Antologji e të vrarëve, poezi, prozë dhe portrete nga kundërshtarë të diktaturave/
UET press 2014/
***
HYRJE- Një patriot dhe intelektual i njohur, pedagog dhe politikan, Safet Butka, vrau veten në shenjë proteste e paralajmërimi, apel për të ndalur mynxyrën. Shqipëria po merrte rrugën e mbrapshtë. Në fakt atë e vrau realiteti mizor.
Dhe po kështu, pa mbaruar lufta, do të mbytej dhe një jetë tjetër, zëri i një filozofi, politikani e poeti, Zai Fundo, që kishte pasur rastin në betejat e tij të bashkohej edhe me ata që kishin nisur të ideonin Evropën e Bashkuar.
Pesë ditë para se të çlirohej Tirana, kërkuan dhe vranë edhe gazetarin e shquar Nebil Çika, korrespondent i metropoleve Perëndimore.
I pari, i (vetë)vrari, i djathtë politikisht, i diplomuar në Austri, dhe i dyti, i majtë, i diplomuar dhe në Bashkimin Sovjetik, kishin qenë në internim në Ventotene, në Itali, si antifashistë. U bënë miq se i bashkonte më shumë Shqipëria dhe nuk i përçante mënyra se si do qeverisej ajo në të ardhmen. Por jo diktaturë. Do rrinin dhe me vizionarë të njohur të Evropës së Bashkuar.
Dhe i treti, i diplomuar në Stamboll, në Kolegjin Amerikan, ashtu si ata, donte një Shqipëri të pavarur e të begatë në ekonomi e kulturë, ja ashtu si vendet e përparuara.
Në ditët e çlirimit të Tiranës partizanët trokitën në portën e vilës së arbëreshit Terenc Toçi, patriot i flaktë, luftëtar, gazetar, jurist, politikan, ministër, etj., i cili kishte bërë udhëtimin e kundërt të eksodit masiv të para 500 vjetëve të arbëreshëve, ai ishte kthyer në bregun amë, kishte ideal dhe pasion Shqipërinë e të parëve dhe luftonte t’u kthente sërish Evropën moderne. Ai ngriti flamurin kombëtar në Mirditë një vit para Shpalljes së Pavarësisë dhe po përgatiste kryengritjen e përgjithshme në bashkëpunim me djalin e Garibaldit etj., etj., dhe e pushkatojnë, vëllezërit e 500 vjetëve.
Pushkatuan dhe burrin e shtetit Lef Nosi, shpallës të pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër më vonë, vranë ministra të tjerë, kryetarë etj., etj.
Mes katolikëve të përkushtuar, krijues së toku të fesë së ardheut, vranë: Lazër Shantojën, Ndre Zadejën, Anton Harapin; mbaruan në burg nga torturat: Bernardin Palaj, Vinçens Prenushi, Aleksandër Sirdani, të gjithë të një kulture perëndimore evropiane.
Edhe një dervish i pushkatuar, shpirti liberal i Islamit, Ali Tomorri. Dhe miku i tij Maksut Milova- Zhiti, mësues që shkruante poezi dashurie, pranë teqesë së Baba Tomorrit, në Olimpin e shqiptarëve, para Olimpit. Pushkatuan edhe atë që kishte shkruar Himnin e Ri të atdheut, i mbiquajtur Osoja i Ri…
Ndaj edhe intelektuali i lartë, njeriu i përkushtuar, që kishte qenë ministër i atdheut, Xhevat Korça, që i kërkoi duel një gazetari të huaj pse fyeu Shqipërinë, ky pra, kur e burgosën, u fut në të parën grevë urie dhe u shua si një martir.
Fantazma e autorit të romanit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, që vdiq në burg, plak 87 vjeçar, duket sikur hap derën e qelisë dhe futet në këtë antologji si për t’u thënë të gjithëve se vrasje ishte edhe shtrajtimi mizor që iu bë atij.
Po kështu edhe fantazma e tragjedianit sa kombëtar, po aq dhe universal. Et’hem Haxhiademi, që vdiq në burg, pak ditë para se të lirohej, bashkë me atë të ministrit të arsimit, poetit Mirash Ivanaj- çudi, vrisnin në prag të lirimit (?!), vrasje janë këto, me silenciatorin metaforik- erdhën për të dëshmuar veprën e tyre dhe Vrajën e Madhe.
Poetin Manush Peshkëpia e pushkatuan me 21 veta të tjerë, mes të cilëve edhe një grua, për bombën e hedhur në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ndërkaq diktatori Enver Hoxha i dërgoi një letër Stalinit, i kërkoi ndjesë për bombën dhe i premtoi për shtim dhune e vrasjesh të tjera.
Poezi e thenie
Donat Kurti
Mbi murin e qelisë
Lidhë duersh e kambësh me hekra
N’tokë shtri mbi pak livere,
Zbe n’fytyrë, ligshtue prej s’vujt’nash
T’gropuem sytë sjellë prej dere.
Tanë frigë rri e prêt
Kush po gërset,
Pse e shef vedin t’penguem,
Asht i burguem.
Safet Butka
S’ka gjë më të keqe
Për një komb
Sesa lufta brënda vetes
Përpara jetës së Atdheut
Nuk ka vlerë jeta ime fizike.
Të vetmin shqiptar
Që do vras unë, është vetja ime!
Zai Fundo
Kishte shpëtuar nga kthetrat e Stalinit, të Duçes dhe të Hitlerit, por nuk mundi dot t’u shpëtonte atyre të cilëve erdhi të vazhdonte luftën për atdheun e ëndrrës.
Nebil Çika
f.69
Ka një kategori mentarësh që kërkojnë në emër të funksionit të tyre, të sundojnë tërësinë e ndërgjegjës mentare të vendit të tyre ose të botës: artistët, siç është një Platon, një Goethe, një Mazzini, një Beethoven, një Shën Pal, një Hegel etj. Për pasojë, kur mentarët merren me politikë dhe shfaqin mendime mbi nevojat më praktike dhe urgjente të shoqërisë, është e natyrshme që arsyet e tyre t’i nxjerrin nga tërësia e mendimeve shkencore dhe filozofike të kohës së tyre. Në këtë kuptim të dytë, mentari ka një vegël dhe një armë. Vegla është mendimi i tij dhe metoda e punës së tij, që i japin mundësi të ndriçojë ndërgjegjen e njeriut.
Lazër Shantoja
f.76
Ishte shqiptari i parë që do të njihte shkëlqyeshëm gjuhën Esperanto
Duem…Republikë
E rrebtë shungllove- porsi rrufe,
Ndër veshë t’praksemvët- o fjalë e re,
Kërcnim i frigshëm- për njerz bakqi,
Ti i premton popullit- gzim e lumni!..
Pse kur ti shfaqesh- vorfnia ikë,
O Republikë!…
Mjaft, kler me dogma- t’kalbta ti ke
Ndër shkolla ushqyemun- masën e re:
Agoi sot dita- me t’i hjekë dore
Të gjitha shkollat- t’mesme e fillore…
Asht e programit- kjo e para pikë
N’një Republikë…
Kumbonët me tingle- na kanë shurdhue;
Hoxha n’minare- s’do lanë me kndue;
Idena tjera- që koha e re:
Kisha e xhamia- me i rrxuem përdhe!
Hoxhën e priftin- me i tretë n’Afrikë!!..
Duem republikë!..
Ç’ka ash besimi?- Robni shpirtnore!
Lypset shrranjosun- prej tokës Arbnore..
Kur shtet mund t’bahemi?- Kur masa e re,
T’rritet e lirshme- pa Zot e pa Fe..
Kur para ltereve- qirat t’jenë fikë,
Kem Republikë!
Shka i duhet vakfit- gjith’ ajo gja?
Pasunit kisha- ç’ka ka me i ba?
Hoxha e prifti- veç duen me u majë,
Me sa ky popull- ngjyen bukën n’vajë..
Ktune “ngopçarëve”- xhepat m’ja shpikë
Për republikë!…
Gzonju e gasmonju!- Prej qiellve t’nalta
Agim i ndritshëm- praroi kto balta..
S’ka ma zi buke, – s’ka ma vobsi:
Syt’ e përlotshëm- mori Shqipni,
Qe, vetë Mazzini, – delka e t’i fshika..
Rrnoftë republika!?!
Dom Ndre Zadeja
f.85
I përndershmi Daniel Gazulli shpjegon:
Dom Ndre Zadeja ishte fajtor! Fajtor se e desht Shqypninë deri në flijim. Fajtor sepse nuk u pajtue kurrë me xhahilët. Fajtor pse qau e fshau kur fashizmi shkeli tokën arbnore. Fajtor sepse nuk dijti me falë ata që fyen kombin. Fajtor sepse paralajmëroi ardhjen e kolerës së kuqe sllavo-komuniste qysh në verën e vitit 1942 dhe të gjitha rrjedhojat e saj tragjike. Fajtor se të deshi ty si pak kush, o Flamur Kuq e Zi. Ai ishet fajtor e mbet fajtor…
f.88
A thue përsipri n’ato bjeshk’t e nalta
Kullon si një herë ndër plasa t’shkrepave mjalta?!
A thue mbi kulm t’asaj Rozaf’s trimneshë
Që n’gjak t’kreshnikve shkrepat i pat veshë,
Ushton dhe sot një e vetme brohori
Kah përfillet flamuri kuq e zi?!
A thue asht gjallë Kosova, ajo fushore
Ku për Shqipni shqiptarët u banë therore?!
Thue kndojnë dhe sot blegtorë e blegtoresha
N’gjuhë shqipe kangë bujare edhe trimnesha?
A thue rigon e lirë ndër male e fusha
Q’prej Thesalisë, deri në Valonë, Vojusha?
A thue shqiptari asht tue gjallitë, tue rrnue?
A thue do fëmijëve punën me ja mësue?
Me i mësue m’u rritë përherë n’besë të Zotit
E n’armë me ndjekë gjurmët e Kastriotit?!
At Anton Harapi
f.99
Me gjak të vet e shuguroi
Elterin e Atdheut
Katoliku, ortodoksi, muhamedani:
Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri,
Gërmenji e Negovani,
Nuk kanë ndryshim,
Por janë në një mendim e në një vendim,
Në vepër e në vdekje.
Ata e vulosën me gjak çfarë qenë;
Na mbetet ne ta vulosim
Çfarë jena!
Bernardin Palaj
f.112
O fatbardha moj rini,
Njomze uzdajet për atdhe,
N’daç me gzue t’bukrën liri,
Mos shkel fis as mik as fe!
Pse n’kto sheje bota marë
Na dallon se jem Shqyptarë,
Fis pellazg e iliro-trak.
Beqir Çela
Hymni i ri i Flamurit
O Flamur, Yll i Lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t’Shqipërisë
Të dëgjohet n’amëshim,
Rrahja e lum’ e palës s’ate
Kuq si gjaku trimëror
I krenarve bij që pate
Dhe për nder t’u bën therror.
Fluturo, shqiponjë, dhe prina
La më la në qiej të ri,
Tek të bardhat rreze ngrina
Gjith’ në paq’ e lumturi,
Se s’na prek më kush në cak
Mal e fush’ pa u lar me gjak.
Dy-krenor i Kastriotit
Përmbi kish’ e mbi xhami,
Ti na lidh përpara Zotit
Besa bes’ në vllazëri;
Ti na mban në shpirt bashkuar
Ti na ngre na lartëson,
Ti në zi e gjak i shkruar
Jet’n e kombit na tregon.
Fluturo etj…
Famë-madh Flamur përhera
Ti ke qenë e do të jesh’
Se do nxjerrë gjithnjë Skëndera
Varr’ e fisit arbëresh,
Sa t’ket’ nëna Shqipërija
Ka dhe zana dhe dragonj,
Besa, nderi, burrërija
Mal e fush’ do zotëronj.
Fluturo etj…
Maksut Milova
f.150
Ku më je rritur
Shtëpizën që më je rritur,
Tek e shkove çupërinë,
Dhe hijet që rrinje shtritur
Përpara syve më rrinë.
Po e shoh, moj Perëndeshë,
Hijen tënde ndanë dardhë
Si kur los si pëllumbeshë
Me atë pulpëz të bardhë
Vajta edhe te burimi,
O sorkadhe kece frujë,
Atyth tek të prêt thellimi,
Atyth ti tek pive ujë.
Po po m’u kujtove tinë,
Shpirtja ime flok’ ergjënde,
N’atë shesh n’atë lëndinë
Kur losnje me ëndrrën tënde.
Aleksandër Sirdani
f.168-170
Harusha e Nieri
Shumë mjedrat janë simjet,-
Tha harusha i ditë tanë gzim.
Po a di gja a veç kot flet?-
Nieri e pyeti në përmallim.
-Me të vërtetë, për jetën t’ande,
Gja, e mjera, un nuk di,
Por kahë mue fort m’i kande,
Do të jen ba me mija e mi.
Marimanga, Gungalla e Bleta
-Eja Marë, tu lokja i herë,
A shef flokët si më janë zhgatërrue?
Merre krahnin me m’i lmue
Se prej mejet të del urim.
-Jam tue endun, nanë, pëlhurë,
Nuk kam kohë me tret me tye,
Mos m’a çaj pra fort kët krye
Tue m’i dhanun punës vanim.
-Eh ti bi, qi zemrën më grine
Si kto fjalë me më thanun mrrinë?
Gjithmonë puna keq por të hastë
Endsh e endsh, e grat mos t’pastë!
-Eja, e dyta, em bi, si molla,
Po të thrret nana me u avitë,
Krahnit dorën tue ia njitë
Me flokë t’shprishum kshtu mos më len.
-U! Moj nanë, si met m’i more,
Kam qillue në darsëm o,
Me kcye më duhet, me knduemun o,
Gzimin në fyt o mos m’a xen!
Eh! Moj bi, të plaçin të dy syt,
Si ma lae të shprishun kryet,
Këndosh e këndosh e plaç fill në shpinë
Se me ba gjithkend m’u bindë!
-Eja, e vogla bi, si vera,
Me ato duer si mëndafsh lmue,
Eja e krehe si je msue
Nanën t’ande pa vanim’.
-Qe, moj nanë, ktu përanë teje,
Gjithherë gati un ndolla,
Due me të krehun fjolla, fjolla,
Ky për mue a i madhi gzim.
Kjo tue kreh e nana flet:
Sa të ket rruzlli dit e net,
Kjosh e ambla shujtë e të gjallve,
Kjosh e ndritshmja dritë e të parve.
Ndoc Nikaj
f.188
1946- Dom Ndoc Nikaj, 82 vjeç, patriark i prozës shqipe…e arrestuan komunistët.
Akuza: ka dashur përmbysjen e qeverisë me dhunë…E mbyllën në burgun e Shkodrës.
Guxuan dhe e dënuan Plakun-perëndi! Vunë prangat mbi ato duar apostulli, që duhej t’i puthnin. Ato duar që shkruan shqip, kur nuk lejohej, mbi 400 shkrime, 30 vepra, shtatë romane ende të pabotuara, pararendësi i Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Mit’hat Frashërit, Ernest Koloqit, Mitrush Kutelit…”Balzaku ynë” e kanë quajtur. Mos donin të dënonin ashtu me të edhe ata 500 vjet mundime të klerit katolik shqiptar?
Sabiha Kasimati
f.199
E para vajzë që kreu liceun në Korçë, shoqe klase me diktatorine ardhëshëm, e para që u laureua për Shkencat e Natyrës jashtë shtetit në Itali, në Torino, shkëlqyeshëm, donin ta mbanin atje si ihtiologe, por u kthye në atdhe, siç e kishte edukuar familja e saj libohovite, babai i saj, mjek i njohur.
Është gruaja e parë që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Ajo habitej dhe e shprehte në mjediset intelektuale se si mund të drejtonte këtë vend një mediokër pa ndonjë aftësi të veçantë, përveç donzhuanizmit të tij…
Akuzës për terrorizëm zonja Sabiha Kasimati do t’i përgjigjej:
Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akt terrorist. Unë jam evolucioniste..
Mirash Ivanaj
f.210
Ishte dhe hakmarrja e Enver Hoxhës për ministrin e arsimit, i cili ia kishte prerë bursën e Mbretërisë Shqiptare, të dhënë për të studiuar në universitetin e Monpeliesë në Francë. Por kështu e kishte ligji, nëse pas tre vjetësh nuk i kishe marrë provimet e duhura. Enver Hoxha kishte guxuar të mos jepte asnjë provim në 5 vjet.
f.213
…pasi profesor Mirash Ivanaj ndërroi jetë mes dhembjeve të mëdha të dyshimit, por i duruar, mosbesues, i sigurt në dëshpërimin e vet, nuk donte më asgjë, as jetë…të tjerët, ata që i rrinin afër në burg, morën torbën e tij, nga ato që mbante çdo i burgosur, e bërë vetë, e bardhë, prej bezeje, e hapën dhe gjetën një llullë të vjetër, ca duhan…tjetër? Gjëra pa rëndësi…dhe sa çudi: një gërshet gruaje, flokë biondë në gështenjë. Sa rrëqethëse! Ku e mori, pse e mbante, si?
Kjo është ajo gjëja e fshehtë e tij, thesari? Gërsheti fin, sa grua e bukur do të ketë qenë ajo…cila? Çfarë i shfaqej atij, ku e lidhte këtë gërshet, ku e çonte që e mori me vete dhe në burg, si e kaloi, si e ruante? Apo ishte ndëshkimi i tij i shenjtë dhe ngushëllimi në ferr? Ai e di, vetëm ai…
f.217- 218
Për kujtim
Dashurova gjith’ zjarr si dashnorët e Orientit,
E forcën e pasionit shpalosa n’jehonë të plotë.
Kurorë të qenies veç dashurinë time kisha
Dhe jetën n’at përvëlim zjarri tërbueshëm
E jetoja.
Çmëndursht dashurova, si fëmija me Afsh shpirti
I freskoja ati buzka të vogla dhe rrëshqisnin me
Varkë
Mbi pasqyrën e detit mbushur me dritë fanarësh
Duke e shuar atë zheg të tejngopur në vapë.
Dashurova gjithë shpirt, pa lodra, pa mashtrime,
Si fëmija në plazh, kur dallgët shkumbëzojnë
Në hove të pakufishme, dhe shpirtin e një gruaje
Që zemra ma desh mbi gjithë gratë e tjera,
Lart e ngriti…Por, nga ky vlim i përflaktë
Shpirti im një ditë plasi, e tash veç vajtoj për të.
Zemërim
U çmend deti me dallgë, me shkumë e gjëmime,
Dhe krejt stuhi u mbush prej trupit të Eolit:
Gurët flakëroi nga kurorë e Neptunit
E me tërbimin tënd vriti yjet e qiellit!
Kjo dashuri që tek ti vogëlushe më shtyn
Është shumë më e madhe se ai zemërimi yt,
Këmbëngulja më e fuqishme se shpatullat e tua
Dhe ky pasioni im shumë më i madh se besimi yt.
Le ta pushtojë tërbimi gjer në palcën tënde,
Çdo gjë do të jetë e kotë! Ndaj unë s’frikem…
Edhe për mua, si për çdo njeri është një Perëndi.
Që do t’mi hapë tejpërtej portat e parajsës,
Prandaj tërbohu e n’atë tërbim ti plas,
Se Zoti im më i fortë se Zoti yt do t’jetë…
(Në detin Adriatik, qershor 1911)
Sadudin Gjura
f.227-228
Organizata ilegale “Liria” u themelua në fund të vitit 1946 në Tetovë. Udhëheqës ishte Sadudin Gjura. Me një kryengritje të përgjithshme ata kishin si qëllim bashkimin e trojeve shqiptare, por pa Enver Hoxhën. Nuk e donin. U bënë rreth 1500 anëtarë me një shtrirje nga Ohri në Prizren.
Kredoja e tij: “Ne luftojmë për krijimin e një Shqipërie me demokraci perëndimore, e jo për Shqipërinë e Enver Hoxhës”,- do të kujtohej gjatë duke tronditur mendjet e gjindjes…
Trifon Xhagjika
f.237
Artilier është apo poet, që kërkoi me top t’i binte sistemit?! Por poeti artilier është, shemb. Lirikat e Xhagjikës janë revolucionare, shkaku i revolucioneve, thellë-thellë është lirik, poezia e tij të befason dhe të trondit, pikërisht për këtë…
f.239
Ndihmomëni të qesh
Nuk mundem, nuk mundem,
Nuk mundem.
E pashë atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
Mundohej të këpuste një degë dafine
Nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të rritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore,
Ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po, e kërkuar atdheun,
E kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
f.242
Turp,
Atdhe!
S’dua di kush je!
Tek ti jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im,
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
Me duar të gjakosura,
Me sy të çuditshëm?
Et’hem Haxhiademi
f.252-253
Duhen thirrur heronjtë, prijësit, ata që bënë histori, që bënë kombin. Tragjeditë janë tempujt e tyre…
Tjetër tragjedi vitin tjetër, “Diomedi” (1936), kur përzihej mitologjia greke e ilire. Ndiente thika në shpirt, po e çanin, dhe shkroi “Abeli” në prag të pushtimit (1938).
Duhet ribërë Shqipëria e lashtë dhe ajo mesjetare, aristokracia e saj, kalorësia, kryekalorësit.
I duhej mitologjia biblike, antikiteti, heronjtë, edhe tanët, pasionet e përjetshme, intrigat, përplasjet ideologjike, me to mund të ribësh botën, të edukosh, familja…fillesa…e bukura e estetikës klasiciste…Të pasurohet letërsia shqipe, se pasurojmë shpirtin; duke themeluar tragjedinë, do ta pakësojmë në jetë.
Të mësojmë nga mynxyra për të nxjerrë dritë!
Mallkim diktatures
Qofsh i mallkuem, i poshtun, ti për jetë,
Prej ensh dhe prej Zotit të vërtetë,
Zemra jote kurr mos paft gëzime,
N’mjerimin tand ne gjetshim ngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët tmerr,
Të bift n’vend t’grunit n’arën tande ferr.
Jo vetëm ti, por edhe fëmijët tuej
Mënin e madhe paçin të gjithkujt,
Paçin bashk’ me urrejtjen e njerzis,
Mallkimet e krijuësit të Gjithsis.
Vilson Blloshmi
f.265
Te Genci i rënë pa veten, tmerrin dhe mbarimin.
– E shikon shokun tënd!- u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit.- – Kështu do të biesh edhe ti, por prano tani, pse nuk pranon?! Duam bashkëpunimin…Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së..
-Kam thënë jo, mbaroni shpejt,- foli dënesshëm Vilsoni.
– Mendohu, s’ke kohë shumë, balta të prêt.
-Më mirë baltë se sa me ju- u duk sikur u përgjegj vetë balta.
-Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat…- Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!
-Jooo,- ndërpreu gjithçka sokëllima e Vilsonit,- me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj!- dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë ky tmerr, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, edhe më parë…në hetuesi, në gjyq vetëm se ua bënë të njohur sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim.
f.269
I vëllai i Vilsonit e ka çuar në Strasburg a Bruksel çështjen e pushkatimit të të vëllait dhe të mikut të tij. Kërkon drejtësi, se ata që e vranë, janë ende gjykatës, deputetë, punojnë nëpër ministri, tek të drejtat e njeriut, shpërblehen…
Genc Leka
f.272
Ëmbëlsi e viteve rinore
O ëmbëlsi e viteve rinore…
O pika lot, o drithma mallëngjimi,
Pse ma tronditni botën shpirtërore
Me brenga, mall e zbrazëti dyshimi?..
Në cilën zemër hytë si pranverë
Dhe nuk i sollët zemrës lumturi?
Por, kur derdh vjeshta fletët nëpër erë,
Pranverë na do zemra përsëri!..
Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët
Zemrat s’do ndjejnë qetësi gjëkun’..
Lirika plot do lënë pas poetët…
Për mallin, helmin, gazin e pafund!
O ëmbëlsi e viteve rinore,
Në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore,
Si brengë, gaz apo si ngushëllim?..
f.275
Ciganët
…Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë..
Dhe këndonte plot mall e trishtim:
“Se si janë, ca gra, se si janë…
…Ah, të vrasin me fjalë, moj dade
Dhe të ngjallin veç me një vështrim!…”
Dhe shkuan ciganët në rrugët plot fletë,
Me këngë, me kuajt revanë…
Dhe pas i përcillte plot duf një gërnetë,
Siç ndizet shpirti cigan…
Ah, prap er’ e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
Me këngën e vjetër cigane për gratë…
Në vitet e brishtë më çojnë mendimet
(si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet…)
Dhe thinjat m’u shtuan çdo natë!…
Se si janë ca gra se si janë!
Gjithnjë më mundon ky mendim..
Po pse, o ciganë, a gjetshi belanë,
Me këngë me kuaj çuditni dynjanë
Dhe vjeshtës këndoni me mall e trishtim
Se si janë ca gra se si janë!…
(shtator 1970)
Rexhep Elmazi
f.290-291
Poezia në Kosovë ishte më shumë se poezi, kujtesë, identitet, apel, vizion…gjuhë dhe gjak.
Zhdukja e Rexhep Elmazit mbeti mister, por gjithsesi ishte vrasje dhe krim shtetëror.
Në vitin 1994 u botua në Prishtinë libri tjetër i tij “Fryma”.
Fryma e lirisë, e të qenit njeri, njeri shqiptar, e rimëkëmbjes është gjithandej e përhapur, ashtu si zjarret nëpër vatrat tona në Dardaninë e lashtë.
f.292
Kur je i dashuruar
Bota është plot bukuri
Edhe shoqja ime këtë emër e ka.
E nesërmja të mirën premton
Edhe biri im këtë emër e ka.
Kënga që kemi në buzë,
Quhet ardhmëri.
Si ta kish marrë emrin
E sime bije.
Jusuf Gërvalla
f.300
Një flautiste e vogël me emrin Donika. Vajza e poetit të vrarë Jusuf Gërvalla. Gishtrinjtë e saj të hollë sikur preknin plagë dhe jo vrimat e instrumentit, po më dukej. Madje këtë metaforë e hodha shpejt e shpejt në një poezi timen dhe e fsheha në kashtën e dyshekut.
Pastaj kamera u përqendrua tek Enver Hoxha, që po ndiqte koncertin nga lozha e udhëheqjes në Teatrin e Operas. Kishte marrë pamjen e atij që mallëngjehet dhe tundte kryet lehtë, me ritmin e melodisë.
Ata matanë kufirit vriten edhe për ty,- thashë me vete,- pa e ditur që edhe nga ti. i ke tradhëtuar tragjikisht. Kosovën e le dhe si shkëmbim për të ruajtur poltronën e sundimtarit të kuq. Ata që arratisen, me idenë se po vijnë te Shqipëria e ëndrrave, i kalbe burgjeve.
….
U tremba. Duartrokitje. Po përplaste duart dhe diktatori. Më bëhej se po dëgjoja jehonën e breshërisë së armëve dhe poeti Jusuf Gërvalla binte prapë, ngrihej dhe binte dhe karafilat që i dhanë udhëheqësit, u bënë një tufë me plagë.
Jepjani!
f.304
Një këngëtari
Është diku një botë edhe e largët,
Edhe e dashur,
Është dikur një melodi,
Është një sy i madh, i kaltër, një tel i këputur në kitarë.
Është diku një akuarium,
Me peshq e alge t’arta që freskon,
Është një zemër diku si kuti,
E në të një fjalë amëshimi,
Është diku gjithçka e vërtetë dhe melodi.
(“Fluturojnë e bien”, 1975)
Vrasja e gruas…
450 gra të pushkatuara
308 të çmendura nga torturat
45 gra të vdekura në burgjet politike
7367 gra të burgosura
Statistikë llahtari. Tmerr! Dhe Shqipëria s’ishte as 3 milionë veta, gjithmonë nën ankth dhe vuajtje, ndërkaq burra kishte shumë e shumë më tepër nëpër burgje dhe të pushkatuar 12 herë më shumë se gratë, por mbi supet e tyre gjithsesi rëndonte e gjithë tragjedia…
Musine Kokalari
f.316
E gjithë ajo që bënë me Musine Kokalarin, është vrasje.
E vranë dy herë, së pari si shkrimtare, ia ndaluan veprën menjëherë dhe s’e lejuan të shkruante më. Vranë atë që do të mund të bëhej. Pastaj vrasja tjetër si njeri, si grua, vrasje e ngadaltë, por e pamëshirshme, e sigurt.
Dhe e lanë gjallë si kufomë, që ajo vetë t’I shihte vrasjet e saj e të mos i shkruante dot.
f.320
Të isha një lule
(gjysmë poezie)
Të isha një lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë
T’ime.
Të isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qendroja e fshehur e padukur
Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy
Të rinjëve.
Prej frike,
Të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
Do të dhurohesha te njëri-tjetri
Për shenjë kujtimi.
Do të dëgjoja se ç’flitnin, fjalë të bukura
Dhe plot shpresë.
Do të më thurrnin dhe mua
Disa vargje të lehta
Për hir të dashurisë.
Karafil i kuq të lulëzoja
Dhe me kujdes të vaditesha…
Një ditë të vendosesha në jakë të palltos.
Do të shetisja dhe unë rrugëve të qytetit,
Do të kuptonja jetën djaloshare
Dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;
Që të dy qënkan të bukur, do të thoshin.
Më së fundi le t’isha
Së paku një lule e egër,
Midis rrugës dhe gurëve
Për kujdesin e të tjerëve.
Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,
Një burrë ose grua…e di por s’ka gjë,
Një lule të isha dhe jo njeri…
Azis Nela
f.331
E dënuan me varje…
E fundmja në të gjithë perandorinë komuniste. Ndodhte tek ne, në Shqipërinë e vogël, të tmerreve kaq të mëdha…dhe ku?…Ku-kës…Diktatori kishte vdekur, por jo diktatura…
E varën pa zbardhëllyer ende, në orën 2 të natës, 10 gusht 1988…
f.336
Kur të vdes
Kurt ë mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kurt ë pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urren mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërrmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerzinë këndoi
E për vete mbajti zi”.
Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”
Kurt ë vijë të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorrin tim me gur’ e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.
Prekni vorrin, mos nguroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushlloni
Thoni: “Gjallë kurrkush s’ka me mbetë!”
f.342
Fryma e Helsinkit
Kshtjella feudale tundet e lëkundet,
Si një varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet,
Thellë, gjithnji ma thellë, n’mes dallgëve
Po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdes!
Latif Berisha
f.345
Dhe e vranë në pragun e portës së tij, më 24 mars 1999.
Nga pas digjej biblioteka e tij, ndër më të pasurat në Kosovë, plot me dorëshkrime të rëndësisë kombëtare, me hulumtime të bëra gjithandej, edhe në Bullgari, Stamboll e Itali…
f.349
Tri gota
N’livadh të jetës tri gota i gjeta
Dy janë të mbushuna, asht bosh e treta…
Të parën e mora, në buzë e afrova,
Ish’idhtë si pelini mejherë e largova..
Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,
Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka..
I zbraza të dyja në të tretën gotë,
U ba idhtë e ambël, si asht vet’ kjo botë…
f.355
Për njeriun
Nëse verbohesh dy sysh,
Unë mund të të ndihmoj,
Të jap njërin sy,
Që t’i shijojmë
Bukuritë e pasosura të jetës
Bashkë me ty.
Nëse të lënë të dy veshët,
Unë mund të të ndihmoj,
Ta jap njërin vesh,
Që të dëgjojmë
Orkestrinën mahnitëse të jetës
Bashkë me ty.
Nëse ta marrin lirinë nëpër këmbë,
Unë prapë mund të të ndihmoj,
Ta jap gjakun tim,
Që t’i ujisim lulekuqet e pranverës
E të dehemi n’aromën e tyre
Pa mbarim.
Agim Ramadani
f.357
Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, Bill Klinton, e flaku mëdyshjen dhe firmosi bombardimin e Beogradit,-..i kisha dhënë fjalën Nënë Terezës,- do të thoshtë ai,- ma kishte kërkuar: “Ndihmojeni popullin tim!”
“Nënë Tereza ishte e para Ajo, që më bëri ta dua kombin shqiptar,- do të dëshmonte botërisht Bill Klintoni, dhe tani ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.”
f.364
Nëse
Nëse e dashuron diellin
Ma jep pak zjarr
Nëse e dashuron hënën
Më jep pak dritë
Nëse e dashuron lulen
Më jep pak shpresë
Në se e dashuron pranverën
Më jep pak jetë
Nëse e dashuron ylberin
Më jep pak rrugë
Nëse e dashuron shiun
Më jep pak dashuri
Nëse më dashuron mua
Zemrën ta fala