Shkruan: Saranda R.Shala /
8 Marsi njihet si “Dita e Gruas” në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por dhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim.
Kjo ditë u dedikohet mbi të gjitha grave të thjeshta, të cilat në saj të vlerave të tyre ndryshuan historinë botërore; kjo ditë u kushtohet grave të cilat për shekuj luftuan për barazinë e gruas në shoqëri. Në Greqinë antike, Lysistrata ishte nismëtarja e grevës së seksit ndaj burrave me kusht që ata të ndalonin luftën; gjatë Revolucionit Francez, gratë parisiene kërkuan të drejtat e grave nën thirrjen për “liri, barazi dhe bashkim”.
Pra, e parë në këtë këndvështrim, 8 Marsi është një festë, ku përkujtohet data e grave, të cilat kërkonin të drejtat e tyre, sepse më 8 mars 1911 Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet për herë të parë në Kopenhagë, Danimarkë, me nismën e Klara Zetkin, udhëheqëse e Organizatës së Grave të Partisë Socialdemokrate gjermane.E parë në këndvështrimin tjetër, kur grave u mohohen të drejtat, në këtë rast e humbet nocionin e festës dhe kalon në anën tjetër, në kërkim të mosnëpërkëmbjes së këtyre të drejtave, pra kalohet në protesta.
Është e vërtetë që 8 Marsi është një ditë që mbart në vetvete respekt, dashuri të pafund, për ato gra qe na dhanë jetë nga jeta e tyre. Për ato që natën e bënë ditë dhe na mëkuan me qumesht nga gjiri i tyre edhe të drejtën për të mos humbur të drejtat që na takojnë. Për ato që gjenden pranë, sado larg që të jemi, sa herë zemrat tona dëshpërohen, sa herë shpirtrat tanë rënkojnë nga pesha e çdo lloj dhembjeje apo padrejtësie që u bëhet. Për atë krijesë të mbushur me kaq dashuri, me kaq mirësi.
Kur kjo ditë shërben për çka u tha më sipër, lind natyrshëm pyetja:. Por sa respektohen këto përpjekje për bashkim paqe e barazi?
Sinqerisht është për të ardhur keq që kjo ditë ka humbur origjinalitetin e saj dhe është transformuar në një ditë feste, ku shtrohen me tavolina mbushur sikur të jetë një dasmë. A ja vlen të festohet kjo ditë dhe cili është perceptimi për një ditë feste? A thua se gratë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre dhe patjetër duhet kthyer në një ditë feste?
Nëse do ta shohim në aspektin social, dita e 8 Marsit duhet të kthehej në një ditë të kërkimit të të drejtave të tyre, sepse këto të drejta, jo vetëm që nuk ekzistojnë, por edhe ato pak të drejta nëpërkëmben, ose shkelen. Nuk mund të flasësh për liri të gruas, kur në fakt, ajo pas martesës trajtohet si pronë e burrit dhe që në këtë moment humbet edhe elementin më themelor, atë të lirisë. Problemet në drejtim të femrës janë aq të shumta, sa do të duheshin faqe të tëra për t’i përshkruar. Ajo që vihet re sot në shoqërinë mbarëshqiptare, qëndron në faktin se femra sot është e dhunuar në të gjitha aspektet e jetës dhe aq më tepër që vazhdon akoma, sot, në shekullin e 21, femra dhunohet fizikisht, trafikohet, pra në tërësi përdoret si një plaçkë tregu.
Është me të vërtetë për të ardhur keq për ato gra e vajza që janë futur dhe merren me politikë dhe janë bërë preh e politikanëve që i drejtojnë këto parti duke zbatuar symbyllur porositë dhe direktivat e tyre, duke mos ngritur krye për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre? Dhe vetiu lind pyetja: Cili është vizioni i tyre në fushën që merren, apo duhet thënë se janë pa vizion fare? Edhe në këtë rast gruaja është e nënshtruar nga tutorët politikanë që i përdorin thjesht për fasadë dhe për vota.
Tradita e trashëguar nga regjimi monist, 8 Marsin e ktheu në festë dhe kjo traditë vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite. Dihej qëllimi i atij regjimi, por ka ardhur koha sot, jo të festohet, por të kërkohen të drejtat e tyre, pavarësisht se mund të jenë të shkruara diku, por që kanë mbetur në sirtaret e harresës.
Meqënëse sot është 8 Marsi, dita ndërkombëtare e gruas, nga tërë ajo mori lajmesh që kam ndjekur për gjithë ditën, perveç kremtimeve dhe reklamimit tyre se si po “kënaqen”,duke festuar, nuk pashë ndonjerën prej tyre, duke protestuar e vizituar Nenat të cilat vuajnë për kafshatë goje.
Sot më shumë se festë, do te duhej të protestohet kudo nga gratë. Në jetën e tyre ka kaq shumë pabarazi, dhunë, beteja, probleme për të drejtat e tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që ende vuajnë zhdujen e fëmijëve e familjarëve të tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato femra të dhunuara nga çetnikët serbë, ku ende nuk është ndërrmarrë asnjë hap për dënimin e merituar të tyre, do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që enden kufijve me fëmijë në dorë duke kërkuar strehim nga luftëra. Më shumë se festë, sot do të duhej të protestohej për liritë dhe të drejtat e tyre.