• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët këto ditë dhjetori në Zvicër

December 16, 2019 by dgreca

Shkruan: ALFRED PAPUÇIU*/

Shkas për këtë shkrim në këto ditë para Krishtlindjeve, u bë miku im nga Kosova, Samiu. Atëherë, duke mbajtur në krah djalin e tij, Gentin, që shihte varur në mur flamurin kombëtar, ai më dhuroi ndër të tjera një kasetë me muzikë të artistes sonë të Popullit, Vaçe Zela. Nuk e di, por në mbrëmje e dëgjoja me vëmendje zërin melodioz të Vaçes, ato këngë të viteve ’60-’70 dhe m’u kujtua koha kur ajo këngëtare me atë zë kumbues e të fuqishëm i këndonte Atdheut të saj, Myzeqesë, ku ka lindur e jetuar, të gjitha trojeve shqiptare. M’u kujtua edhe miku im, ish-bashkënxënësi, inxhinieri Budjoni, të cilin e takova rastësisht në Florida ku është vendosur me familjen e tij. Ai më pyeti atëherë për Vaçen, për shëndetin e saj dhe unë të them të drejtën nuk dija më shumë se ai, megjithëse Vaçe Zela banonte në Zvicër. Ndoshta puna, hallet e përditshme nuk na kanë lejuar të takohemi me të gjithë njerëzit në Zvicër e mbi të gjitha me një artiste të madhe, e cila e ka kohën e kufizuar dhe nuk është me shëndet të mirë. Ndoshta një rast do të ishte një ditë feste ku të ftoheshin shkrimtarë, piktorë, studentë, punëtorë të nderuar, që për vite të tëra jetojnë në Zvicër. Natyrisht, shqiptarët shkojnë te njeri-tjetri dhe bisedojnë për hallet e tyre, e megjithëse larg, diskutojnë me dashamirësi edhe për vendin e tyre, Shqipërinë, për të afërmit, për shokët e tyre.

Në këto ditë dhjetori, më kujtohen edhe miqtë e Shqipërisë, personalitete të fushave të ndryshme, të cilët nga mënyra se si komunikojnë me shqiptarët, qoftë në takime zyrtare apo sipas ftesave në familjet e tyre, tregojnë interes për Shqipërinë, si dhe kanë respekt për të gjithë ata shqiptarë që japin ndihmesën e tyre në një mënyrë ose një tjetër për vendin e vet. Edhe tani, pas pasojave të tërmetit. Kadri Avdullahi, që banon në Gjenevë, më shkruan nga Tirana se solidariteti i bashkëbesëlidhësve po pasqyrohet kudo me ndihmat që po vijnë nga shumë vende të botës. Ledi Ikonomi më dërgon çdo ditë njoftime mbresëlënëse. Robert Rakipllari, i “Panoramës”, e ka gazetën me njoftime për ndihmat që do japë Europa, Amerika dhe vende të tjera dhe për organizimin e Konferencës së Donatorëve. Gjergji Biba më shkruan për solidaritetin e bashkëbesëlidhësve kudo në botë. Njoftime që të mallëngjejnë.

A mund të mos përmend piktorin e talentuar, të ndjerin Bujar Marika, i cili në çdo ekspozitë pikture që ka organizuar në Zvicër, Gjermani, Francë e gjetiu apo që piktura të tij janë depozituar edhe në muze të SHBA-ve, gjithmonë e ka përmendur prejardhjen e tij nga Shqipëria dhe ka qenë krenar për këtë? Më kujtohet si sot kur studentë të shumtë që studiojnë në Gjenevë, vunë mbi ballkonin e ndërtesës ku banojnë, si dhe në stadium, flamurin shqiptar, ditën kur Shqipëria luajti në Gjenevë me Zvicrën. Nuk mund të ri pa përmendur kujtimet e Tafil Boletinit, këtij atdhetari të përkushtuar, i cili e vuri jetën e vet në shërbim të kombit e atdheut, si demokrat, pa menduar për interesin vetjak, por për njerëzit e thjeshtë edhe gjatë kohës kur ishte në Fier. Në këto ditë dhjetori, pas pasojave të tërmetit, të përkushtuarit Hasan Barmeta, Erlind Llupo dhe bashkëshortja e tij, Jorida dhe Roel Zoga, dhe shumë të tjerë, kanë filluar punën për të pritur në muajin prill 2020, klientët e parë që do të vijnë të pushojnë në plazhet tona të bukura të Golemit apo bregdetit tonë nga Saranda në Velipojë.

A mund të ri pa përmendur në këto çaste, André Crettenand, i cili tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës, te libri i tij “Zvicra – zbulimi i një Kombi”? Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tri dekadave të jetës sime në Zvicër, që e kam përshkruar disa herë, me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë, që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por t’ju them të drejtën, ky libër më ka bërë të mendoj edhe për kombin tonë, që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

“Helvétia është një mit, – shprehet autori. -Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, me gjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetëmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon? Që nga brigjet e liqenit Leman deri te fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qendrore, deri te luginat e Valesë, te rrëpira deri në kufijtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtyt. Por kujdes. Kjo lumturi e të qenit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese”.

A mund të mos përmend profesorin e dëgjuar zviceran, anëtarin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jean-Philippe Assal, i cili në një ceremoni për nder të tij, përmendi të parën Shqipërinë, nga vendet ku ka mbetur i impresionuar dhe janë realizuar projekte në fushën e shëndetësisë, si dhe do të realizohen edhe në të ardhmen? Nuk mund të ri pa përmendur edhe të ndjerin, muzikologun Marcel Cellier, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik shqiptar, i cili me nagrën e tij ka realizuar emisione aq mallëngjyese për Shqipërinë në “Radio Suisse Romande”, disa muaj me radhë. Apo i madhi, kineasti Freddy Buache, i cili mbeti i impresionuar nga vizatimi i portretit të tij, prej kineastit shqiptar, Bujar Kapexhiut, gjatë ditëve të filmit shqiptar, në Kinematikën zvicerane në Lozanë? Shkrimtarja e dëgjuar zvicerane, Marie-Luce Dayer, me të cilën po përgatis një vëllim tjetër dygjuhësh me titull “Në krahët e shqiponjës”, pas “Karuzelit të ëndrrave”, botuar në shqip, e njeh Shqipërinë dhe shqiptarët nga shkrimet dhe bisedat me shqiptarët, nga Ismail Kadare, nga respekti që ka krijuar për fëmijët shqiptarë, të cilëve u ka dhënë me dashuri mësim. Çdokush që kalonte vite më parë në Rrugën e Elbasanit, nuk mund të mos ndalte shikimin te shkrimtarja zvicerane, profesoresha Francine Koch, autore e librit “Fëmija shqiptar me sy të zinj”, një libër mbresëlënës, me përshtypje vetjake gjatë vizitave në Shqipëri, që ndërmori në vitet 1994-’97. Atë libër që unë e përktheva në shqip, me shumë dëshirë, ato ditë dhjetori. Më kujtohet një darkë, kur ishim ftuar nga Francine Koch në një festë të organizuar në Gjenevë për Shqipërinë. I gjithë mjedisi ishte me plot fotografi nga Shqipëria, fëmijë zviceranë dhe shqiptarë, edhe nga Kosova, të gëzuar kërcenin së bashku. Kudo kishte flamurë shqiptarë. Një simbol i madh që na krijonte përshtypjen se ishim në Shqipëri apo Kosovë, në tokën tonë. Nuk mund të harroj humanistin Musa Zenelaj, i cili ishte i përkushtuar deri në fund të jetës së tij, për t’ua bërë sa më të lehtë jetën pacientëve që vuanin nga talasemia në Shqipëri. Në sa e sa konferenca ndërkombëtare kemi marrë pjesë me të, organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë, TIF, ku ai ngrinte zërin për të ndihmuar Shqipërinë me ndihmesë teknike për pacientët e shumtë talasemikë. Ai vazhdonte këtë rrugë pas përpjekjeve të profesorëve Selaudin Bekteshi, Enis Boletini dhe Afërdita Gusho, që gjithë jetën e tyre u përpoqën t’ua bënin sa më të lehtë jetën pacientëve shqiptarë.

Krahas këtyre vlerësimeve për personalitetet e huaja dhe shqiptarë, më kujtohen mbresat e atyre ditëve të dhjetorit, kur ishprofesori im i letërsisë, fisniku Nonda Bulka, na ftoi të zhvillonim mësimin në kodrat e Liqenit të Tiranës. Një çast i paharruar atë ditë të bukur, që besoj se u kujtohet të gjithë shokëve dhe shoqeve të mia të universitetit. Më kujtohet dhe profesori i paharruar, Vedat Kokona, i cili ditëve të dhjetorit ngjitej me ne në këmbë në malin e Dajtit, me gjithë moshën e tij atëherë, mbi 60-vjeçare. Ai na shpjegonte me dashuri e erudicion letërsinë frënge dhe fliste me admirim për korifenjtë e asaj letërsie, veprat e të cilëve i përktheu gjatë gjithë jetës së tij. A mund të ri pa përmendur të paharruarin Reis Malile, tepër njerëzor, që një ditë dhjetori nuk harronte të na dërgonte, megjithëse ishim larg atdheut, përshëndetje dhe urime për Vitin e Ri që do të vinte. Më kujtohen ato ditë dhjetori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke pasur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja dhe shumë shkrimtarëve e piktorëve të tjerë, përfshirë edhe piktorin e shquar Agim Faja, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës “Fatosi”, për të nxjerrë numrin e saj. A mund të ri pa përmendur akademikun Bedri Dedja, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili me gjithë moshën e tij mbi 70-vjeçare nuk reshte pa shkruar edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërrakët e Shqipërisë kudo që ishin, që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Romani i tij i ri që titullohet “Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3”, i redaktuar në mënyrë të përkryer nga bashkëshortja e tij, Pandora Dedja, i drejtohej, siç thoshte vetë autori, popullit të kalamajve, jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen gra e burra, deputetë, ministra e kryeministra, presidentë, prefektë, kryetarë bashkie, drejtorë, inxhinierë e artistë. “Përrallat e Zvicrës” që unë i përktheva profesorit të nderuar në frëngjisht, lexohen nga vocërrakët shqiptarë, zviceranë dhe gjetiu. A ka krenari më të madhe se të jesh shqiptar, kur lexon shkrimet e shkruara me dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët nga Bajroni, Robert d’Angely e qindra të tjerë? Ne jemi krenarë që i përkasim një populli që gjuha e tij është një nga gjuhët origjinale indoeuropiane më të vjetra dhe që ka mbetur e paprekur me gjithë invazionet e shumta të huaja. Një gjuhë që vazhdojnë ta flasin e mësojnë fëmijët shqiptarë në Zvicër, Amerikë, Gjermani, Kanada etj., e mijëra të tjerë, falë edhe kujdesit të autoriteteve të këtyre vendeve. Këto ditë dhjetori, na bëhet zemra mal kur kujtojmë solidaritetin e përkryer pas rënies së tërmetit në Shqipëri, të një populli që ka pasur Nënë Terezën si bashkatdhetare. Të respektosh dhe të duash vendin tënd, të punosh me devotshmëri për të kudo që je, është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi. Të tillë janë miqtë, shokët, të afërmit e mi kudo janë, në Zvicër, Sunio, Toronto, Nju Xhersi, Nju Jork, Florida, Las Vegas, Berlin, Bordo, Londër, Stamboll, Stokolm, Romë, Shqipëri etj., etj.. Prandaj, në këto çaste, duhet flakur tej fryma e klaneve, e futjes së pykave midis bashkatdhetarëve kudo që janë, e shpërndarjes së fletushkave apo e letrave anonime kundër bashkëkombësve nga ana e njerëzve dështakë dhe arrivistë, që vegjetojnë ende edhe pak edhe nëpër rrugët e Europës apo botës. Në fakt, ata nuk i shërbejnë kombit, por prishjes së frymës së kohezionit, të dashurisë për njëri-tjetrin, ata i shërbejnë kthimit të një kohe që ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Do të ishte me mend që ata të kujtojnë se jetojnë në vende si Zvicra apo edhe gjetiu, ku bashkëjetojnë me zviceranët apo popujt e këtyre vendeve, shumë përfaqësues nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligje. A nuk duhet të marrim shembull nga shumë popuj të vendeve të tjerë, që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për të punuar dhe jetuar edhe në një shtet tjetër, qoftë edhe për disa vite, dhe që e duan njëritjetrin, bashkatdhetarin e tyre, e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe me sa kanë mundësi japin ndihmesën e tyre me investime për shtetin e tyre amë? Por kjo do të arrihet nëse krijohet një frymë solidariteti apo mbështetjeje nga të gjithë ata që e ndiejnë se edhe diaspora shqiptare, kudo që është, të afrohet dhe të bëhet e ndërgjegjshme për fatet e një kombi të lashtë dhe që nuk mund të zhduket kurrë, me gjithë anatemat apo pykat e ndonjë keqdashësi të kohëve moderne. Fatet e Shqipërisë dhe të Kosovës, mund të mbrohen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare apo politike, si dhe nga miqtë e tyre të shumtë në botë. Ky meditim personal përçohet i tëri nga mbresat e mia të sinqerta jetësore, nga dashuria dhe malli për atdheun, nga synimi për të sjellë si një shqiptar i thjeshtë një mesazh human.

Gjenevë, më 15 dhjetor 2019

*Titulli i redaksise. E dërgoi për Diellin, autori. E falenderojme.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Alfred Papuciu- Shqiperia-Kosova- ne Zvicer

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT