Anita Duriçi, mësuese në shkollën shqipe të Lozanës në Zvicër rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Anita Duriçin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE E LOZANËS NË ZVICËR
Jam e lumtur që sot po ju flas për shkollën e Lozanës që sapo kemi hapur dhe është shkolla më e fundit e hapur në rrjetin e shkollave të gjuhës shqipe në Zvicër. Shkolla Shqipe në Zvicër ka 51 klasa me mbi 800 nxënës të rregullt në të gjithë Zvicrën dhe synohet hapja e shkollave të reja. Kjo shkollë edhe pse është hapur gjatë muajit Prill 2021 dhe ka një numër jo shumë të madh nxënësish, është një qendër pasioni për mësimnxënie dhe mësimdhënie të gjuhës shqipe. Mosha e nxënësve varion nga 7 në 12 vjeç dhe urojmë e shpresojmë që të shtohet edhe një grupmoshë më e rritur gjatë hapjes së vitit shkollor 2021-2022, ai i moshës 12-15 vjeç. Edhe shkolla e Lozanës ashtu si të gjitha shkollat shqipe në Zvicër po përdor tekste shkollore, të cilat na kanë ardhur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Ne po punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë dhe vetëm para disa ditësh është konfirmuar që Kosova dhe Shqipëria kanë formuar një grup pune për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për ngritje të cilësisë në mësimdhënie por mbi të gjitha të mësimnxënies. Urojmë më të mirën për të gjithë si për nxënësit por edhe për ne mësuesit.
ORGANIZIMI NË KANTONE I MËSIMIT SHQIP DHE HISTORIA E SHKOLLAVE SHQIPE NË ZVICËR
Në mënyrë që ju të krijoni një ide të qartë me duhet të theksoj se Zvicra ka 26 kantone dhe shkolla shqipe ka hapur klasa në më shumë se gjysmat e kantoneve të saj, më saktësisht në 14 prej tyre. Lozana si kryeqytet i kantonit të Vod-it( Vaud) ka një numër të madh të komunitetit shqiptar i cili është i integruar prej dhjetëra vitesh. Në dukje, hapja e shkollave shqipe duket diçka jo shumë e vështirë por në të vërtetë nuk është aspak e lehtë sepse çdo kanton i Zvicrës funksonion si shtet dhe ka ligje, rregullore, sistem të ndryshëm nga kantonet e tjera. Për hapjen e një shkolle duhet organizim perfekt dhe hapja e saj është rezultat i punës së shumë instancave. Si fillim është rezultat i nismës së shtetit shqiptar për përhapjen e gjuhës shqipe kudo ku ndodhet disapora shqiptare, duke vazhduar me punën e palodhshme të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë dhe Ambasadës së Kosovës. Dhe pesha kryesore më pas bie mbi kordinatorin Z. Vaxhid Sejdiu i cili jo vetëm kordinon të gjithë punën, mësuesit, dhe bën të mundur hapjen e shkollave por unifikon të gjithë komponentët (ambasada, kantone, mësues, nxënës, prindër). Për të vazhduar më tej me punën e ne mësuesve të cilët duhet të ftojmë prindërit që të regjistrojnë fëmijët në shkollën shqipe dhe ta bëjmë të njohur kudo ekzistencën e shkollës, të japim mësim të gjuhës dhe të kordinohemi me mësuesit e tjerë në mënyrë që gjithcka të ecë me të njëjtin hap. Unë dhe kolegët e mi, mësuesit e SHSHZ që janë ndër mësuesit më të përgatitur dhe përkushtuar në diasporën shqiptare në Zvicër, jemi të përzgjedhur në bazë të aftësive tona sepse jemi të kualifikuar për detyrën e rëndësishme që kemi marrë përsipër. Nuk dua që të mburrem por deri më tani gjithçka po funksionin siç duhet dhe rezultatet e punës së Ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër Z. Gjoni, të kordinatorit dhe sigurisht të gjithë ne mësuesve, po japin frytet e tyre duke qenë se janë hapur mbi 50 shkolla vetëm në dy vite dhe niveli i mësimdhënies dhe i kurrikulave po rritet dita ditës së bashku me numrin e nxënësve që janë të interesuar që të mësojnë shqip.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Unë mund të them që është një lloj kënaqësie që të jap mësim në një vend si Zvicra, vend në të cilin fëmijët janë të detyruar të mësojnë dhe flasin të paktën dy nga katër gjuhët e konfederatës së Zvicrës. Duke qenë kështu, ata mësohen që të vegjël me konceptin e dygjuhësisë apo trigjuhësisë. Në një farë mënyre mësimi i shqipes vjen natyrshëm dhe mund të bëhet më i lehtë kur kemi nxënës që flasin gjermanisht, frengjisht apo italisht në të njëjtën kohë. Por në anën tjetër, të mësuarit i dy gjuhëve apo më tepër në të njëjtën kohë mund të ngadalësojë mësimin e shqipes sepse konceptet, fjalët e reja, gramatika përzihen në trurin e të vegjëlve dhe na duhet një aftësi e veçantë që të mund t’jua ngulisim gjuhën shqipe, të pastër dhe të qartë. Pandemia e ka vështirësuar punën për të gjithë, duke filluar nga mbarëvajtja dhe organizimi i mësimit, distanca ndërmjet nxënësve, mbajtja e maskave, organizimi i grupeve dhe klasave me pak nxënës deri tek organizimi i mësimit online. Megjithatë, kjo gjë nuk i ka penguar nxënësit që të mësojnë, apo ne mësuesit që të shpjegojmë dhe organizojmë mbledhjet online. Pandemia nuk na ka ndaluar as që të organizojmë aktivitete sepse më 30 maj SHSHZ organizoi aktivitetin për festën e 1 qershorit “Shkolla Shqipe – Zvicër 2021”, organizim i cili për herë të parë u zhvillua online në platformën “Zoom”. Në këtë konkurs morën pjesë një numër i madh nxënësish, rreth 130 nxënës, në tre disiplina, lexim, recitim dhe këndim, nga ku dolën tre fitues në çdo disiplinë. Ky aktivitet ishte një provë e gjallë e nivelit të mirë të gjuhës nga të vegjëlit që e kanë mësuar gjuhën në DHE të huaj dhe e flasin sikur të ishin rritur në trojet shqiptare. Kjo garë ishte gjithashtu shenjë krenarie për ne mësuesit, organizatorët dhe prindërit sepse fëmijët jo vetëm që kishin mësuar gjuhën dhe kulturën shqipe por tashmë ndiheshin aq të sigurtë sa të mund të garonin në konkurs.
GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR
Unë nisem gjithmonë me idenë që të njohësh mirë gjuhën tënde dhe për më tepër t’ua mësosh atë të tjerëve e mira është që të njohësh edhe një gjuhë tjetër. Së pari, mësimi i një gjuhe nuk është thjeshtë gjuhë por mësohet kultura, tradita, historia dhe në këtë mënyrë brezi i ri i njeh rrënjët, e njeh prejardhjen e prindërve dhe jo vetëm që ka mundësi të flasë me të afërmit që flasin shqip në trojet shqiptare, shoqet e shokët por rritet atdhe-dashuria, rritet patriotizmi, formohet karakteri dhe gjuha ështe një element tepër i rëndësishëm në formimin e identitetit kombëtar. Së dyti, mësimi i shqipes është tepër i rëndësishëm sepse do ju mundësojë fëmijëve shqiptarë që të kuptojnë më mirë gjuhën e kantonit ku po jetojnë (gjermanisht, frengjisht, italisht) apo gjuhën e vendit ku jetojnë kudo në botë. Kjo për shkak se alfabeti shqip ka 36 shkronja dhe shqiptimi i tyre do t’i ndihmojë të rinjtë që të mësojnë gjuhët e tjera të huaja që kanë më pak shkronja dhe fonema. Dihet tashmë që për shumë arsye, shqiptari ndër shekuj ka migruar në DHE të huaj por falë mundit të madh të secilit është bërë e mundur ruajta e gjuhës, kulturës shqipe dhe identitetit shqiptar dhe sot brez pas brezi fëmija i shqiptarit e quan veten shqiptar. Kjo është gjuha, kur mësojmë një gjuhë njohim një botë tjetër, kur mësojmë gjuhën e nënës mësojmë se kush jemi në të vërtetë dhe na lejon që të jemi vetvetja por njëkohësisht të pranojmë tjetrin dhe të kuptojmë veten, kështu bëhemi më mendjehapur dhe për rrjedhojë bëhemi qytetar të denjë të botës.
BASHKËPUNIMI PRINDËR-NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE
Punët e mira bëhen me kontributin e të gjithëve, duhet së pari që prindërit të ndërgjegjësohen për vlerën e mësimit të shqipes dhe t’i japin asaj rëndësinë që meriton. Në këtë formë shkolla shqipe do krijojë vatër në çdo qytet, fshat, kanton të Zvicrës ku ka shqiptarë dhe fëmijët do të rriten me një bazë të mirë të kulturës dhe gjuhës shqipe që do ju shërbejë në jetë. Si mësues por jo vetëm, ne kemi detyrën që t’ua sqarojmë organizimin e shkollës prindërve dhe t’u tregojmë mundësitë dhe përparësitë që ofron mësimi në gjuhën amtare. Shkolla e Lozanës si më e reja ka si qëllim që të rritet në numër klasash dhe nxënësish. Gjithashtu kemi si qëllim dhe po bëhet përpjekje që të hapim shkolla edhe në qytete të tjera të kantonit të Vod-it (Vaudit) në mënyrë që të gjithë fëmijët shqiptarë të kenë mundësinë të arsimohen edhe në shqip. Personalisht po bëj të pamundurën që nxënësit e mi të mësojnë dhe të argëtohen duke mësuar, kurrikulat kur i ndërthurim me një metodologji të përshtatur për secilin, ndihmojnë fëmijët që ta përthithin më mirë mësimin dhe të duan të vijnë në shkollë. Komunikimi me prindërit është shumë i mirë dhe ata kanë interes për atë çfarë bëjmë dhe mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre.
NJË PËRSHËNDETJE PËR VATRËN, DIELLIN DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Unë ndihem e nderuar që do të lexohem nga diaspora shqiptare jo vetëm në Zvicër por edhe në SHBA e më gjërë. Jam e lumtur që gjëndem në faqet e gazetës më të vjetër shqiptare dhe përfitoj nga rasti që t’i përgëzoj shqiptarët kudo ku janë nëpër botë, për arritjet, për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditave. Unë ju bëj thirrje të gjithë shqiptareve kudo ku janë, t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe sepse kështu mund të integrohemi kudo, duke ruajtur identitetin tonë. I ftoj ata t’i inkurajojnë fëmijët që të njihen me kulturën dhe historinë e Shqipërisë, të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja, të njihen sa më tepër kultura e mentaliteti sepse vetëm kështu do të rrisim qytetarë të denjë për familjen, për shoqërinë, Shqipërinë dhe e ardhmja do jetë më e mirë.
KUSH ËSHTË ANITA DURIÇI
E quaj detyrim që lexuesit ta dinë se kush i ka thënë fjalët e mësipërme, për këtë arsye po i them dy fjalë. Aktualisht jam mësuese e Shkollës Shqipe në Zvicër por njëkohësisht punoj që prej 2018 si përkthyese për sistemin gjyqësor në kantonin e Vod-it ( Vaud). Përpara se të vija në Zvicër kam qenë aktive në Shqipëri, ku kam patur kënaqësinë të jepja kontributin tim në Ministrinë e Kulturës, pranë ambasadës së Francës në Shqipëri dhe Aleancës Franceze. E rritur në një familje mësueseje dhe piktori, jam aktive gjithashtu në fushën e artit, pikturës dhe librit. Përsa i përket edukimit tim, për mua ka qenë gjithmonë e rëndësishme që të kem një kulturë të përgjithshme të plotë dhe kjo gjë më ka shtyrë që të kem interes për shumë fusha në jetë. Jam lindur në Tiranë, kam përfunduar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës ku jam diplomuar në bachelor dhe master për gjuhë dhe kulturë frenge për të vazhduar më tej me një master të dytë në universitetin e Lozanës në Zvicër, në degën e Shkencave të Komunikimit dhe Linguistikës dhe njëkohësisht kam bërë specializime të ndryshme në fusha të ndryshme që lidhen me artin, kulturën, trashëgiminë dhe gjuhët në universitete të ndryshme të Evropës.