Pak kohë më parë shkrimtari Italian mbërriti në Korçë, për një takim në kuadrin e javës së gjuhës italiane në botë. Kujtoj fjalët e tij në një shëtitje nëpër qytet që e shkuara e qytetit së shpejti nuk do të ekzistojë më për shkak të progresit, prandaj është detyra juaj si shkrimtarë që ta mbani të gjallë në histori me veprat tuaja. Jemi dëshmintarë që Korça e dikurshme po ia lë vendin“modernizmit të betontë” dhe historia e saj po shthurret dhe perëndon pak nga pak. Edhe në vizitën e tij në një vend arab, ai vazhdon ta ruajë traditën e të shkruarit, kur përshkruan gjithçka që i rrok syri nëpër qytete. A.K
Raffaele Nigro/
Shiroku e bën të lagësht dhe të butë në të njëjtën kohë natën në Algjeri. Në kontrollin doganor ka radhë për shkak të një shoqërie pelegrinësh që kthehet nga Meka. Janë gra të moshuara të mbuluara me shami të bardha të zbukuruara me shirita të praruar dhe sandale në këmbë. Ka të moshuar të futur në veshjet e bardha me kapuç dhe këpucë mokasini, celularë që varen në gjoks si suvenire të një moderniteti të mprehtë. Kthehen nga një udhëtim në varrin e profetit, të bardhë në veshje dhe në shpirt, më të sigurtë, edhe në vetëdijen që në kthim i pret një një pjesë jete e dhimbshme. Për shumë prej tyre udhëtimi i fundit. Gjendem në Algjeri për një Takim mes shkrimtarëve europianë dhe algjerianë, nën kujdesin e B.E-së, midis shumë veprimtarive për 50 vjetorin e Pavarësisë së vendit nga Franca, 1962-2012. Tema është e hollë dhe provokuese. Letërsia dhe arratisja. Arratisje e promovuar nga Pranvera arabe, ikje nga integralizmi ose nga moderniteti blasfem i perëndimit, ose nga etika e impenjimeve. Jashtë ka një turmë festuese të të afërmve, në pritje të tyre nga udhëtimi. Më pret drejtori i Institutit Italian të Kulturës, markixhan që ka kaluar përmes përvojave në Sofje dhe Ankara. A njoh shkrimtarë algjerianë? Dikë, Assia Djebar-in, që e kisha takuar në Firence, një grua luftarake, që i shpëtoi dënimit të integralistëve, pasi nuk i pranojnë mospërmbajtjet feministe të saj, shkrimin zemërak të saj. E njoh Malika Mokeddemin, tregimtarinë e saj të denoncimit të diskriminimit seksual dhe ikja në Francë. Dhe Mohammed Dibin, më i njohuri, ka ndëruar jetë në vitin 2003, një burrë që ka shkruar për kalimin torturues nga tradita në modernitet. Më ka bërë kurioz një performancë tregimtare e Amara Lakhous-it, dygjuhëshe që jep mësim në Romë, në universitetin la Sapienza dhe që përzjen kultura dhe tradita euroarabe, duke provuar ta arabizojë italishten dhe italianizojë arabishten e vet. Punohet ethshëm në 10 km e rrugës që e ndajnë aeroportin nga Algjeri dhe rruga e re e presidentit Bouteflika parashikon ripopullimin e qytetit me mijëra palma hurmash të rrëmbyera nga shkretëtira, lagje të reja dhe një xhami shumëmilionëshe euro, më të madhen në botë, që i shtie në diskutime grupimet algjeriane. Algjeri ka shumë prej Napolit spanjoll, në përzjerjen dredha-dredha të rrugëve, në mbeturinat që pushtojnë trotuaret, tek mosbesimi i kangjëllave dhe i mureve rrethues. Nga fusha ngjitesh në kodër në të cilën ngrihet qyteti. Kasabaja e saj, trashëgimi e Unesko-s dhe ribati i vjetër, rrënoja të padepërtueshme, shfaqen mbi port. Një port i madh, në fund të lëmshit dhe labirintheve prej çimentoje të mbështetura në çimento, të mbajtur prej muresh të prishur dhe rrënoja që presin ndonjë restaurim. Hyjmë në hotelin Al Djazair: është në stilin arab, i mbrojtur nga vila të rrethuara me agrume, palma dhe pranë, bima e përhapur në Maghreb, Greqi dhe Andaluzi dhe e përdorur si dekor i kapitolit korinthas. Dy pengesa – një i policisë civile, një e dytë e rojeve private – na ndalojnë që të kontrollojnë në dhomën e motorrit dhe në kofanon e makinës. Mund të kalojmë. Në një sallë me damask dhe të pasur me tapete si në pikturat e orientalistëve, fillon konferenca që më duket një pretekst takimi midis Europës dhe Mesdheut. Nicolae Prelipceanu është sekretari i Bashkimit të tregimtarëve rumunë, shkrimi i lejoi të ndërtojë një rrugë largimi nga terrori në kohën e Çausheskut, por sot vendi kërkon impenjim në themelimin e demokracisë dhe që të stabilizohemi në ekonominë europiane – shpjegon ai. Tema që mbizotëron në shkrimet e pragezes, Petra Hulovà, dhe hungarezes, Jànos Lackfi. Jetuan në socializëm dhe shkrimet, leximet