
-Seminari i 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nis punimet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë/
-Kryeministri Kurti: Nëse albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet/
-Historiku i Seminarit të themeluar para 47 viteve…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 23 Gusht 2021/ Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 47 viteve. Punimet e Seminarit mbahen nga 23 Gusht deri më 3 Shtator 2021.

Në ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit ishin të pranishëm: Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës; Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës; Edona Maloku, Zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës; Sabri Laçi; Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë, Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.
“Prodhimi i multidisiplinaritetit, relacioni i hollë i metodës me përmbajtjen, cilësia e shqipes dhe formëzimeve të saj letrare dhe kulturore, janë tri detyrat e përhershme që i kam ndeshur gjatë jetës në merakun e zëdhënësve tuaj”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para studiuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare, profesorëve dhe zyrtarëve të institucioneve universitare dhe shtetërore, në ceremoninë e hapjes.
Për pikën e tretë, Kryeministri Kurti tha se kemi një rënie në plan të përgjithshëm. “Besoj se po shpreh shqetësimin tuaj në këtë pikë. Drejtshkrimi dhe leksiku janë dobësuar nga tre shkaqe: 1. shkëputja e sistemit arsimor, për shkak të ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete (duhet të mendojmë këtu edhe arbëreshët e Italisë), për shkak të aparteidit serb, për shkak të çoroditjes së sistemit arsimor gjatë dekadave të fundit; 2. Mësymja e teknologjive dhe mediumeve të tyre e sidomos thjeshtimi dhe rrallimi i shkrimit që kërkohet prej tyre; 3. Fakti që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë larguar prej trojeve këto tri dekadat e fundit (pa përfshirë ata që kanë shkuar më herët)”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi se nëse ndiqet teza themelore se albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet në një pjesë të trupës së tyre.
Në një fjalë rasti, Zëvendësministrja Edona Maloku, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë uroi fillimin e Seminarit, duke përmendur traditën e gjatë të Seminarit që ka nisur nga viti 1974. Gjithashtu, ajo e ka përgëzuar Seminarin për temat e zgjedhura ndër vite.
“Sivjet, bie në sy gërshetimi i bukur i traditës së seminarit me temat që prekin të rejat aktuale si lajmet e rreme e infodemia, që janë bërë më relevante se kurrë në këtë kohë pandemie. Trajtimi i temave të tilla në kuadër të Seminarit ndihmon që të kuptohen më mirë e më thellë mënyrat se si gjuha mund t’i ndajë njerëzit, por edhe të gjejë mënyra se si gjuha mund t’i bashkojë ata”, ka thënë Maloku. Më tutje, ajo ka thënë se përkrahja nga kjo ministri është bërë me kënaqësinë më të madhe.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.
“Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe i Kulturës Shqiptare paraqet padyshim njërën ndër forumet më të rëndësishme, i cili organizohet për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë, kulturë tonë dhe albanologjinë në përgjithësi”, ka thënë Rektori.
Po ashtu, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova ka falënderuar pjesëmarrësit dhe seminaristët që kanë marrë rrugën për Prishtinë në këtë periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik dhe ka theksuar rëndësinë e Seminarit për albanologjinë.
“Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë Dekania.
Ajo nuk ka lënë pa përmendur miqësitë mes studiuesish, shkëmbimet e studentëve dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Rugova e ka përgëzuar gjeneratat e reja, duke mos harruar kontributin e albanologëve të tjerë.
Drejtori i Seminarit të sivjetmë, Profesor Shkumbin Munishi, ka theksuar organizimin e këtij Seminari në një kohë të jashtëzakonshme, i organizuar në kohë rekorde, që do të duhej të mbahej në tetor të 2020-ës, por shkaku i situatës me pandemi ishte anuluar.
“Sivjet po bëhen 47 vjet që kur ka filluar organizimi i Seminarit. Janë 47 vjet histori dhe traditë e padiskutueshme që e bëjnë Seminarin të veçantë dhe të patejkaluar jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë”, është shprehur Munishi.
Tutje ai e ka falënderuar rektoratin e Universitetin e Prishtinës që e ka mbështetur Seminarin në këto rrethana. Dhe në fund ka shpallur të hapur zyrtarisht edicionin e 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.
Seminarit në vitin 1991 i është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme okupatore të Serbisë. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.Pas çlirimit të Kosovës në Qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.