• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gënjeshtra e “Mjekësisë falas”

September 6, 2017 by dgreca

*Ky është realiteti……kjo është e drejta e mohuar e sigurisë shëndetësore…..kjo është demagogjia dhe hipokrizia institucionale që çirret e gajaset e patrazuar në parajsën që i kemi përgatitur e dhuruar ne………pikërisht ne…….me heshtjen tonë/

 *“Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqinj, por nga ata që tolerojnë të keqen”, ka shkruar Albert Einstein. Ishte dhe vazhdon të jetë kaq aktual ky përkufizim./

1-alma-Lico-ok-300x170

Nga Alma Liço- Mirakaj /

Diku, në periferi të Tiranës, mes kaosit të shtëpive të ndërtuara pa asnjë kriter urbanistik, prej shumë e shumë vitesh ndodhet një spital ku shtrohen qindra të sëmurë. Gjithsesi, mes luleve, pemëve dekorative, gjelbërimit dhe stolave të lyer bukur, së paku në ambientin e jashtëm, ai spital ofron një pamje të këndshme. Mrekullia shumëngjyrëshe, me sa duket përpiqet të zbusë trishtimin që fshihet pas atyre mureve.Pasi i kërkuam rojes të na lejonte të futeshim në portën hyrëse të godinës, pritëm më kot në holl mbërritjen e ashensorit. Një person i rastësishëm që kaloi pranë nesh, na bëri me dije se ata ishin të rezervuar vetëm për stafin e spitalit. Kësisoj, së bashku me tim shoq, ngjitëm me mundim shkallët e disa kateve dhe hymë në koridorin e pavionit ku ishte planifikuar shtrimi i tij. Dukej i strukturuar më së miri. Përgjatë tij, me epruveta e shiringa në duar, lëviznin me shpejtësi vajza e djem me uniforma infermierësh. Duke u përpjekur të kapërdinin lodhjen që u shkaktonin temperaturat e larta të ambientit, na përshendetën me mirësjellje e na uruan shërim të shpejtë.

Nga dyert e hapura të dhomave të pacientëve, ofrohej pamja e pezmatuar e fytyrave të zbehta të  të sëmurëve, të cilët atë ditë të nxehtë qershori, po sfiliteshin nga vapa e djersët, duke rënduar keqas gjëndjen e tyre. Në përpjekje për të shpëtuar disi prej saj, ata tundnin me vështirësi ndonjë copë kartoni apo gazetë të palosur, që u shërbente si freskuese. Zërat e tyre të pafuqishëm bashkoheshin me zhurmën e sustave të deformuara të shtretërve, që pothuajse preknin pllakat e dyshemesë.

Për të penguar disi rrezet përvëluese të diellit, në mungesë të grilave, xhamat e dritareve ishin mbuluar me gazeta që lëkundeshin, madje tek tuk dhe me batanije të vjetra që vareshin mbi komodinat me sirtare të shqyera. Sigurisht, këto ishin improvizime qesharake e arkaike të bëra nga vetë të sëmurët, apo të afërmit e tyre, që i vizitonin ata në oraret e lejuara. Në mungesë të ajrit të kondicionuar, ishte një orvatje e dëshpëruar për të zbutur në një farë mënyre ndikimin e atyre rrezeve,  që në orët e pasdites bëheshin të padurueshme. Në atë godinë të strukturuar bukur, nuk kishte kondicionerë. Vallë mungesa e tyre ishte për mungesë fondesh, apo vallë ato të holla kishin përfunduar në xhepa titullarësh e ministrash, që çuditërisht, brenda një kohe të shkurtër, shndërroheshin në super milionerë??

Pranë njerës prej dritareve, në një shtrat të vjetër, me tela të ndryshkur që kërkëllinin në mënyrë acaruese, qëndronte shtrirë një burrë rreth të gjashtëdhjetave. Instiktivisht ktheu kokën  në drejtimin tonë. Vështrimi i tij miqësor, i veshur me një solidaritet të paqtë, sikur na uronte mirëseardhjen. Ngjasonte me një aleancë të pashkruar që në mënyrë të pashpjegueshme vendoset mes të sëmurëve. Teksa shqiptoi disa fjalë, konstatova me keqardhje se nuk kishte asnjë dhemb në gojë. I ambientuar ndoshta prej shumë vitesh me mungesën e tyre, ai nuk kishte asnjë vështirësi të artikulonte mendimet e tij. Trupi i vogël  kishte humbur në një palë pizhama të gjera. E megjithatë ai lëviste energjikisht. Nuk e di pse pamja e tij e drobitur, më sillte ndërmend viktimat e burgjeve të diktaturës që zvarriteshin në hapësirat e ngushta prapa telave me gjemba, në kërkim të një shprese shumë të largët që pothuajse nuk ekzistonte.

Me përjashtim të barkut të fryrë, gjithçka tjetër që ishte trupi i tij, qëndronte strukur ndën ato pizhama. Sytë e lodhur, por dhe të ndritshëm njëkohësisht,  seç fshihnin një ankesë, një dilemë, një pamundësi për t’ja dalë mbanë. Ishte një ndjenjë e trishtë, një reflektim i zbehtë që ai përpiqej me naivitet ta injoronte. Ishte një reagim i ndrojtur që rrekej të mbulonte dështimin dhe mungesën e perspektivës. Një inferioritet i pa merituar, që në këtë shoqëri të pandjeshme shndërrohet në bashkëudhëtare e të mjerëve të pambrojtur, të braktisur në mëshirë të fatit. Nuk ka rebelim, as revoltë. Dinjiteti njerëzor ndjehet i prangosur përballë arrogancës, që përdhunisht imponon varfëria. Panatyrshmëria ka fituar të drejtën e së të natyrshmes.  Absurdi është ulur këmbëkryq.

Të nesërmen e asaj dite, ai burrë i tkurrur, duhej të linte ato ambiente. Mjekimi që nevojitej për kurimin e tij, nuk disponohej në spital. Së paku, kështu e kishin informuar mjekët e tij. Vërtet cinike, por fundja, nuk ishin ata përgjegjës për mungesën e ilaçeve. Betimi i shkelur i Hipokratit përcillej me nervozitet dhe zhgënjim për profesionin e tyre të përbuzur e nënvlerësuar nga institucionet ekzekutive. Megjithë përpjekjet për të kryer më së miri shërbimin ndaj pacientëve, fytyrat e pakënaqura të bluzave të bardha, vështirësisht  arrinin  ekuilibrin e domosdoshëm, që së paku të garantonte një komunikim normal më të sëmurët e varfër,  pacientët e përhershëm të atij spitali publik.

Por çuditërisht, në të njejtën kohë, sytë e atij burri të rrëgjuar shprehnin dashuri për dhuratën më të bukur të Zotit, atë të madhërueshmem, të papërsëritshmen, jetën. Bënte gjithçka për të sfiduar e mospranuar gjendjen e tij, fliste papushim për sportin, për miqtë e papunë me të cilët takohej çdo ditë për të zvarritur së bashku orët e pafundme të kotësisë. Bënte edhe ndonjë shaka.  Ishte, si të thuash, nga ata persona që me spontanitetin e tyre, të krijojnë përshtypjen se i ke njohur prej kohësh. Kishte diçka vetëngushëlluese në atë sjellje të dlirë e të shpenguar.

Ai duhej të siguronte mjekimin….jashtë spitalit….më saktë….ta blinte vetë atë………dyqind mijë lekë të vjetra…. Shumë që kapërcente  mundësitë e tij. E ku t’i gjente ai i gjorë ato të holla, kur jetonte vetëm me pensionin mjeran të së shoqes? E pra, ai duhej të linte spitalin, i pamjekuar, pa asnjë mundësi shërimi, pa asnjë garanci për jetën e vazhdimësinë e saj. Prej disa vitesh përjetonte të njejtin kalvar, dhe gjendja sa vinte e përkeqësohej. Në trishtimin e tij, nuk kishte asnjë grimcë rebelimi. Kisha lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që  kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Për këtë arsye priremi  të mos tentojmë për të ndryshuar situatën. Shembull i gjallë i kësaj gjëndjeje ishte i sëmuri i pashpresë që duhej të linte spitalin dhe qindra të tjerë që pranonin në heshtje korrupsionin e sistemit shëndetsor.

Kisha dëgjuar qindra histori të tilla të sëmurësh që duhej të blinin vetë ilaçet e  kurave te tyre. Spitali nuk ua siguronte. Kisha dëgjuar për zarfe me të holla që futeshin abuzivisht në xhepat e kirurgëve e specialistëve të tjerë. Madje një emision televiziv investigativ, pikërisht ato ditë, kishte denoncuar një rast të tillë në po atë spital. Kisha dëgjuar dhe për çarçafë e batanije të sjella nga shtëpitë e pacientëve, por kurrë më parë nuk kisha përjetuar kaq drejpërdrejt këtë pamundësi dhe përdhosje ndaj nevojës për t’u kuruar, dhe të drejtës për të jetuar. “Mjekësia falas” ishte dhe vazhdon të jetë një gënjeshtër e madhe që godet në mënyrë mizore më të varfërit,  jeta e të cilëve  është kaq e pavlerë.

Teksa e shihja të pashpresë, mendja ime fluturonte në sallat luksoze ku broçkullitej e jargavitej për politikat e mirëqënies dhe shanseve të barabarta….imagjinata më çonte në ambientet që frekuentojnë të pasurit e korruptuar, fals, arrogantë e të pashpirt. Të shndërruar në robër të aparencës dhe jetës pa përmbajtje,  as që u bën përshtypje shuarja e një jete për mungesë të hollash.  Fundja ky nuk është problem i tyre. Bota e vogël dhe meskine i ka mbështjellë si një rrjetë me fije të mëndafshta, dhe ata enden brenda saj në një garë të çfrenuar karrierizmi e pasurimi abuziv, nga e cila nuk arrin të dalë askush i fituar. Së paku, jo në dimensionin njerëzor.

Dy orë më pas, kishte përfunduar orari i qëndrimit të vizitorëve pranë të sëmurëve. Një punonjës i sigurisë, me ton urdhërues më njoftoi se duhej të largohesha prej aty. Teksa zbrisja me shpejtësi shkallët, më oshëtinte  në vesh një njoftim, sipas të cilit, disa ditë më parë ishte shpërblyer me tre paga mujore ish ministri i shëndetësisë për “sukseset” në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Hipokrizi e neveritshme dhe ulëritëse. Sa cinik ishte ky vlerësim i pamerituar për gjendjen e pashpresë të atij pacienti, dhe qindra të tjerëve që ndodheshin në situatën e tij. Një ministër që shpërblehej me disa miliona për misionin e tij të papërmbushur, dhe qindra të sëmurë që flakeshin në rrugë, në pamundësi financiare për t’u kuruar. Jetë që zvarriten e shuhen mizorisht për mjekimin e munguar për shkak të korrupsionit galopant të sistemit banditesk.

Ky është realiteti……kjo është e drejta e mohuar e sigurisë shëndetësore…..kjo është demagogjia dhe hipokrizia institucionale që çirret e gajaset e patrazuar në parajsën që i kemi përgatitur e dhuruar ne………pikërisht ne…….me heshtjen tonë……me mos reagimin tonë……Deri kur do lejojmë që kjo të ndodhë?

“Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqinj, por nga ata që tolerojnë të keqen”, ka shkruar Albert Einstein. Ishte dhe vazhdon të jetë kaq aktual ky përkufizim.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Alma Lico Mirakaj, falas, Genjeshtra e Mjeksise

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT