NGA PËLLUMB GORICA/ Është kënaqësi të nisësh një udhëtim të gjatë, kur qyteti ende s’është zgjuar dhe kur pret që erërat e Jugut të të thërrasin për së largu. Po udhëtoj drejt kufirit grek, nën një qiell të shndritshëm, të nënshkruar vende- vende nga trille resh të bardha.
Miqtë, që kishin vizituar edhe më parë, më kishin lëvduar natyrën e bukur të Janinës dhe shekujt e historisë së saj, ndaj edhe më tundonin bisedat e tyre. Megjithëse dëshira ka qënë e kahershme për ta parë, ca nga pamundësia e pak nga preokupimet e jetës, e kisha shtyrë për një kohë tjetër. Veçse vjen një ditë që e shkel dhe njeh nga afër historinë e saj. Duke përfytyruar gjithë thesaret që mban ky qytet i njohur, kjo dëshirë u ndez më shumë në udhëtimin prej dhjetra kilometrash drejt saj, së bashku me udhëtarë të tjerë, në autobuzin shumëvendsh e komod, i ngjashëm me një shtëpi të ngrohtë dhe të dashur.
Rruga dhe ndalesat më miqësuan me mjekun Llluka Heqimi, shkrimtarin Abdyl Bakiu, Aida Metin të apasionuar pas udhëtimeve e Afred Kopanin nga Elbasani dhe kësisoj më pas çdo gjë ishte e këndshme. Secili tregonte diçka rreth së kaluarës dhe së tashmes së Janinës, por, kur kalon doganën e Kakavisë biseda përqëndrohet në fenomenin e natyrës së zhveshur këtej dhe kodrat e pyjet e gjelbëruara andej si në përrallë, të cilat parakalonin mes freskisë së këndshme nën këmbë malesh. Prilli me harlisjen e tij të bën ta adhurosh më shumë këtë stinë. Kjo dehje e Natyrës, e mbështjellë me kurreshtjen për këtë tokë të shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 nga fqinji ynë, Greqia, më pushtoi emocionet.
Simbolikë historike
Ndërsa makina i afrohej Janinës, sytë humbën në detin e ndërtimeve të gërshetuara midis të shkuarës me të sotmen. Në mendje më erdhën fjalët e këngës: “Janinës ç’i panë sytë”. Qyteti i shtrirë në konture kodrash të gjelbëruara dhe i mbështjellë nga një aureolë drite prej pamjes piktoreske të liqenit Pamvlotis, në mes të të cilit gjendet ishulli, të deh me aromë stinësh; ndaj lodhja e udhëtimit të gjatë tjetërsohet. Pikërisht pozicioni i favorshëm pranë liqenit dhe rrugës së lashtë që lidh detin me pjesë të tjera të territoreve, bëri të mundur ngritjen e tij. Fillesat e saj Janina i ka në kohën e Bizantit e rrethuar nga jo pak vendbanime Antike, të cilat kanë lënë gjurmë, si pjesë e kulturës së lashtë dhe dëshmi të hershme të jetës njerëzore këtu. Pak kilometra nga qyteti i Janinës ndodhet Dodona Pellazgjike me shkallët e stërlashta, ku dikur janë luajtur kryeveprat e Lashtësisë Greke, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, etj.
I zhytur thellë në meditime, me gjithë kohën e pamjaftueshme për të shkelur anëkënd qytetin dhe për të përthithur me të rrokshmen nën rrukullimën e përjetimeve, nuk mund t’i lejoj vetes kurrsesi të tregohem shpërfillës ndaj ndërtimeve arkitekturore që të shpërfaqen aty, të cilat janë ruajtur aq mirë, të lidhura me ngjarje dhe emra. Por, kur ndodhesh para këtyre vlerave të lashtësisë, unë zë t’i lidh me ato që kam lexuar. Diku i has dhe ndjej kënaqësi, por shpejt e kuptoj se njohuritë e mia janë të pakta e më duket krejt e arsyeshme të eksploroj më shumë nëpër përmasat e thella të historisë së saj, mbi të tashmen dhe gjenezën, i bindur se duart e artistëve të huaj kanë lënë shumçka edhe nga kultura e tyre.
Ajo që përbën një nga pasuritë e rëndësishme historike dhe të zgjon aq shumë interes mbi çdo gjë tjetër, është kalaja madhështore. Sa shumë legjenda dhe tragjedi i rrethojnë konstruktet e saj. Kalaja e njohur që në shekullin IV para Krishtit e ndoshta më herët e kthyer sot në një qëndër turistike, aty buzë liqenit, duke i tërhequr aq shumë vizitorët, jo vetëm me pamjen, por edhe me përzjeierjen magjepsëse të qytetërimeve. Dhe kjo duket qartë nga struktura solide e ambienteve me jete aristokrate në kohëra, diku-diku të shkatrruara nga flaka e luftërave. Vështron parrëfyeshëm muret e larta, xhamitë, kishat e ndërtimet e vjetra si dëshmi që i rezistuan kohës, pikëvendodhjet e tyre, edhe duke e ndërprerë një çast ecjen për t’i soditur. Kurreshtja bëhet më e papërmbajtshme kur atë e tret mbi kullën e madhe të sahatit, në rrugicat me gurë të gdhendur që kryqëzohen nëpër objektet e hershme, si edhe në pjesët e mbetura nga topat, gjylet, kolonat dekortive të gdhendura në kohëra të ndryshme, aty ku gjendet varri pa kokë i Ali Pashë Tepelenës. Krejt pa dashje të vjen në mend frëngu Pukvil me përshkrimet e tij.
Marrim rrugën në pikën më dominuese të kalasë, drejt xhamisë, që prehet e heshtur mes shkëlqimit verbues të diellit e kthyer në muze bizantin. Ajo shquhet për arkitekturë dhe mendohet se i përket ndërtimeve të shekullit XVI. Xhamia të prezantohet me kube të vogël e me një minare të lartë, por më së shumti e veshur me dekoracione murale. Vizitorë të shumtë enden nga njëra kthinë në tjetrën duke vështruar reliket, antikuaret, ormanentet dhe zbukurimet e shumta të disa periudhave. Ato të ekspozuara me fanatizëm, me kuptim dhe peshë të madhe, të fusin thellë në kulturën e shekujve të Janinës, por edhe të çojnë si pa u ndjerë në një kohë tjetër.
Pranë ndërtimeve të ronitura të shekullit të kaluar, të njohura ndryshe si Lagjet e Vjetra, të cilat shquhen për uniformitet, sytë kërkojnë “Zosimean”, gjimnazin e famshëm të Janinës, të cilësuar si “Shkollë e Madhe e Kombit”. Gjimnazi “Zosimea”, tepër i rëndësishëm për vlerat njerëzore e kulturore të dhjetra figurave të njohura shqiptare të fushës së artit, kulturës e politikës që studiuan aty. Le të përmendim: Konstandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Naim, Sami e Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Zenel Gjolekën, Hasan Tahsinin, Ali Asllanin, Abedin Dinon, Mustafa Krujën, Qazim Mulletin, Sylejman Delvinën, Sali Nivicën, Myfit Libohovën, etj.Nuk gjen fjalë të tepërta për të përshkruar emrin e kësaj shkollë, që ka rrezatuar në kohërat e këtij qyteti, si një nga vatrat me vlera historike, ku nëpërmjet saj përçoheshin aq shumë ndjenjat shqiptare, por nuk duhet harruar koha kur u hap, në lulëzimin e madh të Pashallëkut të Janinës dhe me kontribut të veçantë të Ali Pashë Tepelenës.
Është në interes të përmendet fakti që Janina në shekujt e XVIII dhe IX ishte kryeqendra e Jugut (Pashallëku i Janinës) e territoreve shqiptare. Ishte koha kur Perandoria Osmane krijoi Pashallëqet Autonome të sistemit të saj administrativ dhe Janina, është e lidhur pazgjidhshmërisht krahas të tjerash me emrin dhe sundimin e Ali Pashë Tepelenës si pasha i saj. Ai këtu kaloi një pjesë të jetës së tij mes dashurisë edhe si histori pasioni. Janina ishte një nga tre pashallëqet shqiptare me zhvillim dhe vlera kulturore të kohës. Greqishtja asqë njihej këtu dhe gjuha jonë i kishte rrënjët thellë në të kaluarën e identitetit tonë. Një dëshmi e këtij zhvillimi ishte zejtaria dhe tregëtia.
Janina në fillim të shekullit të kaluar përjetoi luftime të ashpra dhe të përgjakshme. Duke hedhur dritë mbi këto ngjarje, është mirë t’i referohesh sa më shumë fakteve rreth shpërfytyrimit të këtyre territoreve. Është kjo një nga ato të vërteta të hidhura që dihen, si një pjesë e historisë së këtij qyteti dhe e luftës së shndërruar në kurthe vdekjeje për qindra luftëtarë shqiptarë, të cilët, me qëndresën vetmohuese, sakrifikuan edhe jetën për të mbrojtur qytetin nga Grekët dhe, ku shpënguljet masive të Çamëve myslimanë drejt Turqisë morën një hov në mesin e shekullit XX.
Politika diskriminuese ndaj shqiptarëve çamë është e dhimbshme, e cila pasoi edhe më vonë me një genocid të pashoq ndaj tyre, por ajo që e bën të prekshme këtë dhimbje është sëmundja e mendjeve të qorrollespura greke. Spastrimi etnik i këtyre territoreve është dhe mbetet plagë edhe sot. Dhe Evropa që bëhej shurdhemece asqë donte të dinte për Çamët, duke u besuar dinakëve grekë. Unë nuk kam ndërmend të shkruaj më shumë, sepse nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, por mund të shprehem se, pa kurrëfarë mëdyshje për aq sa dihet tashmë, duke dashur të mos besosh, Grekët e kanë falsifikuar historinë, gjë që duket sheshit, sepse ushqejnë edhe në Mijëravjeçarin e tretë idenë e një politike intensive në emër të Epirit, për të thënë se ende ka një klimë acaruese.
Rrëfimi i bashkmoshatarit emigrant
Ecim mes Natyrës që ka derdhur artin e saj në liqen, ku, buzë tij edhe dora e njeriut ka krijuar ambiente të bukura.Rrjedha e kalimtarëve të shumtë që shëtisnin e të tjerë teksa nxitojnë për diku mbushte ajrin me zëra të gjuhëve të ndryshme, duke i dhënë një tjetër atmosferë qytetit. E ndjen kështu veten të zhytur në këtë kakakofoni, por befas një muzike shqiptare që vinte nga një kafene e vogël na tërhoqi drejt saj menjëherë. Sapo u ulëm dhe ishim gati të porosisnim një kafe dikush më thirri në emër. E kthej kokën dhe m’u rikujtua menjëherë ajo fytyrë, edhe pse kishte ndryshuar aq shumë. Solla ndërmend shikimin e tij… Ishte ai, Idajeti nga Mallakastra, miku i viteve të Rinisë. U përpoqa të fsheh emocionet e çastit, por ai më përqafoi me gëzim dhe nuk pushoi së më pyeturi për miqtë tanë. U zhytëm në kujtime, sigurisht në ato më të veçantat e që na sillnin aq shumë mall. Më pas rinisëm bisedën për hallet tona. Tregon se jeta këtu ka rrjedhur si uji në shtratin e një lumi të rrëmbyeshëm, herë me valë e herë me dallgë. Në Janinë ka nisur jetën bashkshortore dhe aty i kanë lindur fëmijët, që tashmë janë bërë burra. Herë me punë e herë pa punë, çdo gjë e ka ndërtuar me djersë, duke hapur dhe biznesin e tij, këtë kafene të vogël, mes vështirësive që po kalon Greqia sot, ku më së shumti mblidhen shqiptarë. Megjithatë ai nuk harron dhe kujton udhëtimim e parë për në Greqi, në një rrugë të ngjashme si e milingonave të cilat nisen për të kërkuar ushqim larg. Këtu, ku çdo gjë ishte e huaj; gjuha, peizazhi, njerëzit, ai u vendos dhe nisi jetën e re. Sepse kjo udhë ishte për të ndryshuar jetën e mundimshme e të varfër. Emigracioni ka lënë gjurmë, jo vetëm në pamjen, por edhe në bisedat e tij.
-Atdheu ynë ende nuk është gati të na mbajë -thotë ai me keqardhje.
Eh, ndaj u detyrua si qindra të tjerë të ecë drejt Greqisë, më këmbë netëve nëpër male, pyje e lumenj dhe rrugë e pa rrugë ashtu si jo pak që humbën jetën.
Më kujtohet kalimi i kufirit ato ditë kur ai u nis. Ndoshta tepër i vështirë, sepse nëpër faqet e gazetave dhe në qëndër të emisioneve televizive bëri bujë vrasja e dy ushtarëve dhe një oficeri shqiptar në një postë kufitare afër Kakavisë nga bandat greke. Ai e kujton shpesh këtë udhëtim, që është ende i gjallë, sikur ka ndodhur dje, ndaj nuk i përmbajti emocionet që rridhnin nga vetëdija e tij.
– E kalova kufirin, – thotë ai, – natën së bashku me dhjetra të tjerë, me një trastë ushqimesh të thata dhe pak veshje të vjetra për ndërresë, por me zemër të ngrirë prej frikës së policisë greke. Ishte një kohë e keqe atë natë. Dukej se edhe qiejt ishin çarë. Ecja i lagur deri në palcë nga shiu pa mundur të gjeja vend ku të fut kokën. Të nesërmen kaluam në një qytet të vogël dhe u çudita me bollëkun, ndriçimin, pastërtinë dhe ndërtimet që më bënë aq shumë përshtypje. Kështu e më bukur është gjithë Greqia. Punova ca ditë aty të mbaja frymën gjallë e më pas udhëtova në Trikalla. Por erdhën kohë që lëvizja e lirë drejt Greqisë bëri të mundur të udhëtohet në kushte komode; gjithsesi nuk duhen harruar ato vite dhe sakrificat e shumta.
Ajo kafe me Idajetin me shijoi më tepër se çdo kafe e servirur në lokalet luksoze të Janinës dhe zgjoi aq shumë emocione, kujtime, mall, në këtë kohë, kur emigrimi jo pak prej miqve tanë i ka shpërndarë nëpër Botë, sepse respekti është një nga vlerat njerëzore. Nuk ndodh shpesh që jepet me dashuri e përkujdesje, por pikërisht këtu në Janinë e përjetova ndryshe.
Ishulli i ditëve të fundit të Pashait
Morëm rrugën për më tutje mes grishjes së kësaj lashtësie, por asnjëri prej nesh nuk e vuri në mëdyshje vizitën në ishull, si një arsye më shumë për të të vizituar muzeun e Ali Pashë Tepelenës. Ishulli shfaqej së largu ngjyra-ngjyra si një ndër vendet e parapëlqyer nga turistët. Natyrisht të ngazëllon liqeni nën një sfond me re që lëvizin drejt lindjes dhe përthyhen aty, si një pikturë gjigande, por sidomos varkat dhe anijet e vogla që lundrojnë, ashtu si pulbardhat tufa -tufa të cilat fluturonin e të zhyteshin në ujë për të kërkuar ushqim. Ndërsa rrepe degëshpërndarë si gishtrinj, buzë liqenit, të dhurojnë përshtypje të tjera nga ky qytet hijerëndë e me një natyrë emotive.Ndaj është një mrekulli të jesh dëshmitar i këtyre çasteve magjike.
Anija lundron drejt ishullit dhe timonieri i saj, një grek trupmbushur, të tregon legjendën që lidhet me mbytjen e 17 grave janiniote prej Ali Pashë Tepelenës, i cili, duke parë degradimin moral të qytetit, urdhëroi vdekjet e tyre në një natë dimri. Aliu duke qënë i i pamëshirmshëm ndaj veseve të shoqërisë, vendosi rregull e rend dhe u bëri rezistencë Turqve në Pashallëkun e Janinës së bashku me të tjerë shqiptarë: Zylyftar Podën, Ago Vasjarin, Omer Vrionin, Tahir Abazin, Tafil Buzin, etj. Me natyrën e mprehtë e kryengritëse që zotëronte, ishte edhe tepër madhështor në sytë e atyre të cilët në Janinë drejtonin misionet diplomatikë të Perandorive Evropiane, duke e cilësuar atë si Luani i Janinës. Kjo madhështi nuk ndërfshihet kurrsesi e cila ka frymëzuar poetë, shkrimtarë, studiues historie, piktorë, aktorë, më së shumti të huaj, ta përjetësojnë si emër mitik.
Teksa zbresim në breg, sytë e mi ndjekin vijëzimin e kalldrëmt me ndërtimet arkitekturore të vjetëruara rreth e qark, që të tërheqin vëmendjen menjëherë. Por kurreshtja që më kishte pushtuar bëhej më e thellë nga hapat drejt Manastirit të Shën Pandelejmonit, i përshtatur si muze. Ndaj dhe ndjej se kam ardhur enkas për të takuar Aliun dhe historinë e lavdishme të Janinës.
Në fund të rrugicës së ngushtë, e cila të shpinte në derën e muzeut, aty- këtu është e pamundur të bëj qoftë edhe një hap para pa ndeshur antikuarë e ormanente, që janë aq magjike, të ekspozuara nëpër dyqane e stenda. Nuk e di pse më rëndohet hapi në këto çaste.
Brenda muzeut heshtja mbizotëron dhe sikur e ka hermetizuar historinë e Ali Pashë Tepelenës me ngjarje të kristalizuara aq qartë. Shtangem përballë topit dhe armëve të lara me flori, por edhe nga gjithçka tjetër që rrëfen betejat me prijësit, atributet e veçanta, të cilët të ngacmojnë aq shumë e të ringjallin kohën dhe personalitetin e Aliut me pushtet të gjithanshëm.
Sytë i përqëndroj mbi sofrabezët e kuq, që më verbojnë me fuqinë mahnitëse të tyre dhe që i tërheq aq shumë vizitorët e huaj me fotot, portretet, veshjet, pikturat ikonografike, dokumentet e një mori dëshmish të ruajtura e të radhitura bukur. Ato të krijojnë kështu magjinë e befasisë art; porse nëpër stenda, vitrina, kthina, qeli me lagështi, është e stërzgjatur paraqitja e objekteve fetare ortodokse e të tjera të cilat kanë të bëjnë me Revolucionin Grek të vitit 1822.Midis dhjetra portreteve, ajo e Aliut mjekërbardhë me Vasiliqinë më merr shikimin e më mban mbërthyer. Dhe, ndërsa e vështroj, ndjesitë e mia përshëndeten nga një jehonë zëri, si dikur kur ushtonte heroika e tij me një fund paksa tragjik.
Por ajo që më bëri më tepër përshtypje është kur ciceroni i muzeut tregoi reliket dhe mbishkrimet greqisht, kur tenton t’u ik të vërtetave shqiptare, duke i cekur kalimthi ngjarjet që kanë lidhje me shqiptarë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë të thella, pa denjuar për të thënë edhe disa fjalë për secilin prej tyre. Sepse kjo Grekëve nuk u pëlqen ta rrëfejnë, dhe të pranojnë faktin që ata ishin dominues në veprimtarinë e këtij qyteti dy shekuj më parë. E pafalshme kjo, kur Historia Botërore flet ndryshe dhe kur atë Grekët tentojnë ta privatizojnë. Ku janë të dhënat për shqiptarët, pyeta dhe nga ciceroni nuk mora përgjigje; vetën ngritje supesh. Ndaj, është detyrë për ne shqiptarët që për çdo gjë e cila i përket historisë sonë duhet të reagojmë me kurajo sa here që ndeshim mohime dhe heshtje të tilla të qëllimta.
* * *
Një tufë re zë e tërhiqet nga liqeni kur ne zbresim nga anija. E lemë pas krahëve Janinën e historive të mëdha dhe të pashait gjëmimtar, sepse do të na duhej të udhëtonim drejt qyteteve të tjera të Greqisë. I dhënë pas historisë dhe bukurive natyrore, orët e kësaj dite s’di se si më fluturuan aq shpejt me plot kënaqësi, saqë është e vështirë t’i përshkruaj të gjitha përshtypjet. Por do të kthehem sërish këtu, sepse se mbi gjithçka kujtimi i pashait të madh më josh me madhështinë e tij.