e pakta, qenë një rrjet ante litteram për të debatuar dhe informuar për botën e ndaluar. Ruth Pleyeri, pedagog i shkencave islamike në Vienë, rihap një kapitull dramatik të historisë së ‘900, me ikjen e izraelianes Berta Zuckerkandl në vitin 1940, nga Austria naziste në Algjeri. Belgia Christine Bechet flet për klasikët që t’i shmanget një shoqërie asfiksuese dhe sipërfaqësore, ndërsa regjizori Vassilis Alexakis përsërit pamundësinë e arratisjes për një grek që dje nën diktaturë dhe sot me debitin publik. Juan Vicente Piqueras përshkruan zbrazëtinë letrare të një Spanje që kaloi nga poezia tek tregimtaria dhe në kinema, por që ende nuk i ka gjetur mjeshtrat në gjendje t’i interpretojnë ndryshimet në vazhdim. Përkthyesi i Tonino Guerras, Piqueras, kërkon jetën e lagjeve të vjetra, të fshatit dhe origjinalitetin e humbur. Europa është për të gjithë një strehë, një frymëzim, një mbrojtje nga nacionalizmat dhe nga diversionet e demokracisë. U vjen radha magerbinëve. Në bisedat e tyre lexon shpresën e simbolistëve, ikjen romantike në limitet e ëndrrave, kërkimin e shkretëtirës si strehë nga metropolet, pezull midis Bodlerit, Derridës dhe Kmysë; por edhe konstatimi për një botë që ecën dhe përmbys siguritë e traditës. Kjo është një shoqëri e burgosur e një dualizmi të tmerrshëm. Mohamed Magani, tregimtar dhe francezist në universitetin e Algjerit, është i lumtur se njohu italianë. Se e ndërpreu rrugën njëdrejtimshe drejt Parisit. Kujton prezantimet e romaneve të tij në Bari dhe Firence. Italia është një vend që na do, mjaft të shohësh vëmendjen e botuesve Besa dhe Melangolo — thotë ai. Beteja e Algjerit të Pontekorvos është për algjerianët një monument kinematografik. Por ndeshja për klasën intelektuale algjeriane luhet ende midis laicizmit dhe besimit, dhe në e urrej dhe e dashuroj me Francën. E përsëriti tunizini Hedi Bourawi: «Për arabët frëngjishtja është gjuha e vartësisë dhe e mërgimit. Nuk mund të bëjmë pa të, edhe pse ditën përdorim arabishten, gjuhën e zemrës. Në mospërputhje janë të rinjtë që zgjedhin të studiojnë anglisht dhe spanjisht. Një temë që e prek dhe Amin Zaoui, romnacier prodhimtar, për të cilin progresistët shohin Parisin, integralistët Mekën. Një erë tjetër ndihet në shkrimet e të rinjve. Ka dhjetra syresh, por po përmend disa, Kaouther Adimi dhe Mohamed Grine. Kaouther është 26 vjeçe, në romanin Balerina me papicha, flet për vetminë dhe kontrastet që lindin në një familje algjeriane të zhytur tek krimi dhe varfëria e lagjeve popullore. E njëjta moshë Grine, jep gjuhën frënge dhe italiane, ka shkruar tregimet Pas shamisë. Flasin për hipokrizinë arabe; të nënshtruar me tradita, por bëhen edhe marrëzi për firmat Nike dhe Nokian. Pranvera arabe është një bllof, diktaturat e vjetra u zëvendësuan me të reja dhe terrori integralist dominon në Maghreb. E pyes për botimet. Është i gjallë, ¾ janë botime të Kuranit, ka shitje të pakta për shkak të varfërisë, prandaj prodhohet letër. Në qytet janë shtëpitë botuese Barzach, Casbah, le Editions el Iktilef, Chihab. Ndërsa Mediaplus është në Kostandin. Ofrohet si guidë mes lagjeve popullore që alternohen me pallate elegantë për ministritë, në stil moresk(arab): dyer dhe dritare me hekur, harqe me përforcime, bedena dhe dekore gjeometrike të prejardhjes berbere. Mes kontrolleve lodhëse të policisë, kantiereve të hapura dhe postblloqeve. Sepse vendi është i shqetësuar – më shpjegon. Grupet integraliste na detyrojnë ta mbajmë lart vigjilencën, e tronditin jetën e atij që kërkon normalitet. Ndërtimet e 50 viteve të fundit i mbyti me çimento bulevardet neoklasike të francezëve, realizoi një periferi të pafund të mbushur me dyqane, ku s’ka as antikitet as modernitet. Kalon ndonjë vilë moreske e rrethuar me kopësht, ndërsa futemi në një rrëke apokaliptike me makina të eksituara nga 20 centet, aq sa kushton një litër benzinë. Po tregimtarët italianë? – e pyes guidën time të improvizuar. Janë përkthyer Buxati, Eko. Zgjedhje të rastësishme, episodike, por nuk njihet Petrarka ose Bokaçoja, epika italiane, Leopardi. Me ta merren universitetet. Ambasadori ka premtuar ndihmën e vet; një promovim të kinemasë së re italiane. Po Dantja? Buzëqesh dhe tund kokën. Dantja? S’ka mundësi, është armik i Islamit dhe e i Muhametit.
Përgatiti Arjan Th. Kallço