazheve-maska intonon, duke përsëritur zërin e qartë dhe të rëndë të një choragos-i, një rol që Zhiti e merr përsipër deri në fund…./

Shkruan: Adrian Lësenciuc*/

Emri i Visar Zhitit nuk është i njohur aq sa duhet nga rumunët. Në fakt, letërsia shqipe na është imponuar me një emër të vetëm, Ismail Kadare, dhe dimensioni universal i veprës së tij  (përkthyer nga M.D) ka ndihmuar që emri i tij të mbahet në ballë të kësaj letërsie. 

Visar Zhiti lindi në diktaturë në Durrës dhe u diplomua në Institutin Pedagogjik  në Shkodër po në diktaturë. U arrestua dhe u burgos për tetë vjet nga regjimi i Enver Hoxhës për “fajin” e vetëm se kishte shkruar poezi dekadente (për një vëllim poetik të çuar për botim). Poezia e Zhitit u botua vetëm pas rënies së Perdes së Hekurt. Vëllimi debutues, Kujtesa e ajrit, nga viti 1993, ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe autorit të tij iu dha Çmimi i Republikës së Shqipërisë për letërsi. Dhe vëllimet e tjera me poezi ishin me vlera të afërta me vlerën e të parit. Romanet e tij gjithashtu u pritën me entuziazëm nga kritika. Shumë vepra të tridhjetë viteve të fundit janë përkthyer në shumë gjuhë. Zhiti ka marrë çmime të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht në Itali. Ndonëse ende i panjohur mjaftueshëm për publikun e gjerë rumun, vëllimi i tij me poezi Psalm u përkthye nga Renata dhe Luan Topçiu në 1997 dhe romani Funerali i pafundëm u botua për herë të parë në Shtëpinë e mirënjohur Botuese Leda – Corint në 2008, me përkthim të Luan Topçiut. Një ribotim i kohëve të fundit dhe i riparë i këtij romani u botua në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese A. Vëllimi poetik Flatra e mundur, përkthyer nga Luan Topçiu dhe Renata Melonashi, u botua në të njëjtën Shtëpi Botuese një vit më parë.

Funerali i pafundëm është një roman atipik, më tepër një antiroman, një prozë e çartur, që nuk i nënshtrohet aspak konvencioneve, një tekst që shumë vështirë mund ta karakterizosh me termat me të cilat Romul Munteanu u përpoq të zbusë Romanin e Ri Francez përmes preludeve të një poetike të  antiromanit. Funerali i pafundëm duket se minon edhe konceptin e antiromanit, të cilin Sartre e shihte si të zënë rob në pamje të jashtme dhe në konturet e romanit. Romani shfaqet më së shumti si një epikë në tre pjesë të pabarabarta: “Udhëtimi i zi”, “Elipsa dhe Corona V” dhe “Anti-Funeralet” (epilog) dhe 66 këngë, të hapura nga një “fletë e grisur nga fundi për t’u lexuar si fillim”. 

Teksti i Zhitit përshkruan rrjedhën e një turme të papërcaktuar, jo konsistente në një marshim drejt vdekjes. Padyshim që rruga është vendosur sipas koordinatave ideologjike dhe shtysës së turmës, si një shëmbëlltyrë e errët e shekullit të njëzetë:

“…të ikësh larg. Sa më tepër këmbë, aq më pak lodhje. Të qenët bashkë, shumë njerëz njëherësh, të ngjall ndjenjën e fuqisë, e cila shtohet edhe nga e ecura. Kokët janë të rrezikshme.Të menduarit ndryshe gjithmonë prish punë. Rrugëtimin e bën më të lehtë mendimi i njëjtë, i vetëm, i përbashkët. I ngjashëm me yllin e karvanit që ndrit njëlloj për të gjithë. Dhe ai ecën me të gjithë, i largët, digjet si plaga e tjetrit që nuk dhemb kurrë. Është më mirë të mos mendosh, se jo vetëm nuk lodhesh, por shmang edhe mëdyshjet, që gjithmonë bëhen pengesë. Vetëm të ecësh. Ka më siguri, kur mendimi mungon fare. Ky është ideali: mungesa e tij. Se ka dhe epidemi ideologjike, dreqi e marrtë.  ”(P.11)

Funerali, i drejtuar nga forca shtypëse dhe instinkte, duke shkuar drejt një destinacioni të vështirë, i drejtuar nga quasi-prania e një arkëmorti, ka gravitetin e  “Librit të Pëshpëritjeve” të Varujan Vosganian-it. Turma mbahet nga dëshira e thjeshtë për t’u radhitur me normën e imponuar, nga përgjigja adekuate ndaj rrymave të mëdha ideologjike të fundit të shekullit. “Funeralii pandemive ideologjike”, siç e quan përkthyesi Luan Topçiu, një funeral i përbërë nga “personazhe maska” dhe “personazhe zëra”, avancojnë në vijimësinë e këngëve të epopesë, si vetë historia e nivelimit, duke lënë pas hapësira dhe kohëra, të marra së bashku, të kuptuara së bashku, në një pastë topologjike ende të papërfunduar: “Iknim dhe iknim. Ktheva kokën pas. Arrita ta shoh prapë varrezën, teksa zvogëlohej e zbardhte si një kope e mbetur delesh, e palëvizshme në vapën e mesditës. Dhe dielli i ftohtë m’u duk si një kafkë dordolecësh për të trembur gjithçka […] ”(f.31). Peisazhi (pas) apokaliptik është i populluar nga bunkerët e Hoxhës, mbi të cilët ka punuar një nga personazhet – zëra, varreza, qytete të shkreta, vende të thata e gurishte. Një Shqipëri që kaloi nga autoriteti osman në komunizëm, një Shqipëri e sekularizuar pa vullnetin e saj, rigrupohet në kolonën mortore, e pasigurt si e kaluara e vendit, e fshehur në të njëjtën mjegull si në veprën e Kadaresë: një Shqipëri që kishte jetuar, në funeralin e njëpasnjëshëm të vdekjeve të Stalinit, Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës: “Kur vdiq Enveri, madhështia e tij ishte e rreme, si çdo gjë që i përkiste atij.” (f. 57)

Shqipëria në funeral hyn në gjysmën e dytë të epopesë në stinën e shirave, baltës dhe mallkimeve – një imazh i identifikueshëm edhe në veprën e Kadaresë – i udhëhequr nga një arkivol intuitiv, një ideologji e balsamosur: “Na udhëheq një arkivol që herë duket e herë zhduket, sipas kthesave që merr funerali, sipas motit, mjegullave dhe lojës gënjeshtare të dritës, të përpjetave idiote dhe të tatëpjetave edhe më idiote, duke përhapur duhmë kufome që s’kalbet… ”(f.136). Arkëmorti që ende drejton turmën e kortezhit, në të cilin mbyllet historia e kalbur e bindjes, ruan peshën e tij: “një i ri pas meje po më thoshte me zë të mallëngjyer, ngaqë njëri sup i tij kishte përsipër ca arkivol, se pesha që mbartnim, kishte rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe kujdesi që bota të mos na e grabiste, duhej të ishte i tejshëm, mbi çdo sakrificë. “(f.161). Ditari i këtij udhëtimi, fort i poetizuar: “ngrita kokën i shushatur dhe pashë të drunjëzuar qiellin e arkivoltë, të brejtur nga krimbat e yjeve.” (f.166), kur e kur me këngë ose faqe që mungojnë, me faqe të fshira, me faqe – pasthirrma, është ajo në të cilën e gjithë dhimbja e marshimit është e shkruar përmes një jete të vjedhur, të mbyllur, të robëruar në ideologjinë e balsamuar, por duke transmetuar ende duhmën e historisë që nuk i nënshtrohet çmitizimit. Turbullues dhe dramatik është ky rrëfim i stërhollësive dhe qëndismave poetike, kjo alegori e historisë që shtyp nën peshën e vet njeriun që i nënshtrohet turmës dhe atë jashtë saj, secili “Secili nga ne është një arkëmort i gjallë i vdekjes që s’vdes. Mbi supet e tjetrit dhe të botës.”(f. 203), e cila fshin edhe poezinë e pamasë të ndryshimeve të dukshme: “Funerali i pafundmë vazhdonte rrugën e pafundme në mijëvjeçarin e ri. Dukej sikur s’kishte ndryshuar asgjë.”(P.207), ai vetë ende një pjesë e papërfunduar e marshimit të varrimit.

Funerali i pafundëm është një libër tronditës për një Shqipëri të brendshme, të supozuar nga Zhiti, që mban gjallë dhimbjen e tragjedisë antike greke. Në fakt është areali i improvizuar që kori i personazheve-maska intonon, duke përsëritur zërin e qartë dhe të rëndë të një choragos-i, një rol që Zhiti e merr përsipër deri në fund….

*Choragos, drejtues i korit, por që këndon dhe vetë, në Greqinë e Lashtë

*România literară#  nr. 10/2021

  • Visar Zhiti. Funerali i pafundmë. /

Përkthim në rumanisht nga Luan Topçiu. /

Pasthënie nga Liviu Lungu, 2020, 

Shtëpia Botuese “A”. 224 f.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adrian Lësenciuc, Funerali i pafundem, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT