Nga Agim Hamiti/
I ndjekur nga policia spanjolle, një helikopter me ngarkesë hashashi (të paktën një ton), i drejtuar prej majorit shqiptar Sokol Feka, është rrëzuar parmbrëmë pranë qytetit malor Cortes de la Frontera, pasi është përplasur me një shtyllë elektriku të tensionit të lartë. Feka dhe ndihmësi i tij, që ndodhej në bord, kanë humbur jetën.
Sokol Feka ushtronte detyrën e instruktorit në bazën ajrore të Farkës, me gradën major. Meqenëse ai vdiq, Mimi Kodheli dhe «Rilindja» kanë fushë të lirë për të gënjyer, duke ia faturuar fajin «atij që vdiq». Mirëpo ky skandal nuk është një rast i veçuar, por një hallkë më tepër në zinxhirin e veprimtarive mafioze të qeverisë shqiptare.
Avioni me ngarkesë asimetrike hashashi ngeci në Divjakë. Një tjetër laborator droge u zbulua së fundi në Vlorë, pas atij të Xibrakës! Faktet e mëvonshëm vërtetuan se Lazarati nuk e meritonte titullin «principata e hashashit», sepse u gjetën të tjerë plantacione edhe më të mëdhenj në Veri. Pastaj ata u lanë të veprojnë në heshtje; një taktikë djallëzore tashmë e mirënjohur: «bëj zhurmë vetëm për konsum publik, por lumin e drogës lere të rrjedhë i qetë». Ndërkohë nipi i Diktatorit «Hero Populli» po dergjet në birucat e gjyshit, falë fakteve të pakundërshtueshëm të fajësisë së tij që disponon policia gjermane dhe kundër dëshirës së pasardhësve të Enverit në pushtet, të cilët edhe mund ta lirojnë ndonjë ditë forcërisht nipin e dashur, duke u thënë autoriteteve gjermane: «nuk pranojmë ndërhyrje në punët tona të brendshme».
Ku ke ndërmend ta çosh Shqipërinë, «Rilindje» e Droguar?